Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Shqiptarët dhe krishterimi i hershëm, nga: Neritan Ceka
Publikuar me 23 Shk 2013

Shqiptarët dhe krishterimi i hershëm, nga: Neritan Ceka

Besimi i krishterë ishte perceptuar për shekuj në gjuhën amtare, që në fillimet e përhapjes masive të tij, në atë periudhë që quhet antikiteti i vonë, në shek. IV-VI m. Kr. Kjo është edhe koha kur ka ndodhur kalimi gradual nga ilirët tek arbërit dhe jo mesjeta e hershme, siç ka qenë menduar përgjithësisht nga historianët dhe arkeologët shqiptarë

Shqiptarët dhe krishterimi i hershëm është një temë që më ka interesuar gjithmonë. Ndoshta jam nga të parët që kam shprehur mendimin se formimi i shqiptarëve të hershëm mbi bazën e substratit ilir ka ndodhur nën ndikimin e fortë të krishterimit. Kjo për faktin se kisha e hershme kristiane ishte në radhë të parë një komunitet territorial, i bazuar në përkatësinë etnike. Pavarësisht se liturgjia ushtrohej në gjuhët fillestare të Dhiatës së Re, greqishten e vjetër dhe latinishten, katekizma, mësimi i parimeve themelore të doktrinës, ishte i detyruar të zhvillohej në gjuhët amtare, për t’u bëre e kuptueshme për njerëzit e thjeshtë. Dëshmitë e sigurta të kësaj praktike i kemi shumë vonë, të paktën me formulën e pagëzimi, apo me Mesharin e Gjon Buzukut.

Një dëshmi e tërthortë është transformimi i thellë i emrave të krishterë, qoftë të liturgjisë (prift nga presbiter, ungjill nga evangelium etj.), si dhe të shenjtorëve të hershëm (Pal nga Paulus, Shtjefën nga Stefan, Shënlli nga Shën Ilias etj.). Po ashtu ka pësuar një transformim të gjatë e të thellë edhe toponimia e krishterë, e cila është pothuaj e tërë e gjuhës shqipe (Shtish nga Sanctus Matheus, Shirgjan nga Sanctus Sergius, Shijak nga Sanctus Joachinus, apo përkthime si Shkallnur-Shën Kallnur, nga Sanctus januarius). Kjo do të thotë se besimi i krishterë ishte perceptuar për shekuj në gjuhën amtare, që në fillimet e përhapjes masive të tij, në atë periudhë që quhet antikiteti i vonë, në shek. IV-VI m. Kr. Kjo është edhe koha kur ka ndodhur kalimi gradual nga ilirët tek arbërit dhe jo mesjeta e hershme, siç ka qenë menduar përgjithësisht nga historianët dhe arkeologët shqiptarë.

Kjo edhe për një arsye thjesht historike. Shekulli III p. Kr. ka qenë një periudhë barazie midis popujve të Perandorisë Romake, kur me ediktin e Karakallës të vitit 212 p. Kr. iu dha e drejta e qytetarisë romake të gjithë qytetarëve të perandorisë. Prof. Skënder Anamali pati evidentuar një ringjallje të emrave, veshjeve dhe perëndive të lashta në këtë periudhë, që e pat karakterizuar si “Rilindja Ilire”. Në fakt shekujt IV-VI nuk ishin as të lumtur dhe as të qetë. Përkundrazi, valë të paprera dyndjesh gote dhe, më pas sllave, sollën kaos dhe shkretime.

Megjithatë, arkeologët kanë shënuar edhe reagimin e popullsisë vendëse, përmes rishfaqjes së armëve në inventarin e varreve dhe të ngritjes së një numri të madh fortifikimesh për mbrojtjen nga këto dyndje. Në secilën prej tyre, si dhe në territoret fshatare janë vërtetuar prezencat e kishave paleokristiane. Është vërtetuar gjithashtu se qendrat e kryesore ushtarake dhe administrative, si Dyrrahu, Scodra, Bylisi, Butrinti etj., ishin bërë njëkohësisht qendra të selive peshkopate. Kjo ishte shenjë e rolit drejtues që mori kisha në shpëtimin shpirtëror dhe fizik të popullsisë vendëse ndaj kërcënimit shfarosës që vinte nga dyndjet e barbarëve paganë.

Pavarësisht nga gjendja e pasigurt e krijuar nga kriza politike e sociale e Perandorisë Bizantine, ku u përfshi pjesa më e madhe e trevave ilire, periudhës së antikitetit të vonë nuk i mungon edhe shkëlqimi i artit, që u kufizua brenda hapësirës së kishave, me mozaikët e mrekullueshëm të Dyrrahut, Bylisit, Mesaplikut, apo të Butrintit. Nuk mungonte as shija e jetës, që dëshmohet nga importi i verërave nga provincat bizantine të brigjeve të Azisë së Vogël, apo Afrikës së Veriut. Kjo ishte një kohë qëndrese dhe kohezioni ndaj strukturave të hershme, por edhe risie dhe shprese ndaj iluminizmit të krishterë, në të cilën e ka fillesën formimi i arbërve. Jo rastësisht ata do të krijoheshin në trevat më të kulturuara ilire të antikitetit dhe do të trashëgonin emrin e albanëve, fisit ilir në shpinë të Dyrrahut.

Arkeologjia shqiptare i pati kushtuar një vëmendje të veçantë studimit të gjenezës së shqiptarëve, por duke e fokusuar kryesisht si një proces që u zhvillua gjatë mesjetës së hershme, në shek. VII-XI. Në fakt ka pasur edhe një përpjekje të sforcuar, për të parë vazhdimësinë ilire-shqiptare edhe atje ku nuk provohej nga dëshmitë arkeologjike, në kështjellat e Beratit, Kaninës etj. Apo për ta parë si një proces që u zhvillua në thellësi të vendit, pranë varrezave mesjetare të Komanit në Pukë, apo Prosekut në Mirditë. Do të ishte një mision i pamundur, sepse kombësitë krijohen në kohë dinamike dhe jo në kohë letargjie, siç janë veçanërisht shek.VII-VIII.

Kjo do të ishte parathënia e një reflektimi mbi pyetjen se ku e kanë fillesën shqiptarët e sotëm. Nga, dhe, si dolën albanët e vitit 1054 të përmendur nga kronisti bizantin Mihail Ataliati si një faktor i ri në ndeshjen fetare dhe politike midis Lindjes bizantine dhe Perëndimit katolik roman, apo nga Ana Komnena më 1081, kur udhëhiqen nga një komiskortes.

Si do të reflektonte ndaj kësaj pyetjeje një studiues i antikitetit?
Dihet se ne, arkeologët klasikë, jemi të detyruar të shkojmë tek objekti ynë, periudhat klasike, helenistike, apo romake, përmes shtresave kulturore të antikitetit të vonë. Jo edhe pa njëfarë brenge, sepse monumentet e asaj periudhe, muret rrethuese, banesat, apo bazilikat paleokristiane kanë qenë ndërtuar me spoliet antike dhe shpesh kemi qenë të detyruar të shkëpusim nga nofullat e tyre mbishkrime, apo pjesë arkitektonike, që i përkisnin periudhave tona. Rasti i fundit ka qenë heqja e katër relieveve me mbishkrime latine të shek. I m. Kr. nga muret e Skampinit të ndërtuara nga perandori Konstantin (306-337 m. Kr.).

Më shumë se kaq, kanë qenë edhe pyetjet që na dilnin për të shpjeguar se përse shkëlqimi i antikitetit u zëvendësua me një mugëtirë që i ngjante një mbijetese, një përpjekje që më tepër se bëhej për të ruajtur të kaluarën, po përgatiste një rilindje të re të qytetërimit. Ne arkeologët shqiptarë që jetonim në të vetmin vend ku religjioni ishte i ndaluar, duhej të bënim edhe një pyetje drejt ndërgjegjes sonë, se cili kishte qenë rroli i krishterimit në përballimin e atyre shekujve të vështirë dhe në ngjizjen dhe transmetimin e përvojave shpirtërore. Natyrisht që gjatë asaj periudhe u bënë zbulime të mëdha në fushën e arkeologjisë paleokristiane nën drejtimin e prof. Skënder Anamali, që gërmoi bazilikat e Linit dhe të Ballshit, si dhe nekropolet e Mesjetës së Hershme të Krujës dhe Komanit. Unë vetë me Aleksandër Meksin patëm zbuluar bazilikën e Tepes pranë Elbasanit.

Skënder Muçaj filloi zbulimin e bazilikave të Bylisit, Kosta Lako atë të Sarandës, Apollon Baçe atë të Paleokastrës, Sali Hidri atë të Arapajt etj. Termi “paleokristian” që karakterizonte këto monumente ishte një lloj artifici, i cili e shpërngulte vëmendjen e autoriteteve të kohës nga njëri prej tabuve dhe alergjive kryesore të tyre. Si rrjedhim, studimi i tyre u bë kryesisht në kufijtë e historisë së arkitekturë dhe artit, duke mënjanuar çfarëdo lloj trajtimi mbi religjionin. Por vetëm më 1992 unë pata marrë iniciativën e thirrjes së një simpoziumi me temë “ Shqiptarët dhe Krishterimi i hershëm”, aktet e të cilit për fat të keq nuk u botuan, për shkak të pamundësive të kohës.

Do të dëshiroja t’u kthehesha disa prej reflektimeve të mia të asaj kohe, të cilat i kam paraqitur edhe në librin tim “Ilirët” (Tiranë, 2006). Natyrisht ky është njëri nga pikëvështrimet mbi epokën e antikitetit të vonë, që është padyshim edhe koha e ngjizjes së popullsive të sotme të gadishullit ballkanik.

Reflektimi i parë që vjen nga përvoja e një arkeologu është se pavarësisht se territori i Shqipërisë së sotme ka qenë një nga trevat më të hershme të përhapjes së krishterimit, nuk ka gjurmë të qarta arkeologjike të prezencës së tij deri në gjysmën e dytë të shek. V. Ka një referencë për udhëtimin e Shën Palit në Ilirik, që duket se u kthye në një legjendë gjatë mesjetës shqiptare, siç e provon numri i madh i toponimeve që lidhen me emrin e tij në prapatokën e Dyrrahut (Shpal i Tiranës dhe i Mirditës etj.). Ka dëshmi legjendare edhe për një organizim të hershëm kishtar me peshkopin Asti të martirizuar në kohën e perandorit Trajan (88-117 m. Kr.), apo Shën Terinin e Butrintit në kohën e perandorit Decius (249-251 m. Kr.). Megjithatë, dokumentet e sigurta për një organizim të mirëfillta kishtar nisin që nga shek. IV me peshkopin Eulalus të Amanties, që mori pjesë në koncilin e Serdikës më 344 dhe duhet të presim letrat e papës Inocentius I të vitit 412 për t’u bindur për ekzistencën e peshkopatave të Epirit të Ri, Epirit të Vjetër, Prevalit, Dardanisë etj., në kuadrin e sistemit administrativ të krijuar nga perandori Dioklecian dhe Teodos.

Megjithatë, në asnjë nga trevat e Shqipërisë që gjenden në territorin e dikurshëm të këtyre provincave nuk është dëshmuar ndonjë ndërtim monumental me funksionet e një kishe, i cili t’i takojë kësaj periudhe. Bazilikat paleokristiane të zbuluara deri tani janë datuara të gjitha pas mesit të shek. V me një përqendrim të ndjeshëm të tyre në periudhën e Justinianit (527-565 m. Kr.). Kjo ka qenë koha kur u shfaqën edhe simbolet e qarta fetare kristiane.

Edhe baptisteret tipike i takojnë të gjitha kësaj periudhe dhe të tërheq vëmendjen prezenca e tyre në të gjitha bazilikat, si dhe përmasat e mëdha, si në rastin e Butrinti, një dëshmi e qartë se ato ishin ndërtuar për një pagëzim në shkallë të gjerë të një popullsie që kishte mbetur në shumicë pagane. Gjithashtu, nuk janë evidentuar deri më tani objekte apo simbole që lidhen me kultin kristian të një periudhe më të hershme se shek. V, ashtu siç mungojnë edhe mbishkrime latine, apo bizantine me karakter të qartë kristian para kësaj kohe.

Edhe përdorimi i toponimisë kishtare është një fenomen relativisht i vonë dhe për provincat e territorit shqiptar shfaqet me shembujt e rrallë në listën e kështjellave të ndërtuara nga perandori Justinian me emrin e Shën Sabianus dhe Shën Stefanit në Epirin e Ri dhe një Shën Sabian tjetër dhe Shën Donati në Epirin e Vjetër.

Nuk ka dyshim se mungesa e dëshmive materiale mund të lidhet edhe me një vëmendje ende të pakët të specialistëve në këtë drejtim dhe ka vend për kërkime në fondin e materialeve jo të pakta që ruhen në depot arkeologjike. Gjithashtu nuk është e domosdoshme të kërkohen patjetër forma të standardizuara të ushtrimit të kultit kristian në fazat e hershme të përhapjes së tij, kur ushtrimi i riteve fetare mund të bëhej edhe në ndërtime të thjeshta. Vetë gjuha shqipe dëshmon për një krijim të hershëm të terminologjisë kishtare, mbi bazën e gjuhës latine, si meshë nga missa, kryq nga crux, shenjt nga sanctus etj.

Reflektimi i dytë ka të bëjë me ndryshimin e ngadalshëm të mënyrës dhe kualitetit të jetës nga qyteti drejt fshatit, pra me atë që quhet ruralizim i jetës gjatë antikitetit të vonë. Për territorin e Shqipërisë është evident reduktimi i ndjeshëm i numrit të qyteteve të mirëfillta dhe ndryshimi i vetë i strukturës urbanistike brenda tyre. Braktisja e Apollonisë aty nga fundi i shek. III është dëshmia më e qartë. Ka pasur një përpjekje për rifortifikimin e asaj që kishte mbetur nga muret rrethuese antike, duke përdorur pjesë arkitektonike dhe një mbishkrim të një tempulli të periudhës së Hadrianit, si dhe për të kufizuar sipërfaqen e mbrojtur nëpërmjet ndërtimit të një muri ndarës në fillim të shek. IV, por Apollonia mbeti vetëm një qendër peshkopate pa qytet, deri kur rroli i saj u zëvendësua përfundimisht nga Bylisi në shek. VI..

Vetë Bylisi është një shembull i prekjes nga ndryshimet. Ai është njëkohësisht nga qendrat më të studiuara në dy dhjetëvjeçarët e fundit, nga zbulimi i pesë bazilikave paleokristiane të datuara në shek. V- VI nga një ekip franko shqiptar i drejtua nga Skënder Muçaj, J. P. Sodini dhe P. Chevalier.

Në shek. IV muret rrethuese të Bylisit u rindërtuan në tërë gjatësinë e tyre prej 2200 m, duke mbyllur apo zvogëluar pjesën më të madhe të portave, tashmë të panevojshme. Në periudhën e Justinianit qyteti u reduktua në një të tretën e tij përmes ndërtimit të një muri ndarës, që përdori pa mëshirë blloqet e teatrit, të stoas dhe të monumenteve të tjera antike. Nga mbishkrimet bizantine ne dimë se punimet i drejtoi Viktorinos, sipas urdhrit të perandorit Justinian. Megjithatë, Prokopi i Cezaresë që pati shënuar edhe kështjellat më të parëndësishme në “ De Aedificis” të tij, nuk e përmend këtë ndërtim.

Dhe nuk ishte vetëm kjo, sepse nga një mbishkrim tjetër në mësojmë se ishin ndërtuar edhe termet, të zbuluara edhe nga gërmimet arkeologjike. Kësaj periudhe radikale ndërtimesh monumentale dhe të kushtueshme i takojnë edhe bazilika A, zgjerimi i bazilikës B ose katedrales, si dhe bazilika C dhe E, të realizuara me pretendime të larta arkitekturore dhe artistike siç e dëshmon dekoracioni arkitektonik dhe mozaikët e mrekullueshëm. Tek këto mozaikë kemi edhe përfytyrimet më të hershme të skenave dhe mesazheve biblike me paraqitjen e vëllezërve Andrea dhe Simon (Shën Pjetri) gjatë peshkimit në liqenin e Nazaretit. Disa mbishkrime në to na japin gjithashtu dëshminë se ndërtimi i bazilikave ka qenë bërë përmes sponsorizimeve të personave privatë, midis të cilëve edhe disa femra.

Megjithatë Bylisi kishte pamjen e një fshati brenda mureve rrethuese të qytetit. Lagje prej banesash të thjeshta njëkatëshe dhe një ose dykthinëshe qarkonin luksin dhe madhështinë e bazilikave. Pranë tyre gjendeshin edhe nekropole të vegjël. Midis tyre hapësira e pabanuar duket se ka qenë mbushur me kopshtet familjare.

Bylisi ishte një qendër peshkopate e dëshmuar që në shek. V, por edhe një kryeqendër ushtarake e rrethuar nga tre kështjella që mbronin kalimet kryesore. Por vetëm një pjesë e vogël e popullsisë banonte atje, dhe pjesa tjetër i përdorte si strehim në alarmet e vazhdueshme të kohës.

Vendbanime të shumta fshatare të periudhës së antikitetit të vonë janë dëshmuar në luginat që përshkojnë territorin e dikurshëm të koinonit të Bylinëve. Dy diga të kësaj periudhe dhe një villa rustica e madhe në luginën e Gjanicës dëshmojnë se popullsia i ishte kushtuar kryesisht bujqësisë. Vetë Bylisi dëshmon një aktivitet të kufizuar artizanal dhe katedralja kishte njëkohësisht një punishte të madhe vere dhe ambiente për ruajtjen e prodhimeve bujqësore.

Buthrotum është qendra tjetër kryesore e studiuar sistematikisht në drejtim të antikitetit të vonë në dy dhjetëvjeçarët e fundit në sajë të një ekipi anglo-shqiptar të drejtuar nga prof. Richard Hodges, Kosta Lako dhe Ylli Cerova. Rezultati më i rëndësishëm ishte zbulimi i plotë i një domus, një pallati ndoshta peshkopal të shek. V-VI, periudhë kur Buthrotum u bë një qendër peshkopate. Ka qenë një ndërtim monumental në përkim me madhështinë e baptisterit dhe bazilikës së njëkohshme. Një ndërtim që trashëgon nga antikiteti formën e zhvillimit rreth një oborri qendror, trikonkën për vendosjen e shtretërve të gostive dhe mozaikët e çuditshëm me maska teatrale, në një kohë që teatri ishte ndaluar publikisht.

Ishte njëkohësisht një ndërtim në kontrast të plotë me banesat e mjera të grupuara rreth kishave, njëlloj si në Bylis, që i jepnin Buthrotum pamjen e një fshati të rrethuar me mure. Edhe Buthrotum mungon në listën e Prokopit të Cezaresë, pavarësisht se në kohën e tij u ndërtua një mur rrethues që dyfishoi sipërfaqen e mbrojtur në krahasim me periudhën antike. Por, ashtu si në Bylis, ai rrethonte më shumë kopshte se sa shtëpi dhe shërbente për të krijuar një hapësirë strehimi në raste sulmesh barbare. Një kështjellë në Çukën e Ajtojt, mbi rrënojat e një qyteti antik të prasaibëve, mbronte rrugën që e lidhte Buthrotum me Nikopolis, qendër e provincës Epirus Vetus. Tre bazilika janë zbuluar në këtë distancë, si një referim i vendbanimeve fshatare që u zhvilluan rreth Buthrotum.

Bazilika e 40 Shenjtorëve e gërmuar në vitet e fundit, na ka dhënë modelin e një manastiri që lidhet më shumë me mesjetën se me antikitetin. Ai ka qenë ndërtuar gjithashtu në kohën e Justinianit në një model ende unik për trevën. Gërmimet kanë evidentuar një rrjet galerish në kryptën e tij, si dhe një numër të madh ambientesh ndihmëse me karakter ekonomik përreth. Edhe këtu repertorit të kufizuar të enëve vendëse të tryezës dhe kuzhinës i përgjigjet një numër i madh amforash për transportin e verës me origjinë nga Azia e Vogël, Italia e Jugut, Afrika e Veriut etj., si dhe seri të pasura të sigillatave të vona romake të tipit A, B dhe C nga Afrika e Veriut, apo të tilla nga Mesdheu Lindor, një raport mjaft i ngjashëm më atë të verifikuar në gërmimet e Buthrotum, apo Onchesmus.

Ky manastir i vetmuar ishte vetëm një kilometër larg Onchesmus të rrethuar me mure në kohën e Justinianit, por që mungon gjithashtu në listën e Prokopit. Një bazilikë e shek. VI e ngritur mbi një sinagogë të shek. IV-V është dëshmia e instalimit triumfal të kishës në këtë qendër që zëvendësoi në këtë periudhë Foiniken, pothuaj të braktisur dhe pa mure rrethuese. Onchesmus është nga qendrat më të hershme peshkopale, e përmendur si e tillë në vitin 414.

Dyrrahu, qendra e Epirus Nova, mbetet ende një hiatus në mundësinë e rindërtimit të realitetit historik të antikitetit të vonë. Dëshmitë arkeologjike, siç janë muret rrethuese të periudhës së Anastasit, i ashtuquajturi macellum i periudhës së Justinianit, por edhe kapitelet dhe kollonat e jashtëzakonshme prej graniti të Sinait, apo mermeri të Prokonezit (ishull në detin Maramara), të gjetura rastësisht gjatë punimeve të ndryshme në qytet, dëshmojnë për të vetmin qytet të mirëfilltë bizantin në territorin e Shqipërisë. I mbuluar në mënyrë agresive nga betoni i dy dekadave të fundit, Dyrrahu përfaqëson mundësitë e humbura për të sqaruar disa nga problemet më të rëndësishme që lidhen me periudhën e antikitetit të vonë dhe fillimet e mesjetës, pra me vetë problemin e formimit të popullit shqiptar.

Shkodra, kryeqyteti i provincës bizantine Prevalis, mbetet gjithashtu pak i studiuar. Gërmimet e dekadave të fundit të bëra nga Gëzim Hoxha dhe Bashkim Lahi kanë treguar se qyteti bizantin shtrihej në trekëndëshin midis lumenjve Buna dhe Drin, i mbrojtur nga mure rrethuese dhe nga kështjella antike e Rozafës që e zotëronte atë. Një ekip shqiptar- polak i ka rifilluar ato në një mënyrë shpresëdhënëse , por ende nuk është zbuluar qendra monumentalë që do të dëshmonte për një kryeqendër të mirëfilltë province. Asnjë mbishkrim, asnjë vepër arti, vetëm seria e zakonshme e amforave me origjinë veri- afrikane të shoqëruara me sigillatat A -D të së njëjtës origjinë. Ka shumë mundësi që brenda mureve të zhvillohej një pamje e ngjashme me Bylisin, apo Buthrotum.

Reflektimi i tretë është rënia e ndjeshme e kualitetit të jetës në të gjitha tipet e qendrave të banuara të antikitetit të vonë, në krahasim me antikitetin helenistik, apo atë romak. Kjo vihet re në radhë të parë në banesat pothuaj të mjerueshme, të ndërtuara keq me materiale të marra nga ndërtesat antike dha pa as një kusht komoditeti, apo higjiene. Janë përgjithësisht njëkatëshe me një apo dy kthina, me dysheme prej trualli balte. Inventari i tyre është i thjeshtë, me pak forma qeramike, kryesisht kuzhine, që dëshmojnë një tryezë të varfër. Mungojnë pothuaj plotësisht objektet artistike dhe ato të kultit dhe mungesa e simboleve kristiane është pjesë e kësaj indiference të përgjithshme ndaj së bukurës.

Madje edhe në një qendër të tillë si Dyrrahu kemi vetëm pak dëshmi të skulpturës, ndonëse me një kualitet mjaft të lartë dhe datim të pasigurtë. Vetëm interesi për verën bën një përjashtim në këtë amulli të jetës dhe një numër i madh tipash amforash me prejardhje shpesh të largët dëshmon se rrugët detare shfrytëzoheshin kryesisht për këtë qëllim. Gërmimet në katedralen e Bylisit, në bazilikën e Tiranës dhe në një vilë të shek.III-IV në afërsi të Buthrotum kanë zbuluar instalime të mirëfillta për një prodhim të konsiderueshëm vere.

Duket qartë se ekonomia po shkonte drejt autarkisë dhe monedhat janë relativisht të rralla dhe dendësohen në periudha të veprimtarive luftarake, siç ishte koha e Konstantinit të Madh, e Valentinianit I dhe që nga Justini te Justiniani I. Nuk është i rastit fakti se një pjesë e mirë e tyre janë gjetur në kështjella të vogla me karakter ushtarak.

Një diferencim i thellë midis qendrave të banuara është gjithashtu një shenjë e qartë e ndryshimit të kualitetit të jetës. Dyrrahu qëndron më lart se Shkodra, Bylisi, apo Butrinti, po aq sa këto të fundit nga kështjellat rreth tyre. K gjithashtu një dallim të madh midis qendrave të fasadës detare me ato të thellësisë, ku pothuaj mungojnë plotësisht amforat dhe sigillatat e importuara.

Reflektimi i katërt është mbi natyrën e popullsisë së provincave që mbulonin territorin e Shqipërisë së sotme. Sulmet e mëdha gote dhe sllave të shek. IVVI m. Kr. përfundonin gjithmonë me grabitje, shkatërrime, marrje skllevërish dhe tërheqje në vendet nga ishin nisur të turmave barbare. Nuk ka pasur një vendosje masive të tyre deri në shek. VII m.Kr. dhe kjo dëshmohet nga mungesa e plotë e vendbanimeve dhe nekropoleve që bartin kulturën e tyre materiale. Kjo do të thotë se kishte mbetur po ajo popullsi që përmendet gjatë periudhave klasike, helenistike dhe perandorake të hershme, me një simbiozë të ilirëve vendës, me kolonistët helenë dhe romakë? Të dhënat arkeologjike japin dëshmi të tërthorta dhe është vënë në dukje një qëndresë etnike e ilirëve që shprehet tek vazhdimi i ruajtjes së emrave tipikë, apo të veshjes karakteristike deri në shek. IV.

Por gjatë antikitetit të vonë nuk mund të dallojmë lehtas trajta lokale, apo mbijetesa elementësh të lashtë në uniformitetin e kulturës së varfër materiale që karakterizon këtë periudhë. Megjithëse në territorin e Shqipërisë janë vënë re gjurmë të kulturave të tjera që janë futur së bashku me popullsitë që dynden aty gjatë shek. IV-VI, ato nuk e ndryshuan natyrën e përgjithshme të kulturës romake provinciale që karakterizon atë periudhë. Gotët kanë lënë kryesisht gjurmë shkatërrimi gjatë dyndjes së vitit 378 në një serë kështjellash, si dhe në qeramikën e kështjellës së Symizës pranë Korçës. Në Dyrrah nuk është gjetur asnjë objekt got i kësaj periudhe, ndonëse kemi të dhëna historike për vendosjen e tyre atje që para pushtimit nga Teodoriku i Madh. Kjo vlen edhe për dy dyndjet sllave të shek VI, të cilat kanë lënë gjurmë të qarta shkatërrimi në të gjithë territorin.

Pasojat e tyre janë evidentuar qartë në Bylis, ku katedralja ka qenë shkatërruar në dyndjen e vitit 548 dhe djegur përfundimisht në atë të vitit 578. Dyrrahu duket se i kishte qëndruar i papushtuar gjatë këtyre dyndjeve dhe përfaqësonte të vetmen qendër të paprekur të autoritetit bizantin gjatë gjithë shekujve që pasuan, deri në rindërtimin e tij përmes sistemit të temave në shek. IX. Sidoqoftë nga letërkëmbimet papale duket se gjendja ishte stabilizuar rreth fundit të shek. VI dhe më 595, 597 dhe 599 ndodheshin në vendet e tyre peshkopët e Dyrrahut, Shkodrës, Lisit, Justiniana Primës, si dhe të disa qendrave të Epirus Vetus.

Ndërkohë kishin mbaruar edhe dyndjet dhe kjo pjesë e perandorisë mbeti jashtë vëmendjes së historianëve të kohës. Arkeologjia është përpjekur ta plotësojë këtë dark age përmes të dhënave të gërmimeve. Një kulturë e zhvilluar drejtpërdrejt nga fondi i antikitetit të vonë është dëshmuar në prapatokën e Dyrrahut gjatë shek VII-XI, e quajtur Kultura e Komanit nga gjetjet e para të saj në nekropolin e një kështjelle që kontrollonte rrugën natyrore nëpër luginën e Drinit. Një facies më e plotë e saj është dëshmuar edhe në edhe në një nekropol të zbuluar brenda Dyrrahut, si dhe në kështjellat e Krujës dhe të Lezhës, fare pranë tij. Karakteri i krishterë i tyre është tepër i shprehur në simbolet tipike. Ngarkese e tepruar me zbukurime e inventarëve të grave dëshmon për një popullsi fshatare, po aq sa prezenca e sëpatave prej hekuri, si armë tipike të epokës, lidhet me karakterin luftarak të kësaj popullsie.

Nga ana tjetër, objekte të pakta të kulturës sllave janë gjetur në nekropole ende të paeksploruara sistematikisht në zonat e thella malore, pikërisht atje ku ruhet deri sot një toponimi tipike sllave. Unë e kam shpjeguar këtë prezencë me vendosjen e komuniteteve sllave në mënyrë paqësore në zonat e shpopulluara të Ballkanit perëndimor gjatë sundimit të perandorit Heraklius (610-641) dhe kam konstatuar se midis morisë së toponimisë sllave mungojnë tërësisht emrat e krishterë, duke përfshirë edhe ato të kishave.

Kemi kështu fillimin e një simbioze, siç e ka shpjeguar Milan Šuflaj, që do të vazhdonte gjatë gjithë mesjetës, duke dhënë rezultate të ndryshme, në mbijetesën e popullsisë ilire në formatin e asaj arbërore, apo në asimilimin e saj nga sllavët. Në këtë kuptim antikiteti i vonë kishte përgatitur fillimet e këtij procesi, që u ngadalësua gjatë mesjetës së hershme nga ambienti i pafavorshëm i ekonomisë së mbyllur natyrore, por u përshpejtua nga efekti komunitar i kristianizmit. Nuk ka dyshim që vazhdimësia e organizimit kishtar, më tepër se ajo e pushtetit politik bizantin, ka qenë katalizator i këtij procesi, së bashku me efektin e komunikimit shoqëror, gjuhësor dhe familjar që krijonin komunitetet krishtere.

Për shkak të një periodizimi tradicional antikiteti i vonë mbyllet që me shek. VI, por në pikëpamjen arkeologjike ai vazhdon deri në shek. IX, kur fillon një periudhë me facies të ndryshme kulturore, të krijuar nga qytetet e mbijetuara, në radhë të parë Dyrrahu. Vetëm se ato nuk ishin një vazhdim i natyrshëm i qyteteve antike, pavarësisht se zhvilloheshin në truallin e tyre. Për nga forma urbane, mënyra e prodhimit, marrëdhëniet me territorin dhe pushtetin qendror, ato përbënin një fillim të ri, në kushtet e një epoke të re.

Somario
Shekulli III p. Kr. ka qenë një periudhë barazie midis popujve të Perandorisë Romake, kur me ediktin e Karakallës të viti 212 p. Kr. iu dha e drejta e qytetarisë romake të gjithë qytetarëve të perandorisë. Prof. Skënder Anamali pati evidentuar një ringjallje të emrave, veshjeve dhe perëndive të lashta në këtë periudhë, që e pat karakterizuar si “Rilindja Ilire”. Në fakt shekujt IV-VI, nuk ishin as të lumtur dhe as të qetë. Përkundrazi, valë të paprera dyndjesh gote dhe, më pas sllave, sollën kaos dhe shkretime.

Megjithatë, arkeologët kanë shënuar edhe reagimin e popullsisë vendëse, përmes rishfaqjes së armëve në inventarin e varreve dhe të ngritjes së një numri të madh fortifikimesh për mbrojtjen nga këto dyndje. Në secilën prej tyre, si dhe në territoret fshatare janë vërtetuar prezencat e kishave paleokristiane, Është vërtetuar, gjithashtu, se qendrat e kryesore ushtarake dhe administrative, si Dyrrahu, Scodra, Bylisi, Butrinti, etj, ishin bërë njëkohësisht qendra të selive peshkopate. Kjo ishte shenjë e rrolit drejtues që mori kisha në shpëtimin shpirtëror dhe fizik të popullsisë vendëse ndaj kërcënimit shfarosës që vinte nga dyndjet e barbarëve paganë.


2804
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI