Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Shqiptaret qe donin te vrisnin presidentin e USA
Publikuar me 11 Shk 2009

Shqiptaret qe donin  te vrisnin presidentin e USA

Besnik Bakalli u përpoq fillimisht të hyjë në Shtetet e Bashkuara me një pasaportë false në vitin 1999

NJU JORK - Besnik Bakalli u përpoq fillimisht të hyjë në Shtetet e Bashkuara me një pasaportë false në vitin 1999, po oficerët doganorë e kapën atë në aeroport dhe e dërguan në burg. Bakalli aplikoi për azil, por më pas hoqi dorë vullnetarisht nga kërkesa dhe u kthye në Shqipëri, pasi familjarët i kishin çuar fjalë se një kriminel kishte kërcënuar motrën e tij të vogël. Informatori i FBI-së shpjegoi dje, se në Shqipëri “disa gjëra” zgjidhen në mënyrë të dhunshme dhe private.

“Im atë më tha se dikush duhet ta bënte atë gjë. Unë, ai ose dikush tjetër”, - deklaroi Bakalli. Kështu, Bakalli qëlloi mbi njeriun që kishte kërcënuar të motrën. Pasi u kthye në SHBA, pas ngjarjes ai u bë një informator i FBI-së, kundër pesë personave të tjerë të cilët tentuan të vrasin ushtarë në bazën amerikane të “Fort Dix”, të frymëzuar nga Islami. Ndërkohë që pala mbrojtëse pritet që të mbrohet me anën e errët të Bakallit në Shqipëri, duke vënë theksin në figurën e tij të dyshimtë për të qenë dëshmitar, duke u fokusuar në tentativën e vrasjes në vendin e tij. Bakalli, 31 vjeç, u bë një informator, pasi u kap ilegalisht për herë të dytë dhe rrezikonte deportimin. Në këmbim të ndihmës dhënë SHBA-ve, ai do të përftonte statusin e emigrantit. FBI-ja gjithashtu solli në Amerikë motrën dhe të ëmën e 31-vjeçarit. Për të “falënderuar” qeverinë amerikane për ndihmën, ai akuzoi tre vëllezërit, Dritan, Elvir dhe Shahin Duka, shqiptarë të Jugosllavisë dhe Mohamad Shnewer dhe Serdar Tatar, myslimanë të rritur në Jerseyn e Jugut. Informatori i dytë i FBI-së, Mahmud Omar, me kombësi egjiptiane, i cili u akuzua për mashtrime me bankat në vitin 2002, u pagua për bashkëpunimin e tij me 240 mijë dollarë. Gjithashtu, shumë mirë u pagua edhe Bakalli, i cili përftoi 13 mijë dollarë dhe azilin politik për vete dhe familjen. Omari dhe Bakalli kanë regjistruar qindra orë bisede me pesë të akuzuarit për terrorizëm, kasetat e së cilave thuhet se janë pika më e fortë e akuzave. Pala mbrojtëse e sulmoi pafund Omarin gjatë 13 ditëve të dëshmisë së tij në gjyq, duke vënë theksin se klientët e tyre nuk kishin folur kurrë për Xhihad (luftë e shenjtë). Avokatët mbrojtës thanë se klientët e tyre nuk kishin kurrë ndërmend të bënin sulmin në “Fort Dix”. Bakalli dëshmoi për dy ditë, në pjesën më të madhe të së cilës juria dëgjoi kasetat me dëshmitë e mëparshme të tij. Në këta kaseta dominonin dëshmitë në lidhje me bisedat për armatime, Xhihadin dhe luftën myslimane në botë, kryesisht kundër SHBA-ve.

Dita e djeshme vijoi me dëgjimin e kasetave, ku flitej për udhëtimin që Bakalli dhe të tjerët bënë në malet Pokono në shkurt të vitit 2007. Para udhëtimit në mal, burrat vizituan dyqane të shumta armatimesh dhe ndoqën kurse qitjeje. Prokurorët e quajtën udhëtimin përgatitje për “sulm xhihadi”. Në një pjesë të bisedës dëgjohej edhe zëri i Elvir Dukës, i cili pyeste nëse mund të qëllonte ushtarët amerikanë në Irak. “Mendoni se mund të qëlloj, duke e pasur edhe shumë larg në distancë Shtëpinë e Bardhë? Mendoni se mund të qëlloj presidentin”? Këto janë pyetjet që Bakalli dëshmoi të jenë thënë nga ana e Dukës. Dhe kur prokurori i çështjes, Bill Fitzpatrik, pyeti Bakallin që të përshkruante mënyrën sesi Duka e kishte thënë vrasjen e presidentit, atëherë 31-vjeçari u përgjigj: “Ishte shumë serioz”.

Gjatë seancave stërvitore të qitjes, Bakalli tha se si shënjestër, në vend të qenieve njerëzore, ata ta pestë përdorin balona. Në regjistrime të tjera ata kishin folur për bomba vetëvrasëse kamikazësh, të cilat ua lejonte ligji islamik, dhe diskutuan taktika guerilase kundrejt të punësuarve të SHBA-ve në Irak. Vëllezërit Duka kishin shtuar se besimi i tyre në Zot ishte shumë herë më i fortë se çdo ushtri tjetër e pajisur me armatime. “Ata kanë bomba dhe shumë armë të sofistikuara. Por ne kemi udhëheqjen e Allahut”, - thoshte Elvir Duka. Bakalli tha në gjyqin e së hënës, që ai nuk merrte vesh asgjë nga feja islamike dhe shpeshherë nuk i kuptonte fare ligjëratat e Dukës.

Gjatë qëndrimi në malet Pokono, meshkujt shihnin video të shkarkuara nga interneti, të cilat tregonin skena të amerikanëve të vdekur në Irak. Në regjistrimet e dëshmive Bakalli shprehej i tronditur nga pamjet që kishte parë. “Mjafton, mjafton.... Shihemi më vonë. Po dal për një shëtitje”, - u kishte thënë ai bashkudhëtarëve. Kur të njëjtat skena videoje u shfaqën edhe në sallën e gjyqit, Bakalli kërkoi pak pushim. Në fakt, pamësueshmëria e tij me dhunën hidhet poshtë kur kujtohet historia e tij e vrasjes së mbetur në tentativë në Shqipëri. Por edhe për këtë akuzë ai ka gati një justifikim: “Personi që i mbijetoi gjuajtjes sime ishte njëkohësisht i armatosur”, - mbrohet Bakalli.

Bakalli ishte gjykuar në mungesë për një krim ku kishte përdorur armë zjarri. Drejtësia shqiptare e dënoi atë vetëm me një vit burgim. Kur po përshkruante ngjarjen, Bakalli i irritua kur iu tha se mund ta kishte zgjidhur ndryshe problemin, ku mund të kishte thirrur policinë. “Ne nuk kemi 911 atje. Nëse dikush shkon në polici, policët nisin të tallen me ty dhe të pyesin: “S’je i zoti ta zgjidhësh vetë situatën? Po flasim për Shqipërinë, jo për Amerikën”, - tha ai. 31-vjeçari tha se pas incidentit u largua nga Shqipëria për të shmangur gjakmarrjen. “Nëse do kisha ndenjur atje, atëherë mes familjeve tona do të kishte pasur luftë, ndërsa autoritetet vetëm do të bënin sehir”, -përfundoi ai.


1549
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI