Revista
|
|
100 vjet më parë, më 14 prill 1912, anija transoqeanike e pasagjerëve “Titanik”, më e madhja në botë për kohën, u mbyt në udhëtimin e vet të parë pas përplasjes së pashmangshme me një ajsberg, rreth 740 km në jug të Brigjeve të Mëdha të Njufaundlendit (Kanada), duke shënuar një nga tragjeditë më të mëdha detare të të gjitha kohërave në periudha paqeje.
Edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, ende numri përfundimtar i viktimave që humbën jetën në këtë tragjedi nuk është përcaktuar saktë; burime të ndryshme raportojnë nga 1495 deri në 1517 të mbytur – e njëjta vlen edhe për të mbijetuarit, që numërohen nga 706 në 712 persona. Këto mosmarrëveshje kryesisht vijnë për shkak të listave jo edhe aq të sakta të pasagjerëve, për arsyen se udhëtimi i parë ishte edhe udhëtimi përurues i anijes dhe mendohet që në momentet e fundit të kenë hipur edhe më shumë persona nga ç’ishin prerë paraprakisht bileta, apo edhe për faktin se në momentet e fundit u morën si punëtorë më shumë staf nga ç’ishte parashikuar paraprakisht.
Statistikat njerëzore
Nga 324-329 pasagjerë të klasit të parë, 199-201 mbijetuan.
Nga 277-285 pasagjerë të klasit të dytë, 118-119 mbijetuan.
Nga 708-710 pasagjerë të klasit të tretë, 181 mbijetuan.
Nga 885-899 anëtarë ekuipazhi, 212-214 mbijetuan.
I veçantë është fakti se ndër kategoritë e punonjësve të ndryshëm të ekuipazhit, asnjë prej bandës prej 9 muzikantëve të anijes nuk shpëtoi dot.
Edhe pse anija ishte llogaritur për një kapacitet prej 3547 personash, numri i barkave të shpëtimit në raste rreziku ishte i mjaftueshëm vetëm për 1178 prej tyre.
Titaniku
“RMS Titanik” ishte një anije britanike katëroxhakëshe transoqeanike me avull, e ndërtuar për transport pasagjerësh transatlantikë, si dhe për shërbime postare, ndërmjet Sauthemptonit të Britanisë së Madhe dhe Nju Jorkut të SHBA-ve, me porosi të kompanisë “White Star Line”.
Anija u ndërtua në kantierin Harland dhe Volf në Belfast të Irlandës së Veriut. Kur u fut në ujëra për lundrimin e saj të parë përurues, ishte anija më e madhe në botë e llojit të vet. Ndërtimi filloi më 31 mars 1909, u lëshua për herë të parë në ujë më 31 maj 1911 dhe i mbylli përfundimisht punimet më 31 mars 1912. Kishte një gjatësi prej 269.1 m, gjerësi 28.0 m, me një tonazh në total prej mbi 47 mijë tonësh.
Për kohën, Titaniku ishte anija më luksoze e llojit të vet. E pajisur me teknologjinë më të avancuar, kishte brenda pishinë, salla gjimnastike, banjo turke, biblioteka në klasin e parë e të dytë, si dhe një fushë skuoshi (një lloj sporti i preferuar anglez). Për ta kuptuar luksin e anijes, mjafton të kujtosh se bileta e klasit të parë kushtonte 4500 dollarë amerikanë (të cilat, të konvertuara sot, janë baras me rreth 80 mijë dollarë).
Udhëtimi
Anija u nis për lundrimin e parë më 10 prill 1912 nga Sauthemptoni. Sikur të mos mjaftonte fakti që anija nuk ishte pagëzuar (një procedurë e zakonshme fatndjellëse që detarët e njohin mirë), me ndezjen e motorëve të fuqishëm dhe manovrën e parë në port shkaktoi aq shumë dallgë, sa bëri të këputen cimat e një anijeje tjetër, asaj të pasagjerëve “City of New York” që ishte ankoruar aty pranë; kjo bëri që dy anijet për pak të përplaseshin. Kjo e vonoi me një orë nisjen.
Ndalesat e radhës ishin në Sherburg (të Francës) dhe Kuinstaun (sot Kobh të Irlandës), ku hipën pasagjerë të tjerë. Në këtë port të dytë anija as që u fut fare, pasi ishte shumë e madhe për kapacitetin e tij dhe pasagjerët u transportuan me barka të vogla drejt Titanikut. Më pas anija u nis drejt Nju Jorkut.
Edhe pse kapiteni Eduard J. Smith e kishte devijuar për më në jug dy ditë më parë kursin e anijes, pas paralajmërimeve për ajsbergë në ujërat oqeanike, vetëm në orën 23.40 të 14 prillit, një nate e ftohtë me det të qetë e shikim të mirë, dy marinarë dhanë alarmin për një masë të madhe akulli në udhën e Titanikut. Kjo pasi radistët e kompanisë “Maroni”, që siguronte shërbimin e ndërlidhjes në Titanik, i kishin injoruar lajmërimet më të fundit që kishin ardhur nga anije të tjera në lundrim për praninë e ajsbergëve, duke mos ia përcjellë kullës së kontrollit, pasi ishin shumë të zënë me transmetimet e mesazheve të pasagjerëve, sidomos të atyre të klaseve të larta.
Nga momenti i përplasjes, pak minuta më vonë dallimit të ajsbergut, e deri në zhytjen përfundimtare të saj rreth orës 2.20 të mëngjesit të 15 prillit, pasagjerët fillimisht u përfshinë nga paniku dhe refuzimi për t’u larguar nga një “anije e sigurt” e më pas nga konfuzioni e rrëmuja në përpjekjet për të hipur në barkat e mbetura të shpëtimit, ndërkohë që anija ishte ndarë në dy pjesë prej peshës.
Anija transoqeanike “Carpathia” e kompanisë “Cunard Line”, e cila i kishte marrë sinjalet e shpëtimit të lëshuara nga Titaniku tek ndodhej afro 93 km larg tij, mbërriti aty pas rreth 4 orësh, duke marrë në bord gjithë të mbijetuarit që mundi të gjente aty pranë. Operacioni i shpëtimit, i cili nisi në orën 4.10, zgjati deri në orën 8.30 të mëngjesit. Më pas Carpathia u nis drejt Nju Jorkut. Është ironike të mendohet se Titaniku ishte porositur nga kompania “White Star Line” pikërisht për të mposhtur konkurencën e “Cunard Line”, kompanisë e cila – përpara ndërtimit të Titanikut – zotëronte dy anijet më të mëdha transoqeanike të kohës, “Mauretania”-n dhe “Lusitania”.
Nga numri i pasagjerëve dhe ekuipazhit, shumica u mbytën. Shifrat variojnë nga 1495 deri në 1517 të mbytur, shumica e të cilëve pasagjerë të klasit të tretë apo anëtarë të ekuipazhit. Sidoqoftë, kapiteni Smith arriti ta shpëtojë veten. Nga të mbyturit, vetëm trupat e 333 viktimave mundën të gjendeshin prej anijeve të shpëtimit, një pjesë e të cilëve u varrosën paskëtaj po në det.
Për shkak të politikës “fëmijët dhe gratë të parët” që ndoqi ekuipazhi në mbushjen e barkave të shpëtimit, nga numri i grave në anije shpëtuan 75 përqind e tyre, krahasuar me vetëm 20 përqind të burrave që mundën t’i mbijetonin tragjedisë. Një e dhënë tjetër interesante është se përqindja e britanikëve që humbën jetën në këtë aksident ishte shumë më e lartë se ajo e amerikanëve – të dhëna këto që shpesh janë interpretuar si rrjedhojë e mirësjelljes së famshme britanike dhe refuzimit të tyre për të hipur në barka “përpara të tjerëve”.
Tragjedisë së Titanikut i janë ngritur shumë memoriale, nga të cilët më të mëdhenjtë janë ata në Sauthempton të Anglisë dhe në Uashington të SHBA-ve.
Hetimet që pasuan mbytjen e Titanikut bënë që shumë ligje të ndryshonin sa i takon sigurisë dhe masave të sigurisë që duhet të marrin anijet e transportit të pasagjerëve.
Megjithë përpjekjet për gjetjen e mbetjeve të Titanikut, që pak kohë pas mbytjes së tij, vetëm më 1 shtator 1985 një ekspeditë franko-amerikane mundi t’i zbulojë ato, rreth 4 km në thellësi të detit, gati 600 km në juglindje të Njufaundlendit.
Që prej mbytjes së vet, Titaniku nga nxitur fantazinë e shumë njerëzve dhe është bërë subjekt i disa prodhimeve kinematografike.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje