Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Si ndodhi Atentati kundër A.Zogut në Vjenë
Publikuar me 06 Tet 2011

 Si ndodhi Atentati kundër A.Zogut në Vjenë

 

Shkaqet e udhëtimit në Vjenë

Në fundin e vitit 1930 dhe në fillimin e vitit 1931, shëndeti i Ahmet Zogut, tashmë “Mbret i Shqiptarëve” u përkeqësua si pasojë e punës së sforcuar dhe abuzimit me duhanin me komplikacione të tilla sa vihej në pikëpyetje edhe jeta e sovranit. Nisur nga kjo gjendje e pas një konsultimi me këshilltarët e tij mbreti vendosi të kurohej në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, pikërisht aty ku pati kalur momente të rëndësishme të jetës së tij në fundin e Luftës së Parë Botërore.

Ndërmerrej ky udhëtim sepse mungonin kushtet që një mjekim me rreze X të bëhej në Tiranë.

Udhëtimi i mbretit u lajmërua edhe nga shtypi shqiptar. Më 27 janar gazeta “Ora” hapet me titullin e madh: “L.M. e Tij Mbreti u nis dje në Vjenë për një kohë të shkurtër”. Nga njoftimi i gazetës merret vesh se kishte ditë që qarkullonte lajmi se mbreti do të bënte një vizitë të shkurtër jashtë shtetit.

Të dielën në mëngjes një delegacion parlamentar i kryesuar nga kryetari i Parlamentit dhe i përbërë nga përfaqësues të çdo prefekture vizitoi Pallatin Mbretëror për t`i uruar mbretit rrugë të mbarë. Në këtë takim Ahmet Zogu i njoftoi deputetët për vendimin e tij se të nesërmen do të nisej në Austri për një pushim të shkurtër dhe se dëshironte që gjatë mungesës së tij Parlamenti dhe Qeveria të bashkëpunonin në harmoni të plotë.

Të nesërmen mbreti u shoqërua deri në Durrës nga motrat e tij princesha, nga Këshilli i Ministrave, nga Ministri i Italisë në Tiranë, nga gjeneralët Aranitasi, Pariani dhe Gilhardi, prefekti i Tiranës Curri etj. Në orën 11.00 Ahmet Zogu hipi në kryqëzorin “Quarto” së bashku me ministrin e Oborrit Ekrem Libohova, dr. Jani Bashon, Sotir Martinin, truprojën Llesh Topallaj dhe Allaman Çupin.

 

Atentati

 

Mbreti Zog dhe ekipi që e shoqëronte mbërriti fillimisht në Venecie e më pas nga këtu me tren u nis drejt Vjenës ku mbërriti më 28 janar 1931. Në kryeqytetin e Austrisë ai u vendos në hotelin “Imperial”.

Mbërrija e Ahmet Zogut në Vjenë vuri në lëvizje të gjithë emigrantët politikë të njohur si antizogistë dhe që vepronin kryesisht nëpërmjet organizatës “Bashkimi Kombëtar”. Kjo organizatë filloi menjëherë të bënte plane se si dhe ku mund të kryente atentatin ndaj mbretit.

Meqenëse atentati në hotel ishte i pamundur për shkak të sigurisë së lartë atje, organizata organizoi planin e atentatit në dalje të operas së Vjenës ku Ahmet Zogu do të shihte një shfaqje.

Në mbrëmjen e 20 shkurtit në Operan Vjeneze jepeshin veprat “Pagliacci” dhe “Leggienda di Giuzepe”. Në një nga llozhat e Operas, Ahmet Zogu kishte zënë vend së bashku me ministin e Oborrit Libohova dhe adjutantin e tij Topallaj. Ndërsa dy atentatorët e ardhshëm kishin zënë vend përjashtë në një kafe, përballë vendit ku pak më vonë do të kryhej atentati.

Pasi la pa parë aktin e fundit të operas, mbreti u bë gati të dilte. Kur makina me flamur shqiptar u bë gati për nisje, dy atentatorët, Azis Çami e Ndok Gjeloshi u çuan menjëherë nga kafja ku po qëndronin deri ato çaste dhe u bënë gati të qëllonin.

Duke qenë se të dy atentatorët kishin vite pa e parë Ahmet Zogun, Ndok Gjeloshi e ngatërroi atë me Llesh Topallajn, të cilin e qëlloi në kokë me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend. Në këtë moment nga një drejtim tjetër filloi të qëllojë në drejtim të makinës me 7 plumba edhe Azis Çami.

Si mbreti ashtu edhe minstri i Oborrit Libohova filluan të mbrojnë veten duke qëlluar. Nga shkëmbimi i zjarrit Libohova u plagos në këmbë ndërsa mbreti shpëtoi pa u prekur. Policia arrestoi në vend dy atentatorët, ndërsa Qazim Mulleti që ishte ngarkuar për të mbrojtur krahët mundi të hedhë revolverin e të fshihej në turmën e sapokrijuar.

 

Shtypi shqiptar

Gazeta “Ora” e Tiranës, të nesërmen më 21 shkurt, del me një botim të posaçëm ku në faqe të parë spikat ktryeartikulli: “L.M. e Tij Mbreti shpëtoi lumturisht nga atentati tradhësor i Vjenës”.

“Ora” njofton se dy atentatorët dhe të arratisurit e tjerë janë arrestuar nga policia e Vjenës. Pjesa më kryesore e këtij kryeartikulli është sa më poshtë:

“Kur Mbreti po bëhej gati t`i hipte automobilit, vendi përpara operas dhe rreth e përqark automobilit dukej si i zbrazur, por befas duallë nga të dy anët të dy atentatorët t`armatosur me revole të mëdha të cilat i ngritnë përnjëherësh kundër Mbretit dhe shtinë disa herë. Këto dy mënxyra hapnë edhe një herë zjarr kundër personit të Mbretit të Shqiptarëve, në minutën kur po hipte në automobil”.

Siç merret vesh nga gazeta, Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti janë mbledhur shpejtësisht për t’u informuar për gjendjen dhe për të marrë masat e duhura.

Më 23 shkurt 1939, “Ora” jep rrëfimin e shoferit të mbretit:

“Adjutanti, major Llesh Topallaj posa kishte vu këmbën në shkallëzën e automobilit dhe donte të hynte brenda, kur qe vuna re një njeri me pallto të zezë dhe me kapele t`asaj ngjyre që i afrohej automobilit. Ky nxuer me ngadalë revolverin nga xhepi dhe ia drejtoj Mbretit. N`at moment u ndigjuan të shtime dhe major Topallaj u rrëzua i mbytur në gjak në shkallëzën e automobilit. Shka ngjau më pastaj, u zhvillua në pak sekonda; pushkët qëllojshin njëra pas tjetrës. Unë nxorra revolverin tim dhe atentatori e solli pushkën nga unë. Hapa derën e automobilit e cila iu përplas në fytyrë atentatorit dhe n`at çast kaloi mbi kokën time një plumb. Trupi i major Topallajt vleu si mbroje për N.M. Tij Mbretin”.

Në gazetën e kësaj date jepet edhe një deklaratë e Shefit të Drejtorisë së Policisë së Vjenës, i cili bën të ditur se në këtë qytet jetojnë 30 familje emigrantësh politikë shqiptarë, të cilët sipas tij do të dëboheshin menjëherë.

Citohet gjithashtu një intervistë e Mbretit dhënë gazetës vjeneze “Neue Freie Presse”, ku ndër të tjera ai ka thënë: “Jam i prekur në zemër nga simpatija e publikut austriak në rastin e shpëtimit tim nga atentati i shëmtuem”. Sipas gazetës Mbreti kishte shfaqur dhimbjen e thellë për vdekjen e besnikut të tij major Llesh Topallajt.

Më 25 shkurt 1931, gazeta “Ora” hapet me kryeartikullin: “N.M.T. Mbreti ka shtirë me revolver 5 herë kundër atentatorëve. Major Topallajin e vrau Ndok Gjeloshi.”

Më 27 shkurt 1931, “Ora” jep njoftime të tjera për ngjarjen në fjalë, sipas së cilave Gjeloshin e ka arrestuar një gazetashitës dhe Çamin shoferi i makinës. Po ashtu bëhet e ditur se Ekrem Libohova është shëruar plotësisht dhe se trupi i Llesh Topallajt u nis nga Vjena për në Shqipëri.

 

Organizatorët e atentatit

Pas dështimit të kryengritjes së qershorit 1924 dhe qeverisë së saj, në dhjetor të po këtij viti, klasa politike e përzier në këto zhvillime, përgjithësisht u largua nga Shqipëria.

Një pjesë e emigracionit u organizua në “Komitetin Nacional Revolucionar”, formuar më 25 mars 1925, dhe pjesa tjetër formoi organizatën “Bashkimi Kombëtar” në krye të së cilës u vunë Ali Këlcyra, Sotir Peçi, Xhemal Bushati dhe Angjelin Suma. Kjo organizatë antizogiste gradualisht u lidh me bllokun franko-jugosllav dhe financohej nga Jugosllavia për interesat e saj.

Sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit, Vjena u bë një qendër aktiviteti me rëndësi e “Bashkimit Kombëtar”, e cila u forcua edhe më teper me emërimin e Cinar Markoviçit si këshilltar i Legatës Jugosllave.

Vllamasi bën të ditur se Markoviçi kishte qenë diplomat në Tiranë në kohën e trazirave të vitit 1924 dhe e njihte mirë klasën politike të Shqipërisë. Ai përkrahte dhe financonte në emër të shtetit të tij anëtarët e komitetit të “Bashkimit Kombëtar” dhe aktivitetet e tij.

Markoviçi ishte transferuar më 1929 dhe pasardhësi i tij i kishte thënë anëtarëve të “Bashkimit Kombëtrar” në Vjenë: “Do të jem i lumtur po të jem unë i pari që të lajmëroj Beogradin për vrasjen e Zogut”.

Sipas Vllamasit, organizatorë të atentatit kundër Zogut ishin Hasan Prishtina, Qazim Mulleti, Azis Çami, Ndok Gjeloshi, Rexhep Mitrovica, Angjelin Suma, Sejfi Vllamasi etj.

Me përjashtim të Hasan Prishtines, që u largua, të gjithë emigrantët shqiptarë antizogistë të implikuar në këtë ngjarje u arrestuan nga policia vjeneze.

 

Efektet diplomatike të atentatit

Jugosllavia me anë të këtij atentati synonte të shkaktonte turbullira në Shqipëri dhe nga ana tjetër të përfitonte nga kjo duke sjellë në pushtet njerëz që i konsideronte si të vetët. Në këtë mënyrë jugosllavët do të bëheshin zotër të Shqipërisë nëpërmjet një qeverie kukull.

Për të qenë formalisht në rregull, ministri jugosllav në Tiranë, Nastasijeviç, kishte njoftuar më 31 janar 1931 qeverinë shqiptare se ishte në dijeni të një atentati që do të organizohej në Vjenë kundër mbretit. Hetimet e policisë austriake vërtetuan shumë shpejt se grupi që kishte organizuar atentatin ndaj Zogut ishte drejtuar dhe financuar nga Jugosllavia. Të dy atentatorët u mbrojtën në gjyq me avokatë të shtrenjtë dhe të ardhurat e tyre ishin shumë herë më të mëdha nga ato që merrnin. Qeveria austriake zbuloi gjithashtu se të dy atentatorët ishin pajisur me pasaporta diplomatike nga qeveria jugosllave.

Nga procesi gjyqësor, zhvilluar në shtator-tetor 1931, doli se në kufijtë e Shqipërisë ishte organizuar një force që do të ndërhynte ushtarakisht pasi të kishte marrë vesh vrasjen e Zogut.

Edhe Italia… shfaqi keqardhjen e saj për ngjarjen dhe në një farë mënyre i tërhoqi vëmendjen Jugosllavisë si nxitëse dhe organizatore e atentatit.

Në një intervistë që Ahmet Zogu i dha gazetës vjeneze “Neue Freie Presse” më 12 mars 1931, ndër të tjera tha:

“Ne u kërkojmë fqinjëve tanë të respektojnë të drejtat tona sovrane dhe integritetin e vendit tonë. Organizimi i bandave në kufirin tonë …pengon konsolidimin e Shqipërisë dhe vë në rrezik paqen në rajon”.

Atentati ndaj mbretit në Vjenë duket se i acaroi më tej marrëdhëniet e vështira midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

 

Ku përfunduan atentatorët

Më 2 tetor 1931 gjykata austriake dënoi Ndok Gjeloshin dhe Azis Çamin respektivisht me 7 dhe 3 vjet burg, dënim të cilin ata nuk e vuajtën plotësisht.  Ata ishin të dy të datëlindjes 1893 dhe kishin qenë ithtarë të “revolucionit fanolist”, bile i kishin shërbyer deri në fund këtij regjimi në forcat e armatosura. Pas dështimit të “revolucionit”, ata ishin larguar nga atdheu së bashku me grupin tjetër të politikanëve dhe ushtarakëve. Në emigracion u bënë anëtarë të “Bashkimit Kombëtar” dhe paguheshin nga anëtarët e komitetit të kësaj organizate. Pas atentatit të Vjenës ata u dënuan edhe nga gjykata në Shqipëri. Mirëpo pas disa vitesh mbreti i fali me anë të një amnistie. Duke mos besuar në këtë amnisti, Gjeloshi dhe Çami qëndruan jashtë Shqipërisë deri në prill 1939. Sipas një deklarimi të tyre gjatë një darke në Tiranë në vitin 1943, merret vesh se ata i druheshin njerëzve të Zogut dhe jo atij vetë. Realisht ata e kishin besuar amnistinë e Zogut.

Në pushtetin e vendosur pas vitit 1939 si Gjeloshi dhe Çami shërbyen në forcat e armatosura.

Çuditërisht, të gjithë atentatorët që deshën të vrisnin Ahmet Zogun u vranë nga komunistët e Enver Hoxhës. Azis Çami u vra nga komunistët më 15 dhjetor 1943, ndërsa Ndok Gjeloshi ishte vrarë pak kohë më parë po nga komunistët. Po kështu edhe Beqir Valteri e shumë antizogistë të mëdhenj u vranë apo u persekutuan nga Enver Hoxha dhe regjimi i tij.

 

Atentatet politike të ndodhura jashtë Shqipërisë

13 qershor 1920 – Avni Rustemi qëllon mbi ish-kryeministrin Esat Toptani. Ekspertiza vërtetoi më vonë se mbi Toptanin kishin qëlluar dy armë të ndryshme. Për studiuesit seriozë enigmat e këtij atentati mbeten të mëdha.

2 mars 1925 – Balto Stamolla vret ish-ministrin e financave Luigj Gurakuqi.

14 tetor 1927 – Alqiviadh Bebi vret në Pragë ministrin e sapoemëruar të Shqipërisë në këtë vend, Ceno Kryeziun. Vrasësi u vra më vonë në sallën e gjyqit nga njerëz të Kryeziut duke marrë me vete misterin e kësaj vrasjeje.

20 shkurt 1931 – Ndok Gjeloshi dhe Azis Çami qëllojne mbi mbretin Zog duke vrarë truprojën e tij Llesh Topallajn.

14 gusht 1934 – Ibrahim Çelo vret në Selanik ish-kryeministrin Hasan Prishtina. I ndjeri para se të vritej ishte drejtor i një shkolle të verbërish në këtë qytet.

 

 

 

 

 


2725
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI