Revista
|
|
Tre oficerë policie, mes tyre edhe vëllai i një dëshmori të rënë në krye të detyrës, janë përjashtuar nga Policia e Shtetit për një çështje, ku një nga protagonistët e saj është Bashkim Tahiri, babai i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Çështja për të cilën janë përjashtuar tre oficerët ka të bëjë me një aksident rrugor, ku sipas urdhrit të lëshuar nga kreu i Policisë, Artan Didi, tre oficerët nuk kanë dhënë masë shumë të lehtë për drejtuesin e mjetit që ka goditur mjetin e babait të Tahirit, pa shkaktuar pasoja në njerëz.
LETER RAMES
Oficeret e shkarkuar tashme krejtesisht nga puna i kane derguar nje leter kryeministrit Edi Rama ku i kerkojne atij qe ushtrojne kompetencate tij ligjore per ti rikthyer ne pune pasi jane viktime e abuzimit te pushtetit nga ana e drejtuesve superiore. Kjo masë e marrë ndaj tyre është cilësuar prej tyre ekstreme dhe e pabazuar në ligj, por që merr shkas nga një incident rrugor, përplasje mes dy mjeteve, të ndodhur më 12 korrik të këtij viti. Nga informacionet policore mësohet se në këtë datë, në autostradën Tiranë-Durrës, si pasojë është dëmtuar lehtë mjeti “Audi”, me targë AA227CL, i drejtuar nga Bashkim Tahiri, babai i ministrit të Brendshëm. Ky mjet është goditur në pjesën anësore nga mjeti me targë AA333JO, me drejtues Agim Lazen.
AKSIDENTI
Tre oficerët kanë shkruar për Kryeministrin se ky aksident është trajtuar në bazë të Kodit Rrugor dhe ligjit për kompanitë siguruese, duke përcjellë praktikat përkatëse, në bazë të të cilave ka përfituar babai i Tahirit, i cili thuhet se është dëmshpërblyer me rreth 90 mijë lekë të reja. Kurse shkaktari i aksidentit, Agim Laze, mësohet se është shoqëruar në polici dhe i është nënshtruar kontrollit për pije alkoolike dhe verifikimit të dokumentacionit. Nga ky kontroll, ai ka rezultuar i rregullt, kështu që është penalizuar me masë administrative “gjobë”.
Pa pasur asnjë ankesë zyrtare, si nga ana e të dënuarit, ashtu edhe nga ana e të dëmtuarit (babai i Tahirit), mësohet se Komisioni i Apelit ka vendosur të kryejë një hetim për këtë çështje. Sipas pretendimit të tre oficerëve, Komisioni i Apelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i përbërë nga katër drejtorë policie me gradën “Drejtues i Parë” dhe kryetari i komisionit, zëvendësdrejtori i përgjithshëm për sigurinë publike, të mbledhur më datë 18 gusht, pra rreth një muaj pas aksidentit, ka shqyrtuar de facto ankesën e tyre dhe kanë vendosur një masë më të lehtë se përjashtimi. Sipas të dhënave, Komisioni i Apelit ka vendosur “ulje në gradë për një vit” dhe “shtyrje të afatit të gradimit”, vendim i cili duhej të shpallej brenda pesë ditëve. Por, diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe një vendimi është shpallur tre muaj me vonesë, në kundërshtim me rregulloren e policisë. Pikërisht me vendimin nr. 550, datë 14 tetor 2014, ku shihet qartë se janë ndryshuar dy anëtarë të komisionit që ka marrë në shqyrtim dosjen e tre oficerëve dhe janë ndryshuar procesverbalet, është vendosur “përjashtim nga Policia e Shtetit” për tre oficerët e lartpërmendur. Veç faktit se ata janë dënuar në kundërshtim me rregulloren, një pretendim tjetër lidhet edhe me dënimin kolektiv të tyre, pra janë fajësuar të tre njëlloj, pavarësisht se secili prej tyre ka pasur votën e vet në vendimin për aksidentuesin e makinës së babait të Tahirit. “Kjo masë dhe të tjera të ngjashme si këto, kanë krijuar pasiguri dhe frikë në organizatën e policisë për përmbushjen e misionit të saj”, deklarohet në ankesën drejtuar Kryeministrit Rama dhe të firmosur nga tre oficerët e përjashtuar.
NGA TE SHKARKUARIT VELLAI I NJE DESHMORI
Një nga të përjashtuarit për shkeljen e konstatuar në rastin e këtij aksidenti është Ahmet Meshi, i cili kishte funksionin e kryetarit të komisionit, ku mendohet se është abuzuar me detyrën dhe mban gradën “Kryekomisar”. Ai rezulton se është vëllai i një punonjësi policie të vrarë në krye të detyrës dhe i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, Azem Meshi. Ky i fundit është vrarë në vitin 1999 përballë bandave të armatosura në Tiranë.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje