Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Shteti i 223 drejtoreve.
Publikuar me 03 Maj 2010

Shteti i 223 drejtoreve.

Le të biem dakort që në fillim: kur kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria e tij do të ishte një qeveri e reduktuar, efikase dhe në “dietë”, të gjithë besuan se kjo ishte një ndërmarrje e mirë. Pak vetë besonin argumentat e opozitës se kjo reformë nuk kishte sens. Të linte shijen e një reforme nikoqire, në fakt!

Aleatët që u kthyen në rrogëtarë
Kanë kaluar mbi 5 vjet që nga ajo kohë, mirëpo “dieta” e përzgjedhur nga qeveria shqiptare mund të jetë e para që në vend të të dobësojë, të dhjamos e të fryn si asnjëherë më parë. Pesë vjet pas asaj deklarate, e cila përmbante një premtim të madh në këto kohë krize, qeveria e dytë e zotit Berisha jo vetëm që nuk i ka aplikuar parimet e dietës, jo vetëm që s’i ka ulur shpenzimet, por siç do të shihet më poshtë, është kthyer në një klub miqsh e aleatësh gjithfarësh, që po mbushin të gjitha vrimat dhe cepat e ndërtesës qeveritare, nga bodrumet e deri në katin më të lartë.
Shumëkush kujton sesi gjatë fushatës së fundit elektorale kryeministri rreshtoi pas vetes, në koalicionin qeveritar, plot 15 parti politike. “Treni elektoral” i së djathtës konsiderohet sot nga shumë ekspertë politikë, si njëri ndër mjetet kryesore që i solli zotit Berisha numrin e nevojshëm të votave që e mbajti në pushtet (pa harruar natyrisht Ilir Metën). E para, i gjithë ky konglomerat siglash dhe fytyrash është sot në qeveri. Kudo, ngado që të kthesh kokën: sipër, poshtë, majtas dhe djathtas. Zëvendësministra, drejtorë të përgjithshëm apo të thjeshtë, këshilltarë të brendshëm dhe të jashtëm, krerë institucionesh të varësisë dhe shefa e drejtues të të gjitha ngjyrave dhe formave. Qeveria dhe qeverisja shqiptare ngjan tashmë si një Pazar i madh ku gjen çfarë të duash. Kuptohet, me paratë dhe mbi kurrizin e taksapaguesve të thjeshtë.
Sipas organigramave të ministrive rezulton se sot, në aksin nga Ministria e Financave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pastaj duke vazhduar në bllokun e ministrive afër sheshit Skënderbej, për të përfunduar të rruga e Kavajës dhe e Durrësit, pra brenda këtyre pak qindra metrave rrugë ku gjenden të gjitha ministritë, punojnë sot jo më pak se 223 drejtora drejtorish! Secili prej këtyre drejtorëve ka në varësi nga dy deri në 5 sektorë, që nga ana e tyre drejtohen nga shefa e nënshefa sektorësh.
Kjo shifër përmbledh edhe numrin e drejtorëve të përgjithshëm, të cilët në fakt, kanë një rëndësi dhe një peshë brenda dikastereve shumë të ngjashme me atë të zëvendësministrave. Rezulton kështu të kemi edhe të paktën 45 Drejtorë të Përgjithshëm, të cilët sipas Ligjit për Shërbimin Civil, kanë edhe një rrogë të majme për shkak të drejtorive që kanë në varësi, rrogë që nis nga 900 mijë lek dhe shtohet në rastet kur drejtorët kanë grada shkencore dhe vite pune në administratë!
Sipas një përllogaritje të thjeshtë rezulton se buxhetit të shtetit i kushton të paktën 200 milion lekë cdo muaj për të paguar këta qindra drejtorë. Kjo shifër, është e barazvlefshme me të paktën ndihmën ekonomike për 7200 familje shqiptare, ose e barazvlefshme me 1700 pensione minimale në qytet.

Formula: Shtojmë drejtorët,
pakësojmë vartësit!
Sipas ligjit në fuqi ndryshimet në strukturat e ministrive bëhen vetëm me një Vendim të Këshillit të Ministrave. Në kohën e qeverisjes socialiste ndryshimet bëheshin me propozimin e vetë ministrive. Në Qendrën e Publikimeve Zyrtare dhe në Fletoren Zyrtare mund të gjesh dhjetëra vendime të tilla për ndryshime të strukturave të ministrive.
Edhe në kohën kur kryeministër ishte z. Ilir Meta ka disa vendime për ndryshime në funksionimin dhe në strukturën e ministrive. Si për ironi, Ministria e Shëndetësisë në kohën e qeverisë Meta kishte një strukturë të njëjtë me atë që ka edhe sot në “qeverinë e dietës” kjo ministri e drejtuar nga z. Petrit Vasili (LSI): plot 13 drejtorë drejtorish! Kësisoj, me vendime të shpeshta dhe të shumta të cilat ndryshonin në mënyrë të vazhdueshme është e vështirë të përdorësh një metodë krahasimi mes organikës së administratës qëndrore të qeverisjes së socialistëve dhe asaj aktuale.
Ndryshe nga koha e qeverisjes socialiste, në vitet e fundit është pothuajse e pamundur të gjesh në QPZ apo dhe në botimet e Këshillit të Ministrave vendime për ndryshime të strukturave të ministrive. Përpara se këto vendime të merren nga Këshilli i Ministrave ato duhet të aprovohen dhe pranohen nga Departamenti i Administratës Publike, një super drejtori më vete kjo nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Lloj lloj vendimesh pra, mund të gjesh në kohën e qeverisjes socialiste, ndërsa aktualisht nuk gjen pothuajse asnjë vendim të tillë, përvec një dokumenti të vetëm ku ndodhet edhe “thembra e Akilit”!
Bëhet fjalë për një V.K.M. që mban datën 18 shtator 2009, pak javë pas zgjedhjeve të 28 qershorit e që quhet: Vendim, për miratimin e strategjisë ndërsektoriale të reformës në administratën publike, 2009-2013, në kuadër të strategjisë kombëtare për zhvillim dhe integrim (SKZhI).
Vendimi i marrë në mbledhje qeverie ka vetëm tre fjali dhe përfundon me foljen: Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e kësaj strategjie. Detajet, në fakt, nuk t’i jep vendimi, por vetë strategjia e miratuar. Dhjetëra kapituj të kësaj strategjie janë të mbushura me vlerësime maksimale për punën e qeverisë dhe për reformën në administratë të nisur fuqimisht në vitin 2007, pra gjatë gjysmës së dytë të mandatit të parë të koalicionit të djathtë.
Vlerësimet maksimale në këtë dokument, nisin të zbehen disi kur flitet për strukturat e administratës qendrore dhe për Shërbimin Civil. Në një paragraf të kësaj strategjie, kur flitet për skemat e hierarkisë, qarkullimin brenda administratës dhe konsolidimin e saj, thuhet se “në praktikën e deritanishme vihet re një konsolidim i kënaqshëm në nivelet e ulëta dhe të mesme (tregues i pranueshëm qarkullimi), ndërsa për nivelin e lartë të Shërbimit Civil treguesi i qarkullimit ka qenë i lartë, gjë që tregon për faktin se këto pozicione janë disi më të ekspozuara ndaj ndryshimeve të mundshme politike”.
Më tej, pasi pranon gati haptazi se qarkullimi i drejtorëve (pra niveli më i lartë) është i shpeshtë për shkak edhe të ndryshimeve politike, hartuesit e kësaj strategjie, përpara se të sugjerojnë ndryshimet strukturore nisin ta justifikojnë këtë gjë, apo ta legjitimojnë. Në të thuhet: “Përgjithësisht vërehet një delegim tepër i kufizuar në vendimmarrje brenda institucioneve. Vështirësitë konstatohet se shtohen edhe më tepër në rastin e komunikimit ndërministror”.
Fill pas kësaj, flitet për “Vizioni, prioritetet dhe qëllimet strategjike” dhe përcaktohet se Vizioni strategjik për administratën publike është: “modifikime dhe përmirësime në përgjithësi të menaxhimit të burimit njerëzor” dhe “modifikime në sistemin organizativ dhe funksional të organeve dhe strukturave të administratës publike”.
Fjalia që legjitimon hapur fryrjen e ministrive vjen fill më pas: “Sugjerohet një shtrirje e fushës së veprimit të Ligjit për Shërbimin Civil në disa institucione të mëdha qendrore, si dhe në degët e ministrive. Parimet thelbësore të rekrutimit, performancës, karrierës, trajtimit dhe garancive të Ligjit për Shërbimin Civil duhet të përhapen sa më shumë në administratën publike. Një zgjerim i tillë do të rriste numrin e punonjësve të SHC-së në rreth 3-fishin e numrit aktual. Ndaj gjithashtu konsiderohet si shumë e rëndësishme që kjo shtrirje të bëhet graduale”…

Super-ministritë
Në këtë mënyrë, pasi në datën 18 shtator është miratuar një V.K.M. e tillë, iu hap rruga ndryshimeve strukturore të ministrive. Aktualisht rezulton se në Ministrinë e Punëve të Jashtmë punojnë 28 drejtorë, nga të cilët 8 drejtorë të përgjithshëm, të cilët nga ana e tyre kanë nën varësi 20 drejtori!
Për nga numri i punonjësve dhe duke krahasuar organigramat nuk është e vërtetë që Ministria e Brendshme është edhe ministria më e madhe në Shqipëri. Më e madhja, aktualisht, është Ministria e Jashtme e drejtuar nga z. Ilir Meta.
Në Ministrinë e Brendshme punojnë 24 drejtorë, nga të cilët 5 janë drejtorë të përgjithshëm. Në vend të tretë qëndron Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit me 23 drejtorë, nga të cilët 6 janë në nivel drejtorësh të përgjithshëm. Ministria e Financave ka aktualisht në organikën e vet 18 drejtorë, nga të cilët 9 janë drejtorë të përgjithshëm.
Një tjetër super-ministri është aktualisht ministria e drejtuar nga z. Dritan Prifti me 21 drejtorë nga të cilët 5 janë drejtorë të përgjithshëm. Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta kanë nga 13 drejtori. 11 drejtorë janë ndërkohë brenda strukturës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe po 11 drejtorë ka edhe në Ministrinë e Mjedisit. Megjithëse të gjithë e dimë se çfarë përralle pa shije është mbrojtja e ambjentit në këtë vend.
Kjo puna e drejtorëve të përgjithshëm duket se është vërtetë thelbi i sistemit klientelist dhe abuzues që ka marrë vrull në qeverisjen aktuale. Pozicioni në fjalë është shumë shpesh një shpërblim i kënaqshëm për shumë persona që ndoshta aspironin më lart apo kishin dhe kanë poste të rëndësishme drejtuese në partitë e koalicionit. Kësisoj, zgjerimi i “klubit” të drejtorëve të përgjithshëm, të gjithë të paguar në shuma të ngjashme me zëvendësministrat, përbën një peshë tejet të rëndë për kurrizin e buxhetit të ministrive.


1335
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI