Revista
|
|
Eshtë e pamundur për një lexues amerikan të shfletojë gazetat e mëdha ose faqet e CNN-it në internet e të mos përballet çdo ditë me shkrime për shpërnguljen e vendeve të punës nga SHBA-ja drejt vendeve në zhvillim. Kjo çështje mbetet aq e rëndësishme në Amerikë, sa u bë një ndër temat kryesore në debatet presidenciale Bush-Kerry. Si asnjëherë më parë, përfituesit e kësaj rryme ekonomike janë vendet në zhvillim që ofrojnë aftësitë e larta mendore të studentëve dhe profesionistëve lokalë me një kosto më të ulët se kolegët e tyre në SHBA, sidomos në fushën e teknologjisë.
Ndërkohë që në një botë paralele në Shqipëri, nëpër kafene dhe bare, studentët shqiptarë diskutojnë zymtësisht për perspektivat e tyre në atdhe dhe pamundësinë për t'u sistemuar jashtë kufijve. Studentët e informatikës, në mënyrë të veçantë, duhet të ndihen vërtet keq sepse mundësitë e tyre janë shumë të kufizuara. Në rastin më të mirë, ata mund të punojnë për një firmë që rishet kompjuterat e kompanive të huaja dhe të edukojnë konsumatorin shqiptar per përdorimin e tyre. Në rastin më të keq ata ndoshta do të mbajnë llogarinë e një kafeje interneti ose do të jenë të papunë. Të rrallë duket se do të jenë ata individë që do të mund shkruajnë ose krijojnë kode dhe programe kompjuterike.
Çdokush me të drejtë mund të pyesë se ç'lidhje ka papunësia e shqiptarëve më të arsimuar dhe kualifikuar në sektorin e teknologjisë me shpërnguljen e vendeve të punës nga Amerika?
Arsyeja kryesore është se inxhinierët dhe teknicienët shqiptarë edhe kur paguhen katër ose pesë herë më shumë se rroga mesatare në Shqipëri janë përsëri më të lirë se kolegët e tyre perëndimorë . E gjitha kjo në një kohë kur kompanitë e mëdha amerikane përballohen me konkurrencë në rrafsh botëror. Ky fakt, së bashku me periudhen katërvjeçare të kontraktimit ekonomik, i ka shtuar presionet e investitorëve për uljen e kostove të biznesit. Si rrjedhojë, institucione financiare si Citibank dhe JPMorganChase, dhe kompani të diversifikuara si General Electric e kanë përqafuar shpërnguljen e vendeve të punës. Ato kanë ndërtuar degë të rëndësishme të bizneseve të tyre në vende në zhvillim si India dhe Kina.
Në një koniunkturë të tillë, sektori më i influencuar nga kjo rrymë është ai i teknologjisë. Sipas një studimi të Universitetit të Columbias në verë të 2004, si rezultat i shpernguljes nga Amerika për në Indi, kompanitë amerikane të teknologjisë e kanë ulur koston e tyre nga 5% - 50%, ndërkohë që kualiteti i produkteve të tyre, qofshin ato sisteme telefonike/interneti apo programe kompjuterike, është përmirësuar nga 5%-25%. Këto rezultate e forcojnë tendencën që më shumë kompani teknologjie të angazhohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendet në zhvillim. Vetëm dy muaj më parë, gjiganti i programeve kompjuterike, Microsoft Corp., njoftoi shtypin për krijimin e një qendre të madhe kërkimore dhe për zhvillimin e produkteve të reja në Indi, ndërkohë që Cisco dhe Nortel Networks po ekzekutojnë një mori kontratash bashkëpunimi në Kinë.
Pse duhet t'i interesojë ky zhvillim lexuesve shqiptarë? Për tre arsye themelore. Së pari, rryma e shpërnguljes mund të ofrojë një mundësi të rrallë për kompanite e mëdha të teknologjisë të angazhohen në mënyrë direkte në Shqipëri. Deri më sot kompanite e teknologjisë kanë hyrë nëpërmjet kontratave me firma lokale shqiptare që integrojnë sisteme të ndryshme. Kjo është llogjike pasi Shqipëria paraqet një treg të vogël si për nga popullsia ashtu edhe nga fuqia blerëse. Por në rast se këto kompani arrijnë të kontaktojnë dhe përfshijnë talentet shqiptarë të informatikës dhe inxhinierisë, nuk është e vështirë të imagjinohet që ata do të investoheshin drejtpërsëdrejti pasi tregu shqiptar i punës ka avantazhe relative në kosto.
Kërkesa themelore e tyre, përveç atyre të njohura që lidhen me stabilitetin dhe infrastrukturën minimale, ka të bëjë me një nivel të lartë arsimor në fushat e informatikës dhe inxhinierisë elektronike, i cili duket se mund të gjendet në Shqipëri. E për të gjithë skeptikët që janë të gatshëm të përmendin që kompjuterat në Universitetin Politeknik janë të vjetër, trajnimi i ulët etj., etj., duhet të kujtoj rastet e universiteteve të Kinës ose Rumanisë, ku firma si Microsoft investuan në zhvillimin e departamenteve të informatikës me kusht që studentët të bëheshin pjesë e kësaj kompanie pas përfundimit të studimeve. E vetmja arsye pse ky zhvillim nuk i ka prekur universitetet shqiptare është mungesa e angazhimit të këtyre institucioneve në mënyrë intensive dhe krijuese. Një arsye e dytë e rëndësishme mbështetet në faktin se krijimi i vendeve të punës që kërkojnë fuqi mendore të lartë në firma të përmasave botërore, frenon , në qoftë se nuk e ndalon plotësisht, largimin e studentëve të rinj nga Shqipëria ose tharjen e trurit siç e ka quajtur PNUD-i duke krijuar arsye ekonomike për të qëndruar në Shqipëri. Madje nëse bëhet i menduar mirë, ky proces mund të sigurojë dhe kthimin e pjesshëm të te gjithë atyre studentëve që studiojnë jashtë kufijve shqiptarë. Së treti, të krijosh kushte për zhvillimin e sektorit të teknologjisë në Shqipëri do të thotë të investosh në sektorin më të rëndësishëm dhe më me shumë forcë ekonomike në nivel botëror, një mundësi që nuk ju jepet shpesh vendeve në zhvillim si Shqipëria.
Siç mund të kuptohet nga një parashtresë e tillë e shkurtër, kryefjala e veprimit të qendrave shqiptare të arsimit të lartë apo institucioneve të specializuara është gjetja e pikave të takimit ose përputhja e tendencës shqiptare të zhvillimit me këtë rrymë botërore. Për këtë duhet siguruar që kompanitë qe shpërngulin vendet e tyre të punës të bien në kontakt dhe të njohin burimet njerëzore shqiptare që kanë një traditë të mirë në këto fusha.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje