Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Si kaluan bashkë në burg Nano dheAlia
Publikuar me 23 Sht 2011

 Si kaluan bashkë në burg Nano dheAlia

Faton Veliu/Standard

Ish-drejtori i burgut të Sigurisë së Lartë me numër 313 në kryeqytet dhe nipi i Qazim Mulletit tregon momentet kur aty u futën liderët kryesorë të shtetit komunist dhe kryetari i opozitës së atëhershme, Fatos Nano. Situata e krijuar kur Nanoja u përball në korridor me Ramiz Alinë.

HYRJE

Në mesin e gushtit të vitit 1993, kur kishte më pak se dy vjet që në Shqipëri ishte ndërruar pushteti totalitar komunist me atë demokrat, ku partia e parë opozitare kishte ardhur në pushtet, nga Prokuroria e Përgjithshme doli një urdhër-arrest për gjithë ish-nomenklaturën e lartë. Akuzat që do të binin mbi ish-udhëheqësit e ish-pushtetit të paprekshëm pak a shumë do të varionin mbi gjenocidin që kishin ushtruar mbi qytetarët e vendit të tyre dhe atë të abuzimit në detyrë. Pas daljes së urdhër-arrestit të prokurorisë dhe fillimit të arrestimit ndaj tyre, duke filluar që nga ish-Sekretari i Parë apo ish-zëvendësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia, dhe deri te më i parëndësishmi në pushtet që ishte Muho Asllani, mbarë vendi jetoi me ankthin e asaj dite. Nuk kishte më shumë se dy vjet që ata i shikonin në tribuna dhe në podiume kongresesh, duke folur për vitalitetin e sistemit që ata praktikonin, kur ja, tashmë filluan t’i shikonin me pranga në duar. Mësohet se pas çdo arrestimi, rendnin me vrap njerëzit e lagjes apo të ndodhurit rastësisht për të parë të pabesueshmen, ish-udhëheqësin e shtetit me pranga në duar të rënë në pesimizëm dhe kokëvarur, ku çuditërisht nuk kishte asnjë dallim nga njerëzit e thjeshtë, të cilët ai i kishte qeverisur. Por nuk duhet mohuar se në ato momente rryma tejet e majtë ishte shumë e theksuar. Enveristët dhe nostalgjikët ishin të organizuar. Shtresat e majta nuk po orientoheshin dot se ku po shkonte shteti dhe vazhdonin të ruanin si idhuj ish-udhëheqësit. Gjithsesi, ata u arrestuan, hynë në burgun 313, bënë instruksionin si të dënuarit e tjerë, qethën kokën zero dhe filluan të ndiqnin zbatimin me pikë e me presje të rregullores që kishin bërë vetë. Pikërisht sot vjen para publikut të gjerë shqiptar vetë ish-drejtori i burgut të sigurisë së lartë 313, ku ata u izoluan brenda një nate, Tanush Mulleti, për të dëshmuar pikërisht për ato ditë të çuditshme kur u thye mentaliteti shqiptar se të gjithë njerëzit ishin të barabartë para ligjit dhe se askush që mund ta meritojë nuk i shpëtuakësh burgut. Ndërsa në dy numrat e kaluar të këtij cikli zoti Mulleti ka dëshmuar për lexuesit e gjerë të “Standardit” pikërisht momentin e arrestimit të ish-byroistëve dhe nata e parë e tyre në qeli. Çfarë ndodhi kur drejtori i burgut, Mulleti, hyri në qelinë e Ramiz Alisë dhe biseda e zhvilluar me të në çastet e para të izolimit. Ndërkohë që, në numrin e sotëm lexuesi i “Standardit” në dëshminë e Tanush Mulletit që është konkretisht nipi i drejtpërdrejtë i ish-prefektit historik të Tiranës, Qazim Mulletit, do të mësojë për situatën e krijuar mes byroistëve të arrestuar kur atyre iu bënë të qarta detyrimet që kishin si të burgosur dhe problemet që u dolën për mënyrën e futjes në normën e ushqimit të burgut. Çastet ekzaltuese kur burrat e shtetit u qethën “zero” dhe meskiniteti që shfaqën kur ish-kolegu i tyre, Hekuran Isai, i shpëtoi qethjes ekstreme. Batutat dhe ironitë e shkëmbyera në korridoret e 313-s mes ish-shtetarëve dhe reagimi që bëhej në ambient pas përdorimit të tyre. Cili ishte momenti i përplasjes së Ramiz Alisë me Fatos Nanon dhe batutat e shkëmbyera mes tyre. Cilat ishin ironitë qejfmbetëse të Alisë ndaj Nanos dhe si e priti ky i fundit situatën që krijoi Alia?

 

Zoti Mulleti, e lamë bisedën e numrit të kaluar te momenti, kur ju, sipas rregullores, dhatë urdhër që Byroja Politike të qethej “zero”. Në atë detaj thatë se ka qenë momenti që juve ju la shije të hidhur?

Po pra. Rregulloren nuk e bëja unë, por e kishin bërë ata që filluan të dërdëllisnin që ditën e parë që hynë në burg duke filluar që nga të drejtat e njeriut e deri te norma e ushqimit madje edhe te momenti i futjes në forcë. Me vete thosha: “A janë këta që ne i kemi pasur si njerëzit e pagabuar apo të tjerë? A janë këta që na thoshin se e kishin të gjithë situatën në dorë apo të tjerë? Si kishte mundësi që këto rregullore që funksiononin prej 50 vjetësh dhe i kishin miratuar vetë ata dhe… ata nuk e kishin idenë se çfarë thoshin? Nuk e kishin idenë se si funksiononte burgu i cili ishte me plot kuptimin e fjalës jo institucion riedukimi si kishin qejf që ta quanin ish-pushtetarët të cilët unë i kisha të dënuar para syve, por ai ishte me të vërtetë një institucion që i ishte marrë fare e drejta dhe liria njeriut, madje mbi të, pra mbi të dënuarin në kohën e tyre ushtroheshin jo vetëm tortura, por përçudnohej fare karakteri dhe personaliteti i njeriut. Dhe tani na dalkësh se këta njerëz nuk paskan pasur fare dijeni se çfarë bëhej. Kjo nuk ishte e lehtë, por ishte shumë e rëndë për mua kur e mësoja. Them që ishte e rëndë për faktin se askush, nuk ndihet mirë si qytetar i këtij shteti kur befasisht mëson se udhëheqja më e lartë që miratonte dhe zbatonte ligjet, nuk dinte se çfarë bëhej në institucionin më special i ndodhur në qendër të Tiranës apo siç e quanim neve “Burgu 313”, por vinin e ngeleshin si të shushatur duke më thënë mua se pse kështu dhe pse ashtu. Por nuk ishte kjo ajo që më la shije të keqe.

 

Cila ishte pra ajo që të paska irrituar kaq shumë?

E thamë më lart se fjala ishte te qethja. Sipas rregullores dhe urdhrit tim, të gjithë duhej të qetheshin, ndërkohë që unë e shkela disi rregullin statik duke thënë që të mos qetheshin “zero”, por “njësh”. Ndërkohë, për Hekuranin thashë të qethej në numrin “shtatë”. Hekurani kishte dy vjet brenda dhe kishte qenë dy vjet tullac, ndërsa këta tani vinin. Ndërkohë, me Hekuranin isha miqësuar disi dhe kisha kërkuar shumë herë mendime në lidhje me përgjuesit e ndodhur në qeli ashtu dhe problem të tjera që lidheshin me burgun, të cilat i dinte mirë, sepse ishte sektori që kishte mbuluar si ministër. Por këta kur panë se Hekuran Isai nuk do të qethej “zero”, u hodhën të gjithë duke thënë se përse Hekuranin nuk e qethja. Ishte shumë e rëndë që ata që ishin mbajtur si elita e shoqërisë qenkëshin aq njerëz të vegjël dhe meskinë. Nuk e di, por jam shokuar se si ishin aq njerëz të vegjël dhe si e pse kishin atë egoizëm të paprecedent. U shokova.

 

Çfarë thatë ju, si ngritën pretendimin e mësipërm?

Tjetër gjë se çfarë u thashë unë se nuk është fjala aty pasi unë dija vetë si t’i përgjigjesha, por ata nuk duhej të funksiononin si një togë ushtarësh, se nga ushtria mbaj mënd që po të falej njëri për diçka tjetri menjëherë thoshte se përse ai të falej dhe tjetri të mos falej etj., etj. Pra janë veprime të rënda.

 

Ju paska shqetësuar shumë ky fakt?

Nuk do të isha shqetësuar të ishin kushdo qofshin ata që mund të bënin veprim të tillë, por ata që i mbanim për burra shteti nuk duhej të ishin të tillë. Me vete mendoja: “Medet në dorë të kujt kemi qenë”.

 

Zoti Tanush, është thënë kafeneve se ish-byroistët në burg mbaheshin me ushqim ekstra deri te mishi i përditshëm. Si është e vërteta?

Këtu ka një të vërtetë dhe një çudi të patjetërsueshme. Konkretisht të dënuarve sipas rregullores u kërkohej libri i shëndetit që mund të kishin pasur në jetën e lirë d.m.th. pranë familjeve. Ky ishte ligji. Por kur futeshin në burg qytetarë të thjeshtë, ata as që dinin se çfarë kishte qenë ai lloj libri që kërkohej në burg dhe as kishin dëgjuar për të në jetën e lirë dhe jo të kishin mbajtur. E shumta ishte se kush kishte qenë i shtruar në spitale dhe kishte ndonjë sëmundje shumë serioze që me të vërtetë meritonte vëmendje, kishte kartelë, kështu që ai sillte kartelën e spitalit.

 

Përse duhej ky libër thatë?

Ligji ishte se mes të arrestuarve mund të kishte edhe të sëmurë që duhej të trajtoheshin jo me normën e zakonshme, por me diçka tjetër. Kjo bëhej mbi bazë dokumentesh dhe urdhrash. Konkretisht, në rast se njëri ishte me probleme të mëdha në veshka, ai duhej ta hante ushqimin pa kripë se kripa i shkaktonte kriza. Dikush tjetër nuk duhej të hante të skuqura etj. Pra, i tillë ishte ligji.

Mirëpo, kur ua kërkuam këta libra ish-udhëheqësve tanë të nderuar, ata i sollën menjëherë. Ishte befasuese. Ata kishin pasur personel mjekësor personal apo staf familjar të shërbimit për vetë detyrat që kishin kryer, por edhe ata që ishin më poshtë vizitoheshin në klinikën e veçantë të udhëheqjes. Kjo do të thoshte se në libra ishin shënuar sa herë ishin vizituar, sa herë kishin pirë qoftë dhe një aspirinë dhe kishin bërë qoftë edhe një vaksinë dhe nuk diskutohej kur ishin trajtuar më shumë. Pra, kishin një libër perfekt. Por mos harroni se në të shumtën, të gjithë kishin shkuar në klinikat e huaja dhe atje për të justifikuar udhëtimin dhe vizitën jashtë në librat e sipërpërmendur të shëndetit atyre u ishin shënuar epikriza më të rënda pra tepër kritike.

 

Çfarë doli nga kjo?

Që juridikisht, d.m.th. me dokumentacion, na dolën 80% e tyre me diabet, kështu që sipas ligjit, atyre nuk u takonte norma “1”, por norma “5”. Duhet të dini se norma “5” në kohën e qeverisjes së tyre ishte norma e marinarëve që mbahej për normë e lartë, pra e mirë, kështu që këtë normë na e përfituan edhe ata që vuajtkëshin gjenocidin që kishin ushtruar nëpërmjet qeverisjes mbi njerëzit. Do të thotë se të gjithë ishin pallë. Ushqimi shumë i mirë, pra si i marinarit. Në qeli kishin krevate, dyshek, dhe jo një batanije, por gjashtë e shtatë. Merre me mend çfarë ndryshimi kishin ata me të dënuarit e kohës së tyre.

 

Jam shumë kurioz, zoti Mulleti, nëse Ramiz Alia përfitonte këto privilegje që në njëfarë mënyre unë i konsideroj abuzive për vetë faktin që theksuat ju, se ata ishin me libra të shëndetit të përsosur dhe me epikriza të vulgarizuara?

Ramiz Alia nuk e përfitonte. Ai nuk kishte abuzuar në librin personal të shëndetit, kështu që ai ndryshe nga ish-vartësit e tij të nomenklaturës më të lartë, kishte të drejtën e normës së një të burgosuri të zakonshëm.

 

Thatë se në burg ishte edhe Fatos Nano, Nexhmie Hoxha etj. Mund të ketë ndonjë detaj interesant që lidhet me Nanon?

Vetëm të mendohesh, sepse nuk mbarohen enciklopeditë dhe nuk mbarohen batutat. Për Nanon do të veçoja atë tipin goxha të rëndë. Qenia kryetar partie e bënte shumë mendjemadh. Ai në burg ishte në një moment kur jashtë tij bëhej rrëmujë e madhe për qenien e Nanos brenda dhe vënia në qendër të vëmendjes nga arena ndërkombëtare për statusin që kishte si kryetar partie i jepte atij një pompozitet goxha vulgar. Madje, ndryshe nga sa lejonte ligji, ai, me statusin e kryetarit të partisë më kërkonte të lejohej në qelinë e tij informacioni i partisë.

 

E çfarë bëtë?

Nuk dija si të bëja, pasi ishte e thjeshtë të zbatoje ligjin dhe të thoshe se nuk lejohej, por e mira dhe detyra ime e kërkonte të shikohej çdo rast me precedencë. Mbaj mend që shkova te Pjetër Arbnori. Atëherë ishte Kryetar Parlamenti. I them si ishte puna, duke i treguar me hollësi mënyrën se si Nanoja kërkonte me insistim informacionin e përditshëm të Partisë.

 

Reagoi Pjetri?

Patjetër. Arbnori ishte zotni burrë. Ai që duhej të ishte më i irrituar ndaj sistemit komunist dhe njerëzve të tij, përkundrazi, ai ishte më tolerant. Pastaj nuk flitej për probleme të tjera si rasti i Nanos që vetëm ai mund t’i jepte drejtim optimal dhe me logjikë. Dhe ashtu ndodhi. Si më dëgjoi, më tha: “Po të nisemi me rregulloret dhe ligjet, nuk i gjendet fundi kurrë të drejtës, por lejoji t’i marrë informacionet e përditshme të partisë së tij dhe mos bëj zë fare, se nuk e mohojmë dot që ai është kryetar partie”. Kështu që, nga ajo ditë, Nanos i shkonte rregullisht informacioni zyrtar i përgatitur në zyrat e Partisë Socialiste dhe që andej ato riktheheshin në seli me shënimet e tij të vendosura mbi shkresa.

 

Jua diti për faleminderit?

Jo ore, çfarë faleminderit! Ai ta dinte për detyrë. Por meqenëse folët për falënderimin, ma shpërblente duke shkruar “Zëri i popullit” çdo ditë nga një artikull kundër meje. Sikur të isha unë burgu dhe jo ligji që e kishte futur aty. Unë drejtor isha dhe përgjigjesha për aq sa më takonte.

 

Thatë se ka edhe batuta që lidhen me Nanon?

Ka qenë një moment kur Nanoja u takua me Ramiz Alinë kur ky i fundit i foli disi me zë të lartë, por edhe me ironi të dukshme. “Hë more Fatos, si ke kaluar? Ja dhe Partinë Socialiste e bëmë. Edhe ti u bëre kryetar. Po si s’u kujtove more Fatos të më dërgoje edhe mua një teserë partie, por u kujtove për Kraksin? Nuk mund të më dërgoje edhe mua një teserë të më anëtarësoje, sepse kështu vlerësoje edhe veten. Apo nuk e shikove të arsyeshme? Mirë që u kujtove ta nisje në Itali te Kraksi? Mirë mirë”, dhe filloi të vijonte ecjen.

 

Po Nanoja si reagoi?

Nanoja iu drejtua pak a shumë, duke i thënë që ta kuptonte se tani lipsej një parti që ta besonin dhe të shkëputej nga e kaluara dhe si e tillë nuk duhej të shikonte nga figurat e vjetra dhe se këtë e bënte për hir të etikës që do të thoshte po bënte lojë politike etj., etj. justifikime të natyrës së mësipërme. Mirëpo, Ramizi dukej se ishte shumë qejfmbetur dhe po e gozhdonte jo pak duke i lënë të kuptonte se kishte bërë shumë për të dhe se qenia në krye partisë kishte të bënte se kishte dashur ai vetë (Ramizi) dhe jo se e kishte merituar. Ai dialog vazhdoi gjatë, por edhe mbeti te ato ide që thanë që në fjalitë e para duke shprehur sekush qëndrimin e vetë në lidhje me respektin që kishte për tjetrin.

 

Po për Nexhmien çfarë do të thoni për detajet e veçanta të jetës së saj në burg?

Lëre atë! Ajo kishte të veçanta më të çuditshme. E para e të gjitha pikave ishte se edhe ajo kërkonte qiqra në hell. Madje, kur i hynte dikush në qeli për inspektim apo ta pyeste se çfarë i mungonte nga sa i takonte një të dënuari, ajo shpërthente e irrituar, duke bërtitur se i ishte bërë një padrejtësi e madhe dhe se ishte veçse një e burgosur politike dhe asgjë tjetër. Por më e madhja ishte kur Nexhmia donte të kalonte dhe të regjistrohej në Shoqatën e të Dënuarve Politikë. Pra, të anëtarësohej në shoqatën e të persekutuarve.

 

Si ka mundësi? Thua të jetë e vërtetë apo bëni shaka?

Shumë e vërtetë. I ka kërkuar personalisht kryetarit të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Kurt Kolës, se donte të futej në shoqatën e tij.


1479
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI