Revista
|
|
Varësia nga droga, sifilizi, skizofrenia... Ka tashmë shumë vjet që historianët po spekulojnë për sëmundjet, me të cilat është përballur Adolf Hitleri. Dy shkencëtarë tani kanë analizuar nga afër sëmundjet e diktatorit nazist. Rezultati: Hitleri me të vërtetë është përballur me shumë sëmundje
Nga “Der Spiegel”
Ndaj mjekut të tij personal, diktatori nazist vërtet është sjellë me butësi. “Zoti mjek, gëzohem shumë kur ju vini në mëngjes”, i kishte thënë Adolf Hitleri mjekut të tij personal, Theodor Morellit, në të cilin ka pasur besim të madh. Hitleri vetë kishte pranuar se Morelli ia kishte shpëtuar jetën disa herë.
“I dashuri mjek, nëse ne të dy e tejkalojmë këtë luftë, atëherë do ta shihni se sa i madh do të jetë shpërblimi për ju”, i kishte thënë Hitleri Morellit, në nëntor të vitit 1944.
Megjithatë, Morelli gëzonte një reputacion mjaft të keq. Nuk ishte vetëm e dashura e Hitlerit, Eva Braun, ajo që ishte ankuar për higjienën trupore të Morellit.
“Morelli nuk është këtu për t’i marrë erë, por për të më mbajtur të shëndoshë”, kishte mbrojtur Hitleri, mjekun e tij personal. Megjithatë, në qarkun e brendshëm të Hitlerit në vazhdimësi kanë qarkulluar spekulimet se Morell e kishte bërë Hitlerin të varur nga medikamentet dhe droga.
Edhe pas luftës, nuk është spekuluar për asgjë më tepër më shumë, se sa për jetën private dhe sëmundjet e Hitlerit. Gjenerata të tëra të historianëve, psikologëve dhe hulumtuesve kanë zhvilluar hulumtime për vuajtjet e Hitlerit.
Njeriu, i cili kishte urdhëruar vrasjen masive të miliona hebrenjve, kishte prirje të cilësohej si shpirt i sëmurë: natyrisht se dikur Hitleri është dashur të jetë i varur nga droga dhe me probleme mendore.
Menjëherë pas vitit 1945 filluan të dalin në sipërfaqe përgjigjet e para. Flitej se ai ka qenë homoseksual apo skizofren. Se ka lënguar nga sifilizi. Se në vazhdimësi ka konsumuar drogë dhe medikamente.
Shpjegimet e tilla synojnë të sugjerojnë se Hitleri nuk ka qenë i vetëdijshëm dhe se ka qenë vetëm pjesërisht përgjegjës për urdhrat për vrasjen e miliona njerëzve. Kështu së paku thotë mohuesi i Holokaustit, David Irving, i cili sugjeron se për shkak të konsumimit të drogës, Hitleri me gjasë as që ka ditur se çfarë është duke bërë.
Në anën tjetër, edhe hulumtuesit seriozë kanë ngritur çështjen e gjendjes shëndetësore të Hitlerit. Burimet janë të mangëta. Dosjet shëndetësore të Hitlerit janë zhdukur dhe prapa kanë mbetur vetëm shënimet e mjekut të tij personal dhe artikujt e gazetave.
Tani, historiani Henrik Eberle dhe mjeku Hans Joachim Neumann, kanë publikuar librin “Sa i sëmurë ka qenë Hitleri?”, në të cilin kanë gërshetuar përpunimin e burimeve historike me analiza moderne mjekësore, me qëllim që të ndajnë të vërtetën nga legjendat.
Në libër zbulohen disa detaje cinike: kështu për shembull ka gjasa që Hitleri në gojën e tij e ka pasur arin e viktimave të kampeve të përqendrimit - së fundi, te stomatologu i Hitlerit janë zbuluar 50 kilogramë ari.
Dy autorët paraqesin edhe listën me 82 medikamente, të cilat i ka konsumuar Hitleri gjatë kohës sa ka qenë në pushtet. Ata dëshmojnë se Morell me kënaqësi ka trajtuar të gjitha ankesat e klientit të tij. Që nga viti 1944, Morell i ka injektuar Hitlerit edhe hormonin seksual, testosteron, në veçanti në rastet kur Eva Braun ishte pranë tij.
Shënimet e Morellit gjithashtu dëshmojnë se njeriu, i cili e konsideronte veten si ushtarakun më të suksesshëm të të gjitha kohërave, vuante edhe nga gjëra mjaft banale: Hitleri ka vuajtur nga frika se do të sëmuret nga kanceri. Ai ka vuajtur edhe nga shtypja e lartë e gjakut. Për shkak të problemeve në organet e tretjes, Hitleri madje ishte bërë edhe vegjetarian, e jo për shkak të dashurisë së tij ndaj kafshëve, siç kishte theksuar propaganda e nazistëve.
Kur në vjeshtën e vitit 1944 tek Hitleri u zbuluan simptome të verdhëzës, shpërtheu një grindje e ashpër ndërmjet mjekëve të tij, të cilët në një moment akuzuan Morellin se e kishte helmuar Hitlerin. Por Hitleri sërish doli në mbrojtje të Morellit.
Morelli nuk kishte guxim të refuzonte asnjë kërkesë të Hitlerit dhe e furnizonte atë me sasi të mëdha të medikamenteve, përfshirë këtu edhe medikamentin për nxitje, Pervitin. Morell është akuzuar se me këtë medikament e ka bërë Hitlerin të varur nga droga.
Megjithatë, Morell në shënimet e tij thotë se vetëm një herë i ka dhënë Hitlerit pervitin. Autorët Eberle dhe Neumann theksojnë se nuk ekziston asnjë dëshmi për atë, se Hitleri nuk ka ditur se çfarë ishte duke bërë, ngase ka qenë nën ndikimin e pervitinit, e nuk ekzistojnë as dëshmi se ai ka qenë i varur nga kokaina.
Me analizimin e burimeve kundërthënëse dhe me ngritjen e dyshimeve mjekësore, dy autorët synojnë të shfuqizojnë edhe legjendat tjera: si për shembull se shpërthimet e tërbimit, për të cilat ishte i njohur Hitleri, ishin si rezultat i një infeksioni në tru.
Pra përgjigjja në pyetjen se a ka qenë Hitleri i sëmurë, është tejet e qartë për ata që mbështesin teoritë e konspiracionit: Hitleri ka lënguar nga Parkinsoni dhe kjo mund të vërehej dukshëm disa muaj para se ai të bënte vetëvrasje, në bunkerin e tij në Berlin, në prill të vitit 1945.
Por vendimet e tij mbetën deri në fund impulsive dhe të pashpjegueshme. Këtë në fund në lëkurën e vet përjetoi edhe mjeku i tij, Morell. Madje edhe pas rënies të te gjitha vijave të frontit dhe pasi u bë e qartë se lufta ishte e humbur, Morell ishte kujdesur për shtypjen e lartë të gjakut dhe problemet e tretjes së Hitlerit.
Hitleri iu falënderua në mënyrën e tij: më 21 prill ai e liroi mjekun e tij besnik me një këshillë të çuditshme: Morell duhej të kthehej në rroba civile në ordinancën e tij në Berlin.
Por jashtë bunkerit, po zhvillohej një luftë e ashpër mes forcave të fundit të mbetura naziste dhe pjesëtarëve të Armatës së Kuqes, në qendër të kryeqytetit të “Rajhut të Tretë”.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje