Revista
|
|
Historia e konfiskimit të pronës dhe grabitjes së arit dhe mënyra sesi ndodhën ato në Shqipëri në vitet 1944-1955, u bazua në modelin sovjetik dhe jugosllav. Kundërshtarëve politikë iu konfiskuan pasuritë e tundshme që përfshinin paratë, monedhat e çmueshme prej ari dhe argjendi, stolitë, mallrat dhe pasuritë e patundshme ku bënin pjesë tokat e pronarëve të mëdhenj e të mesëm, shtëpitë, fabrikat, që u morën nga shteti. Kundërshtarët politikë ishin të një spektri të gjerë që përfshinte: administratën e mëparshme të Mbretit Zog, qeveritë gjatë okupacionit italian dhe gjerman, Ballin Kombëtar, gradat e ushtrisë dhe xhandarmërisë së mëparshme, përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, nëpunësit e zyrave dhe kancelarive, tregtarë e bejlerë. Gjatë viteve në këtë spektër u përfshinë edhe pjesëmarrësit në lëvizjet antikomuniste, partitë dhe organizatat politike, pjesëtarët e komuniteteve fetare, “sabotatorët ekonomikë” e gjithashtu u prekën të gjitha shtresat e shoqërisë. Për konfiskimin e pronës dhe arit u ngrit Komisioni i Konfiskimit të pasurive të të arratisurve dhe të dënuarve politikë pranë Ministrisë së Drejtësisë, që drejtohej nga Gogo Nushi.
Grabitja e arit
Grumbullimi i arit filloi më 15 dhjetor të vitit 1944 dhe vazhdoi deri në vitin 1955. Për sa i përket monedhave të arit dhe stolive nuk disponohen procesverbale sekuestrimi të viteve 1945-1946. Në vitet 1947-1948 ato ishin të mangëta edhe pse kishin peshën kryesore, dhe kishte raste që nuk përmbanin as emrin e personit të sekuestruar. Në vitin 1949 ekzistojnë procesverbale të shoqëruara me fletë kontabiliteti për hyrjen e monedhave në Arkën e Shtetit, ku shënohet numri dhe data e vendimit gjyqësor të konfiskimit të arit dhe pasqyra me emrat e të sekuestruarve. Monedhat, kryesisht të arta dhe të argjendta, ndaheshin nga stolitë në zarfe ose kuti të veçanta, secila me emrin e të sekuestruarit dhe datën. Pakot e monedhave i kalonin Thesarit, ndërsa arka e stolive shkonte në llogari të Ministrisë së Financave. Sekuestrimi i monedhave të arta dhe të argjendta si dhe stolive e objekteve të tjera prej metali të çmuar që iu konfiskuan të burgosurve dhe të arratisurve politikë, u pasua me sekuestrimin e sasive të mëdha të arit të tregtarëve dhe në kuadrin e grumbullimit të arit u shtri edhe mbi njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore që dispononin rezerva ari dhe argjendi. Kategoritë që u dënuan me konfiskimin e arit dhe stolive ishin: figura kombëtare të arratisura dhe të burgosura, bashkëpunëtorë me okupatorin, të dënuar nga gjyqi special, nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti, deputetë opozitarë, familje të pasura të lidhura me politikën, pjesëtarë të katër komuniteteve fetare, tregtarë, të akuzuarit për veprimtari anglo-amerikane dhe spiunazhi, të kapur në tentativë arratisjeje. Madje disa prej deputetëve dhe mbështetësve të Grupit të Deputetëve Opozitarë iu sekuestruan edhe rrathët prej floriri (unazat), gjë që duhet të jetë kryer para pushkatimit. Vlerat në ruajte prej ari dhe argjendi që i arrinin Bankës së Shtetit ishin pako me monedha ari, argjendi, sermi dhe gurësh të çmuar, ku përfshiheshin stoli të mbyllura me dyllë të kuq që ishte vula që u vihej mallrave të sekuestruara. Tek stolitë përfshiheshin varëse, byzylykë, sahate prej ari, karfica, gjerdanë, gurë të çmueshëm, diamante, veshje ose çanta të qëndisura me ar, komplete servisesh etj. Më 13 prill 1951, Dega e Punëve të Brendshme Tiranë i dorëzoi Degës së Bankës Tiranë 28 napolona ari, 25 paund, 9 lira turke, 1 mbajtëse monedhash ari e stolish, si dhe 113.590 lekë, 30 kartëmonedha italiane nga 1000-30.000 lireta që u ishin konfiskuar të ekzekutuarve të akuzuar për bombën në Ambasadën Sovjetike: Lluka Raskoviç, Tefik Shehu, Haki Kodra, Reis Selfo, Manush Peshkëpia, Ali Qoralliu, Qemal Kasoruho, Petro Konomi, Hekuran Treska, Mehmet Ali Shkupi, Reshit Shima, Sabiha Kasimati dhe Pandeli Nova. Në listën e vitit 1949, me 135 emra tregtarë e të dënuar politikë, Banka jep edhe sasinë e arit dhe argjendit të sekuestruar, që është 252 kg e 837 gr. ar. Në vitin 1950 ishin konfiskuar 337 kg e 27 gram ar, në vitin 1951 ishin konfiskuar 259 kg e 617 gr. ar, në 1952 ishin konfiskuar 853 kg e 780 gr. ar. Lista e vitit 1953 përmban 283 emra, të cilëve u ishin sekuestruar 149 kg e 568 gr. ar dhe ka më pak emra tregtarësh. Në listën e personave të vitit 1954 shënohen 17 emra, të cilëve u janë sekuestruar vetëm 12 kg e 169 gr. ar. Në vitin 1954 u futën në Thesarin e Shtetit 7 kg dhe 870 gr. ar, i cili u ishte konfiskuar diversantëve Zenel Shehu dhe Hamit Matjani.
Tregtarët, nën tortura tregonin arin e fshehur
Raportet e komunistëve me shtresën e tregtarëve që në disa raste i kishin mbështetur gjatë luftës ose nuk ishin pajtuar me ta, kishin qenë që në vigjilje të çlirimit të Tiranës mjaft konfliktuale. Partizanët i futën që në fillim në listën e zezë të “kriminelëve të luftës”, ndaj dhe filluan t’i eliminonin fizikisht, siç është rasti i Lluka Xhumarit nga Durrësi, sipërmarrës i shoqërisë automobilistike “SAKT”, i cili ishte kthyer në ikonë të biznesit si investitor dhe bamirës. Ai u pushkatua në të njëjtën ditë me Isuf Allamanin dhe Ali Panaritin që jetonte mes Durrësit dhe Tiranës dhe merrej me ndërtimin e rrugëve. Qëllimi në disa raste ishte se duke i quajtur tregtarë të lidhur me kundërshtarët e tyre politikë dhe si bashkëpunëtorë me okupatorin, t’u bënin një proces gjyqësor dhe t’i dënonin që t’u konfiskonin pasuritë. Një rast i tillë ishte ai i vëllezërve Jonuz dhe Nexhmi Shijaku, sipërmarrës nga Dibra e Madhe. Ata u dënuan me burg për tradhti ndaj atdheut me procese të inskenuara. Procesverbalet e vitit 1950 regjistrojnë shifrën e 25 mijë napolonave të sekuestruar. Por kjo familje ishte ndoshta familja e tregtarëve që dispononte ndër rezervat më të mëdha të arit në Shqipëri, me 57 mijë napolona ose rreth 50 mijë napolona ari, pa përmendur këtu stolitë me barasvlerë sa një kamion plot me flori, siç e dëshmon tregtari Cen Alimehmeti. Qenë dhe tregtarë të tjerë që u dënuan me konfiskim pasurie, ndër të cilët Faik Merlika, Veliko Malile, Sabri Shtino, Haki Omari. Musafer Shehu, Gug Ali e djemtë, Manol Kume etj. Faza e parë e mbledhjes së arit kishte qenë hartimi i deklaratës së pasurisë për çdo tregtar dhe pagesa e tatimit të jashtëzakonshëm me monedha ari dhe argjendi shqiptare dhe të huaja krahas pagesës me franga ari. Mbledhja e mallrave të fshehura u shoqërua dhe me zbulimin e arit të fshehur me të gjitha mënyrat dhe me torturat për nxjerrjen e tij. Për këtë qëllim u krijua dhe sektori i tretë i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Faza e parë e grumbullimit të arit të tregtarëve u krye në vitet 1946-1948, kurse faza e dytë në vitet 1950-1952. Kundërshtarëve politikë që u dënuan iu konfiskua ari dhe pasuria në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të parë. Në vitet 1952-1954, sekuestrimi i arit u shtri edhe mbi shtresa të tjera të shoqërisë. Sipas një raporti nga policia e Korçës, tregtarëve në këtë qytet u ishin marrë 400 kg flori dhe 48 mijë napolona ari. Pasojat e ushtrimit të forcës për nxjerrjen e arit të fshehur sollën dhe burgosjen e tyre. Ata u lanë pa ushqim dhe për muaj të tërë jetuan me bukë thatë. Madje në Durrës, tregtarët i zhytën me të gjithë trupin në tokë dhe iu la vetëm koka jashtë derisa të dorëzonin arin. Si pasojë, në Elbasan vdiqën në burg pa e treguar floririn e fshehur tregtarët Sulejman Domi, Xhaferr Çelirama, Mateo Papajani, Refik Myftiu etj. Në Tiranë, Cen Alimehmeti u detyrua të dorëzonte 3000 napolona ari në vitin 1946 dhe shuma të tjera në vitin 1951, ku u mbajt në Degën e Brendshme për të nxjerrë se ku e mbante floririn e fshehur. Ai nuk rezistoi dhe tregoi vendin ku mbante të fshehur 900 napolona të tjerë. Të njëjtin fat pati edhe tregtarin Tod Çoka, që vdiq në torturat sepse nuk pranoi të tregonte ku e kishte fshehur arin. Tregtarë të tjerë që dorëzuan arin ishin Hoç Këllëzi, babai i ish-ministrit të Financave dhe zv/ kryeministrit Abdyl Këllezi etj. Tregtarët u bënë gjithashtu viktima të kënetës së Maliqit nën kërcënimin që të tregonin floririn, ose do të vdisnin në kënetë. Tregtarët që vdiqën në kënetë ishin Sotiraq Lako, si dhe Kosta Fundo, Bexhet Frashëri, kurse Koçi Misrasi vari veten dhe dhëmbët prej floriri iu shkulën pas vdekjes.
Françeskanëve iu morën edhe gjylet e rrethimit të Shkodrës
Procesi i konfiskimeve u drejtua edhe mbi pasuritë e komuniteteve fetare. Këtyre institucioneve iu morën pronat dhe pasuritë për t’iu hequr çdo mjet financiar siç kishte ndodhur me kundërshtarët politikë dhe iu hoq e drejta e përgatitjes së klerikëve, u mbyllën dhe shkollat dhe kolegjet me frymë fetare. Në inventarin e Urdhrit Françeskan dhe jezuitëve përveç pasurive të paluajtshme citohen objekte muzeale të konfiskuara ku u përfshinë 1387 punime artistike argjendarie, 1463 kupa me forma të ndryshme, pajisjet e muzeut të zoologjisë, laboratorë të kimisë, fizikës, farmacisë dhe objekte antike zbukurimi, si 25 copa metali me imazhe për stolisje dhe 35 gurë me piktura, një obelisk egjiptian, 90 monedha antike, tangar bronzi, gjyle nga rrethimi i Shkodrës etj. Në inventar ishte dhe procesverbali për makineritë e shtypshkronjës “At Gjergj Fishta”. Në të njëjtën situatë u gjendën edhe shkollat e administruara nga urdhrat fetarë në zona të tjera. Nga pasuria e klerit katolik të konfiskuara është dhe ajo e françeskanëve të kishës së Shna Ndout në Laç, ku mes të tjerave iu sekuestruan 83 monedha argjendi, dhe 3842 franga. Sekuestrimet vazhduan në Lezhë, Rrëshen, Fushë-Krujë, Vlorë, Durrës, në institutet e tri komuniteteve fetare.
Kakofonia e shifrave zyrtare të Bankës së Shtetit
Studimi mbi arin e sekuestruar ka filluar në vitin 1991, ku u dha njoftimi që tregtarët e sekuestruar të sillnin dëshmitë e tyre në lidhje me këtë argument. U paraqitën 90 deklarata të tregtarëve dhe rezultoi se vetëm atyre u ishin konfiskuar 3.584 kg ar dhe 300 mijë dollarë stoli. Vetëm 14 prej tyre kishin deklaruar 1.913 kg, ndërkohë që dokumentet dëshmonin për hyrje në Thesar të 3.029 kg ar për 1700 të sekuestruar. P.sh nga familja e tregtarit Alfons Dovana u deklarua se i ishin sekuestruar 516 kg ar, ndërsa në Arkivin e Shtetit dhe në Thesar rezultonin 58.3 kg ar;Aristidh Lekës, siç deklarojnë familjarët, i janë sekuestruar 432 kg ar, ndërkohë që në Thesar dhe në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme shënohej 17 kg. Këtyre rasteve u bashkëngjiten edhe shumë të tjerë. Për arin e sekuestruar nuk disponohen të dhëna për vitet ‘45 dhe ’46, por në një pasqyrë përmbledhëse të viteve 1945-1953 të dhënat dëshmojnë se në vitin 1945 kishin hyrë në Bankën e Shtetit 563 kg dhe 635 gram ar, në vitet 1946-1948 depozita ishte 1.265 kg dhe 638 gr. ar, kurse në vitin 1953 ishin sekuestruar 116 kg e 744 gr. ar. Në total deri në vitin 1953 arka e arit numëronte 4.348 kg e 315 gr. ar.
Nga pasuria e Ahmet Zogut tek ajo e Abaz Kupit
Në qendër të vëmendjes së sekuestrimit të komiteteve ekzekutive ishin figurat më të rëndësishme të shtetit shqiptar të para mbarimit të Luftës, që ishin shpallur si kriminelë lufte dhe bashkëpunëtorë me pushtuesin. Shumica prej tyre morën dënime kapitale, burgim të përjetshëm ose heqje lirie që u shoqërua me konfiskim të pasurisë. Të parët, që iu konfiskua pasuria, ishin Ideomeno Kosturi, Maliq Bushati, Zef Kadare, Mark Kodheli nga Shkodra dhe Ymer Fortuzi nga Tirana. Shtëpitë e 30 personaliteteve politike të arratisur u morën nga klasa e re politike. Ligji i konfiskimit aplikohej edhe për njerëz që ishin vrarë nga partizanët ose të vetëvrarë gjatë Luftës, si Xhafer Ypi, Safet Butka dhe Ethem Maliq Frashëri. Me vendim të veçantë u sekuestruan një pjesë e pasurive të Shefqet Vërlacit në Llakatund të Vlorës, ku përfshiheshin një çiflig, 250 ullinj, 400 plepa, disa shtëpi dhe dy magazina druri në fshatin Mifol. Ish-kryeministrit të burgosur Koço Kotta iu sekuestruan shtëpia në Korçë, tokat, 500 franga ar (vlerë aksionesh të kafesë, sallonit të kinemasë “Majestik”) dhe objekte me vlerë antike muzeale, deri servise pjatash argjendi etj. Vendimet e sekuestrimit të datës 26 tetor 1945 tregojnë për konfiskimet e pasurive të disa figurave të rëndësishme të Krujës, si Ahmet Zogut, Abaz Kupit, Sulejman dhe Tahip Merlikës, Shaban Kupit, Haki Hoxhës, Islam Hoxhës, Preng Previzit dhe Ymer Merlikës. Këto konfiskime u realizuan më 1945, por u bënë publike vetëm më 8 gusht të vitit 1946. Shkodra ka pasur një numër të madh konfiskimesh të figurave të saj dhe të krerëve të lëvizjeve antikomuniste. Ndër emrat e të konfiskuarve në Shkodër figurojnë Ejëll Çoba, Ernest Koliqi, Gjon Marka Gjoni, vëllezërit Halit dhe Jup Kazazi, Maliq Bushati, Zef Kadare, Musa Gjylbegu, Shuk Gurakuqi, Patër Anton Harapi si dhe të huajt Leopold Dvorak dhe Andro Lubo Petriviq. Të arratisurit ishin njerëzit e parë të cilëve iu konfiskua prona dhe ari. Konfiskimi i pasurive të të arratisurve, përfshiu dhe industrinë dhe fabrikat që më parë ishin pasuri e tyre. Ndër konfiskimet e para që u vunë në zbatim qe dhe fabrika e cigareve “Gera” në Shkodër. Fabrika e cigareve “Vora”, me qendër në Lushnjë, pronë e të arratisurit Ahmet Resuli, të cilit i ishin konfiskuar edhe Fabrika e Miellit në Bishqethem të Bubullimës dhe pronat bujqësore në Lushnjë. Qemal Vrionit në Berat iu konfiskuan aksionet në fabrikën e miellit “Myzeqeja”. Këtij të fundit iu konfiskua edhe shtëpia në Durrës, që ishte në emrin e Mediha Libohovës. Në qendër të konfiskimeve ishin dhe pasuritë private jashtë Shqipërisë, por këto ligje mund të aplikoheshin vetëm brenda kampit socialist. Më 1946 Zyra e Likuidimeve të Ministrisë së Kulturës njoftoi Bankën e Shqipërisë se kishte gjetur qenien e një llogarie bankare në Bukuresht të Dhimitër Beratit. Banka shqiptare i shkruan pa hezituar bankës rumune “Banca de Credit Roman” në Bukuresht, se llogaria prej 2 milionë e 75 mijë lei e Dhimitër Beratit të rihapej si e re në emër të Ministrisë së Financave të Shqipërisë, pasi ai ishte i arratisur politik dhe çdo aktivitet i konfiskohej. Ari dhe sendet e çmueshme që i ishin lënë në ruajtje Bankës Kombëtare nga klientë shqiptarë dhe të huaj para çlirimit nuk iu kthyen pronarëve të tyre dhe as që iu dha ndonjë shpërblim, por u vendosën në arkëza me emrin e secilit prej tyre, së bashku me arin e sekuestruar të të dënuarve dhe të arratisurve. Hynë në Bankën e Shtetit edhe objekte me vlerë të të sëmurëve të Spitalit Neurospikiatrik në Vlorë, si stoli, unaza, sahate ari, kuti argjendi etj.
Ari i sekuestruar nga viti 1949-1954
Nuk ekzistojnë evidenca nga viti 1944-1948
Në vitin 1949, ishin konfiskuar 252 kg e 837 gr ar
Në vitin 1950 ishin konfiskuar 337 kg e 27 gr ar
Në vitin 1951 ishin konfiskuar 259 kg e 617 gr ar
Në vitin 1952 ishin konfiskuar853 kg e 780 gr ar
Në vitin 1953 ishin sekuestruar 149 kg e 568 gr ar
Në vitin 1954 ishin sekuestruar vetëm 12 kg e 169 gr ar.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje