Revista
|
|
“Ekstremisti i djathtë shqiptar që trondit Athinën”, është titulli i shkrimit të sotëm në gazetën 'Proto Thema', kushtuar kryetarit të Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu.
“Kufij deri në Kostur dhe në Prevezë ëndërron kreu Aleancës Kuqezi, Kreshnik, Spahiu”. Me këto fjalë hapet shkrimi i gazetarit Panajoti Savidi, shkrim që është nxitur nga njoftimet e deridjeshme për një miting të AK, në qendër të Athinës. Ai shton se reagimi i ministrisë së Jashtme greke për ngjarjet e Këlcyrës dhe për incidentet e vazhdueshme antigreke në Shqipëri, e kanë nxitur Spahiun të demonstrojë forcën edhe brenda në Greqi.
Gazeta e krahason Spahiun me kreun e Agimit të Artë dhe shkruan se ai ka sindromën antigreke, përdor shkëlqyeshëm populizmin dhe demagogjinë. "Mihaloliakos-shqiptar përdor si flamur të vetin antihelenizmin dhe kërkon të shtrijë kufijtë e Shqipërisë deri në Prevezë e Kostur. Orator i mirë, 43 vjeçari tashmë me stil sportiv, arrin të ngrejë peshë publikun e ekzaltuar, i cili sheh në profilin e tij, udhëheqësin që do të mbyllë në burg politikanët e korruptuar të vendit dhe do bëjë realitet Shqipërinë e madhe. Antihelenizmi është flamuri i AK, sepse sipas Kreshnik Spahiut, pas çdo të keqeje që ndodh në Shqipëri fshihet Athina, që ka qëllim copëtimin e vendit dhe marrjen e Vorioepirit”, thuhet në shkrim.
Gazetari vijon duke thënë se “në rastin e Kreshnik Spahiut shkon për shtat thënia e Cezarit “Edhe ti Brut?”, për shkak se ai ka qenë i preferuari i Berishës dhe më pas u kthye në kundërshtar fanatik të tij”. Savidi vëren se “me një mënyrë moderne “made in USA” të të bërit fushatë, me autobusë që përshkojnë gjithë vendin, Spahiu ka si objektiv hyrjen në parlament dhe pjesëmarrjen në një qeveri të ardhshme koalicioni”.
Në fund autori i shkrimit i referohet një deklarate të kreut të PBDNj, Vangjel Dule, sipas të cilit Kreshnik Spahiu është "një sharlatan i politikës shqiptare, një populist që gjithmonë hedh baltë mbi kundërshtarët e tij dhe ka bërë flamur të vetin antihelenizmin. Ky njeri nuk ka qëndrim për problemet e brendshme të shqiptarëve dhe ajo që di është të bëjë, është demagogjia”.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje