Revista
|
|
Kryeministri vepron nëse ka shkelje kushtetuese, por gjithashtu mund të ndërhyjë edhe drejtësia
Vasil Bollano ligjërisht mund të shkarkohet nga detyra apo të ndiqet penalisht, sikundër kanë kërkuar një pjesë e politikës shqiptare. Nëse është e vërtetë se me deklaratat dhe sjelljen e tij Bollano ka shkelur Kushtetutën e Shtetit Shqiptar, ai mund të shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Deputeti i PS-së, juristi Besnik Dervishi, sqaron për “Korrierin” ligjin që parashikon shkarkimin e çdo kryetari të njësive vendore, qoftë bashki apo komunë. “Në nenin 42 të ligjit 86, 52, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, janë parashikuar rastet e shkarkimit të kryetarëve të bashkive ose të komunave. Pra, Këshilli i Ministrave, jo kryeministri, ka të drejtën e shkarkimit të një kryetari bashkie apo komune në tre raste: në rastin kur kemi të bëjmë me shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të ligjeve, në rastin kur ky titullar është dënuar me një vendim të formës së prerë të një gjykate, ose në rastin kur propozohet nga këshilli përkatës për shkarkim për mosparaqitje në detyrë për në periudhë me shumë se tre muaj”, - shprehet Dervishi. Në rastin e kreut të Bashkisë së Himarës, akuzat e bëra nga disa aktorë të politikës shqiptare është rasti i përmendur nga Dervishi për shkelje të Kushtetutës. Sipas tij, vetë ekzekutivi mund të përcaktojë nëse akuzat ndaj Vasil Bollanos janë apo jo të vërteta. “Natyrisht, Këshilli i Ministrave, strukturat në funksion të kryeministrit i kanë si burimet njerëzore, ashtu edhe instrumentet përkatës për të vërtetuar nëse në rastin konkret kemi të bëjmë me një nga këto raste, dhe kjo pastaj ka të bëjë me fillimin e procedurës për të penalizuar apo jo një kryetar bashkie, ose në rastin konkret kryetarin e Bashkisë së Himarës”, - shprehet anëtari socialist i Komisionit të Ligjeve. Në rastin konkret, Bollano, që është edhe kryetari i organizatës “Omonia”, akuzohet se ka shkelur nenin 9 të Kushtetutës, pika 2, që thotë: “Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit”. Në krahun tjetër, neni 1, pika 2 e Kushtetutës shprehet qartë se: Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm, ndërsa ka pasur deklarata për autonomi të Himarës dhe cilësimin e kësaj zone si tokë greke. Njëkohësisht, lidhur me akuzat për shkelje të Kushtetutës mund të hetojnë edhe organet e drejtësisë, në mënyrë të pavarur nga vendimi i Këshillit të Ministrave. “Ato janë të pavarura nga njëra-tjetra, sepse shkarkimi nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të ligjeve sjell një pasojë administrative, pra shkarkimin nga detyra, ndërsa institucionet e drejtësisë, kur për shkak të shkeljes së Kushtetutës ose të ligjit kanë ndodhur ose janë ekzistentë elementet e një vepre penale, është detyra e tyre, që në mënyrë të pavarur të ushtrojnë funksionet e tyre. Pra, nëse ke thyer një nga këto kushte të vendosura në ligj, mund edhe të shkarkohesh nga detyra, por mund edhe të ndiqesh penalisht nëse ekzistojë elementet e një vepre penale”, - shprehet juristi Besnik Dervishi. Sipas tij, nëse ka elemente të një vepre penale, është detyra e organeve të drejtësisë të ndërhyjnë, që nuk kondicionohet nga qëndrimi i Këshillit të Ministrave. Ajo që sqarohet qartë, është fakti se kreu i Bashkisë së Himarës mund të shkarkohet nga qeveria apo të ndiqet penalisht nga organet e drejtësisë, gjithmonë nëse vërtetohen akuzat për shkelje të Kushtetutës
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje