Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Rrëfehet Nishani: Ç’mendoj për paraardhesit e mi, nga Ahmet Zogu te Bamir Top
Publikuar me 19 Qer 2012

Rrëfehet Nishani: Ç’mendoj për paraardhesit e mi, nga Ahmet Zogu te Bamir Top

Ju nuk keni ngjashmëri me presidentët e tjerë vetëm për shkak se jeni i treti ushtarak që është zgjedhur, dhe këtu kam parasysh formimin e Ahmet Zogut, Alfred Moisiut dhe ju, por jeni i treti President që mbani mustaqe. Bashkëshortja juaj nuk e ka pasur qejf këtë fakt dhe në intervistë ka deklaruar që ju ka thënë t’i hiqni. Ju më pas keni deklaruar, pasi i keni hequr, se kishit bërë një gabim që e keni dëgjuar. A mund ta komentoni këtë fakt sot?
Në fakt mbajtja e mustaqeve është për shkak të një dëshire për të pasur një ngjashmëri me tim gjysh, me babain e nënës, i cili ka pasur dhe ka lënë një ndikim dhe mbresa shumë të mëdha në jetën time, për disa arsye dhe më së shumti familjare. Ai ka qenë një personash shumë aktiv në mbretërinë e Zogut, si fillim, në kavalierin e tij, më pas i angazhuar në Luftën Nacionalçlirimtare, nga fillimi deri në fund. Ai ka qenë një personazh me një miqësi shumë të madhe dhe një shoqëri shumë të gjerë, më një karakter shumë të fortë dhe fatkeqësisht, humbi djalin e vetëm. Ai ishte maturant në atë kohë në shkollën “Skënderbej” dhe ka qenë kampion boksi në Shqipëri.

Cili është momenti që ju ka mbetur në mendje nga shkolla “Skënderbej”?
Natyrisht që pjesa më delikatë është kur përpara se të hanim drekën apo darkën, duhet të uleshim apo të çoheshim disa herë para pjatës.

Dhe ta mendosh që sot ky njeri është President i Republikës…?!
Normal që kjo është jeta njerëzore.

A mund të na shpjegoni, pasi si në media, ashtu edhe në rrjetin social Facebook, përmendet momenti i incidentit në Shkollën e Bashkuar dhe thuhet se ju keni qenë aty?
Në atë kohë unë kam qenë pedagog, pasi jam diplomuar në vitin 1988 dhe menjëherë pas diplomimit në shtator kam filluar punën si pedagog në Katedrën e Taktikës. Në ato ngjarje kam qenë vërtet atje, por në kundërvënie të atyre që kërkonin të rikthenin bustin e Enver Hoxhës. Kemi qenë në minorancë, bashkë me një grup kolegësh dhe studentësh të tjerë.

A mund të përmendni ndonjë student apo koleg, që kanë qenë me ju?
Patjetër mund të përmend z. Andrea Çuko, i cili ka qenë një nga pedagogët që ka inkurajuar lëvizjet demokratike; z. Hysen Arapi, i cili ka qenë gjithashtu në këtë lëvizje shumë inkurajuese për studentët. Nga studentët e mi që kanë qenë të përfshirë, mund të përmend Gjirosh Prendin, i cili është drejtues sot në Policinë e Shtetit.
Ka pasur edhe mjaft të tjerë, si Ilir Metaliaj, apo Vajdin Lame, i cili sot nuk jeton më. Në atë kohë unë kam pasur një situatë të vështirë psikologjike, madje mund të them nga më të vështirat e jetës sime, sepse për shkak të qëndrimit tim, mjaft kolegë të mi u distancuan dhe nuk uleshin as të pinin një kafe me mua.
Atëherë isha beqar dhe jetoja në godinën e pedagogëve që ishin beqarë në Akademinë Ushtarake dhe sa herë kthehesha pas orëve të mësimit në dhomën time, e gjeja garderobën të shqyer dhe të gjitha rrobat e mia të kontrolluara. Gjithashtu mund të përmend edhe një moment tjetër. Kushtet në atë kohë nuk kanë qenë fort të mira dhe nuk ka pasur veshje të shtrenjta, ndaj dhe unë kam pasur një xhup, copë parashutë dhe kishte qëlluar të ishte ngjyrë bojëqielli.
Me atë xhup unë dilja pasditeve dhe për shkak se kishte këtë ngjyrë, më akuzonin sikur unë doja të provokoja të tjerë përse e vishja këtë xhup blu. Këto kanë qenë arsyet përse u pozicionova në mënyrë të hapur, të cilat në fakt ishin dhe ato që më “ndëshkuan” në vitin 1997 kur u rikthye në pushtet PS-ja, fatkeqësisht në drejtim të Ministrinë së Mbrojtjes ku unë punoja. Në atë kohë sapo isha kthyer nga specializimi nga SHBA dhe isha ndër shqiptarët e parë që shkoja në një prej shkollave më të mira pasuniversitare, në Monterej të Kalifornisë. Ka qenë qëndrimi im dhe sjellja në vitet ’90, duke bërë që ata që kishin qenë drejtues të asaj kohe më larguan jo vetëm nga puna, por bashkë me familjen time jam nxjerrë në mënyrë jonjerëzore nga objekti ku unë rrija me qira, pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, pranë Ministrisë së Jashtme.

A jetoje me prindërit?
Jo, jetoja me bashkëshorten dhe djalin e vogël 2-vjeçar; ky ka qenë një ndër momentet më të vështira.

Z. Nano ju ka uruar?
Z. Nano më ka uruar personalisht, por edhe nga mjaft deputetë kam marrë mesazhe dhe telefonata.

A mund të na thoni emrin e ndonjë deputeti, apo shqetësoheni se mos z. Rama i ndëshkon ata nëse ju i thoni?
Jo, nuk besoj se z. Rama ka këtë filozofi, por nuk e lejon etika ta bëjë këtë, pasi ky është komunikim tërësisht personal.

Z. Topi ju ka uruar?
Kam marrë një mesazh urimi me sms.

Pra, Presidenti në detyrë nuk ju ka telefonuar?
Normalisht prisja të kisha një telefonatë urimi nga Presidenti, por gjithsesi kam marrë një sms urimi.

A ju kanë lënduar komentet që janë bërë rreth sëmundjes suaj? Tashmë ne jemi të qartë se çfarë ka z. President, pasi më shumë nga të gjithë ka qenë mjeku Petrela që e ka shpjeguar këtë fakt, por a jeni lënduar ju nga këto komente?
Jo aspak, pasi kjo ka qenë një çështje që unë nuk e kam mbajtur sekret. Së dyti, nuk është realisht një sëmundje në konceptin shkencor të fjalës, por një çështje estetike, e cila është në fazën e rikuperimit. Problemi shëndetësor ka qenë i papritur, që erdhi për shkak të një defekti të enëve të gjakut, të lindur, dhe përgjatë 45 viteve të jetës sime nuk kishte dhënë asnjë shenjë. Por për shkak të angazhimeve, mjekët specialistë në Finlandë më rekomanduan që për shkak të moshës dhe profesionit unë ta shmang dhe ta eliminoj këtë problem që kam.

Një nga komentet që qarkullon në shtyp lidhet me aludimet se znj.Topalli mund të ushtrojë detyrën e Presidentit nëse ju do keni nevojë për trajtim mjekësor…
Unë nuk kam nevojë për asnjë trajtim mjekësor, pasi kam pasur një dinamikë shumë të madhe pune në pozicionin e ministrit të Mbrojtjes duke përballuar situata shumë të vështira, ndaj jam i sigurt që dhe në pozicionin aktual të kreut të shtetit nuk do të më pengojë ta ushtroj detyrën në mënyrën më dinjitoze.

Megjithatë, akuza më e rëndë politike është se ju nuk krijoni probleme me shefin tuaj, z. Sali Berisha. Besoj i keni lexuar këto akuza?
Natyrisht, unë e ndjek median jo vetëm tani, por gjithmonë e kam ndjekur median me shumë vëmendje. Unë besoj që është një atribut pozitiv i çdo personi të përfshirë në politikë dhe në punët publike të mos krijojë konflikte me askënd, pasi nuk besoj se është aftësi të krijosh konflikte, por të mos i krijosh ato. Flas në gjykimin tim dhe mund të jem unë i gabuar, por ky është formimi dhe perceptimi im, dhe unë nuk krijoj konflikte as me Kryeministrin, deputetët e mazhorancës apo të opozitës. Unë kam një detyrë: të përmbush me dinjitet detyrimet e mia kushtetuese.

Më bëni një koment të shkurtër për familjen tuaj?
Familja është dhe mbetet gjëja më me vlerë dhe më e rëndësishme e jetës sime.

Cili është mendimi juaj për atë që tashmë nuk është vetëm bashkëshortja juaj, por edhe Zonja e Parë?
Ajo është pjesa më e rëndësishme e familjes.

Z. President, do të doja të bënit një koment për të gjithë paraardhësit tuaj presidentë, duke nisur nga Ahmet Zogu.
Tashmë jo vetëm nga qytetarët shqiptarë por edhe nga historia, ai është konfirmuar si një burrë shteti.

Po për Omer Nishanin, cili është komenti juaj?
Me aq sa kemi pasur mundësi të mësojmë edhe nga opinioni, ai ende mbetet një figurë paksa enigmatike në aktivitetin e tij, por ka qenë një personazh intelektual dhe kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja pse ai u eliminua nga diktatura.

Po për Presidentin Haxhi Lleshi?
Natyrisht që është pjesa më dogmatike e periudhës më të hidhur të historisë së Shqipërisë.

Mendimi juaj për Ramiz Alinë…
Besoj që është trashëgimtari i fundit i diktaturës, i cili ka përgjegjësitë e tij të mëdha për të gjitha vuajtjet që ka pasur Shqipëria gjatë periudhës së diktaturës.

A keni pasur mundësi që ta takoni?
Jo, asnjëherë.

Po për z. Berisha?
Është jo korrekte që të bësh komente të tilla për një personalitet të tillë si z. Berisha, i cili është në kulmin e aktivitetit të tij ende.

Megjithatë, për periudhën e tij në Presidencë mund të bëni një koment?
Jo vetëm që është Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, por ai ka ditur të përballojë me dinjitetin e një shtetari vështirësitë më të mëdha të një vendi në aspektet politike, ekonomike, sociale dhe shoqërore, që vështirë se një person mund t’u gjente zgjidhje në ato momente.

A është ai përgjegjës për ’97-ën?
Ngjarjet e ’97-ës janë një çështje shumë e komplikuar, që lidhen me një rebelim ndaj shtetit.

Komenti juaj lidhur me Presidentin Rexhep Meidani, cili është?
Z. Meidani ka krijuar një nga figurat më të respektuara në kohën e Presidencës në Shqipëri. Ka qenë një personalitet i botës akademike, por që diti ta artikulojë atë mençuri të akademizmit në politikë.

Por për z. Moisiu, i cili është ushtaraku i dytë në Presidencë?
Z. Moisiu ka manifestuar të gjitha përpjekjet e tij për të qenë i ekuilibruar në ushtrimin e detyrës.

Një koment për paraardhësin tuaj, z.Topi?
Këtë do ta them pasi të marr detyrën nga z. Topi, pasi ai është ende Presidenti ynë i Republikës.

Tetori apo diskutimi i statusit të Shqipërisë si vend kandidat në BE, a pritet të jetë momenti juaj më i rëndësishëm, pas marrjes së detyrës së Presidentit? A e parashikoni dot se çfarë do të ndodhë lidhur me këtë çështje?
Është dhe do të jetë momenti më i rëndësishëm për çdo shqiptar, që nga Presidenti i Republikës e deri tek qytetari më i thjeshtë i këtij vendi. Jam optimist dhe kam një ndjesi shumë pozitive, duke parë të gjithë ecurinë e deritanishme dhe mbi të gjitha duke parë e duke besuar në vullnetin e shprehur të aktorëve që kanë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Ndaj dhe besoj se do të jetë një nga momentet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe nuk do të jenë momentet e varjes së një dekorate, por momentet e vlerësimit të një shoqërie, vendi dhe një angazhimi të tërë.


1055
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI