Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Vazhdon diskriminimi ndaj homoseksualëve të Kosovës
Publikuar me 05 Dhj 2011

Vazhdon diskriminimi ndaj homoseksualëve të Kosovës

Një Gay bari në Prishtinë u mbyll pak pasi bëri publicitetit, ani është duke u rinovuar dhe ka ndërruar emrin, ndërsa komuniteti i homoseksualëve të Kosovës vazhdon të izolohet.

Turbullime të shumta u shfaqën pasi që gay bari i parë në Prishtinë zbuloi jetën e zhvilluar nga komuniteti i homoseksualëve të Kosovës.

Pure Pure Club u vë në spikamë pasi që një portal i lajmeve në internet në muajin shtator zbuloi se ky lokal po reklamohej në një web-faqe të popullarizuar si “Lokali i parë miqësor ndaj homoseksualëve në Prishtinë”.

Por, ky lokal u mbyll pak pas publicitetit të bërë dhe tani është duke u rinovuar dhe ka ndërruar emrin, duke bërë që komuniteti i homoseksualëve të Kosovës të izolohet edhe më tej.

“Pasi që u bë publike, nuk kishte më shpëtim”

Është e shtunë në mbrëmje dhe nëpër baret dhe klubet e Prishtinës të rinjtë po argëtoheshin, sikur edhe bashkëmoshatarët e tyre në botën perëndimore.

Kur ka rrymë, ata bëhen gati, vishen, pinë dhe vallëzojnë sikur edhe kushërinjtë e tyre në Londër apo Berlin.

Por, përderisa këta ‘të rinj evropianë’ ëndërrojnë liberalizimin e vizave dhe udhëtimin në BE, komuniteti i homoseksualëve në vend shpreson të ketë liberalizim seksual.

Beni M. dhe partneri i tij shtihen si ‘shokë më të ngushtë’, për tu mbrojtur nga të tjerët.

“Ju nuk guxoni t’i tregoni askujt [se jeni homoseksual]”, tha ai.

“Shumica këtu konsiderojnë se kjo është sëmundje dhe se nuk është normale.”

Beni M. e din se ai duhet të jetë i kujdesshëm për të mos u zbuluar.

“E di si të sillem kur jam me njerëz të tjerë,” sqaroi ai. “Sa më pak femëror të jetë një mashkull homoseksual në Kosovë, më pak ka gjasa që ai të përballet me probleme”.

“Ju duhet të dini se si të silleni për të mos u dukur femëror, sepse nëse të vërejnë atëherë mund të hasni në probleme.”

Shumica e homoseksualëve në Kosovë takohen përmes rrjeteve shoqërore të shfrytëzuara nga komuniteti homoseksual, siç janë Gayradar.com ose Gayromeo.com, dhe organizojnë ahengje sekrete (shpesh në banesa private).

Por, në shtator një anëtar i Gayromeo.com bëri të ditur hapjen e një gay bari dhe restoranti afër stadiumit të futbollit në Prishtinë, të quajtur “Pure Pure Lounge Bar.”

Kjo informatë u zbulua nga web-faqja e lajmeve Lajme Shqip, të cilët e dërguan atje një fotograf për të biseduar me ata që merrnin pjesë në atë eveniment.

“Ne jemi të rrezikuar - dhe ju do të duhej ta dini këtë”, i tha fotografit njëri nga organizatorët, sipas Lajme Shqip.

“Dikush mund të na vë ndonjë bombë apo të na djeg lokalin”, shtoi ai.

Përderisa në këtë bar nuk kishte kurrfarë sulmi - ky publicitet i bërë nxiti vëmendje të padëshiruar dhe një barazh të tërë të abuzimeve homofobike nëpër internet.

Ata që punonin në baret afër Pure Pure, thanë se ky lokal nuk është hapur që atëherë dhe se ai është duke u rinovuar nën një emër të ri, “Pepper Chill Pub”.

Një kamerier në Ling bar, që gjendet përballë Pure Pure, tha për Gazeta Jeta në Kosovë: “Kam dëgjuar se ekziston një gay bar, por kurrë nuk kam hyrë aty.”

Ai shtoi se në përgjithësi baret në këtë zonë mezi mbahen hapur, për shkak se nuk po arrijnë të joshin konsumatorët.

“Shihni Facebook Bar, lokali i fansave të Klubit të Futbollit Prishtina, u mbyll për shkak se nuk mund ta mbanin më lokalin të hapur pasi që nuk kishin konsumatorë”, tha ai.

Një kamerier tjetër në këtë lokal tha se një ish-koleg i tij punonte në Pure Pure dhe se kishte punuar edhe gjatë një festimi të një ditëlindjeje që më pas ishte shfrytëzuar si eveniment homoseksualësh.

“Kolegu më tha se në këtë aheng kishte lloje të ndryshme njerëzish”, tha ai. “Njerëzit kishin parë qifte homoseksualësh teksa hynin në lokal duke u mbajtur për duarsh”.

Publiciteti që përcolli këtë bar jo vetëm që rezultoi me vënien e komenteve homofobike në web-faqen e dhënë por edhe me zemërimin e komunitetit homoseksual në vend.

“Kjo është qesharake”, tha një bashkëfolës biseksual, i cili deshi të mbetet anonim. “Ju e dini se homoseksualët janë grup i margjinalizuar, ju e dini se me çfarë pasoja mund të përballen këta njerëz - disa prej tyre kanë edhe familje”.

“Ky veprim është i pamatur; është e rrezikshme të publikohen informatat e tilla në emër të storieve sensacionale”, shtoi ai.

“Por, më vjen mirë që nuk kanë publikuar fotografi të këtij vendi. Mbase edhe gazetarët kanë pasur shpirt”.

Ai shtoi se publiciteti i bërë ishte ‘puthje e vdekjes’ për këtë lokal.

“Ishte rrezik, ishte tepër rrezik të shkohet atje: pasi që u bë puna publike, nuk kishte shpëtim”, tha ai.

Duke jetuar në gënjeshtër

Beni M. u rrit në Pejë, qytet ky në pjesën perëndimore të vendit. Ai tha se mungesa e edukatës seksuale ia ka bërë të vështirë të kuptuarit e homoseksualitetit të tij dhe të pranimit të tij në moshën e re.”

“Marrë parasysh se jetoja ku jetoja, ishte e vështirë të kuptoja se kush jam unë në të vërtetë dhe nga ku vinin këto ndjenja që kisha”, tha ai. “Unë fillova të dalë me femra për ta parë nëse ndonjëra prej tyre vërtet do më pëlqente”.

Përpjekjet e Benit për tu dashuruar me ‘gjininë e duhur’ dështuan, ndërsa ai vendosi që të mos i shtypë më ndjenjat e tij, ai duhej t’i mbajë këto ndjenja sekrete dhe të mos zbulojë orientimin seksual të tij.

“Këtu në Kosovë të gjithë njihen me të gjithë. E njoh njërin që i tregoi një anëtari të familjes së tij, ndërsa familja e shtyri të martohet me një grua dhe të heqë dorë nga dëshirat dhe ndjenjat e tij”, tha ai.

Grupet e shoqërisë civile që punojnë në fushën e të drejtave të Lezbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve dhe Transgjinorëve (LGBT), thonë se ato komunitete janë të margjinalizuara dhe të stigmatizuara brenda shoqërisë së këtij vendi.

Aktivistja e LGBT Sarah Maliqi tha: “Për shkak të nivelit të lartë të homofobisë në këtë shoqëri tradicionale, në të cilën homoseksualiteti konsiderohet i turpshëm dhe temë-tabu, këto grupe shpesh detyrohen ta fshehin identitetin e vet seksual”.

“Përndryshe, ata janë në rrezik të izolohen nga shoqëria dhe në rastet kur identiteti i tyre zbulohet, ata ka rrezik të bëhen viktima të abuzimit fizik dhe psikologjik”.

Çfarë janë të gatshëm të bëjnë njerëzit në kuptim të abuzimit fizik dhe emocional u bë e ditur në një incident shokues në vitin 2005. Gramoz Prestreshi dhe partneri i tij atëbotë, Loriku, u rrahën në Prishtinë nga një grup meshkujsh homofobik.

Këta e thirrën policinë për të raportuar këtë vepër, por e kuptuan se kjo ishte e hera e parë që dikush në Kosovë të raportojë “një vepër penale nga urrejtja në bazë të orientimit seksual”, dhe se atyre do t’ju sigurohej tretman special.

Në një intervistë në vitin 2007, Gramozi përshkroi se si “policia filloi të tallet me ta” duke i thirrur ata “pederë,” e madje edhe doktori përkatës i caktuar për tu dhënë ndihmë mjekësore u tha: “Ju jeni të sëmurë. Nuk dua që në klinikën time të më sillni virusin HIV”.

Përderisa Gramozit iu dha azil në SHBA, ku ai vazhdon të jetojë tani, Loriku bëri vetëvrasje pak pas këtij incidenti.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni ne Gazeta Jeta Ne Kosove)


1383
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI