Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Tragjedia në Lezhë, rrëfehet autori: Ja pse e vrava tim atë
Publikuar me 06 Dhj 2012

Tragjedia në Lezhë, rrëfehet autori: Ja pse e vrava tim atë

I nxehur se babai kishte qëlluar kundër vëllait dhe nënës, djali tjetër i familjes ka shtyrë me forcë të atin duke e përplasur me derën dhe më pas i ka marrë armën dhe e ka qëlluar në gjoks.

E gjithë kjo ka ndodhur të martën në mbrëmje në shtëpinë e 62-vjeçarit Mark Çupi, i cili humbi jetën i qëlluar nga i biri, pasi më herët në gjendje të dehur dhe pas sherrit me fjalë kishte plagosur të shoqen dhe djalin tjetër të tij që ndodhen tashmë në Spital Ushtarak.

“Kisha frikë se do të hakmerrej ngaqë e shtyva, prandaj kur i mora nga dora armën e qëllova menjëherë”, – ka thënë Sajmir Çupi që u ndalua nga policia, ndërsa ndodhej në gjendje të rëndë mendore pas asaj që kishte ndodhur në shtëpinë e tij.

Policia e Lezhës tha se gjatë marrjes në pyetje të Sajmir Çupit, ai ka rrëfyer edhe motivet e ngjarjes si dhe të gjithë skenën e krimit në shtëpinë e tij. Sipas Sajmir Çupit, babai i tij ka ardhur në banesë rreth orës 21:30 minuta. “Ai ishte në gjendje të dehur, pasi kishte kohë që kishte nisur edhe përdorimin e alkoolit dhe vazhdimisht debatonte në shtëpi.

Dje ka ardhur dhe ka debatuar me të gjithë pa asnjë shkak, ndërsa nëna e ka kundërshtuar duke i kërkuar që të hiqte dorë nga alkooli dhe të mos vinte të bënte sherr në shtëpi, duke trazuar familjen”, – ka thënë i riu para policisë. Kjo sipas tij ka ndezur debatet, gjatë të cilave edhe vëllai tjetër Astriti ka përkrahur nënën Marta, duke i kërkuar të linte alkoolin në mënyrë që të mos kishte konflikte me banorët apo të sillte ndonjë sherr në familje.

Kërkesa e llogarisë ka irrituar Mark Çupin, i cili ka dalë jashtë duke marrë automatikun në afërsi të banesës ku edhe e kishte fshehur që nga viti 1997 dhe pasi ka mbushur armën në hyrje të banesës, ka qëlluar me breshëri automatiku mbi Martën, bashkëshorten e tij, dhe djalin Astritin. Saimiri i tha policisë se në atë moment nuk ka qenë në dhomë. “Unë isha në dhomën tjetër të gjumit. I tronditur nga të shtënat dhe kur pashë nënën të shtrirë dhe të gjakosur vëllain, e kam shtyrë fuqishëm babain dhe pasi e kam përplasur me derën duke u përpjekur që të mos më qëllonte, i kam marrë më pas menjëherë automatikun”, – ka rrëfyer Saimiri.

Ai ka thënë se në momentin që i ati ndodhej në tokë dhe ai ka pasur armën, ka qenë edhe i frikësuar. “Në gjaknxehtësi e kam qëlluar në gjoks babain, duke patur frikë se do ngrihej sërish e do të hakmerrej, ndërsa kam lajmëruar fqinjët, të cilët më kanë ndihmuar për të dërguar nënën dhe vëllain në spital e më pas babain tim”, – ka thënë ai. Saimir Çupi ka thënë para policisë se ndjehej shumë keq për atë që kishte ndodhur. “Më vjen keq edhe për babain, pavarësisht nga krimi që ka kryer, pasi ka qenë nën efektin e alkoolit”, – ka thënë ai.

Pas deponimit në polici, Sajmir Çupi është prangosur nga ana e policisë. Ai nuk do të marrë pjesë në varrimin e të atit. Ndërsa burime zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se ai është në një gjendje depresive pas ngjarjes dhe për këtë i është dërguar edhe psikolog, për të bërë të mundur edhe qetësimin e tij, ndërkohë që është në pritje të marrjes së masës së arrestit nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Vdes pas tetë orësh burri që qëlloi gruan dhe djalin
Mjekët e spitalit të Lezhës janë shprehur se Mark Çupi ka patur plagë të brendshme për shkak të goditjes, prej të cilave ka ndërruar jetë edhe pse janë bërë të gjitha ndërhyrjet e mundshme për ta shpëtuar atë. Ndërkohë ekspertiza mjekoligjore ka përcaktuar se ai është qëlluar në gjoks me armë.

62-vjeçari jetoi 8 orë pas ngjarjes edhe pse në gjendje kome, ndryshe nga i biri dhe gruaja që plagosi, ai është mbajtur në spitalin rajonal ku edhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve që kishte marrë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, mësohet se trupi i pajetë i Mark Çupit është tërhequr nga morgu i spitalit të Lezhës pas kryerjes së autopsisë nga dhëndëri i tij. Ndërsa pritet që nesër Mark Çupi të përcillet për në banesën e fundit në fshatin Kalur të Lezhës.

Të afërmit e tij i janë shmangur medias, ndërsa banorët e fshatit Kalur të Lezhës shprehen se “Marku edhe pse ka kryer një krim të rëndë, gjatë jetës së tij nuk ka qenë një njeri i dhunshëm. Ndërsa papunësia kishte ndikuar më pas në shthurjen e tij dhe në përdorimin e alkoolit gjatë viteve të fundit”.

Të plagosurit i shpëtojnë vdekjes, kanë humbur shumë gjak
Bashkëshortja e viktimës, Marta Çupi dhe djali Astrit Çupi ndodhen në Spitalin Ushtarak, ku sipas mjekëve mendohet se janë jashtë rrezikut për jetën edhe pse kanë humbur shumë gjak, pasi transportimi i tyre për në spitalin e Lezhës ka vonuar shumë si rezultat i mungesës së infrastrukturës rrugore deri në fshatin e tyre. Burime nga ky spital thanë se nënë e bir kishin marrë disa plagë plumbash, por fatmirësisht asnjëra prej tyre nuk ka qenë fatale. Sipas policisë, në shtëpinë ku ndodhi përleshja janë gjetur edhe shumë shenja plumbash në mure.


1271
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI