Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Zbulohen dokumentet, si u zhdukën 29 mijë dosje të Sigurimit të Shtetit
Publikuar me 24 Mar 2015

Zbulohen dokumentet, si u zhdukën 29 mijë dosje të Sigurimit të Shtetit

U bënë vite tashmë që hapja e dosjeve të komunizmit është kthyer në një refren, që ndizet e shuhet kohë pas kohe. 

Për ish-kryeministrin e vendit (1992-1997) Aleksandër Meksi, më shumë se shkëputje prej së shkuarës, kjo çështje i largon njerëzit të mendojnë nga problemet imediate për zgjidhje.

Sipas Meksit, është e nevojshme që publiku të njihet me gjendjen në të cilën ndodhen këto dosje. 

Përmes një shkrimi botuar në “ResPublica”, Meksi na njeh me një punë të nisur qysh në vitin 1991, për të njohur gjendjen në të cilën ndodheshin këto dokumente, sa gjenden ende dhe sa janë asgjësuar.

“Të dhënat që di unë, tregojnë se gjatë viteve 1980-1992 për 26 rrethet e vendit janë asgjësuar rreth 39500 dosje. Ndërsa prej tyre vetëm gjatë viteve 1989-1992 janë asgjësuar rreth 29000 dosje, d.m.th. pak a shumë rreth 75% e tyre”, thotë Meksi. 

Ai ofron edhe dokumente të kohës, urdhra të drejtuesve të lartë për asgjësimin e një numri të madh dosjesh. Të tilla janë urdhrat e ish-ministrave Simon Stefani e Hekuran Isai, lëshuar në prag të rrëzimit të sistemit komunist.

Aleksander Meksi
Ndër problemet e shumta që i ofrohen publikut në të njëjtën kohë, edhe që njerëzit të mos merren me problemet jetësore dhe imediate për zgjidhje, është dhe ai i hapjes së dosjeve në variantin e qeverisë dhe i lustracionit dhe hapjes së dosjeve për palën tjetër. 

Për ne ato janë pjesë e problemit të dekomunistizimit në shoqërinë shqiptare, domethënë i njohjes, dënimit dhe heqjes dorë nga praktikat e atij regjimi kriminal dhe të turpshëm, është prej kohësh në rend të ditës, por shohim se po mbizotëron vullneti refuzues i ideatorëve dhe zbatuesve të asaj politike dhune dhe zhvendosja e problemit.

Duke e njohur problemin e lustracionit dhe hapjes së dosjeve qysh në vitin 1991, kur me kërkesën time sigurova ligjet e Gjermanisë, Çekosllovakisë dhe Hungarisë nëpërmjet ambasadorëve të këtyre vendeve, menjëherë pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992 ngritëm një grup pune për të hartuar projektligjin përkatës, i cili ishte gati në shtator të po atij viti dhe u vu në jetë. 

Për hartimin e tij morëm një njohje paraprake me platformat e Sigurimit të Shtetit, praktikat e tij dhe dokumentacionin në Arkivin e ish- Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ruhej në gjendje jo të mirë dhe i shpërndarë në bazë. 

Por për ta vënë në jetë atë ligj, lipsej njohja më e plotë me dokumentacionin dhe për këtë me vendimin nr. 407 të K.M., datë 21.09.1992 “Për njohjen e shkallës së ruajtjes dhe gjendjes e dokumentacionit të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme”, u ngrit një grup pune i posaçëm, i cili paraqiti një raport paraprak përkatës, ndërsa një informacion më i plotë na u paraqit në vitin 1995.

Kjo gjë ishte e domosdoshme që në të ardhmen të mund të bëhej dhe hapja e dosjeve, siç është bërë zakon të quhet procesi i njohjes me të kaluarën jo vetëm në plan individual. Pas kësaj, por edhe krahas, filloi puna për grumbullimin dhe sistemimin e dokumentacionit, i cili ruhej në vende të ndryshme, një punë mjaft e vështirë dhe që kërkonte kohë. 

Sipas të dhënave paraprake, rezultonte që një numër i madh dosjesh ishte “asgjësuar” – termi në urdhrat përkatës, pasi sipas drejtuesve të ish-MPB me depenalizimin e nenit famëkeq 55 (Ligji nr. 7380 datë 08.05.1990), njerëzit që deri dje i hartuan dhe i përdornin, i quajtën “të panevojshme”. 

Ne nuk po zgjatemi për të debatuar se cilat dokumente, në përputhje me “Rregullore e Evidencës Operative e Organeve të Punëve të Brendshme” nr. 01-27, dt. 23.8.86, duhet të “ruhen përgjithmonë” dhe cilat pas një afati të përcaktuar “asgjësohen” dhe si u shkel kjo rregullore.

Pra, veç pastrimeve të herëpashershme që bënin komisionet e ekspertizës në bazë, të cilat duhej t’i miratonte ai në qendër, duke përcaktuar ato dokumente që do ruheshin përgjithmonë dhe ato që kishin plotësuar afatet e ruajtjes dhe “asgjësoheshin”, në përputhje me rregullat në fuqi, gjatë viteve të fundit nën pretekstin se nuk kanë më vlerë, u bë një asgjësim masiv i tyre. 

Të dhënat që di unë, tregojnë se gjatë viteve 1980-1992 për 26 rrethet e vendit janë asgjësuar rreth 39500 dosje. Ndërsa prej tyre vetëm gjatë viteve 1989-1992 janë asgjësuar rreth 29000 dosje, d.m.th. pak a shumë rreth 75% e tyre. 

Si rregull ky veprim duhet të bëhej me lista veçimi (d.m.th. emrat-individi- kanë procesverbalin e tyre), të shoqëruar me një procesverbal. Sipas rregullave në fuqi, ishte komisioni vendor i ekspertizës që vendoste për asgjësimin, pas shqyrtimit dhe përputhshmërisë me rregullat dhe afatet e ruajtjes.

Këtë vendim duhej ta miratonte Komisioni Qendror i Ekspertizës e vetëm atëherë kryej asgjësimi. Por në vitet e fundit të regjimit komunist, si dhe në vitin e parë të tranzicionit këto rregulla u shkelën dhe në Arkiv janë gjurmët apo dëshmitë e veprimeve të tilla, për të cilat urdhërdhënësit janë proceduar e përgjigjur penalisht.

Me interes në këtë aspekt është radiogrami “urgjent” që ministri i kohës, Simon Stefani, u dërgon kryetarëve të degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, më datë 2 korrik 1990, me nr. 277,278: “lidhur me përpunimet anëtarë e kandidatë partie, si dhe materialet në ruajtje të veprohet në këtë mënyrë: 

Ato për ta të shqyrtohen nga sekretari i parë i rrethit… të ruhen vetëm ato për spiunazh dhe organizime”… ndërsa “ato që janë ruajtur thjesht për agjitacion e propagandë e që me ligjin e ri nuk konsiderohen më, të asgjësohen menjëherë”… Asgjësimi të bëhet në bazë të rregullave.

Kjo punë të përfundojë brenda 15 korrikut”. Duket se kaq mjaftoi për të vazhduar me ritme të shpejta këto veprime të asgjësimit të dëshmive të dhunës së diktaturës komuniste. Interes të veçantë për kohën kur është hartuar e dërguar, paraqet një telegram tjetër i ministrit Hekuran Isai më datë 15 dhjetor 1990 dërguar kryetarëve të degëve të PB (shifër nr. 615), po japim të plotë përmbajtjen e tij: 

“Të angazhohen pa pritur përfaqësuesit e Ministrisë, të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve, të përpunimeve dhe dosjet e tjera që janë veçuar për asgjësim, si dhe kartelat e kontingjenteve të hequr, librat e evidencës së punëtorëve operativë të hequr nga përdorimi dhe dokumenteve të përkohshme të veçuara për asgjësim të shkallës sekret, Ares personal dhe SRV dosjet hetimore e gjyqësore të dërgohen në Arkiv, përfshi dhe ato që nuk kanë plotësuar afatin 5-vjeçar, por jo dosjet hetimore për zbulimin e autorëve.

Këto janë veprime normale që bëhen sipas kërkesës suaj, pra nuk lidhen me situatën. Për sa më sipër, na lajmëroni për realizimin e kësaj detyre”. Fraza e parafundit tregon preokupimin e tyre për krijimin nga studentët dhe qytetarët e Tiranës të një partie opozitare (Partia Demokratike) dhe jo të asaj të “studentëve dhe intelektualëve të rinj” sipas idesë ramiziane të shoqatave e të pseudopluralizmit. Për këtë vlen të kujtojmë fjalën e urtë: gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Ky justifikim flet qartë për qëllimin e këtij veprimi në kundërshtim me vendimet e KM dhe ligjit për arkivat.

Ndërkohë, situata politike në Shqipëri po ndryshonte vrullshëm dhe më shpejtësi, në mes të shkurtit vazhdon greva e studentëve të Universitetit të Tiranës, e cila mbështetej nga qytetarët e Tiranës dhe kishte një qëndrim të qartë antiregjim.

Pikërisht më 18 shkurt, ministri Hekuran Isai dërgon një urdhër me nr. 01-7, që titullohet: Për disa probleme të Evidencës Operative Përmbajtja e të cilit jepet në hyrje: “Me qëllim që të lehtësohen arkivat e sektorëve të Evidencës nga dosje e dokumente operative pa vlerë”.

Në letrën shoqëruese kërkohet që brenda 20 marsit t’i dërgohet Ministrisë informacion për zbatimin e detyrave. Po japim shkurtazi përmbajtjen e urdhrit (bashkëngjitur është origjinali).

1. Të ruhen në Arkiva dosjet e agjentëve e informatorëve që kanë dhënë për veprimtari të rëndësishme armiqësore e keqbërëse kur sektori operativ gjykon se ka interesa të mëvonshëm për t’i rimarrë në lidhje. Dosjet e tjera të bashkëpunëtorëve të asgjësohen me listë veçimi… 

2. Të ruhen… dosjet e personave në përpunim aktiv, kontroll operativ në përpunim paraprak… të dënuar… për veprimtari armiqësore e keqbërëse, si dhe të atyre që nuk janë dënuar… por janë ndjekur për tendenca spiunazhi, terrori, organizimit, diversionit, sabotimit e….. 

3.Në vlerësimin e dosjeve të përpunimit të mbështeteni në ndryshimet e KP (dosjet për krimet e parashkruara të asgjësohen). 

4.Dosjet e tjera, si dhe kartelat e përpunimeve që nuk kanë dosje të asgjësohen… si dhe shumë lloje të tjera dosjesh e dokumente…….

5. … të hapen dosje e kartela për ata që merren të dhëna për veprimtari armiqësore e keqbërëse… Vijohet me porosi të tjera për arkivimet e asgjësimet… si dhe për rekrutime të reja E urdhra të tilla vijojnë të dërgohen nga titullarët deri në janar 1992.

Çdo koment mbi këta urdhra besoj se është i tepërt. Deri më sot është bërë e bëhet në media një zhurmë e qëllimshme (përçarëse dhe kundërvënëse) për “zhdukjen” e dosjeve, krahas asaj për hapjen e tyre, në mënyrë që të mbulohet apo të lihet mënjanë qëllimi i gjithë kësaj lëvizjeje për dekomunistizimin d.m.th. lustracionin dhe njohjen e sistemit të dhunës nëpërmjet fakteve, ku ndër to janë dhe dosjet dhe jo vetëm ato që na propozon Ministria e Mirëqenies, kur ky problem i takonte asaj të Drejtësisë në bashkëpunim me SHISH e Ministrinë e Brendshme, ku ndodhen Arkivat.

Përpara se të fillohet me lustracionin dhe hapjen e dosjeve, duhet që opinioni publik të informohet me imtësi për gjendjen e dokumentacionit të ruajtur: regjistrat, dosjet e ndryshme, librat e punës së operativëve, kartelat, urdhra e dokumentacion tjetër i dobishëm, për të qenë të bindur se ky proces mund të kryhet dhe në çfarë mase mund të kryhet, por dhe kur kanë ndodhur gjatë viteve e deri më sot dëmtimet e tij.

Publikut, pra, po i thuhet edhe me tendencë dezinformimi se ruhen vetëm rreth 17000 dosje bashkëpunëtorësh dhe të ndjekurish, çka është e vërtetë, por edhe të pavërteta (p.sh: sipas një informacioni të vitit 1995 figurojnë të regjistruara 12602 dosje bashkëpunëtorësh, ndërsa në SHISH janë vetëm 6522 dosje- kur informacioni i sipërpërmendur flet qartë se aq janë të regjistruara në regjistrin Mod.10, ndërsa në Arkiv janë 6522- pra aq sa janë dhe sot -SHQIP 20.12.2014), duke përgatitur opinionin publik për rezultatet e zbatimit të ligjit qeveritar.

Në këtë drejtim është domethënëse fraza e Fatos Klosit “…Çdo njeri që mendon se është ndjekur apo e di se është ndjekur, do të shohë dosjen e vet për të parë çfarë është thënë. E quaj më shumë si plotësim të dëshirës së atyre që e kërkojnë këtë gjë, pasi ata e quajnë të rëndësishme…” (“Sot”, 14 janar 2015). 

Në të mirë të miratimit të ligjit dhe transparencës duhet që vijat kryesore të secilit nga dy propozimet dërguar Kuvendit të paraqiten në media nga autorët e tyre se çfarë parashohin ato. Po kështu, në Kuvend, duhet të shtrohet për miratim ligji i Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, i hartuar dhe ai me asistencë gjermane e përvojën e vendeve të tjera, të cilit mund t’i bëhen amendamente.

Lustracioni është veprimi i mënjanimit nga qenia në poste politikëhartuese dhe zbatuese, përfaqësi diplomatike, drejtues të mediave e të institucioneve arsimore e të tjera, e atyre që gjatë diktaturës komuniste kanë qenë në poste, si: Plenumi i KQ të PPSH-anëtarë e kandidatë, qeveri-ministra e zv., deputetë të Kuvendit Popullor, sekretarë të parë e të dytë në rrethe, drejtues të policisë e të Sigurimit të Shtetit, operativë legalë e ilegalë, hetues.

Të kenë kryer shkollën e kurse të sigurimit e tjera. Projektligji i GSHDNJ i jep me hollësi këto dhe për këtë duhet që publiku të njihet aq sa njohu atë të qeverisë. 

Me interes për publikun dhe ligjvënësit do të ishte gjithashtu njohja me përvojën dhe legjislacionin e vendeve të tjera ish-komuniste dhe vlerësimin e kësaj veprimtarie nga partnerët. 

Vetëm kështu do të mund të kryhet procesi i dekomunistizimit, lustracionit dhe hapja e dosjeve, i kërkuar me ngulm nga partnerët tanë dhe i nevojshëm për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga e kaluara. 

Ne foto: Dokumentet e zbuluara nga Meksi




 


1035
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI