Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Sinanaj pohon: Kam bërë 27 vrasje, çmimi nga 10 deri në 50 mijë €
Publikuar me 30 Jan 2014

Sinanaj pohon: Kam bërë 27 vrasje, çmimi nga 10 deri në 50 mijë €

"Kam bërë 27 vrasje në Shqipëri, Itali dhe në Greqi, ku kam jetuar që 14 vjeç.

Kam marrë pjesë në shpërthimet në gjykatën e Selanikut në maj 2010, në zbatim të urdhrit që më dha anëtari i një partie politike".

Kjo është, sipas informacionit që ka siguruar gazeta greke “To Vima”, ajo që ka pohuar 30-vjeçari shqiptar Julian Sinanaj, i arrestuar në Tiranë para disa ditësh, si pjesë e një grupi që kryente vrasje me pagesë.

Sipas dëshmive të mbledhura deri tani, Sinanaj ka jetuar me familjen në Greqi që nga viti 1997 dhe e ka filluar veprimtarinë e tij kriminale dhe vrasjet me kontratë, që kur ishte ende i mitur.

Edhe gazeta "Protothema" shkruante dje se ai ka pohuar vrasjen e dy shtetasve 35 dhe 45 vjeç më 1 korrik të vitit 2011 jashtë një restoranti në Gazi, ku pati dhe një viktimë të tretë të rastësishme, vrasje që në Greqi deri tani kanë mbetur pa autor.

Ndërsa në Gjykatën e Selanikut, në vitin 2010 për fat nuk ndodhi një tragjedi e madhe, teksa në kohën e shpërthimit ndodheshin në të mbi 50 njerëz.

Nga shpërthimi vetëm një person u lëndua lehtë dhe aktin e mori përsipër organizata terroriste “Komploti i celulave të zjarrit”.

Policia greke deri tani nuk ka patur ndonjë informacion të lidhjes së kësaj organizate më elementë shqiptarë, të paktën në qytetin e Selanikut.

Oficerët e lartë të Policisë së Greqisë, të cilët nuk kanë mundur ta marrin në pyetje të arrestuarin, kanë deklaruar për “To Vima” se "nëse këto dëshmi konfirmohen qoftë edhe pjesërisht, do të kemi surpriza dhe zhvillime të mëdha".

Por shprehen se kanë shumë dyshime për pretendimet e 30-vjeçarit, sepse në arkivat e policisë greke, për Julian Sinanin ka vetëm një shkelje trafiku.

I penduari: Merrnim 10-50 mijë € për vrasjet
I arrestuari Neritan Gjoksana ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke u kthyer në të penduar të drejtësisë. Ai ka rrëfyer të gjitha detajet për mënyrën se si vepronte killeri, Julian Sinanaj, ndërsa ka pohuar se e furnizonte atë me armë dhe eksploziv.

Mësohet se ka qenë pikërisht Gjoksana ai që e ka denoncuar vrasësin në polici, pasi kishte patur mosmarrëveshje me të për shitjen e armëve dhe eksplozivit.

I penduari pohoi se ishte kërcënuar me jetë nga vrasësi dhe duke u nisur nga fakti që ai paraqiste rrezikshmëri të lartë kishte vendosur të kryente denoncimin në polici.

Julian Sinanaj u arrestua pesë ditë më parë, teksa po fotografonte një biznesmen nafte në Durrës, ndaj të cilit po përgatiste atentatin e radhës.

Gjykata dhe policia pritet të zbardhin listën e plotë të porositësve të vrasjeve dhe viktimave të killerit, i cili sipas të dhënave paguhej nga 10 deri në 50 mijë euro për një vrasje.

Pas arrestimit Julian Sinanaj po bashkëpunon me Prokurorinë, duke zbardhur të gjitha krimet e kryera.

SINANAJ U KAP TEKSA FOTOGRAFONTE NJË BIZNESMEN
Arrestimi i 32-vjeçarit Julian Sinanaj pesë ditë më parë, si i dyshuar për vrasje me pagesë, ka çuar Policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda në zbulimin e bashkëpunëtorëve të tij në atentate me armë dhe shpërthime me eksploziv.

Julian Sinanaj është kapur teksa po fotografonte një biznesmen, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Ndërsa miku i tij, i arrestuar dy ditë më vonë, Neritan Gj., pranoi të bashkëpunonte me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke u kthyer në të penduar të drejtësisë.

I përballur me dëshmitë që ai kishte dhënë para grupit hetimor, ka rrëfyer edhe pjesën tjetër të krimeve duke mbyllur ciklin.

Në këtë formë, sipas hetuesve, është zbuluar i gjithë grupi prej 5 personash, që dyshohet të jenë të përfshirë në vrasje dhe atentate me eksploziv me pasojë vdekjen, por edhe plagosje të mbetura në tentativë.

Nga deklarimet e dhëna prej dy të arrestuarve, dyshohet se Julian Sinani është personi që kryente ekzekutimet dhe vendosjen e minave me celular, pasi kishte njohuri të posaçme në prodhimin dhe vendosjen e eksplozivëve të telekomanduar. Këto krime porositeshin më parë nga Marjon Mitro. Takimet kryheshin në lokalin e tij në Vlorë, me ndërmjetësimin e dy kushërinjve të shpallur në kërkim.


1420
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI