Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Studimi, si iu dhurua Greqisë hapësira detare
Publikuar me 28 Sht 2009

 Studimi, si iu dhurua Greqisë hapësira detare

Studimi 117 faqesh i Kolonel Myslim Pashaj, pjesë të të cilit janë botuar sot ekskluzivisht në "GSH" synon të bindë Kuvendin për të mos ratifikuar marrëveshjen shqiptarogreke për delimitimin e kufijve detarë.

TIRANE- Marrëveshja shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve shkel hapur sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë, ndaj ajo nuk duhet ratifikuar nga Parlamenti”. Ky është konkluzioni i një studimi prej 117 faqesh të ish-drejtorit të Institutit Tipografisë Ushtarake të Shqipërisë, kolonelit Myslym Pasha, njëherësh profesor me gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, i lauruar me titullin “Mjeshtër kërkimesh”.

Marrëveshja, për përcaktimin e vijës së re të kufirit detar të Shqipërisë me Greqinë, u firmos në muajin prill nga ministrat e Jashtëm, Lulzim Basha e Dora Bakojanis.

“Gazeta Shqiptare” boton sot ekskluzivisht pjesën më pikante të këtij studimi, i cili thellon më tej skandalin që fshihet në këtë marrëveshje, të depozituar tashmë për ratifikim në parlament.

Detajet e këtij studimi- shkruan sot GSH- nxjerrin në pah paaftësinë e qeverisë shqiptare për të mbrojtur sovranitetin e Shqipërisë, duke pranuar firmosjen e një dokumenti që cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor. Rezultatet e studimit tregojnë se pala shqiptare nuk ka shtruar asnjë argument dhe nuk ka kundërshtuar ndonjë tjetër. Thjesht janë pranuar pa asnjë kusht dhe kundrejt asnjë kontestimi të gjitha propozimet e kërkesat e palës greke. Qeveria shqiptare, me vetëdije ose për paaftësinë e ekspertëve të saj të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme tenton tani të ratifikojë me shumicë votash këtë dokument.

Në datën 25 qershor, Komisioni Parlamentar i Ligjeve vetëm me votat e 11 deputetëve të maxhorancës dhe pa praninë e opozitës miratoi këtë marrëveshje dhe tani pritet që fjalën e fundit ta thotë seanca plenare e 19 tetorit. “Studimi në argumentet e tij teknikë, gjeohartografikë, synon si hap të parë krijimin e një opinioni mbarëkombëtar, për të mos e ratifikuar këtë Marrëveshje”, - shprehet profesor Pasha.

Skandali u denoncua nga “Gazeta Shqiptare” që në firmosjen e marrëveshjes. Me ndihmën e një eksperti topograf, “Gazeta Shqiptare” arriti të zbardhë në muajin prill ‘09 faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptarogreke “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Vija e re kufitare që ndan ujërat territoriale të dy shteteve, e që përbëhet nga 150 pika, rezulton sipas ekspertit topograf se ka prirjen për t’u futur në drejtim të Karaburunit, pra në dëm të Shqipërisë, me afërsisht 11 km.


1107
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI