Revista
|
|
Burgu i Fushë-Krujës
Vdes në burg i dënuari në komunizëm. Mëngjesin e Krishtlindjes, në ambientet e Burgut të Fushë- Krujës ka gjetur vdekjen 80-vjeçari Kolë Kola, nga fshati Mjedë i rrethit të Shkodrës. I dënuari për një vrasje të ndodhur para ’90-s nuk arriti të përfitonte as nga amnistitë apo dënimi me kusht për shkak se ishte dënuar me Kodin e vjetër Penal.
Sikurse bëjnë të ditur të afërmit e të moshuarit, Kola u riarrestua në tetor të këtij viti për t’u kthyer sërish në ambientet e Burgut të Fushë- Krujës, pasi i kishte mbetur edhe një javë burg. Megjithëse kaluan ditët për të cilat pretendohej se i kishin mbetur për të plotësuar dënimin, Kolë Kola nuk u lirua derisa gjeti vdekjen mëngjesin e djeshëm.
Të afërmit e të ndjerit u bëjnë thirrje strukturave të shtetit dhe Presidentit të Republikës, në tagrin e kreut të KLD-së, që ta shqyrtojnë me seriozitet një rast të tillë, pasi babai i tyre vdiq nga një rast i pastër korrupsioni. “Kur ne e prisnin që prej mesit të tetorit babanë që ta na e lironin nga burgu, atë jo vetëm që nuk e liruan, por e mbajtën atje derisa ai vdiq. Shteti duhet ta analizojë mirë një rast të tillë”, u shprehën të pikëlluar ata.
Kolë Kola, në vitin 1987 ka kryer një vrasje në fshatin e tij të Mjedës dhe
është dënuar me 25 vite burg.
Familja dhe avokati akuzojnë Prokurorinë dhe Gjykatën e Krujës për ridënim dhe mbajtjen në qeli deri ditën e vdekjes. Prokurori: Zbatuam vendim gjykate, vendimi që e linte të lirë u prish nga Apeli
Kolë Simon Kola ishte lënë i lirë me kusht nga Gjykata e Faktit në Shkodër. Është rikthyer në qeli, pas prishjes së vendimit nga Apeli pasi plakut i kishin mbetur ende disa ditë burg nga dënimi me 25 vjet. Kolën e rikthyen në qeli me ambulancë, në fillim të tetorit, por ndërsa nga 7 ditët kaluan 3 muaj, askush nuk u kujtua ta lironte, deri dje kur i moshuari u nda nga jeta prej moshës e prej sëmundjes. Familja e Kolës akuzoi Prokurorinë dhe Gjykatën e Krujës që e kthyen në qeli burrin, ndërsa avokati i tyre tha se duhej bërë çmos që raste të tilla të mos përsëriteshin. Avokati Mark Marku tha se fajin për ridënimin dhe burgun e ka korrupsioni në prokurori. Ndërkohë, prokurori i Rrethit të Krujës tha për “Mapon”se ai kishte zbatuar vendimin e gjykatës në urdhrin e ekzekutimit që e çonte burrin e moshuar sërish në burg. Sipas tij, kërkesa që dënimi të shlyhej në arrest shtëpiak ishte bërë gabimisht në Gjykatën e Shkodrës, e cila e kishte pranuar, por kjo masë sigurie është rrëzuar në Apelin e Shkodrës dhe në vendimin e Gjykatës së Krujës është kërkuar që dënimi të shlyhej në qeli. Prokurori Florian Bonjaku thotë se vendimi i Gjykatës së Faktit në Shkodër është prishur, pasi ajo sipas Apelit nuk kishte kompetencë mbi rastin në fjalë, i cili duhej të shqyrtohej nga gjykata e rrethit ku vuante dënimin. Sipas tij, kjo e ka rikthyer çështjen në Krujë, ku vendimi nuk ka qenë në favor të të dënuarit. Ai gjithashtu mohon edhe akuzën e një dënimi të dytë prej 7 ditësh të pretenduar nga familja dhe avokati.
Ndërkohë sipas familjes dhe avokatit, 80-vjeçari Kolë Simon Kola nga Shkodra, u riarrestua më 3 tetor të këtij viti edhe pse Gjykata e Faktit Shkodër kishte vendosur që pjesën e mbetur të dënimit ta vuante në shtëpi nën mbikëqyrjen e policisë. Me gjithë kërkesat e familjarëve për lirimin e tij, pasi sipas tyre ai kishte përfunduar dënimin, kjo nuk ka ndodhur dhe burri vdiq dje në burg. Kola, sipas të afërmve, ka ndërruar jetë në qeli edhe pse kishte kryer dënimin e parë, por edhe të dytin dhe prej dy muajsh ishte padrejtësisht pas hekurave, ku mbahej sipas tyre nga Prokuroria dhe Gjykata e Krujës. Kolë Simon Kola në vitin 1987 ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe ka nisur vuajtjen e dënimit po në vitin 1987. Në vitin 1997 ai u kthye në shtëpi. Në vitin 2004 është arrestuar sërish dhe ka qëndruar në burg deri në 2011-ën. Kola nga 25 vite kreu 17 vite burg. Kështu, në moshën 79-vjeçare Gjykata e Faktit në Shkodër e ndryshoi masën e vuajtjes së dënimit me kusht “qëndrim në banesë”, duke u mbikëqyrur nga policia. Ky vendim u dha për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe moshës që kishte, si dhe faktit që kishte përfituar nga amnisti të ndryshme dhe i kish mbetur pak dënim. Sipas familjarëve, ai është marrë nga policia me ambulancë, së cilës ia kishin blerë karburantin vetë policët për ta dërguar në burg të moshuarin për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, në një kohë që ishte liruar nga Gjykata e Apelit në Shkodër pas 17 viteve burg të kryera prej tij. Ridërgimi i tij në burg ka sjellë dhe keqësim të gjendjes shëndetësore, madje po sipas familjarëve, as burgu nuk e ka pranuar fillimisht, pasi shihej se në çfarë gjendje ishte. Por të martën ai ka ndërruar jetë, dhe pse prej kohësh duhej të ishte jashtë burgut pasi dënimin e kishte kryer.
Djana Kolaj
Avokati: Padrejtësi për shkak të sistemit të korruptuar
Lidhur me vdekjen e 80-vjeçarit Kolë Simon Kola në burgun e Krujës, ka reaguar familja përmes avokatit të tij, Mark Marku. Avokati është shprehur se vdekja e Kolë Simon Kolës në burgun e Krujës ka ardhur për shkaqe që nuk dihen. Sipas tij, Kolë Simon Kola e ka mbaruar dënimin më 24 shtator 2012. “Shërbimi i provës në Shkodër më 28 shtator 2012 ka lajmëruar Prokurorinë e Shkodrës dhe Gjykatën e Krujës se dënimi i Kolë Simon Kolës ka përfunduar. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, në mënyrë të paligjshme dhe të pakontrolluar nga askush, duke mos patur asnjë dispozitë apo urdhër nga gjykata, ka lëshuar urdhrin e riarrestimit të 80-vjeçarit dhe e ka kthyer në burg për tre muaj në mënyrë të padrejtë pasi ai e kishte kryer dënimin”, – thotë avokati. Sipas tij, raste të tilla nuk duhet të përsëriten dhe janë pasojë e një “sistemi të korruptuar prokurorësh që nuk dinë gjë tjetër vetëm të zhvatin nga xhepat e qytetarëve”, – tha ai. Ndërkohë, ai akuzoi edhe gjyqtarët e Krujës që, pavarësisht se i numëruan ditët e burgut, e lanë në qeli të moshuarin. “Askush nuk mund të dënohet dy herë për një vepër penale, aq më shumë kur ka pranuar dhe ka kryer dënimin e dhënë për të”, – ka thënë Marku.
Të afërmit: Ishte i sëmurë rëndë
Familjarët e të ndjerit nuk pranuan të flisnin në lidhje me ngjarjen, ndërsa nga të afërm mësohet se që nga dita kur ai është marrë i sëmurë nga shtëpia dhe është rikthyer në burg, ka qenë vazhdimisht i sëmurë dhe familjarët kanë kërkuar lirimin e tij pasi kaluan 7 ditët që i kishin mbetur nga dënimi. Por kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga Prokuroria dhe Gjykata e Krujës, ndërsa në mëngjesin e djeshëm janë lajmëruar se 80-vjeçari kishte vdekur në burg. I ndjeri ishte babai i katër fëmijëve, dy djem dhe dy vajza, ndërsa ka patur dhe një djalë që i ka vdekur.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje