Revista
|
|
Markeljan Cungu akuzohet për njëmijë vjedhje. U shoqërua për disa orë në polici, por mosha e mitur e shpëton nga qelia
Fenomeni i të miturve në botën e krimit sa vjen e rëndohet. Mungesa e një shkolle riedukimi i rikthen ata në polici
TIRANË- Qëndroi rreth 12 orë në qelitë e komisariatit, ku rrëfeu pesë vjedhjet që realizoi tre ditët e fundit dhe më pas u la i lirë. Për 11-vjeçarin Markeljan Cungu, i cilësuar si "Arsen Lypeni" i të miturve shqiptarë kjo ishte një vizitë e radhës në ambientet e komisariatit të policisë nr.4, ku ka dhënë shpjegime për dhjetëra vjedhje që ka kryer në Tiranë. Duke përtypur çamçakëz dhe asfare i shqetësuar, Markeljani ka lënë paraditen e djeshme ambientet e komisariatit ku ishte shoqëruar për pesë vjedhje të cilat janë kryer prej tij. "Dua të vjedh, e kam hobi"- tregon superhajduti, ndërsa largohet me shpejtësi nga porta e komisariatit. Inspektorët e policisë janë tmerruar nga ngjarjet e panumërta që mbajnë "firmën" e Janit, ku njëra vjedhje nuk i ngjan tjetrës. Por mosha e tij e mitur e favorizon atë të mos qëndrojë më shumë së disa orë në mjediset e komisariatit.
Vjedhjet
Megjithëse babai dhe xhaxhai iu arrestuan pak kohë më parë, pasi ishin udhërrëfyesit e tij në realizimin e vjedhjeve, kjo gjë nuk e ka penguar "superhajdutin" minoren të vazhdojë të zhvasë qytetarët. Markeljan Cungu duket se nuk ka më nevojë për këshilltarë në vjedhjet që kryen. Tre ditët e fundit, ai ka kryer pesë vjedhje për të cilat policia nisi hetimet. Inspektorët e policisë nuk e kanë pasur të vështirë të zbulojnë autorin e këtyre vjedhjeve për të cilat u akuzua Markeljan Cungu. Ai nuk fshihet kurrë, pavarësisht nga numri i vjedhjeve që kryen, sepse e di që do të mbahet vetëm pak orë në polici dhe më pas do të shkojë sërish në lagjen e tij për të inskenuar të tjera vjedhje. "Gjatë ditëve të fundit, Markeljan Cungu ka vjedhur portofolin e një qytetariku brenda ndodheshin shuma e parave prej 10 000 lekësh, letërnjoftimin dhe kartën e një banke. Në banesën e një qytetari ka vjedhur një portofol me shumën e parave 6 000 lekë, një celular tip "Motorola". Në Rrugën e Dibrës, dyshohet se i ka vjedhur motoçikletën tip "Papaq" 120 ç, një tjetër personi ndërsa në rrugën "Aleksandër Moisiu" ka vjedhur një tjetër motoçikletëtip "Papaq"125 ç, dhe ua kishte shitur personave të panjohur në shumën 12 000 lekë. Gjithashtu ka marrë nga një banesë shumën e parave prej 350 euro", -treguan burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit për vjedhjet që u akuzua Markeljan Cungu ditën e djeshme.
Superhajduti
Markeljan Cungu ose siç e thërrasin shokët e tij "Çengeli" për faktin se u vjedh telefonat qytetarëve nga xhepi, duke i tërhequr me gishtin e vogël të dorës, është autori i rreth 1000 vjedhjeve që ai i ka kryer jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera të vendit. Ai është 11-vjeç, por kënaqësia që ndjen kur kryen vjedhje, i mposht frikën e përballjes me uniformat blu. Jani jeton me prindërit dhe vëllanë më të vogël në një banesë modeste në lagjen "Allias" në kryeqytet. Ai ka lindur në Mirditë, ndërsa kur mbushi 2 vjeç, familja e tij u zhvendos në Tiranë. "Nuk është se kam nevojë për lekë, por më pëlqen të vjedh",-të tmerron Markeljani, kur e pyet për arsyet që e shtyjnë të vjedhë. Çdo sendi me vlerë që ai i vë syrin, duhet ta vjedhëpatjetër.
Me lekët që fiton pasi shet sendet me vlerë, minoreni tregohet xhentil duke qerasur shoqërinë e tij. Madje "festën" ai e filmon me një aparat telefonik celular për t'ia treguar më pas policisë, e cila do t'i kërkojë llogari atij për vendndodhjen e parave me qëllim sekuestrimin e tyre "Ai e di që policia do ta kapë brenda pak orësh ndaj dhe i harxhon të gjitha paratë"- shprehen inspektorët e policisë të cilët kanë regjistruar jo pak herë emrin e Markeljan Cungut në vjedhje të ndryshme. Jani e ka të qartë se pas çdo vjedhjeje që kryen policia do ta kapë menjëherë dhe nëse provon të mohojë ngjarjen do të hajë edhe shuplaka nga inspektorët. "Dajaku" ka detyruar Janin të premtojë me dhjetëra herë uniformat blu se nuk do të vjedhë më, por mungesa e një qendre rehabilitimi për të dhe për të miturit si ai duket se e bëjnë të shkelë premtimin.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje
Berni |
hahaqhahahahhaahahah mish je |