Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Zhdukja e drogës, Kamorra urdhëroi vrasjen e trefishtë në Tiranë
Publikuar me 31 Maj 2015

Zhdukja e drogës, Kamorra urdhëroi vrasjen e trefishtë në Tiranë

Krimi i trefishtë në Tiranë më shumë se për gjakmarrje duket se ka ndodhur për shkak të 20 kilogramëve kokainë të Kamorras. 

Sa më shumë ditë kalojnë nga ngjarja në qendër të Tiranës, aq më shumë detaje dalin në dritë rreth motiveve reale të këtij krimi të rëndë.

Grupi hetimor çdo ditë zbulon lidhje mes tre krimeve të ndodhura në harkun kohor të 6 muajve, mes Roterdamit të Holandës dhe Shqipërisë. 

Ndonëse zyrtarisht dosja e vrasjes së Mentor Lufit (Doçi), që shkaktoi edhe dy viktima të tjera gjatë përplasjes me armë, është dërguar në Gjykatë me motivin “vrasje për gjakmarrje”, duket se shkak real ka pasur një sasi të konsiderueshme droge.

“Zhdukja” e 20 kilogramëve kokainë, me vlerë rreth 1 milion USD, në pronësi të një prej bosëve mafiozë të Kamorras, dyshohet të ketë sjellë një zinxhirë atentatesh në Holandë dhe Shqipëri.

Fillimisht ndodhi një prishje miqësie mes Mentor Lufit dhe Besnik Sulkut, që deri në nëntor të vitit të kaluar punonin për llogari të një klani mafioz në Napoli dhe më pas gjithçka u kthye në hakmarrje personale, për shkak të vrasjes së vëllait të Sulkut.

Pas ngjarjes së rëndë të 27 majit, në bulevardin “Zogu i Parë”, ku mbetën të vrarë 3 persona, u tha se shtetasi italian Salvatore Letizia, ishte paguar për ekzekutimin e Lufit nga shtetasi Besnik Sulku.

Megjithatë duket se e vërteta është ndryshe. Ishte Letizia, i dërguar në Tiranë nga xhaxhai i tij, një prej kapove të Kamorras, që ka kërkuar eliminimin e Mentor Lufit. 

Duke qenë se atentati i parë i porositur nga Kamorra dështoi, i radhës duhej të ishte një eliminim i sigurt, për të cilin Letizia kishte bashkuar forcat edhe me Besnik Sulkun.

Atentat që e arriti objektivin, por që rezultoi fatal për njërin nga atentatorët, 34-vjeçarin Sulku, i cili mbeti i vrarë nga nipi i Lufit.

Plagosja te stadiumi
“Zhdukja” e një sasie prej 20 kg kokaine bëri që mafia t’i jepte Mentor Lufit dy mundësi. Ose të dorë- zonte 1 milion USD për sasinë e drogës, aq sa kushtonte me çmimin në Itali, ose do të eliminohej fizikisht. 

Duke qenë se koha kalonte dhe Lufi nuk po i jepte zgjidhje problemit, bosi kamorrist urdhëroi ekzekutimin e tij.

Vrasja e Lufit iu besua Besnik Sulkut, i cili deri atëherë ishte mik me Lufin. Mbrëmjen e 19 dhjetorit të vitit të kaluar, Mentor Lufi i shpëton një atentati të kryer ndaj tij, para lokalit që në atë kohë ishte në pronësi të Gerti Goxhajt, i cili po ashtu mbeti i vrarë pasditen e së martës në Tiranë.

Lufi u qëllua me armë në afërsi të Stadiumit “Selman Stermasi”, duke mbetur i plagosur nga dy plumba. A

tentati u quajt i dështuar, duke qenë se porosia nuk u çua në fund, pasi Sulkut i ishte kërkuar ekzekutimi i Lufit. Megjithatë Mentor Lufi e dinte se nga i kishin ardhur plumbat dhe vendosi të hakmerrej.

Vrasja ne Roterdam
Më 6 prill të këtij viti, ekzekutohet brenda automjetit tip “Smart”, në një parking në Roterdam të Holandës, shtetasi Durim Sula (Sulku) allias Ilirjan Sulku, vëllai i Besnik Sulkut. 

Vrasja e tij dyshohet të jetë porositur nga Mentor Lufi, në shenjë hakmarrjeje pas atentatit që iu bë në Tiranë, ku mbeti i plagosur nga dy plumba.

Burime nga grupi hetimor thonë se nipat e Mentor Lufit, Markeljan dhe Klejvi Doçi, mund të jenë autorë të vrasjes së Ilirjan Sulkut. 

Dyshimet mbi dy vëllezërit për vrasjen në Holandë janë ngritur pas verifikimit të tyre në sistemin TIMS, ku më konkretisht ata rezultojnë të kenë dalë në fillim të muajit Prill nga Rinasi në drejtim të Italisë.

Ky udhëtim, sipas grupit hetimor, mund të jetë vazhduar edhe më tej deri në Holandë, ku dyshohet se kanë ekzekutuar shtetasin vëllain e Besnik Sulkut.

Vrasja ne Tirane
Dështimi i atentatit të parë ndaj Mentor Lufit në Tiranë dhe vrasja e Ilirjan Sulkut në Roterdam, bënë bashkë Besnik Sulkun dhe italianin Salvatore Letizia, që tashmë nuk duhej të dështonin më, pasi Lufi duhej ekzekutuar patjetër.

Letizia i porositur nga xhaxhai i tij, një prej kapove të Kamorras dhe Sulku i shtyrë nga hakmarrja për të vëllain, përgatitën atentatin e 27 majit, në bulevardin “Zogu i Parë”. 

Atentat që solli jo vetëm vrasjen e Mentor Lufit, por shkaktoi edhe dy viktima të tjera.

U ekzekutua miku i Lufit, Gerti Goxhaj, që drejtonte makinën tip “BMW”, por mbeti i vrarë edhe vetë njëri nga atentatorët Besnik Sulku, i cili u qëllua nga nipi i Lufit. 

Makina tjeter ne vendgjarje
Prokuroria për Krimet e Rënda zbardhi dje detaje të reja nga vrasja e trefishtë në bulevardin “Zogu I” në Tiranë. 

Nga hetimet ka rezultuar që së bashkë me dy automjetet që u përfshinë në sulmin me armë zjarri ka qenë dhe një automjet i tretë.

Ky i fundit i përkiste dy personave që kanë pirë kafe me Lufin para ngjarjes, por nuk janë bërë pre e sulmit. 

Sipas Prokurorisë, ata kanë qenë duke pirë kafe së bashku me Mentor Lufin dhe Gerti Goxhajn në katin e dytë të lokalit pranë Fakultetit të Shkencave.

Ndërsa dy nipat e Lufit, Markeljan dhe Klejvi Doçi kanë qenë në një tavolinë tjetër në katin e parë të të njëjtit lokal. 

“Pasi kanë qëndruar në lokal, kanë dalë jashtë dhe kanë hipur në makina, të cilat ishin të parkuara pranë lokalit.

Në makinën ‘Touareg’ me targa AA xxx KE, kanë hipur shtetasit Markeljan Doçi, Klejvi Doçi, në automjetin tip ‘BMW’ kanë hipur shtetasit Mentor Lufi (Doçi) dhe Gerti Goxhaj, ndërsa personat e tjera janë larguar me një automjet tjetër ‘Range-Rover’”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. 

Armet e krimit
Provat kryesore të grupit hetimor për vrasjen e trefishtë në Tiranë janë tre pistoletat, dy “Makarov” dhe një “Glock”, që janë përdorur gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Armët, gëzhojat dhe predhat në trupat e viktimave, po analizohen në Laboratorin e Kriminalistikës, në mënyrë që të përcaktohet saktësisht arma që është përdorur në vrasjen e secilit prej viktimave.

Deri tani Markeljan Doçi e ka pranuar vrasjen e Besnik Sulkut, ndërsa për Salvatore Letizian është e sigurt që e ka shkrepur pistoletën tip “Glock”, por duhet provuar e kundërta e asaj që ai thotë, duke pretenduar se ka qëlluar në ajër .


1411
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI