Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Zbulohen fotot: Kamerat, nis survejimi në rrugët e Tiranës
Publikuar me 16 Jan 2012

				  Zbulohen fotot: Kamerat, nis survejimi në rrugët e Tiranës

 


Kamera e vendosur tek ura e Lanes ne kryqezimin e rruges se Elbasanit
Projekti “Për një Tiranë të sigurt europiane”, prej 3 ditësh nis faza e testimit të sistemit vëzhgues me kamera.


Policia: Kanë aftësi identifikuese për targa e imazhe deri në 1 km.Një numër prej 19 kamerash ka nisur të vëzhgojë hapësirën publike të Tiranës prej tri ditësh. Projekti “Për një Tiranë të sigurt europiane”, i prezantuar rreth një vit më parë nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha, u implementua për herë të parë me datë 13 janar të këtij viti. Në këtë datë për herë të parë janë ndezur kamerat e vendosura në ambientet publike të Tiranës. Me zbatimin e këtij projekti u morën specialistët e Policisë së Shtetit, të cilët paraprakisht vendosën të testojnë 19 kamerat e para të sigurisë, të cilat monitorohen nga një sallë e posaçme, ende në përgatitje e sipër në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burime nga Policia e Shtetit thanë se kamerat e vendosura kryesisht në shtyllat e ndriçimit, arrijnë të filmojnë shumë qartë deri në një kilometër largësi. Kapaciteti i tyre për të afruar objektivin e fokusuar, arrin deri në 30 herë (zoom). Kamerat me rezolucion të lartë, të lëvizshme dhe fikse, janë të pajisura me sensorë, që shërbejnë për një rrjet me bandë të gjerë për transmetimin e pamjeve filmike në qendër, si dhe menaxhimin e bandës së transmetimit në mënyrë të qendërzuar. Pamjet filmike do të jenë të regjistruara të plota për një javë, duke i shërbyer në këtë mënyrë zbardhjes së plotë të të gjitha ngjarjeve kriminale. Por, nga ana tjetër, ky sistem do të operojë në kushtet e mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve.


SURVEJIMI
Kamera e vendosur tek ura e Lanës në Unazë, në krah të ish-hotel Dajtit

Sistemi i vëzhgimit me kamera, 24 orë në 24, ka dy salla monitorimi, të cilat kanë kapacitete identike, por me një hierarki të ndryshme. I gjithë sistemi mbikëqyret në nivel të qendërzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, duke u kontrolluar nga oficerët e policisë, fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës e më pas edhe në drejtoritë e qarqeve të tjera. Sistemi do të shtrihet gjeografikisht pa limit, pra mund të zgjerohet duke mbuluar të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Duke u nisur nga rëndësia dhe nga popullsia e qytetit të Tiranës, gjithashtu shtrirja e qytetit dhe intensiteti i punës, është parë i domosdoshëm përdorimi i teknologjisë, si arma më e mirë për luftimin e krimit. Salla e parë operative e këtij sistemi, gjithashtu dhe më e madhja, që është në qytetin e Tiranës, do të monitorojë drejtpërsëdrejti çdo gjë që do fokusohet nga kamerat, të cilat do të jenë në punë online. Sistemi i kamerave do të monitorohet nga salla operative nga shërbime të Policisë, që do të jenë të pranishëm me tri turne, duke vëzhguar çdo zhvillim për 24 orë pa ndërprerje.


19 kamera
sigurie janë vendosur paraprakisht në disa prej kryqëzimeve dhe zonave më problematike të Tiranës. Ato kanë nisur nga puna 3 ditë më parë në formën e një testimi, në mënyrë që më pas të vendosen edhe kamerat e tjera të planifikuara nga Policia


Në rrugë
Qëllimi kryesor i vendosjes së kamerave në rrugët e Tiranës është siguria e qytetarëve në rrugë, siguria e shkollave dhe e bizneseve. Duke prezantuar projektin, rreth një vit më parë, ish-ministri i Brendshëm, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se sistemi do të mbulojë me vëzhgim pa ndërprerje në çdo kryqëzim, pranë çdo shkolle, qendre tregtare, banke dhe pranë çdo institucioni publik e kulturor.


Sistemi
Kamerat e sigurisë nëpër disa rrugë e kryqëzime të Tiranës janë parë prej disa javësh të vendosura, kryesisht nëpër shtyllat  e ndriçimit. Por implementimi i tyre nisi më 13 janar të këtij viti, kur 19 kamerat e para të vendosura u vunë në punë dhe nisën të filmojnë, duke u vëzhguar nga specialistë të Policisë, nga një sallë monitorimi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.


Policia, mbikëqyrje pranë zyrtarëve shtetërorë e bizneseve
Projekti, 240 kamera do të vëzhgojnë Tiranën
Zbulohen rrugët e kryqëzimet ku u vendosën 19 të parat
Monitorët e instaluar në sallën e policisë rrugore

TIRANE – Kamerat e para të sigurisë, që tashmë janë vendosur dhe kanë filluar të monitorojnë trafikun rrugor dhe krimin, janë pozicionuar në disa kryqëzime dhe zona problematike të Tiranës. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, janë përzgjedhur disa pika kyçe në kryeqytet, ku janë vendosur 19 kamerat e para, të cilat janë ende në fazë prove para se i gjithë sistemi të futet në funksionim. Në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit janë vendosur 3 kamera në drejtime të ndryshme. Po kaq kamera janë vendosur edhe tek ura e madhe e Lanës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjithashtu edhe në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, tek sheshi “Rilindja”, në Rrugën e Durrësit, si dhe në zonën e “Ali Demit” dhe ish-Parkut të Autobusëve, që njihen si zona problematike. Pas implementimit të kamerave të para, në të gjithë territorin e Tiranës do të vendosen rreth 240 kamera sigurie, të cilat do të monitorohen online nga salla e vëzhgimit, që është në përfundim në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Kamerat survejuese do të vendosen kryesisht në kryqëzime, pranë shkollave, bizneseve, bankave, institucioneve dhe qendrave kulturore. Ndërsa në zona që njihen në kryeqytet me tendencë kriminaliteti, kryesisht vjedhjesh, por edhe për ngjarje më të rënda kriminale, kamerat do të vendosen në vende jo shumë të dukshme, me qëllim që qytetarët të mos kenë mundësi t’i shohin dhe t’u shmangen. Fondi për blerjen e pajisjeve të nevojshme dhe instalimin e sistemit që do të realizojë survejimin e ambienteve publike në kryeqytet, u akordua në fillim të vitit të kaluar nga qeveria. Policia e Shtetit nisi punën për vënien në jetë të projektit, duke instaluar kamerat mbi bazën e një studimi të imtësishëm të situatës kriminale në kryeqytet. Në bazë të “hartës” së krimit, u përcaktuan pikat kyçe, ku në ditët në vazhdim do të vendosen 240 kamerat që do monitorojnë kriminalitetin 24 orë në 24 gjatë shtatë ditëve të javës.


Grabitjet e bankave: Cilësia e kamerave, pengesë për hetimin
Grabitja e bankave dhe e pikave të këmbimit valutor përbën një nga krimet shqetësuese në kryeqytet. Dëmi ekonomik, por edhe rrezikshmëria që krime të tilla paraqesin, janë bërë shkak për investimin e madh të policisë në parandalimin dhe hetimin e ngjarjeve të kësaj natyre. Mirëpo, jo gjithnjë faktorët e një hetimi varen nga policia. Kështu, në rastet e grabitjeve të bankave, pengesë kanë qenë cilësia e imazheve filmike. Pas grabitjes, policia ka marrë kasetat e kamerave dhe ka parë regjistrimet, duke arritur të shohë edhe veprimet e kryera nga grabitësit. Por, kur ka ardhur momenti i fiksimit të tyre dhe zmadhimit të figurës me qëllim identifikimin e të dyshuarve, hetimi ka dështuar. Cilësia e regjistrimeve ka qenë e dobët dhe zmadhimi i ka shformuar fotografitë, duke humbur elementët e tiparit të grabitësve. Për këtë shkak, policia vendosi të krijojë një sistem të vetin me kamera vëzhgimi, të cilat do të kenë një cilësi të lartë identifikuese, pasi janë krijuar dhe funksionojnë për këtë qëllim. Imazhet e kamerave të vëzhgimit nuk shërbejnë vetëm për rastet e grabitjeve, por edhe për krime të tjera. Në afërsi të institucioneve private apo shtetërore, shpeshherë kanë ndodhur ngjarje të rënda kriminale. Policia i ka marrë imazhet dhe i ka analizuar, por në shumicën e rasteve kamerat nuk kanë qenë të fokusuara në mënyrë të tillë që të kapin skenën e ngjarjes, ndërsa në raste të tjera imazhet e regjistruara kanë qenë të një cilësie të dobët, që nuk kanë arritur të ndihmojë identifikimin e autorëve të ngjarjes. Sistemi i ri i kamerave të Policisë do të shërbejë edhe për monitorimin e situatës kriminale në kohë reale e po ashtu edhe për dokumentimin e identifikimin e veprimtarisë kriminale.


1806
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI