Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Vermosh, aty ku jetën ta shpëton veterineri
Publikuar me 05 Gus 2009

Vermosh, aty ku jetën ta shpëton veterineri

Në raste emergjencash banorët e Vermoshit në Shkodër kërkojnë ndihmën shëndetësore tek veterineri. Kjo është e vetmja mundësi për 1200 banorët e kësaj zone të thellë malore, të cilët prej shumë vitesh janë të privuar nga shërbimi mjekësor. Mungesa e këtij shërbimi ka bërë që ata të kthejnë sytë nga veterineri, i cili detyrohet të bëjë dy punë njëkohësisht: të kujdeset për shëndetin e kafshëve, por edhe të njerëzve. Mungesa e një mjeku apo infermieri ka detyruar këta banorë që në raste urgjencash të trokasin tek veterineri. Ky i fundit tashmë është “trajnuar” e kthyer në mjek dhe infermier për gjithë zonën. Situata e trashëguar prej më shumë se dhjetë vitesh i ka lodhur banorët. Por kërkesat e tyre për rikthimin e shërbimit mjekësor, si dhe për shumë probleme të tjera kanë rënë në vesh të shurdhër. Prek Vata, një banor i zonës tregon se para 10 vitesh është bërë rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore në Vermosh, por tashmë nga kjo godinë nuk ka mbetur asgjë. “Ndërtesa është shkatërruar plotësisht, nuk i ka mbetur asgjë, veçse mure të rrënuara. Çatia ka rënë, nuk ka as dyer, as dritare. Fati i 1200 banorëve është në dorë të Zotit. Ne lutemi që të mos sëmuremi”, shprehet i moshuari. Sipas tij, vështirësitë në raste emergjencash janë sidomos në stinën e dimrit kur e gjitha zona është thuajse e izoluar nga dëbora. Në raste emergjente, shpëtimi i vetëm për ta  janë spitalet e Malit të Zi. Ata mund të kalojnë atje për 40 minuta, ndërkohë që për të shkuar në qytetin e Shkodrës atyre u duhet të udhëtojnë 4-5 orë. Por edhe kjo mënyrë ka vështirësitë e saj, pasi sipas vetë banorëve, mjekët malazezë u kërkojnë të paguajnë 50 euro për vizitën, ndërsa 25 euro atyre iu kushton rruga nga Mali i Zi në Vermosh. Kjo është një shumë e konsiderueshme, duke pasur parasysh të ardhurat e banorëve të kësaj zone. Por fatmirësisht shumica e familjeve kanë fëmijë në emigracion, të cilët marrin përsipër t’iu paguajnë të afërmve shërbimin mjekësor. “Në kohën e monizmit, këtu ka pasur edhe spital me 21 shtretër. Ajo kohë mos ardhtë kurrë, por ama shërbimi mjekësor ka qenë i garantuar”, shprehet njëri nga banorët e zonës.


1135
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI