Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Replike kundër Shmitt: Ja provat e vijimësisë iliro-shqiptare
Publikuar me 14 Shk 2013

Replike kundër Shmitt: Ja provat e vijimësisë iliro-shqiptare

nga: Moikom Zeqo
Duke shfletuar një koleksion të gazetës "Illyria" të vitit 1935, pashë një shkrim profesional për arkeologjinë, botuar në datën 31 dhetuer 1935 dhe me vijim në datën 4 kallnuer 1936 të një njeriu që nënshkruan Dr. Shyqri Demiri. Titulli i shkrimit është "Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve". Kam mbetur i befasuar kur e lexova, duke kuptuar se kisha të bëja me tekstin e një dijetari shqiptar i cili kishte fituar gradën shkencore Doktor në arkeologji.
Ja teksti i plotë i këtij shkrimi të rrallë:

ARKEOLOGIJA DHE AUTOKTONITETI I ILYRO-SHQIPTARVET
Gjurmimet arkeologjike në Shqipni gjinden ende në fillim. Okupacjonet e hueja pak a shum shkaktojshin nji pengim të ktyne gjurmimeve të dobishme për zhvillimin kulturuer të vendit t'onë, ku kanë lulzue qytetnime të ndryshme. Sot dy misjone arkeologjike, njani i kryesuem prej z. Leon Rey edhe tjetri prej z. L. M. Ugolini gjer më sot kanë bâm zbulime me rândësi të madhe t'epokave greke e romane. Mjerisht fushata e veprimevet të tyne âsht kufizue në Butrinto e n'Apolloni, dy vende klasike, kur se kërkimet në Shqipni të Veriut qi âsht tokë prehistorike e protohistorike, kanë mbetun djerr.

Nga shkencat arkeologjike, dega prehistorike-protohistorike, në kta vitët e fundit kanë marrë nji zhvillim të math. Rândësija mâ e madhe i âsht dhânë në Gjermani, ku janë tue u krijue kathedra njana pas tjetrës nëpër universitetet e ndryshme.

Kjo degë ka mâ shum rândësi për Shqipnín se sa për vende të tjera, sepse epoka prehistorike-protohistorike âsht arkeologji ilyrike e duhet të konsiderohet si nji shkencë kombtare dhe e domosdoshme për me ndriçue të kaluemit t'onë.

Asht e dijtun se kjo shkon krah për krah me kulturën klasike, mbasi në Shqipní përputhen të dy qytetnimet edhe në vorret e Ilyrvet gjindet importi grek direkt ase imitacioni i formavet.

Zbulime paleolithike mungojnë, po gjurma kulturore dalin piksëpari në fazën e fundshme neolithike.

Konstatohen katër klasë të gjuetunash, ndër të cilat âsht edhe nji thikë obsidiani qi u'gjet në Butrinto e me qênë se ky farë guri në Shqipní nuk gjindet po në ishullin e Melos, duken kjartas relacjonet qi kanë pasun banorët e këtushëm me vendet e largta të Mesdheut, qysh në kohët mâ të para (2500 p. Kr.). Në pikpamje ethnologjike kemi të bâjmë ktu me nji popullsi paraindoeuropiane, si duket me Pelasgët.

Në ktêkohë fillon invazjoni i indogjerman qi ishte nji popull i math, i ndamun në shum fise e djalekte. Mâ të përmendun nga kto fise ishin Grekët, Thrako-Ilyrët e Italikët.

Të parët qi u-shpërngulën nga Europa Qëndrore në Balkan ishin Grekët e mbas ktyne Italikët të cilët kapërcyen Adriatikun e u-hodhen n'Itali. Vendin e ktyne e zunë pastaj Thrakët e kta të shtrënguemun prej fisit mâ t'afërm të tyne, Ilyrvet, u shtýn prej Shqipnís së Mesme në pjesën lindore të Balkanit.

Me gjíth që Thrakët edhe Ilyrët ishin fqinjë me vendet ku dominonte qytetnimi mediterran linduer, nuk hýn në ket qytetnim përpara pushtimit roman.

Nga ky shkak, jeta kulturore e viseve dinarike, Bosnje, Herzegovinë, Mal i Zi e Shqipni ndahet në dy periudha të ndryshme: Kultura parahistorike (koha e hekurit me disa parafaza) edhe pjesmarrja në jetën provinciale, të perandoris romane.
Materiali i broncit i dalun deri sot nga nëntoka shqiptare, përmban: supata, supata dubel, supata me çekiç, etj., edhe koha që janë përdorun kto zgjatet nga 2200-1200 p. Kr. Arkeologu rumun Radu Vulpe në nji konferencë që mbajti në kongres të arkeologvet për prehistorín në London më 1932, pretendoi se supatat e gjetuna në Shqipní, po nuk qenë t'importueme, së pakti janë t'influencueme prej formave të supatavet që janë gjetun në Palestinë. Mirpo diferencat qi kanë kto me ato të Shqipnís janë shum të mdhaja, kurse afërsija ndërmjet tyne âsht aq e vogël saqi hypotheza e Vulpes konsiderohet si nji produkt fantazije.

Mbas ksaj faze hýjmë në Kohën e Hekurit. Mjerisht reliktet arkeologjike të daluna deri tash në dritë janë tepër të pakta, kurse ato duhesh t'ishin shum mâ të mdhaja se gërmimet që janë bâmun p.sh. mbrenda në nji gjymës shekulli në Bosne, ku zbulimet e vorrevet të vjetra t'Ilyrvet kanë pasun përfundime kolosale.

Historija na mëson se në viset e brekdetit linduer t'Adriatikut juguer ka qânë kulmi kulturuer ilyrik, e passi shteti i parë ilyrik u-themelue ktu, triumfin mâ të math kanë me e pasun ata brenda njij kohe shum mâ të shkurtën ktu.

Në Kohën e Hekurit, shkaktohet gjatë eksistencës së saj dasija kulturore e Shqipnís. Kurse në Shqipnin e Veriut zhvillohen të dy epokat e Kohës së Hekurit (Hallstatt e La Tene), merr Shqipnija e Mesme, ajo e Jugut e Maqedhonija krejt nji zhvillim tjetër (me përjashtimin e enklavave greke: Lissos, Epidamnos, Orikum, Chimara, Panormus, Aulon, Onchesmus, Buthroton, Phoenica, Amantia, Byllis, Apollonia).

Ndër këto vise konstatohet nji përiudhë e parë e Kohës së Hekurit me karakter nordik edhe nji kohë e vonshme, ku dominon influenca e madhe greke. Nekropolet e pasuna të Trebenishtës afër Strugës janë shëmblla mâ e mira.

Me kolonizacjonin grek në fundin e shekullit VII fillon epoka protohistorike e Shqipnís, ajo epokë e cila dëften se Ilyrët bashkë me kta edhe Thrakët, Gjermanët etj. gjinden akoma pak a shum n'epokën prehistorike, mirpo situata e ktyne kulturore âsht ndriçue prej nji populli fqi mâ të përparuem në pikpamje literare, mbasi kta, në kontakt me qytetnimin e naltë t'Orientit, kishin pasun nji zhvillim të posaçëm e shum mâ të shpejtë. Inventari i formave mâ të shumta t'epokës së broncit hýn n'epokën hallstattiene.

Mâ fort konservative âsht typologija e objekteve që përdoreshin për zbukurim, si spiralet, pllakat, rrethet, ornamentika, gjylpanat dubel, qeramika edhe typi i vorreve tumulus ose vorre rrafsh.

E gjithë kjo zgjatje e ktyne formave prej kohës së broncit deri n'atâ të hekurit i rrëxon pretendimet e bâmuna prej arkeologut inglis Stanley Casson në librin e vet "Macedonia Thrace and Illyria - Oxford 1926" i cili e lên të ngjajë imigracionin e Ilyrvet në shek. VII e VIII. Kongruenca e sipërpërmendun nuk lejon ndonji ndrrim popullsije në ket kohë. Vendet ku janë zbulue deri sot vjetërsinat e Kohës së Hekurit në Shqipni janë: Laçi, Ungrej, Dushmani, Maladzi. Ungrej ka nji synkronologji me Trebenishtën d.m.th. fundin e shek. VI p. Kr.
Nekropolet mâ të fundshme t'Ilyrvet të kohës parakrishtênë - jo klasike konstatohen në kufinin e Shqipnís në Medun të Malit-Zi. Në kto vorre të shek. III p. Kr. shifet kjartas fillimi i penetracjonit të kulturës romane. Prej Meduni humbin zbulimet, dhe deri në Koman 600 mbas Kr. konstatohet në pikpamje arkeologjike nji vacuum.

Rráll ka eksistue ndonji problemë mysterioze qi t'i két okupue arkeologët kaq shum sa ajo e Komanit. Zgidhja e saj aq e vështirë shkaktoi nji polemikë të rrepët ndërmjet qëndrave kulturore të Kontinentit Paris, Berlin, Ëien, Romë.

Dy pyetje kryesore pritshin përgjigjen. Kush janë ata të vorruemit e kúr janë vorruem. Randësija qi ka Komani shifet prej bibliografís përkatse të posht-shënueme: A. Degrand. "Souvenirs de la Haute-Albanie," Paris; Th. Ippen: "Ëissenschaftliche Mitteilungen aus Bosnien und Herzegovina" vol VIII e IX ; Baron Nopsca "Ëiss. Mitt. Bos. Herzeg." vol. XI e XII; S. Reinach: "L' Anthropologie," Paris 1901; P. Traeger; "Zeitschrift fur Ethnologie" vol. XXXXII, XXXIII, XXXIV Berlin; L. Ugolini "Albania Antica" vol. I. Roma 1927; L. Ugolini L"Antica Albania" Roma 1929; L. Rey "Albania Nr. 3." Paris 1928.

Prej materialit të Komanit, nji pjesë e vogël gjindet në museum kombëtar në Tiranë, nji pjesë tjetër në kolekcjonin e Etënve Jezuitë e Franciskanë në Shkodër, kurse pjesa tjetër gjindet në Paris, Berlin e Ëien mâ tepër në kolekcione private.

Në buzën e majtë të Drinit, në Veri-prendim të Pukës bie katundi Koman me nekropolin Kalaja e Dalmacjes.

Emni kala ktu nuk justifikohet aspak, mbassi nuk ka as gjurma as shënja muresh. Nenprefektura e Pukës hýn në zonën e koncesjonit të misjonit arkeologjik francez. Vorret janë si arka guri të formueme prej rrasash e gjinden në to nji ase mâ shum të vorruem. Deri sot nekropole të tjera, përveç atij të Komanit, nuk janë gjetë.

Janë zbulue disa vorre afër Krujës e disa të gjetuna sporadike janë bâmë prej Shkodre deri në Durrës. Mbassi të gjitha kto të gjetuna kanë afërsí me nekropolin e math të Komanit atëherë formon ky nji qark kulturuer. Qarku kulturuer i Komanit ka zgjatun prej 600-800 mbas Krishtit d.m. th dy shekuj me rradhë âsht përdorun nekropoli i Komanit prej shum breznivet.

Nji sipërparmje e bâme në materialin e zbuluem mjafton të na bâjë të kuptojmë se Komani ka afërsí të madhe me dy nekropole të tjera: Keszthely t'Ungarís e Kettlach t'Austrís. Të dy kto nekropole lozin nji rrol të math në kulturën e kohës së trazimeve të popujvet. Të vorruemit në Keszthely janë Avarët, kurse ata në Kettlach janë Slavët.

Kulmi kulturuer i a mrrinë Keszthely përpara, kurse Kettlach vjen mbas Komanit. Afrimi i Komanit me Kettlach po i shtynë disa arkeologë slavë të reklamojnë Komanin për vehte. Për arsyena qi po kallzojmë mâ poshtë, theksimi i slavitetit âsht pa vend dhe ilyriciteti formon karakterin e vorreve të Komanit. Analyzimi i materialit na ep ket përfundim:

1) Pjesa ilyrike para-romane 2) pjesa romane provinçiale 3) influenca e madhe avare 4) influenca byzantine.

Nëpër vorret e Slavëvet, material pararoman deri sot nuk âsht gjetun. Përveç ksaj, Slavët kur u dërdhen nëpër Ballkan në fillim të shekullit VI mbas Kr. e kishin zakon që i digjshnin të vdekunit e vet e për ktê arsye nekropole slave kaq të hershme si ai i Komanit nuk eksistojnë. Vorret e para të Slavëve fillojnë në shekullin IX.

Elementi mâ karakteristik i pjesës romane provinciale âsht fibula me kâmbën e shpërdredhun.

Forma mâ e afërme e ksaj fibule si në pikpamje typologjike ashtu edhe kronologjike u-gjet në Debelo Brdo të Sarajevës (400 mbas Kr.)
Pjesën mâ të konsiderueshme t'inventarit të nekropolit të Komanit e influencojnë Avarët. Qëndrimi ase influenca e ktyne në Shqipni kuptohet mâ mirë prej thesarit që u'gjet në katundin Vrap të Peqinit, pjesa mâ e madhe e të cilit u-zhduk e vetëm nji pjesë e vogël u-ba objekt i nji botimi nga ana e profesorit Josef Strzygourski të Ëien-ës me titullin "Altai, Iran und Volkericanderungszeit" Ëien 1917.

PREJ AVARVET U HUAJTEN SI PROVINCIALËT ASHTU EDHE SLAVËT.
Elementet mâ karakteristike t'influencës avare janë vathët e veshit e të tamlavet të krés të quejtun ashtu, mbasi u-gjetën në vendin e tamlavet të të vdekunvet lidhun me nji lidhje rreth krés. Kto lloj vathësh gjinden me shumicë si në Koman ashtu edhe në nekropole të tjera të Balkanit. Me gjith influencat e pushtimevet të hueja ky popull konservativ mujti me i bâ báll rrezikut të çkombsimit që i vinte nga ana romane e slave.

Ruejtja e traditavet âsht aq e madhe, sa që Baron Nopsca konstaton pothue identitet në format e kostumevet të gravet t'epokës kulturore të Mykenës me kostumet e sotshme të Malsís së Shkodrës. Rezultati i hetimevet arkeologjike rrëzon hypothezën e bâmun prej shkencëtarit rumun Parvan, i cili i lên Shqiptarët të shpërngulen prej Rumanije e t'imigrohen në fillim të Kohës së Mesme në Shqipni si nji popull barijsh të romanizuem.

Albanologu i Ëien'ës Norbert Jokl në hetimet linguistike që bân, i afrohet rezultatit të hetimevet historike bâmun prej profesorit Constandin Jirccek. Ky e lên popullin e Ilyrvet të shpërngulet prej malevet ndërmjet Dalmacis e Tunës në kohën e trazimevet të popujvet e të shtýhet në viset jugore.

Kjo, në nji anë do t'ishte e mundshme mbasi në Debelo Brdo u-gjet forma mâ e afërt e fibul-ës së Komanit, po m'anë tjetër faktet anthropologjike kundërshtojnë nji shpërngulje kaq të madhe, mbasi komponenti ilyrik në popullsin slave të sotshme të viseve dinarike shkon mâ tepër se 50Ç.

Përveç ksaj mbas hetimeve të bâmuna prej Milan Sufflay Ilyrët e romanizuem nëpër qytetet konstatohen deri më 1000 mbas Kr. e me ktê bâhet i mundshem edhe kontinuiteti i popullsís që banon larg qytetevet. Elementet ilyrike para-romane të Komanit dalin në dritë së pari në fund të epokës hallstattiene e në fillim t'epokës La Tene d. m. th. rreth shek. VI para Krishtit.

Format e ktyne epokave janë kongruente me atê të broncit e kështu pra ky përfundim i kontinuitetit të formavet prej 2000 p. Kr. ka për konsekuencë autoktonitetin e popullit shqiptar gjatë 3000 vjetve mbasi pas invazionit slav popuj të tjerë nuk janë imigrue në Shqipni mâ e në të vorruemit e Komanit kemi Shqiptarët e hershëm.

Nji rezultat definitiv mund të marri zgjidhja e problemës s'autoktonitetit të Shqiptarvet në qoftë se fillohen gërmimet në Shqipni të Veriut ku deri sot nuk âsht bâmun asnji gërmim systematik.

Ktu do t'ishte mirë që nji nga misjonet e naltpërmenduna arkeologjike të fillonte sa mâ parë gërmime, nga të cilat do të derdhesh dritë mbi epokën protohistorike-ilyrike që na intereson né Shqiptarët mâ tepër se sa për kohën klasike.


1168
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI