Revista
|
|
“Shqipëria ka rezervë edhe për 6 ditë bukë”.
Kjo thënie në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Stabilitetit nga kryeministri Ylli Bufi do të mbetej gjatë në kujtesën e shqiptarëve.
Pasi kishte kaluar pragun e diktaturës, shqiptarët duhej të përballeshin edhe me “zinë e bukës”.
Ishte viti 1991, Partia Demokratike kishte tërhequr ministrat e saj nga Qeveria e Stabilitetit dhe kërkonte krijimin e një qeverie teknike, që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja politike.
Në këtë situatë qeveria e mbetur vendos të mbajë një mbledhje, e cila do të transmetohej deri natën vonë në ekranin e TVSH-së. Aty do të vinte edhe thënia shokuese e kryeministrit të kohës.
Në librin e tij me kujtime “Në fillimet e tranzicionit- Qeveria e Stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm?”, botim i “UET-Press”, ish-kryeministri Ylli Bufi i rikthehet edhe një herë këtij momenti:
“E konsiderova detyrë dhe përgjegjësi nga ana ime që në mbledhjen e qeverisë ta paraqisja me saktësi dhe transparencë gjendjen ushqimore.
Këtë bënë dhe të gjithë ministrat, me bindjen se prishja e qeverisë në atë situatë shumë të vështirë ishte një veprim me pasoja tepër të rënda.
Në këtë kontekst ishte dhe shprehja se qeveria e re do të kishte një rezervë vetëm për 6 ditë bukë”, thotë ish-kryeministri.
Më poshtë, mbledhja e fundit dhe fjalimi i Ylli Bufit në vitin 1991.
DORËHEQJA E QEVERISË SË STABILITETIT
Pas tërheqjes së ministrave të saj prej PD, disa prej ministrave u mblodhën në zyrën time. Të gjithë ishin shumë të revoltuar nga veprimi i Berishës dhe sidomos nga fjalët që ai kishte thënë në konferencën për shtyp. Ç’duhej bërë tani? E vetmja gjë mbetej që unë të paraqisja te Presidenti i Republikës dorëheqjen në emër të qeverisë. Dikush nga ministrat tha se qeveria duhet t’u shpjegojë shqiptarëve atë që kishte ndodhur. Fillimisht, ishte fjala për një konferencë shtypi nga qeveria, por pastaj u sugjerua të bëhej një mbledhje, ku të merrnin pjesë edhe kryetarët e partive.
Në fillim, e kundërshtova këtë propozim, sepse mendoja se gjithçka ishte thënë me kryetarët e partive. U insistua se shqiptarët nuk i dinë të vërtetat e prishjes së qeverisë, prandaj duhet t’ua themi këto. Kështu, u vendos të bëhet ajo mbledhje. Ishte një vendim i nxituar, i marrë në peshën e emocioneve të momentit. Në mbledhje u ripërsëritën të gjitha argumentet që ishin përdorur edhe në mbledhjen e mëparshme me kryetarët e partive. Mbledhja zgjati rreth 2-3 orë, por, për shkak se transmetimi në televizionin shqiptar nuk ishte online, bobinat e regjistruara shkonin me një vonesë rreth një orë për transmetim.
Kështu, transmetimi i mbledhjes vazhdoi edhe pas mesit të natës, një gjë e pazakonshme deri në atë kohë. Ministrat dhe përfaqësuesit e partive ishin ulur jo në vendet e tyre të zakonshme. Mbledhja u zhvillua shumë e tensionuar. Pothuaj të gjithë folën kundër veprimit të Sali Berishës. Më i ashpër ishte sidomos ministri Emin Mysliu, që shprehu hapur parandjenjën e kaosit që do të krijohej në vend pas rënies së qeverisë. Servet Pëllumbi, në emër të Partisë Socialiste, dënoi veprimin e papërgjegjshëm të PD dhe të Sali Berishës, duke thënë: “Nuk është PS që e shkakton këtë krizë. PS ka mbajtur kurdoherë qëndrime të qarta e tolerante, të argumentuara, gjakftohta, e bindur që në fillim për formulën e qeverisë së stabilitetit dhe vazhdimisht është përpjekur ta mbështesë atë…
Përkundrazi kanë qenë disa forca të tjera, të cilat me lloj-lloj epitetesh: kriptokomunistë, enveristë, punistë, merimanga komuniste etj., që nuk ngurruan t’i përdorin edhe në këtë auditor të nderuar, duan të sensibilizojnë opinionin kundër PS. Të gjitha këto kontradikta vihen re në pozicionin e PD, bile nuk do ta zgjeroja për të gjithë PD, por për deklaratën e zotit Berisha.
Nga njëra anë, lavdërohet qeveria dhe ministrat veç e veç, përfshirë edhe ministrat e PS, nga ana tjetër, po në këtë deklaratë, qeveria quhet e dështuar. Këto pozicione kontradiktore shprehin një synim të vetëm: synimin që për këtë krizë ta hedhin fajin mbi PS”. Në fjalën time në mbledhjen e qeverisë u përpoqa që, me përgjegjësi dhe shqetësim, të shpjegoja situatën tejet të vështirë politike dhe ekonomike dhe pasojat e rënda destabilizuese që do të sillte prishja e qeverisë.
Një nga argumentet kryesore që u theksua për vazhdimin e punës së qeverisë ishte dhe sigurimi në vazhdimësi i ushqimit të popullit. E konsiderova detyrë dhe përgjegjësi nga ana ime që në mbledhjen e qeverisë ta paraqisja me saktësi dhe transparencë gjendjen ushqimore. Këtë bënë dhe të gjithë ministrat, me bindjen se prishja e qeverisë në atë situatë shumë të vështirë ishte një veprim me pasoja tepër të rënda. Në këtë kontekst ishte dhe shprehja se qeveria e re do të kishte një rezervë vetëm për 6 ditë bukë.
S. Berisha u përpoq që kaosin dhe të gjitha shkatërrimet që ndodhën në disa rrethe të vendit që synonin të destabilizonin vendin t’i lidhte me panikun që kishin shkaktuar fjalët e mia. Në të gjitha raportet zyrtare të kohës tregohet se ngjarjet shkatërrimtare, që ndodhën në Laç, në Fushë- Arrëz, në Peqin, në Lushnjë, në Pogradec dhe në ndonjë vend tjetër, kanë ndodhur në periudhën e fushatës elektorale për zgjedhjet e 22 marsit.
Këto veprime kanë filluar në 3.12.1991 në qytetin e Mamurrasit dhe kanë vazhduar në datat 4,5,6 dhe 7.12.1991 edhe në Thumanë, Laç, Milot dhe në zonat përreth tyre, përfshirë rrethin e Pukës. Pra, këto veprime kanë filluar pikërisht një ditë para se S.Berisha të deklaronte në konferencën e tij të shtypit në datën 4.12.1991 dorëheqjen e ministrave të PD nga qeveria.
Gjithashtu, ngjarjet e Fushë-Arrëzit nuk kanë ndodhur për shkak të fjalëve të mia në mbledhjen e qeverisë, sepse ato kishin filluar për motive të tjera më parë se të mbahej mbledhja e qeverisë. Kështu, para se të ndodhte ngjarja e Fushë-Arrëzit, në rrethin e Pukës ishin vjedhur dhe shkatërruar mbi 50 magazina dhe dyqane të rrjetit të tregtisë në 29 fshatra të këtij rrethi. Vetë ngjarja e Fushë-Arrëzit ka qenë e organizuar më parë, përderisa qysh para një jave Komiteti Ekzekutiv i rrethit kishte informacion se do të hapnin dhe do të vidhnin pikërisht këto magazina të konfeksioneve në Fushë-Arrëz.
Në fjalën, që mbajta mbledhjen e fundit të qeverisë, thashë: “Unë bashkohem me mendimin që u shpreh këtu se në një sistem politik pluralist është normale të ndodhin kriza qeveritare. Në një rast të tillë ju siguroj se anëtarët e kësaj qeverie do të dorëhiqeshin menjëherë, sepse, me thënë të drejtën, në këtë situatë të vështirë, në këtë krizë të thellë ekonomike dhe sociale që po kalon vendi, kolltukët që mbajmë nuk janë aq komodë sa duken.
Në diskutimet e shumta që kemi bërë kohët e fundit në këtë tavolinë midis qeverisë dhe forcave politike është theksuar se për të dalë nga kjo krizë e thellë ekzistojnë dy zgjidhje: Një zgjidhje e parë, e propozuar nga Qeveria, ka qenë zbatimi me konsekuencë i programit të reformës ekonomike. Kjo zgjidhje, në fillim u mbështet dhe u miratua nga partitë dhe qeveria rimori dhe votëbesimin në parlament. Pastaj nga partitë u propozua një zgjidhje e dytë, një marrëveshje politike, për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Pas shumë diskutimesh, u ra dakord me konsensus për fiksimin e datës së zgjedhjeve. Pra, për të dalë nga kjo krizë gjithmonë është diskutuar rreth këtyre dy rrugëdaljeve. Tani, papritur, na shtrohet një rrugëdalje e tretë: rrëzimi i qeverisë. Argumentet e dhëna lidhen me detyrën e kësaj qeverie të re për të çuar vendin në zgjedhjet e reja. Mendoj se kjo zgjidhje e tretë është e nxituar.
Thuhet se ky veprim nuk ka lidhje thelbësore me punën e qeverisë, por është një qëndrim politik që shpreh protestën ndaj një sistemi të tërë pengesash të karakterit politik. Por krijimi i një qeverie teknike, nuk mund t’i mënjanojë këto pengesa, ato përsëri do të jenë. Do të ishte mjaft e dëshirueshme një zgjidhje që të mënjanonte këto pengesa, por një qeveri teknike, një qeveri njëngjyrëshe nuk mund t’i heqë këto pengesa, nëse nuk kryhen reformat e programuara.
Zgjidhja që propozohet për ta çuar vendin në zgjedhjet e reja nuk është e argumentuar. Duhet të mendojmë mirë se çfarë vjen pas kësaj krize qeveritare. Një qeveri tjetër, pa dyshim që mund të formohet, sepse Shqipëria ka plot intelektualë të aftë. Por ka disa faktorë që e bëjnë të paarsyeshme krijimin e një qeverie të re.
Cilët janë këta faktorë? Para së gjithash, është koha mjaft e shkurtër që ajo do të ketë në dispozicion, ajo do të funksionojë dy muaj apo maksimumi tre muaj. Kjo qeveri e re do të ndeshej me një sërë problemesh të shumta dhe, për kohën mjaft të shkurtër, nuk do të merrte dot në dorë drejtimin e vendit në një situatë kaq të vështirë. Qeveria e re nuk mund të merret vetëm thjesht me çështjen e zgjedhjeve. Pavarësisht nga koha e shkurtër e qeverisjes, drejtimi i vendit nuk mund të thjeshtohet në ngritjen e një komisioni zgjedhor dhe as në gjetjen e kutive dhe të fletëve të votimit. Jo. Për tre muaj ky shtet duhet të funksionojë, dimri duhet të kapërcehet dhe domosdo ekonomia do të vazhdojë të funksionojë, qoftë edhe minimalisht.
A mundet që kjo qeveri e re për një kohë të tillë të shkurtër të ingranohet në këto probleme, kur vështirësitë aktuale janë të panumërta? Mendoj që, praktikisht, është e pamundur. Një problem tjetër shumë i mprehtë, që e rëndon më tej situatën, është çështja e rendit publik. Situata është e rëndë, me gjithë përpjekjet e mëdha të qeverisë për ta stabilizuar atë. Me siguri, një qeveri e ardhshme teknike do të jetë më e dobët se qeveria ekzistuese dhe do ta ketë më të vështirë për të stabilizuar rendin, sidomos në kushtet e një fushate elektorale mjaft të ashpër.
Një faktor tjetër që e vështirëson funksionimin e një qeverie të re është dhe mungesa e vazhdimësisë në zbatimin dhe realizimin e marrëveshjeve ekonomike. Qeveria e re jo vetëm që nuk do të ketë arkë, siç tha Preçi (është një e keqe që e patëm edhe ne, sepse edhe ne pa arkë e gjetëm këtë vend), por ajo do të ketë një të keqe tjetër më të madhe, ajo do të ketë një rezervë vetëm për 6 ditë bukë. Nuk dua të dramatizoj problemin për të sensibilizuar opinionin, por dua të shtroj realisht këtë çështje. Themi se kemi siguruar ushqimin deri në fund të vitit, por ai nuk është në magazinë.
Ai duhet sjellë dhe duhet shpërndarë. Për ushqimin në janar dhe më tej duhet të përfundojnë marrëveshje të tjera. Ne kemi përcaktuar një numër masash mjaft intensive për të kapërcyer dimrin. Zotërinj drejtues të partive, kini parasysh se në 3-4 takimet e mëparshme na u desh të shpjegonim cilat janë problemet që duhen kapërcyer. Dhe pikërisht duke marrë në konsideratë vështirësitë që duhen kapërcyer, pas shumë diskutimeve pranuam me konsensus që zgjedhjet nuk mund të bëhen as në dhjetor, as në janar, por pak më vonë, ndërkohë që qeveria të marrë masa për zgjidhjen e problemeve të ushqimit. Sa shpejt e harruam një gjë të tillë!
A ka mundësi kjo qeveri e re, që mund të formohet nga mesi i dhjetorit, kur në Europë fillojnë Krishtlindjet, të nisë bisedimet për të siguruar edhe ushqimin e janarit?! Kjo më duket e pamundur. Për këto arsye, nuk duhet të bëhet propozimi për prishjen e qeverisë. Problemi nuk është kaq i thjeshtë. Desha të theksoj edhe një çështje tjetër për të cilën më duket se po spekulohet. Disa drejtues të partive theksuan disa herë se e kanë mbështetur këtë qeveri, sikur të ishin në garë se kush e kishte mbështetur më shumë.
Është e vërtetë se marrëveshjen politike të formimit të kësaj qeverie e kanë përshëndetur të gjithë dhe e kanë quajtur një zgjidhje të mençur të partive, por është për të ardhur keq, se ato janë mbledhur dy herë në tryezën e rrumbullaktë, një herë kur e formuan këtë qeveri dhe herën e dytë, kur propozojnë ta prishin atë. Nuk ka funksionuar ajo tryezë e rrumbullaktë e partive, që do të ishte mbështetje e kësaj qeverie. Këtë mos e harroni.
Nuk duhet harruar, gjithashtu, se gjatë periudhës së parë të qeverisjes u thanë fjalë të mira për punën e saj. Kjo, pa dyshim, ishte një ndihmë e madhe për ne, sepse na dha kurajë në këtë rrugë të vështirë, por, sapo filloi diskutimi rreth zgjedhjeve dhe praktikisht filloi fushata elektorale, filluan të numërohen një nga një të metat e punës së qeverisë. Madje, para një muaji u shtrua pyetja nëse kjo qeveri është stabilizuese apo destabilizuese.
Është e natyrshme që në ketë periudhë tranzicioni të ketë luftë të fortë partiake; partitë do të angazhohen në këtë luftë politike, por nevojitet që drejtuesit e partive që bëjnë pjesë në këtë qeveri, për të mirën e këtij vendi, të jenë politikanë largpamës. A i shërben kjo krizë politike tani vendit? Diskutuam gjatë rreth kësaj çështjeje në debatin për Programin e Reformës Ekonomike dhe arritëm të gjithë në një përfundim: Qeveria të zbatojë masat e programuara për të ecur në rrugën e reformës dhe partitë u angazhuan se do ta mbështesin qeverinë.
Nuk është serioze që pasi deklarohet se do të mbështetet qeveria, pas dy ditëve të thuhet e kundërta. Qeverisë i dhatë votëbesimin në Parlament, duke i premtuar mbështetjen, pas dy ditëve, i thatë: “Prisni, mos e filloni reformën, se ka edhe një zgjidhje tjetër!”. Sapo ratë dakord me qeverinë për datën e zgjedhjeve në fund të shkurtit dhe deklaruat se deri atëherë do ta mbështesni qeverinë, përsëri pas dy ditësh, thoni: “Jo, të iki kjo qeveri!”.
Madje, u vutë edhe në garë kush ta prishë i pari. Një veprim i tillë është, në analizë të fundit, vetëm në dëm të vendit. Unë nuk dua të flas për punën që ka bërë qeveria gjatë kësaj periudhe, veçse dua të theksoj një gjë: personalisht, jam i ndërgjegjshëm që, ashtu siç mund të flitet për punën që ka bërë kjo qeveri, mund të flitet edhe për të metat e saj. Jam i sigurt se, po të kishim një mbështetje më të madhe, po të kishim punuar edhe vetë më mirë, po të kishim zgjedhur edhe persona më të aftë, me siguri, punët do të kishin shkuar më mirë.
Jam i bindur për këtë, sepse marrëveshja politike e formimit të kësaj qeverie ishte një zgjidhje shumë e përshtatshme për këtë periudhë tranzicioni. Së fundmi, çështja është çfarë do të bëjmë tani? Unë kam këtë mendim: Në qoftë se ju si parti politike, veçanërisht partia demokratike që shkaktoi këtë krizë, nuk e shikoni të mundshme të uleni edhe një herë midis jush për të riparë edhe një herë këtë çështje (do të ishte mirë që kjo të bëhej sa më shpejt, mundësisht nesër), atëherë unë mendoj që nesër nuk kemi pse të mblidhemi për këtë çështje së bashku dhe propozoj që qeveria sonte të marrë vendimin për dorëheqjen dhe unë nesër në mëngjes (ora ka vajtur një) të shkoj te Presidenti për të dhënë dorëheqjen në emër të qeverisë.
Në qoftë se partitë politike mendojnë ta shikojnë edhe një herë këtë çështje nesër, atëherë qeveria le të marrë vendimin përkatës pas kësaj. Ne nuk dëshirojmë të qëndrojmë në kolltukë të minuar. Ne e kemi angazhimin dhe e ndiejmë përgjegjësinë për vendimin që do të marrim. E ndiejmë jo si një çështje apo përgjegjësi personale, por si një përgjegjësi të madhe ndaj vendit. Ne i thamë shqetësimet tona jo për të bërë shou, as për të bërë fushatë elektorale, por për të qenë të hapur përpara popullit. Kaq mundëm të bënim, këto ishin mundësitë tona. Ne ishim plotësisht të angazhuar, vumë gjithë forcat tona mendore dhe fizike për të bërë gjithçka për stabilizimin e këtij vendi, për të bërë reforma ekonomike dhe politike, që do ta çojnë Shqipërinë drejt një sistemi demokratik”.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje