Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Rrëfimet e ish zv/ministrit të Enver Hoxhës: Kush drejtoi dekadën e fundit?
Publikuar me 14 Pri 2009

Rrëfimet e ish zv/ministrit të Enver Hoxhës: Kush drejtoi dekadën e fundit?

DOSSIER
Rrëfimi i zv.ministrit të Brendshem, Hysen Shahu

TIRANE- Kush e ka drejtuar vendin në dekadën e fundit të regjimit komunist? Një përgjigje e dha, pak javë më parë, ish-mjeku i klinikës qeveritare, Sali Berisha, aktualisht Kryeministër, kur u shpreh se në 15 vitet e fundit të ish-diktatorit, vendin e ka drejtuar në fakt bashkëshortja e tij, që etiketohej "mentori". Por, në reagimet e mëpastajme, si Nexhmije Hoxha, si pasuesi i tij, Ramiz Alia, thanë se me gjithë shëndetin e rënduar, Enver Hoxha asnjëherë nuk e humbi aftësinë mendore për të drejtuar vendin dhe ishte i aftë të shkonte nëpër takime jo vetëm në Tiranë, por edhe nëpër rrethe. Një dëshmi e rëndësishme prej njeriut më të rëndësishëm, që merrej me sigurinë e jetës së ish-udhëheqësit komunist, thotë se Enver Hoxha, veçanërisht në vitet e fundit të jetës, mbahej më këmbë vetëm me anë të ilaçeve. Rrëfyesi është Hysen Shahu, ish-zëvendësministër i Brendshëm në vitet 1982-1989, i cili tregon me situata konkrete dyshimet që kishte mbi mënyrat se si mbahej në këmbë udhëheqësi dhe ku nuk ngurron ta quajë atë drogim me anë të ilaçeve që silleshin nga Franca. Pjesët që po sjellim sot, janë rrëfimi i rrallë i z. Shahu dhe janë pjesë të librit me titull, "Ndarje me të shkuarën", të përgatitur nga i mirënjohuri Ylli Polovina, i cili nis me arrestimin e Shahut në Itali për llogari të drejtësisë italiane, në fillim të viteve 2000, dhe kthimin pas në kohë, kur ai ishte një funksionar i rëndësishëm i Ministrisë më famëkeqe në Shqipërinë e diktaturës komuniste: Ministrisë së Brendshme, e cila u kish ngrënë kokat edhe drejtuesve të saj, madje të vrarë nga vetë oficerët e këtij dikasteri.

 


Rrëfimi i Hysen Shahut, ish-zëvendësministrit të Brendshëm, në periudhën 1982-1989


Dyshimet e mia për drogimin e Enver Hoxhës


Shahu qe emëruar zëvendësministër i Punëve të Brendshme, kur Kadri Hazbiu ende nuk ishte arrestuar. Të dyja ngjarjet qenë zhvilluar brenda të njëjtit muaj, tetor 1982. Ndryshimi mes dy ngjarjeve ndahej nga vetëm dy ditë. Shahu nisi punën e zëvendësministrit më 13 tetor, më 15 iu vunë prangat në duar Kadri Hazbiut. Vetëm një vit më parë, në tetor 1981, qe vetëvrarë Mehmet Shehu. E kishin vënë në atë post në mes të përplasjes së madhe mes atyre që, duke pritur vdekjen diktatorit, po kacafyteshin t'i zinin vendin. Duhej të qe shumë i kujdesshëm e të mos hidhte asnjë hap në ajër. Shahu ishte i bindur se në atë tollovi duhej të qe pa u lëkundur me Enver Hoxhën. Se cili do ta pasonte, ishte sërish vullnet absolut i këtij të fundit. Hoxha kishte kohë që ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Duke qenë funksionari, i cili në Ministrinë e Punëve të Brendshme qe i ngarkuar të mbulonte edhe Drejtorinë e Dytë, pra atë që merrej edhe me sigurinë e tij, e dinte hollësisht se si shkonte ecuria e diabetit vrastar. Në fillim u ngarkua të ndiqte nga afër ngritjen e një ashensori që u instalua me të shpejtë brenda vilës së re të Enver Hoxhës, edhe pse ajo qe me vetëm dy kate. Më pas i erdhën fjalë se kishin nisur ta drogonin.
Në të vërtetë, kësaj gjëje i thoshin me fjalën e butë "tonizim", sepse qenë ilaçe të tilla që e stimulonin artificialisht të përmirësohej për vetëm pak kohë, edhe pse më pas do të pësonte përkeqësim. Kjo kurë kryhej për dy javë rresht dhe bëhej sa herë që, për të ruajtur imazhin, do t'i duhej të dilte para publikut. Çdo vit kjo ndodhte detyrimisht më 1 maj, kur bëhej parakalimi tradicional i turmave të njerëzve dhe të paktën në dy mbledhje të rëndësishme të Byrosë Politike apo të Komitetit Qendror të partisë. Brenda një viti qëllonte edhe ndonjë jubile i çlirimit të vendit apo i shpalljes së pavarësisë. Kështu, dy deri tre dukje ishin jetike për ta treguar se ishte fare mirë me shëndet e kështu duke mbajtur të fortë regjimin. Duke e ditur se shëndeti i diktatorit tashmë qe i lidhur
tërësisht me ekzistencën e Shqipërisë së stabilizuar, agjencia jugosllave e lajmeve shpërndante herë pas here fjalë se Enver Hoxha kishte vdekur. Nga "Tanjug", ky mesazh mbillej jo vetëm në Ballkan, por edhe ku të qe e mundur nëpër Europë. Por, drogimin sa për një a dy orë, qëndrimi para kamerave të televizionit të vetëm shtetëror, vetëm Shahu e dinte. Nuk e kishte parë kurrë. Ajo qe punë e fare pak personave, ndoshta e vetëm dy personave, mes tyre edhe e bashkëshortes së diktatorit. Vetë ai do të kishte rast ta ndeshte kur as e pati përfytyruar. Në punën e re, qe fundi i muajit të dytë, kur me marrje fryme e duke qarë, i hyri me vrap në zyrë sekretarja e ministrit. Ky atë ditë nuk qe në Tiranë, por për një punë të ngutshme operative në qytetin e Sarandës. Shumë i shqetësuar nga dënesat e papërmbajtura, e pyeti se çfarë kishte ndodhur. Duke i shqiptuar fjalët si të qenë copëra tingujsh e ofshamash bashkë, ajo e la të kuptojë se në numrin e telefonit sekret të ministrit, ishte Enver Hoxha.
Qe linja e brendshme, ajo dyshifrore e lidhjes së drejtpërdrejtë me diktatorin. Shahu rendi menjëherë drejt paradhomës së zyrës së ministrit dhe vetëm kur kapi receptorin e lënë hapur mbi syprinën e tavolinës, ndjeu se nuk gjendej përreth asnjë lloj ajri që mund t'i ngopte ato çaste mushkëritë.
-Urdhëro shoku Enver!, - tha menjëherë.
Pastaj priti të dëgjonte zërin e tij.
Sekondat vraponin duke shkelur me këmbë njëra-tjetrën, por në membranën e receptorit nuk pipëtinte asgjë. E tendosi edhe më fort dëgjimin, dhe vetëm atëherë iu duk se iu bë që, matanë fillit, dikush merrte frymë.
-Urdhëro shoku Enver!, - përsëriti me zë më të fortë.
Pas kësaj, ajo frymëmarrje e dobët që ndihej aq larg, u përpoq të formonte fjalë. Qe një përpjekje e stërmundimshme, më shumë rënkim se zë. Diktatori diçka përpiqej të thoshte, por Shahu nuk po kuptonte asgjë. -Si urdhëroni, shoku Enver!, - iu përgjigj.
Përtej frymëmarrja e zorshme, pa nxjerrë dot ndonjë fjalë të qartë, vazhdoi përsëri.
-Jam unë shoku Enver, zëvendësministri Shahu, - vijoi sapo ndjeu që tjetri matanë membranës i kishte mbaruar fjalinë që donte të thoshte, - ministri ka shkuar në Sarandë dhe do të vijë menjëherë. Po të keni gjë urgjente...".
U ritendos të kapte sa më qartë atë që do t'i vinte nëpërmjet telit. Përsëri qe një frymëmarrje e rënduar me disa flluska tingujsh përmes.
- Si urdhëron shoku Enver! Mos kini asnjë merak! Ministrit do t'ia them e ai do të kthehet menjëherë.
Priti sërish në receptor mos diktatori vazhdonte të nxirrte frymë pa fjalë, por mbi membranë ra përfundimisht heshtja.
Pas një çasti dëgjoi se si u mbyll telefoni. Dukej sikur doreza nuk ishte ulur mbi aparat qetësisht, por pati rënë. Kërkoi në centralin e brendshëm që ta lidhnin menjëherë me ministrin dhe sapo ky i doli, ia shpjegoi të gjithë çfarë i kishte ndodhur.
-Nuk kuptove asgjë çfarë kishte?, - reagoi i merakosur tjetri.
Shahu nuk dinte si ta gjente fjalën më të përshtatshme për t'i dhënë një përgjigje që, as në të ardhmen, kur të kujtohej si një çudi apo hata, të mos mbante mbi vete asnjë lloj interpretimi.
-Më duket se ju kërkoi juve, shoku ministër.
-Tani më qetësove fare, - mërmëriti tjetri, - do të jem aty sa më shpejt të jetë e mundur.

***

Episodin tjetër e kishte ndjekur pak muaj më pas. Ishte shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës, njeriu që konsiderohej edhe ndihmësi i tij i parë, i cili e ftoi t'i shkonte për një vizitë në vilë. Duke qenë se ajo ishte e re, ai deshi që Shahut t'i tregonte mjediset e saj.
Ngaqë mbulonte Drejtorinë e Dytë, ai ishte ndër të paktët që mund të bënte jo vetëm një vajtje, por edhe një kontroll në shtëpinë e Hoxhës. Për sigurinë e jetës së diktatorit, futur në mes të lagjes së Bllokut, mbrojtur me trupa të Gardës gjithandej, nuk përbënte asnjë problem ruajtja prej ndonjë sulmi fizik. Mbikëqyrja kryhej mbi vetëm dy rreziqe të tjera: i pari qe kuzhinieri, i cili ishte tepër i besueshëm e megjithatë mbahej nën vëzhgim të plotë sigurie. Prej tij, Enver Hoxhës mund t'i ndodhnin vrasjet nëpërmjet ushqimit.
Eliminimi tjetër mund t'i bëhej nëpërmjet ilaçeve. Njerëzit e mbrojtjes së afërt, më shumë se te pjatat e gjellëve, kërcënimin e shihnin tek barërat mjekësorë. Prandaj, edhe kontrolli këtu ishte organizuar në një mënyrë aq të sofistikuar dhe dinake, saqë edhe njëqind agjentë të mobilizoheshin nuk do t'ia dilnin kurrë aq mirë. Ajo që nuk mbikëqyrej dot, ishte vetëm e fshehta e përbërjes së vetë lëndës së barërave. Ato vinin nga Franca dhe bliheshin në farmaci të ndryshme të Parisit. Këto zgjidheshin në momentin e fundit, le të qenë edhe dhjetëra kilometra larg apo në një qytet tjetër, ku për të patur siguri maksimale, kishin vendosur t'i merrnin. Atë paradite, Shahu e vizitoi vilën dhe kërkoi të shihte edhe vendin ku Hoxhës i mbaheshin ilaçet e përdorimit të përditshëm. Qe një dollap si kasafortë. Atje çdo gjë ishte tejet e pastër dhe e sistemuar në një mënyrë të tillë që, edhe në rast hutimi, barërat në formë hapjesh apo ampula, nuk mund t'i ngatërroje, veçse me dashje. Në një nga sallonet mbi syprinën e një tavoline afër një kolltuku, ku thanë se pushonte Enver Hoxha, Shahu pa një palë syze. I mori me kujdes dhe pa i vënë u përpoq të kuptonte se të çfarë numri ishin.
-Janë minus 16, - i tha shefi i grupit shoqërues.
Ai ngriti sytë t'i shfaqte habinë e tij, por tjetri nuk kishte nevojë t'ia bëje pyetjen me fjalë, i mjaftonte vështrimi:
-Po e dërrmon diabeti, - shtoi.

(vijon)


Rrëfimi i oficerëve të Ministrisë së Brendshme për urdhrin që zbatuan në juglindje të Tiranës

Kështu i pushkatuam ish-ministrat e Brendshëm

...Kishte qenë korrekt me rregullat e ligjet e kohës dhe qe përpjekur t'i zbatonte sa më mirë. Kur ndonjë gjë nuk e kryente mirë, i rikthehej vullneti ta ribënte. Kur qe specialist në uzinën mekanike "Partizani", kjo donte të thoshte se një instrument i punuar me përmasa të pasakta, duhej patjetër ritornuar, gjersa të arrinte përsosmërinë. Kur qe drejtor i saj, me procesin e vetëkontrollit të ndërgjegjes dhe korrigjimit të gabimeve, kuptonte se në rast që për nevojat e familjes shqiptare duhej prodhuar një lavatriçe, ajo patjetër meritonte të bëhej sipas markës më të mirë të mundshme. Ndërsa punoi si sekretar i parë partie i një rajoni të Tiranës, apo i dy qyteteve ku e transferuan, ishte përpjekur të qe sa më i afërt me njerëzit dhe hallet e tyre. Po të ndodhte që mbi fatin e një personi kishin mëshuar më tepër nga sa duhej, duke qenë se posti i jepte fuqi të mëdha, kujdesej që në rastin më të parë të mundshëm, pesha e tepërt të hiqej. Më vështirë për ta bërë këtë vetëpastrim i kishte ndodhur kur qe zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Ai ishte një institucion i frikshëm edhe për të vetët. E kishte vuajtur këtë dramë një natë të errët të fillimshtatorit 1983, kur akoma gdhirja nuk pati dhënë asnjë shenjë. Për shkak të një ënjtjeje të grykëve, e shoqja gjithë natën kishte patur temperaturë. Me aspirina dhe pas djersitjeve, duke u ndërruar më në fund, zjarrmia ishte ulur në kufirin e 37 e gjysmës dhe kështu, të dy, rreth orës katër i pati mundur gjumi. Zilja e telefonit ndoshta kishte një kohë të gjatë që binte, por sapo e ndjeu e kapi menjëherë dorezën. Ora mbi murin përballë shtratit tregonte gjashtë.
Në receptor dëgjoi zërin e njërit prej drejtorëve.
-Duam të pimë një kafe me ju.
Ishte një tingull i venitur
-Ku jeni?, - i pyeti
-Në klubin tonë, - i erdhi përgjigjja krejt me zë të shuar.
U ngrit përgjysmë dhe i vuri pëllëmbën e dorës mbi ballë së shoqes. Qe e freskët dhe ajo po flinte thellë. U çua me kujdes, shkoi në kuzhinë, u vesh dhe pa futur gjë në gojë, doli nga shtëpia. Prej andej, deri te Klubi i Ministrisë së Brendshme, me një ecje të zakonshme, mjaftonin vetëm tetë minuta. Dy kolegët i gjeti të gremisur në një skaj të sallës së madhe. Sapo e panë që hyri, i bënë shenjë. Nxitoi drejt tyre dhe kur iu afrua, vuri re se nuk kishin forcë t'i dëshmonin ndonjë gëzim. Përse e patën thirrur për ta pirë kafenë kaq herët? Kur më në fund u ul, vuri re se drejtori që e telefonoi qe në fytyrë krejtësisht i zbehtë. Tjetri mbahej, por edhe atij i dukej sikur gjaku me kohë i kishte fituar nga cipa e lëkurës. Ajo ngjante me një fije letër. U erdhën kafetë, por asnjëri nuk i preku filxhanët. Për Shahun ishte e qartë se diçka kishte ndodhur dhe se pikërisht për të mësuar atë ngjarje të pazakonshme e patën telefonuar. Kishte një vit nga fillimi i detyrës në ministri, që pothuaj të gjitha pastrimet e aparatit qenë bërë, por nuk ishte çudi që nga lart të kishte mbërritur ndonjë stuhi tjetër. "Fshesat", siç i quanin, qenë një ngjarje fare e zakonshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ato lidheshin me çdo ndryshim personash në forumin e lartë të partisë së vetme në pushtet, Byronë Politike, sidomos kur atje shpalleshin armiq. Menjëherë pas kësaj, vihej në punë të plotë dikasteri i tyre. Ky ekzekutonte një për një të gjitha masat e ndëshkimit. Pasi e kryente këtë punë dhe më në fund, pritej të vinte falënderimi apo për ca kohë t'i liheshin të qetë në punën e tyre të zakonshme, binte mbi vetë ministrinë rrufeja e dënimeve. Niste aty gjuetia e njerëzve që mendohej se mund të kishin patur lidhje apo thjesht simpati me armikun e zbuluar dhe tashmë të internuar, burgosur, apo me fat të rrokullisur akoma më keq. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të gjithë punonjësit e dinin që dikasteri i tyre që valvul shkarkimi për të gjitha tensionet që krijoheshin pa pushim në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shumë afër diktatorit.
-E di ku kemi qenë?, - nxori një zë të dridhur drejtori.
Shahu mbajti frymën. Parandjeu një gjë të rëndë. Nuk ktheu përgjigje. Në të vërtetë kolegu i tij i kishte bërë vetëm një pyetje retorike. Përgjigjen do ta kthente po vetë:
-Kemi pushkatuar...
Kishte shqiptuar emrat e dy ish-ministrave të Brendshëm. Shahu ia nguli sytë, por tjetri nuk mundi dot të reagonte. Vështrimin e kishte si të një njeriu të rënë në agoni. Drejtori bëri të kapte filxhanin e kafesë, por e tërhoqi dorën. Shahu dalloi që ajo i dridhej.
-Pritëm sa të vinte skuadra e pushkatimit, sepse thamë se kjo punë do të përfundohej prej tyre, - belbëzoi tjetri, - por papritmas na urdhëruan t'i vrisnim ne.
Shahu ndjeu t'i hapej në kraharor, mes brinjëve, një vrimë e madhe.
Kishte dëgjuar që në ministri thuhej se ekzistonte një rregull sekret, sipas të cilit, armiqtë më të rrezikshëm të partisë vriteshin nga vetë anëtarët e udhëheqjes së saj. Përflitej se në vitin 1975, ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku qe pushkatuar sipas kësaj mënyre.
Pas një minute heshtjeje të rëndë, më në fund të dy kolegët ia shpjeguan se të dy shefat e tyre historikë i kishin pushkatuar ata. Gjithçka pati ndodhur nga ora dy e natës. Gropa qe hapur në periferinë juglindore të Tiranës dhe vetëm pastaj kishte mbërritur kamioni i mbuluar me mushama të zezë, dhe brenda pesë armiqtë e partisë. I patën zbritur dhe rreshtuar buzë saj. Njëri prej ish-ministrave, papritur kishte pyetur nëse Enver Hoxha e dinte çfarë po ndodhte me ta. Kur njëri nga oficerët që rrinin përreth e shau rëndë, ai kishte nisur të mallkonte. Pikërisht në këtë çast, ndërsa skuadra e pushkatimit kishte zënë pozicion, u kishin thënë se pati ardhur urdhri që mbi ta të qëllonin vetë njerëzit e ardhur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Treguan të tronditur se si e kishin urdhëruar më të vjetrin e tyre në moshë të kthehej me fytyrë nga gropa e hapët e të binte në gjunjë, se si më pas, me pistoletën e armatimit personal, e pati qëlluar në fund të zverkut. Krisja kishte qenë shumë e shurdhët. Sikur ta kishte qëlluar me predhën e një mitralozi të rëndë, ajo pati hapur menjëherë një vrimë të madhe të frikshme.
- Gjersa u hodhën sipër dhé për t'i mbuluar e gjithçka rreth e rrotull u maskua sikur të mos kishte ndodhur asgjë-mërmëriti rrëfyesi, - ora shkoi pesë e gjysmë. Erdhëm këtu dhe të thirrëm ty. Nuk dinim kujt t'i zbrazeshim.
Kafetë i pinë kur ato qenë bërë akull të ftohta.


2858
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI