Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Shqipëri, 575 mijë persona jetojnë në varfëri të thellë
Publikuar me 29 Pri 2008

Shqipëri, 575 mijë persona jetojnë në varfëri të thellë

Raporti i fundit i Bankës Botërore thotë se programi qeveritar i ndihmës ekonomike ka dështuar

 

Armata e të varfërve në Shqipëri, nuk është e vogël, po përbën plot 19 për qind të popullsisë. Një raport i fundit i Bankës Botërore tregon se gati 1 në 5 shqiptarë jeton me më pak se 4800 lekë në muaj. "Numri i të varfërve në Shqipëri është 575 mijë vetë dhe pjesa dërrmuese e tyre jeton në zonat rurale", thuhet në raport. Ky raport, që është hartuar me vëzhgimet e kryera nga viti 2002 deri në vitin 2005, nxjerr në pah se numri i të varfërve në Shqipëri, gjatë kësaj periudhe ka shënuar një rënie, të ndjeshme, por kjo kryesisht për shkak të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe emigracionit. Por kriza e fundit e çmimeve ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi atë se si do të ndryshojnë këta tregues. Rreziku i madh është që, shumë prej atyre që u kanë shpëtuar kthetrave të varfërisë, por që ndodhen pak mbi limitet e saj, të kthehen sërish në armatën e "fukarenjve". Për fat të keq, në Shqipëri, ashtu si në shumicën e ekonomive në zhvillim, pjesa më e madhe e popullsisë ka një nivel të ardhurash që është pak mbi atë që quhet kufiri zyrtar i varfërisë. Për pasojë, e gjithë kjo kategori është gjithmonë e kërcënuar që nga goditje të tilla të tregut, ku çmimet shënojnë rritje, të rikthehen sërish në mizerie.

Ndihma ekonomike dështoi

Qeveria ka një program me të cilin asiston pjesën më të varfër të popullsisë. Ky program i quajtur ndihma ekonomike, është mekanizmi kryesor, përmes të cilit ndihma shtetërore arrin direkt te të varfrit. Por Banka Botërore konstaton se deri më tani ky program ka ndikuar fare pak në zbutjen e varfërisë, për shkak se ai është mjaft i vogël. Ndaj jo më kot për disa herë me radhë zyrtarët e BB-së në Tiranë kanë nxitur qeverinë që të kthejë më shumë vëmendjen ndaj këtij programi. Në vitin 2005, qeveria shqiptare adresoi 8.9 miliardë lekë, ose 1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto për ndihmën ekonomike. Por programi arriti të absorbonte vetëm 0.4 për qind të PBB-së. Shifra ka mbetur thuajse e njëjta në raport me PBB edhe gjatë viteve në vazhdim, madje dhe në buxhetin e vitit 2008, ku qeveria ka adresuar për të varfrit 12 miliardë lekë ose 1.1 për qind të PBB-së.

Mbulohen vetëm pak

Në vitin 2002 ndihma ekonomike mbulonte vetëm 1 nga 4 familjet që ishin vërtet të varfra, që do të thotë se 3 në 4 familje, që jetonin me më pak se 50 dollarë në muaj nuk përfitonin ndihmë ekonomike nga shteti. Në vitin 2005, përqindja e mbulimit është përmirësuar paksa, duke arritur të mbulojë një në tri familje të varfra. Por ndonëse ka një përmirësim në përqindjen e mbulimit gjatë viteve të fundit, shuma që përfiton një familje e varfër si ndihmë ekonomike ka ardhur duke rënë. Për këtë arsye, Banka Botërore sugjeron që ndihma ekonomike të rritet në raport me PBB-në. "Ndihma ekonomike nuk është e mjaftueshme. Si përqindje e PBB-së ose mbrojtjes sociale, programi i ndihmës ekonomike, është i vogël. Por duhet theksuar se ai mbetet instrumenti kryesor për mbështetje direkte dhe si një program potencial antivarfëri është i nënvlerësuar", thotë raporti.

Çmimet

Frika e Bankës Botërore se numri i të varfërve në Shqipëri mund të shtohej ka ekzistuar edhe përpara se të plaste zyrtarisht kriza e çmimeve. Dhe kjo e ka një shpjegim. "Shqipëria po ndërmerr një sërë reformash në sektorin e ujit, energjisë dhe atë të shëndetësisë, në kuadër të përafrimit të kostove me tarifat. Por këto reforma mund të kenë efekte negative në mirëqenien e të varfërve", paralajmëron raporti. Prandaj, ekspertët e bankës këshillojnë zgjerimin e skemës, si një instrument për të zbutur pasojat negative të rritjes së gjithanshme të çmimeve, për shërbimet dhe produktet që shteti u ofron qytetarëve të vet. Çmimet e energjisë, shëndetësia, por edhe uji kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit.


Grafik Numri i të varfërve

2002 800 mijë

2005 575 mijë


1350
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI