Revista
|
|
Në një kohë që të gjitha kompanitë e makinave në botë po shënojnë një rënie të frikshme të aksioneve për shkak të çmimeve rekord të naftës, makinat që blejnë shqiptarët nuk ndryshojnë nga ato të 7-8 viteve më parë. Makina me motorë 2 500 kubikë ose më shumë, kanë patur gjysma e automjeteve që janë blerë gjatë vitit 2007. Të dhënat vijnë nga ACIT dhe kanë si burim doganat shqiptare.
Gjatë vitit 2007 llogaritet që të jenë importuar 24 mijë automjete të përdorura dhe 3 mijë automjete të reja. Preferenca të tillë do të ishin luks edhe për një pjesë të madhe të qytetarëve evropiane. Sipas llogarive, makinat me motor 3 000 cc e sipër, që zënë 30 për qind të automjeteve të blera në një vit, kanë një harxhim karburanti 2 herë më larta se ato që përdorin shumica e fqinjëve tanë.
Në vlera monetare këto automjete harxhojnë mesatarisht rreth 3 mijë USD më shumë naftë se makinat e një cilindrate mesatare, që zënë pjesën dërrmuese të automjeteve që qarkullojnë sot në vendet evropiane dhe në vendet e tjera të Ballkanit.
Motorë me fuqi të lartë
Për të nxjerrë një përfundim të makinave që qarkullojnë në rrugët tona, nuk kërkon shumë llogari. Edhe me një zgjedhje rastësore, vlerësohet se pjesa dërrmuese e tyre janë marka që kanë në përdorim motorë të fuqisë së lartë.
Një situatë krejt e kundërt është në rrugët e të gjitha vendeve fqinje. Makinat që mbizotërojnë në rrugë janë ato që kanë një cilindrat 1000 cc - 1500 cc. Por sipas të dhënave të ACIT, vetëm 2.2 për qind e automjeteve që janë importuar gjatë vitit 2007 kanë një motor me fuqi deri në 1 500 cc. Ndërsa makinat që kanë një motor me fuqi deri në 1 000 cc, janë vetëm rreth 1 për qind e importeve të vitit 2007.
Tregtarët e makinave, të pyetur rreth këtyre zgjedhjeve, bëjnë të ditur se ende në vend nuk vlerësohet sa duhet shpenzimi në karburant i makinave, por kriteret kryesore bazohen në rezistencën e makinave në rrugë. Nga 117 milionë euro që janë importet e makinave gjatë vitit 2007, rreth 60 milionë euro, afërsisht gjysma e tyre, janë për blerje makinash të një cilindrate 2 500 cc e sipër.
Në këto preferenca, që mbeten të diskutueshme, nëse bëhet një vlerësim aktual me çmimet e naftës, ndikojnë edhe taksat që aplikohen në vend. Në të gjithë vendet e Europës, por edhe të rajonit, për makinat e cilindratës së lartë ka taksa të larta për ndotjen që ato shkaktojnë. Edhe siguracionet motorike për këto automjete janë 2-3 herë më të larta se ato makina që kanë një fuqi të ulët motorike.
Bota braktis makinat e mëdha
Vetëm gjatë ditës së djeshme, kompania amerikane e prodhimit të makinave “General Motors” pati një rënie të aksioneve me 15 për qind, duke pësuar humbjen më të madhe që prej vitit 1954. Kompania e njohur në të gjithë botën për prodhimin e makinave “Hammer” po përballet me një krizë të pashoqe, vetëm si pasojë e rënies së fuqisë blerëse.
Pas kësaj krize qëndron çmimi i naftës dhe sipas specialistëve një falimentim i “General Motors” nuk është i pamundur. Por pse bota po braktis makinat me motorë të mëdhenj dhe po drejtohet në ato të përmasave të vogla. Çelësi qëndron pas çmimit të karburanteve, që gjatë ditës së djeshme theu një rekord të ri prej 145 dollarë për fuçi. Ndërsa në tregun vendës, nafta po tenton drejt 170 lekë për litër.
Grosistët presin rritje të reja që mund ta çojnë çmimin e arit të zi, në fund të këtij viti, drejt nivele që as nuk ishin menduar më parë. Me këto çmime të karburanteve, llogaria bëhet më e thjeshtë për të gjithë ata që blejnë një makinë.
Tashmë një makinë e një cilindrate 3 000 cc mund të ketë një shpenzim vjetor tepër të lartë për të ardhurat e një shqiptari. Shpenzimet për karburant janë kthyer në një zë të rëndësishëm për çdo pronar makine, por që sipas të dhënave, ende nuk kanë dhënë një ndikim të dukshëm në preferencat e konsumatorëve shqiptarë në makinën që ata blejnë.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje