Revista
|
|
Mbyllja apo pezullimi i aktivitetit të disa universiteteve private nga qeveria "Rama", duket se vë në dyshim edhe diplomat e disa prej deputetëve që kanë marrë një të tillë, pavarësisht se para disa viteve.
Kështu, nga një vëzhgim i jetëshkrimeve të deputetëve dhe ministrave të kabinetit "Rama", rezulton se vetë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka përfunduar në korrik të vitit 2010, studimet për Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv, pranë "Albanian University".
Ky është një nga universitetet që e gjen veten në listën e publikuar nga ministria që Nikolla drejton, si një prej atyre institucioneve arsimore që u pezullohet aktiviteti.
Ndërkohë me anë të një postimi në rrjetin social të "Facebook"-ut, ajo ka reaguar dje për masterin e marrë tek "Albanian University".
Nikolla pretendoi se edhe ajo ka qenë "viktimë e sistemit të degraduar arsimor pasi ka ndjekur një master në Albanian University".
Por sipas saj, kursin master ajo nuk e ka kërkuar vetë. Ai i është ofruar nga ky universitet në bashkëpunim me qeverinë e kohës.
"Në vitin 2008 kam ndjekur një kurs të veçantë master, të ofruar nga ky universitet në bashkëpunim me qeverinë e kohës. Një kurs enkas për zyrtarë të administratës publike dhe të zgjedhur vendorë, siç isha edhe unë.
Më interesoi programi në një fushë të re në të cilën unë punoja, por edhe trupa e zgjedhur e profesorëve për këtë program", - shkruan Nikolla, duke sqaruar se rezultatet e saj kanë qenë të shkëlqyera, ndonëse thotë se ky nuk është thelbi i çështjes.
Ministrja e Arsimit shton se "problem do të kishte qenë nëse ajo do ta kishte favorizuar universitetin në fjalë".
Por ajo garanton se "ky universitet është trajtuar me të njëjtat standarde si çdo institucion tjetër arsimor".
Ajo shprehet krenare për reformën e ndërmarë dhe thotë se për një gjë është e sigurt: "Nuk do të ndalem përpara asnjë pengese për të çuar deri në fund këtë reformë që pritej prej vitesh nga çdo shqiptar", - shprehet ministrja e Arsimit.
Deputetët
Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike e qarkut të Lezhës, Albina Deda, ka përfunduar ndërkaq Master të nivelit të dytë pranë ISSAT, në Tiranë, gjithashtu një prej institucioneve të cilave u pezullohet aktiviteti.
Pas lajmit që Nikolla dha të hënën, deputetja demokrate, Albina Deda shkroi dje, në rrjetin social "Facebook": "Nëse do mbyllen universitetet, i bie që, deputetët që kanë diploma dhe mastera në këto universitete të japin dorëheqjen".
Ndërsa tre deputetë, Artan Gaçi i PS-së, Bedri Hoxha i PD-së dhe Shkëlqim Selami i LSI-së, kanë një diplomë pranë Universitetit Kristal.
Ndërsa Gaçi dhe Hoxha kanë një diplomë për Drejtësi pranë këtij universiteti, që të hënën mori urdhrin për heqjen e licencës, deputeti i LSI-së për qarkun e Vlorës, Selami ka mbaruar në vitet 2009-2011 masterin "E drejta civile" pranë këtij universiteti.
Një tjetër deputet, Ylli Shehu i Partisë Republikane, ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit Kristal, në vitit 2006-2011.
Edhe këshilltari i kryeministrit për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Evropiane, Fate Velaj, ka gjithashtu një diplomë nga "Kristal".
Ai ka kryer një Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në vitin 2011, me një tezë prej 73 faqesh, siç shkruan në faqen e tij personale në internet.
Teza ka të bëjë me "Evropa mes meje dhe jush, njohje e beckgraundit të njëri-tjetrit". Teza e tij e masterit është drejtuar nga prof. dr. Vasillaq Kureta, njëherësh dekan i Fakultetit të Shkencave Politike pranë këtij universiteti.
Në fakt, nuk dihet se çfarë do të ndodhë me këto diploma të marra tashmë, nëse ato automatikisht do të quhen të pavlefshme, meqenëse edhe universitetit iu hoq licenca.
Kjo ishte një nga reformat e Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë "Rama", pa menduar se prej këtij vendimi cenohen edhe disa prej deputetëve dhe vetë ministrja Nikolla, pasi diploma e tyre, me këtë nivel që u paraqit për këto universitete, vihet në dyshim, pavarësisht punës, vlerësimeve që deputetët dhe ministrja kanë marrë në kohën kur kanë qenë studentë.
Universiteti Kristal mori famë të keqe disa kohë më parë, kur plasi edhe skandali i diplomës së të birit të ish-kreut të Lega Nord, Umberto Bossi.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje