Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

"Zotëria i së premtes" alarmon policinë
Publikuar me 20 Maj 2009

"Zotëria i së premtes" alarmon policinë

Misteri mbi grabitësin e disa bankave. Flet perfekt gjuhën letrare, është "i sjellshëm" dhe intelektual

 

Zotëria i së premtes! Nuk është titulli i ndonjë libri apo i ndonjë filmi. As i ndonjë legjende urbane. Është një histori e vërtetë, që ende nuk është "mbyllur" në Gjykatën e Faktit në Tiranë. Është historia e një hajduti me "kulturë" e i përgatitur për të grabitur vetëm banka. Ai është i zgjuar dhe sfidon policinë. Dita e tij "me fat" është e premtja. Pikërisht atë ditë, ai bën goditjen e radhës. Nuk ka rëndësi nëse ka kaluar një javë, një muaj apo një vit, por të premten duhet të ruhemi nëse jemi të punësuar në sigurimin e pikave të bankave apo postave. Atë ditë, ai del "në punë". Dita-ditës, ai po kthehet në legjendë, askush nuk mund të thotë se kush është edhe pse nuk maskohet. Vetë policia e ka pagëzuar me këtë emër: "Zotëria i së premtes". Është njeriu i cili dyshohet se ka grabitur disa filiale bankash, jo në shuma të mëdha parash, e që ende mbetet i lirë. Duket se më shumë e bën për argëtim. Dëshmitarët që e kanë parë, që kanë folur me të, tregojnë se është shumë i kulturuar. I veshur në mënyrë të rregullt, e me një pistoletë në xhep, hyn në bankën ku do të bëjë goditjen e radhës. Për disa ditë, ai studion situatën, shikon ku janë kamerat, kontrollon sigurinë e pastaj vendos: Do të veprojë apo jo?! E kur vjen dita e premte, merr armën e preferuar të tij, që mund të jetë edhe pistoletë lodër njëqind lekëshe. Hyn si klient i rregullt në bankë. Me qetësi shkon te banaku e flet me punonjësen e bankës. Duke iu lutur të ruajë qetësinë e që të mos frikësohet për asgjë i kërkon të fusë paratë në një pako, pasi po kryhet një grabitje. Më pas, ai i kërkon po me mirësjellje që të mos vendosë alarmin, pasi është i armatosur. E pasi e realizon këtë, largohet me qetësi deri te dera, e pastaj zhduket. Kështu ka ndodhur për disa herë, e dyshimet e policisë janë se është i njëjti person. Po hetohet se bashkëpunon edhe me persona të tjerë, por mekanizmi është i njëjtë, ndjek të njëjtën procedurë, e cila deri tani i ka dhënë vetëm sukses. Burime të policisë, të cilat kanë kontaktuar disa herë me punonjësit e bankave, që kanë rënë pre e këtij grabitësi, shprehen se nga kontaktet që ka pasur grabitësi me ta, bie në sy gjuha e pastër dhe fjalori i pasur që ai përdor. Gjuha është plotësisht letrare. Nuk ngatërron asnjë fjalë dhe flet rrjedhshëm. Madje, kjo i ka sjellë dyshimet policisë se mund të jetë edhe ndonjë person me arsim të lartë dhe që mund të jetë duke ushtruar ndonjë funksion intelektual. Ai njeh mirë edhe kamerat. Asnjëherë nuk është filmuar me fytyrë, e asnjëherë nuk ka përdorur maskë. Ndonjëherë vendos syze, ndonjëherë kapele, e në raste të rralla të dyja. Tashmë, legjenda e tij është përhapur jo vetëm në polici, por edhe në banka. Identikiti i ndërtuar është shpërndarë gjithandej. Por, momentalisht ai ka rënë në qetësi. Nuk i dihet kur mund të jetë goditja e radhës, por e sigurt që do jetë e premte, sepse atë ditë "është ditë furnizimi" me para. Megjithatë, identikiti ende nuk ka mundur të sjellë autorin e vërtetë, as kamerat e sigurisë, duke u kthyer në një "legjendë" i së tashmes. Goditja e fundit e tij është bërë në muajin shkurt, por mendohet se ka realizuar edhe një tjetër më vonë, më 17 prill të këtij viti. Për këtë të fundit, policia ende nuk është e sigurt, pasi sipas saj "nuk është e stilit të tij", por ama ka qenë ditë e premte. Pikërisht atë ditë, rreth orës 15:30 është grabitur dega e "Raiffeisen Bank", e cila ndodhet në Unazë shumë pranë restorant "Durrësit" në Tiranë, në rrugën "Ferit Xhajko". Sipas një bilanci paraprak, u njoftua se shuma e grabitur ishte 800 mijë lekë të reja. Ndërsa më 13 mars ka ndodhur një tjetër grabitje, sërish ditë e premte, por këtë radhë në banesën e një biznesmeni të njohur ndërtimesh. Por, goditjet kanë nisur shumë kohë më parë. Edhe në dhjetor të vitit 2008, mendohet se "Zotëria i së premtes" ka realizuar grabitjen e një tjetër filiali banke. Pikërisht më 26 dhjetor, është vjedhur me armë filiali i "Raiffeisen Bank" në zonën e Laprakës. Grabitësi ka hyrë në ambientet e saj i maskuar dhe me armë. Duke kërcënuar arkëtarin ka mundur të rrëmbejë paratë e gjendura në banak. Por, si përfundim ai mbetet një grabitës e policia thotë se po punon për kapjen e tij e cila pritet nga dita në ditë...


Precedenti


Historia e maniakut

të rrugës "Don Bosko"


Historia "Zotëria i së premtes" nuk është e vetmja në llojin e saj. Dy vjet më parë, një tjetër "legjendë" e kronikave të zeza u përhap në Tiranë. Dhe pikërisht për "Maniakun e Don Boskos", siç u pagëzua atëherë nga media. Bëhet fjalë për një person 30-40 vjeç, i cili dilte pothuajse çdo javë me një brisk në dorë dhe godiste femra në fytyrë, thjesht për t‘i shëmtuar. Kjo histori, asnjëherë nuk u pranua zyrtarisht nga policia, por banorët e zonës kanë qenë të tmerruar për muaj me radhë. Jeta e natës në atë zonë u kufizua dhe njerëzit, ecnin të shoqëruar. U përfol për disa raste, u publikuan edhe emra e intervista të dëmtuarish, por asnjëherë nuk u gjet autori. Por, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, ai u zhduk, e nuk u kthye më. U desh që policia të patrullonte në atë zonë për shumë net me radhë, derisa edhe frika e njerëzve u harrua bashkë me "legjendën". Në atë kohë u shoqëruan edhe disa persona. Për ata policia, në atë kohë, policia deklaroi se "ka pasur ndonjë rast të rrallë plagosjeje pa autor".


1120
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI