Revista
|
|
Libri i rrallë biografik nga autori francez, Thomas Schreiber.
Biografia e panjohur e Enver Hoxhës, zbulohen sekretet e jetës në Francë.
Në kafe “Riche”, vendtakimi i studentit Hoxha me djemtë që i pëlqenin: Biondë dhe me trup të bëshëm.
Schreiber shkruan për femrën e vetme nën shoqërinë e diktatorit.
Luiza, e dashura franceze që lidhi Hoxhën me komunistët.
Zbulohet libri i rrallë për Enver Hoxhën nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber. Një rrëfim për diktatorin shqiptar nga lindja në vdekje, i shkruar duke përballur faktet e dëshmitë, por edhe ironinë. “Enver Hoxha – sulltani i kuq” është biografia e ish-udhëheqësit komunist që u botua në vitin 1994 nga Schreiber, gazetar, publicist, diplomat dhe specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, në veçanti për Shqipërinë. Autori është gjithashtu gazetari i parë francez që ka vizituar vendin tonë në vitin 1981, por në vepër nuk përfshin përshtypjet e tij personale. Ai merret vetëm me zbërthimin e karakterit të “sulltanit të kuq”, Enver Hoxha, duke iu referuar tregimeve të vjetra të bashkëkohësve të diktatorit, dokumentacioneve, letërkëmbimeve, medias, librave etj., të cilat i shtjellon me anë të bibliografisë, veçmas, në fund të librit. Në këtë mori faktesh, me shumë interes shfaqet ajo që deri më tani ka qenë pjesa më e errët sa i përket jetës së Enver Hoxhës; tri vitet e studimit në Monpelje (Montpellier). Për herë të parë zbardhet me detaje udhëtimi i tij nga Shqipëria drejt Francës, frikërat dhe guximi, armiqësitë dhe aleancat, varfëria dhe instinkti i mbijetesës, por edhe historitë rozë atje. Lidhja sentimentale e përfolur me një vajzë me emrin Luiza, por më së shumti argëtimet me djemtë gjatë natës, ashtu siç i pëlqenin Enver Hoxhës; muskulozë dhe biondë. Rrëfimi vjen i thjeshtë, duke përdorur kohën e tashme, ndërsa në shumë episode autori lë pa shpjeguar “moralin e fabulës”, duke ia lënë interpretimin në dorë vetë lexuesit, sipas dëshirës. I gjithë libri përmban 6 kapituj, i ndarë sipas viteve: 1908-1936, 1936-1944, 1944-1948, 1948-1961, 1961-1978, 1978-1985. Vepra është e shkruar në frëngjisht dhe nuk është përkthyer ndonjëherë në gjuhën shqipe. Që nga koha e publikimit në një numër të kufizuar kopjesh, biografia nuk u ribotua më as në frëngjisht, duke u zhdukur edhe nga libraritë. Në ato pak deklarime që pati dhënë Thomas Schreiber pas publikimit, theksoi se libri asokohe nuk ngjalli interes në Shqipëri, pasi ishin vitet kur veprat e diktatorit dhe për diktatorin, gjithçka rreth tij, grisej ose digjej. Kjo kopje e biografisë është gjetur në një bibliotekë në Francë, nga ku kemi përkthyer disa pjesë nga jeta në Monpelje e Enver Hoxhës…
(Artikullin e plotë e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)
Kush është Thomas Schreiber
I lindur në Budapest dhe i shkolluar në Paris, në rini ai bëri një jetë të dyfishtë mes këtyre dy shteteve, derisa u vendos përfundimisht në Francë. Gazetar, diplomat, publicist e shkrimtar, specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, ku në fokusin e tij ka qenë veçanërisht Shqipëria. Ka tentuar disa herë të vijë në vendin tonë gjatë regjimit komunist, duke e plotësuar dëshirën e tij në vitin 1981. Thomas Schreiber është autor i dhjetëra artikujve në frëngjisht, hungarisht dhe anglisht. Ka punuar për gazetat “L’express”, “Le Monde” etj. Ka qenë kolumnist për kohë të gjatë për RFI, “Radio France” “Internationale” dhe vazhdon të publikojë pikëpamjet e tij në “Le Monde Diplomatique”. Disa nga librat e Thomas Schreiber janë: “Veprimet e Francës në Lindje që nga viti 1920″, “Harmattani, sekretari i Përgjithshëm në Belfond”, “Enver Hoxha, sulltani i Kuq”, “Hungaria, apo tranzicion paqësor”, si dhe plot broshura të tjera për tranzicionin në Europë. Aktualisht është në pension, por jep mësim me kohë të pjesshme në një universitet shumë të njohur në Paris.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje