Revista
|
|
E sjellë herë pas here në vëmendjen e opinionit, kryesisht për arsye politike, dosja “Shoshori” vazhdon të ngjallë kureshtje, më shumë se për fatin tragjik të protagonistit të saj, për ndikimin e Sali Berishës në dënimin e tij, përfolur aq shumë në vitet e tranzicionit.
Rrjedha e debateve pa fund për penalizimin e këtij të fundit dhe reagimet e liderit historik të së djathtës shqiptare për t’u mbrojtur nga sulmet e pashtershme, kanë prodhuar një kakofoni opinionesh që e kanë bërë akoma më të mistershme historinë e të ndjerit Shoshori. Mirëpo, përtej sensibiliteteve politike, e vërteta e dosjes së shumëpërfolur është krejt tjetër.
Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, duke iu referuar dokumenteve autentike, zbardh në faqen e tij në FB historinë e dënimit të Hysen Shoshorit, rrethanat si u prangos, duke hedhur trakte antikomuniste në Tiranë, emrat e dëshmitarëve që e kryqëzuan, vendin e dënimit të të ndjerit e deri te zyrtarët që rënduan pozitën e tij.
Është një përsiatje që merr shkas nga debatet e fundit në Parlament, ku njëri nga deputetet e majtë riakuzoi Sali Berishën si denoncuesin e Shoshorit.
I ndjeri, pohon Dervishi, nuk është denoncuar nga askush, por është kapur e prangosur në flagrancë nga polici i lagjes dhe njëri prej vullnetarëve që shërbenin për organet e policisë popullore.
Më poshtë publikojmë të plotë historinë e zbardhur nga ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme…
nga: Kastriot Dervishi
Dosja e Hysen Shoshorit në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme është dosja hetimore – gjyqësore nr.10.666.
Përveç origjinalit të dosjes është edhe mikrofilmi (i pamanipulueshëm dhe i pandryshueshëm) i bërë në vitet ’70.
Emri i Sali Berishës nuk ka lidhje me këtë proces. Çdo gjë kundër tij nuk është gjë tjetër veçse sajesë ose shpifje.
Kush ka interes për këtë dosje, le ta konsultojë, nuk ka qenë dhe nuk është e klasifikuar. Ndër të tjera, këtu implikohet nëna e një zyrtari të lartë të Ekzekutivit të sotëm.
Përveç kësaj, është edhe një dosje tjetër operative në ngarkim të H.Shoshorit. Këtë e ka përgatitur një person që rezulton sot babai i një zyrtareje të lartë të Ekzekutivit.
Historia e Hysen Shoshorit
Hysen Shoshori nuk ka qenë i denoncuar, por i arrestuar në kushtet e flagrancës. Asnjëherë ndaj tij nuk u vu dyshimi më i vogël se shpërndante trakte.
Kjo sepse ai vepronte pothuajse vetëm dhe traktet i ndante personalisht pa ua dhënë të tjerëve.
Ai hodhi trakte me përmbajtje antikomunistë nga 4 qershori 1967 deri ditën që u arrestua, më 29 gusht 1974.
Veprimtaria e Shoshorit zgjati 7 vjet. Traktet nisën pikërisht ditën e zgjedhjeve për këshillat popullorë.
Ai punonte saraç në uzinën e artilerisë. Revolta e tij nis fill pasi pushteti komunist i shtetëzoi një kopsht të vogël, me të cilin ai ushqehej.
Ajo ishte protesta e heshtur e një njeriu që denonconte diktaturën komuniste, jetën e keqe dhe vuajtjen e popullit shqiptar.
Foto: Faksimile e trakteve antikomuniste hedhur nga Shoshori
Si përgjigje ndaj këtij shtetëzimi, ai nis të shkruajë me mjete amatore traktet e t’i shpërndajë vetëm afër lagjes ku banonte.
Traktet ishin shkruar me penë të thyer, duke përdorur disa lloj letrash.
Pas gati 3 vjetësh kërkimesh të pafrytshme, më 10 janar 1970 organet përkatëse të Punëve të Brendshme kanë çelur dosjen e kërkimit nr.33, të titulluar “Kafka”.
U vu ky emër dhe u quajt problem agjenturialo-operativ, sepse traktet e Shoshorit ishin pothuaj të gjitha me dy kafka, në të cilat ai ironizonte Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun.
Në ndjekjen e mundshme të tij, Sigurimi dështoi tërësisht. Asnjëherë nuk mundi ta identifikonte apo të dyshonte rreth tij.
Plot 97 persona u dyshuan si shpërndarës të mundshëm traktesh.
Ndonjëri edhe mund të arrestohej kot së koti siç e kishin zakon këta të Sigurimit, të cilët e kishin të vështirë të bëheshin njerëz inteligjentë. E si për inat, disa vite më vonë, Sigurimi i arrestoi dhe i dënoi të vëllanë Hysen Shoshorit.
Si u zbulua?
Hedhja e madhe e trakteve në rrugën “Qemal Stafa” e në zonën rreth saj, bëri që kjo rrugë të kontrollohej më shumë nga forcat e policisë.
Pavarësisht se çështjen e ndiqte Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, arrestimi i Shoshorit nuk u bë nga ata, as nga ndonjë denoncim, por nga Policia.
Ky arrestim ishte i rastësishëm dhe jo i planifikuar. Ai u pikas rastësisht nga një polic dhe nga një vullnetar i AGBV-së (Anëtar i Grupit të Bashkuar Vullnetar, strukturë ndihmëse e policisë e përbërë kryesisht nga pensionistë ose punonjës të përkushtuar). Më tej vazhdon hetimi dhe dënimi i tij. Në procesin e Shoshorit kanë dalë 18 dëshmitarë.
Dy të parët ishin punonjësi i AGBV-së dhe polici që e arrestoi. Të tjerët ishin kalimtarë që kishin lexuar traktet qoftë edhe ish- policë, si dhe punëtorë të uzinës ku punonte Shoshori.
Drejtpërdrejt me çështjen e tij kishin lidhje vetëm dy personat që e arrestuan dhe një shoku i tij që akuzohej për moskallëzim krimi.
Polici Dushan H. për këtë ngjarje dëshmon:
“Më datën 29 gusht, duke qenë me shërbim me anëtarin e Grupit të Bashkëpunimit Vullnetar, të quajturin Mustafa P., në vendin e quajtur rrugica e ambulancës qendrore…, aty rreth orës 21:15 pashë një person civil, të cilin nuk e njihja. Ai person nuk na shikonte ne, ndërsa ne i shikonim veprimet e tij.
Ai duke ecur në rrugicë kthente kokën sa andejkëndej dhe kur u afrua afër nesh që ishte një kthesë, unë pashë se një dorë e mbante në xhepin e pantallonave. Si mori kthesën duke ecur, pashë që nxori dorën nga xhepi, e vuri te goja dhe e lagu me pështymë dhe me të shpejtë e futi përsëri në xhep. Mua këto veprime të tij më lanë të dyshoja dhe e shikova me vëmendje të madhe.
Ai porsa futi dorën në xhep, nxori prej andej një letër të bardhë dhe e hodhi në tokë duke vazhduar ecjen normale. Unë menjëherë shkova dhe pashë se çfarë ishte kjo letër që ishte e shkruar me dorë e me përmbajtje armiqësore. Letrën e futa në xhep, i jap sinjalin anëtarit të AGBV-së, Mustafa P., dhe menjëherë vihem në ndjekje të personit që hodhi letrën.
Mustafait i them të më sillte biçikletën… I hipa biçikletës dhe e pashë rreth 100 metra në anë të djathtë të rrugës ‘QemalStafa’. Me qëllim që ta kapja e mos krijoja konfuzion, i afrohem duke i takuar rrotën e biçikletës. Lë biçikletën dhe e kap atë duke përdorur sambon, duke i thënë pse më pengove rrugën.
Këtë ia thashë me qëllim që të mos dyshonte derisa unë ta mposhtja. Në këtë kohë erdhi edhe Mustafa P., e kapi dhe ai. Me makinë e shoqëruam në Drejtorinë e Punëve të Brendshme. E kontrolluam e në xhepin e pantallonave i gjetëm disa letra të shkruara me germa të mëdha me përmbajtje armiqësore”.
Personi i AGBV-së, Mustafa P., thotë:
“Më datën 29 gusht 1974, unë si anëtar i Grupit të Bashkimit Vullnetar, u ngarkova nga Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë me shërbim bashkë me policin Dushan H., në rrugën ‘Qemal Stafa’, pranë ambulancës qendrore. Aty nga ora 21:15 duke qenë në vrojtim, pamë një person që vinte nga prapa ambulancës për të dalë në rrugën ‘QemalStafa’.
Ai person në cepin e ambulancës hodhi një letër dhe iku. Ne e morëm letrën, e pamë. Ajo kishte përmbajtje armiqësore. Atëherë vepruam në drejtim të atij personi dhe e kapëm disa metra më lart, në rrugën ‘Qemal Stafa’. E kontrolluam.
Në xhep kishte disa fletushka të tjera me përmbajtje armiqësore. Menjëherë e shoqëruam në Drejtorinë e Punëve të Brendshme. Në drejtori mësova se personi quhej Hysen Shoshori”.
Akuzat ne proces
“Organet e punëve të brendshme, më datën 29 gusht 1974, ora 21.15, në rrugën “Qemal Stafa” dhe pikërisht në afërsi të klinikës qendrore Tiranë, kapën në flagrancë të pandehurin Hysen Shoshori që shpërndante fletushka me përmbajtje armiqësore. Në kontrollin personal iu gjetën në xhepa edhe 9 copë fletushka të tjera thellësisht armiqësore.
Faksimile e dëshmive nga dosja “Shoshori” Për këtë krim i pandehuri u arrestua dhe nga zhvillimi i hetimeve ka rezultuar se veprimtarinë kundra pushtetit popullor, i pandehuri Hysen Shoshori e ka filluar qysh në vitin 1967 e në vazhdim.
Ky i pandehur duke patur shoqëri me të pandehurin Ramiz Vladi, i ka bërë këtij herë pas herë biseda me karakter armiqësor kundra partisë, pushtetit e udhëheqjes së saj duke thënë se gjoja ky pushtet po bën padrejtësia të mëdha, se gjoja në këtë pushtet po vuan i gjithë populli, nuk ka liri, ka diktaturë, ka diktaturë,…”
Në këto fletushka armiqësore, i pandehuri Hysen, vjell tërë vrer për partinë, pushtetin dhe udhëheqjen. Bën thirrje për akte terrori dhe për minim e rrëzim të pushtetit popullor. Veprimtaria armiqësore që ka zhvilluar i pandehuri Hysen Shoshori, paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, sepse jo vetëm që ka shprehur me gojë veprimtarinë e tij armiqësore, por me anën e fletushkave që ka shkruar dhe shpërndarë ka synuar të bëjë njerëz të pakënaqur dhe në të njëjtën kohë ka bërë thirrje për akte terroriste kundër udhëheqjes kryesore të partisë dhe të shtetit si dhe për përmbysjen e pushtetit popullor.
Në fletushkat ndërmjet të tjerave i pandehuri Hysen Shoshori ka shkuar: -“Atdhe, njeriu ka atje ku ka liri jetese, liri fjale, liri pune e të drejta njerëzore prandaj në rast se do ta dish në e do populli këtë parti, të lirojë kufjitë, por jo më shumë se 24 orë”.
– “Katundar, mor trufishek. I punon tokën udhëheqjes për 2 lekë”.
-“Mirë e ka populli zë radhën qysh më 3 të natës për vajguri se vet e kërkoi këtë pushtet që ishte maskue me emrin e socialkomunizmit, por doli pushteti i socialradhizmit”.
-“Partia i shet rrena popullit me lekë me anë të gazetës. Sa e ka çmimin gazeta, aq vlerë kanë lajmet”.
-“Popull, komunizmi i këtyre është në botën tjetër, prandaj mos i barnatosni trutë me politikën e këtyre, mos u tregoni të ligj e frikacakë se ky pushtet sot është e nesër nuk është”.
-“Kërkoni hapjen e kufijve që të shpëtoni ose përmbysjen pa vonesë…se po përhapet komunizmi në Europë”.
Deshmitaret e Shoshorit
Përveç dy personave që kryen arrestimin, personat e tjerë që dolën dëshmitarë nuk kishin lidhje me çështjen e shpërndarjes së trakteve.
Ata dëshmonin për njohjen personale me të pandehurin (shokët e punës) dhe për njohjen me traktet e tij (qytetarët e zakonshëm dhe policët).
Ja si ndahet grupi i dëshmitarëve:
1-Grupi që e njihte H.Shoshorin në punë:
-Besim H., komandant i uzinës së artilerisë.
-Perlat K., punëtor i uzinës së artilerisë.
-Servet D., zëvendësdrejtor i uzinës së artilerisë.
-Bektash B., shef llogarie i uzinës së artilerisë.
-Isak Gj., mekanik i uzinës së artilerisë.
-Shuaip V., mekanik i uzinës së artilerisë.
-Ismet Dr., inxhinier i uzinës së artilerisë.
2-Qytetarë që kishin gjetur e dorëzuar në polici traktet:
-Vjollca B., ekonomiste, kishte gjetur trakt në vitin 1967 në rrugën “4 Dëshmorët”.
-Polikron P., mësues, kishte gjetur trakt në vitin 1968 në uzinën “Traktori”.
-Ahmet R., berber, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Dervish Hekali”.
-Shpëtim I., axhustator , kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Tefta Tashko”.
-Hysen K., këpucar, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Hasan Vogli”.
-Leonora K., pa punë, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Petro Nini”.
-Nesim D., shofer, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Ibrahim Hasmema”.
-Avni U., magazinier në ushtri, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Hoxhë Vokrri”.
-Kolec Gj., mekanik, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Bardhok Biba”.
-Lulzim R., nxënës 18-vjeçar, dëshmonte për një njeri të dyshimtë që ndante letra në datën 24.8.1974.
-Isuf R., babai i nxënësit të mësipërm, dëshmonte për një njeri të dyshimtë që ndante letra në datën 24.8.1974.
3-Policë që kishin gjetur traktet nëpër rrugë:
-Xhelal G. Dëshmonte se në vitet 1968-1969 kishte gjetur trakte në rrugën “Formimi i partisë”.
-Nafiz S., ish-polic.
Në përfundim Hysen Shoshori u dënua me vdekje, por dënimi iu kthye me 25 vjet heqje lirie.
Vuajti nëpër kampe dhe së fundi në kampin nr.305, në Përparim të Sarandës.
Doli prej burgut me ardhjen demokracisë me një mal me vuajtje mbi shpinë, duke mos merituar asnjëherë keqpërdorjen që iu bë emrit të tij.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje