Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Raporti per 1997, Safet Zhulali: Te goditet burgu ku rri Nano
Publikuar me 16 Maj 2007

Raporti per 1997, Safet Zhulali: Te goditet burgu ku rri Nano

Një çështje e cila përbën objekt analize të komisionit, është edhe problemi i domosdoshmërisë së vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Në qoftë se do ta shohim këtë çështje nën një prizëm strikt juridik, konstatojmë se në Kushtetutën aktuale, ajo përmendet vetëm një herë dhe vetëm në kompetencat e Presidentit neni 28, pika 17. ....
Të gjitha këto çështje nuk marrin asnjë përgjigje të saktë nga strukturat juridike dhe konstitucionale të shtetit aktual. Por në anën tjetër, është pikërisht kjo paqartësi e plotë juridike e cila solli miratimin e ligjit nr. 8195, datë 3.3.1997, që nxori Kuvendi Popullor “Për disa masa për gjendjen e jashtëzakonshme”.
Brenda kësaj inkonseguence dhe paqartësi juridike, si dhe brenda defekteve konstitucionale që përmendëm më lart në lidhje me kompetencat e Parlamentit, shoqëria është ndodhur përballë këtij fakti juridik të pamotivuar.
Komisioni disponon një bazë të gjerë dokumentare, të përbërë nga plane e karta operacionale luftarake, nga urdhra për mobilizim të pjesshëm, zhvendosje trupash, dhe armatim të lehtë dhe të rëndë luftarak drejt Jugut të Shqipërisë nga ana e ushtrisë, urdhra për armatosjen e strukturave të Ministrisë së Brendshme, Gardës dhe SHIK-ut me armatim të rëndë, si raketa e topa, transportues të blinduar, mitralozë, granata etj.
Të gjitha këto urdhra të dhëna nga drejtuesit e ushtrisë, si Safet Zhulali, Adem Çobani, Leonard Demi, Halit Shamata, Asllan Bushati etj, u shoqëruan me veprime goditëse luftarake kundër popullsisë së qyteteve kryesore në Jug, duke filluar nga mitralime e goditje me raketa nga ajri, e deri tek përgatitjet për goditje me lëndë helmuese për shkatërrimin e urave kryesore të vendit, si ajo e Rrogozhinës e Mifolit etj.
Pa dashur të zgjatemi këtu, mjafton të përmendim shkurt sa për ilustrim, se gjatë periudhës 25.1.1997-9.3.1997, vetëm S. Zhulali ka lëshuar 22 urdhra për përdorim të aviacionit, për bombardimin dhe goditje të tankeve dhe mjeteve të transportit deri mbi burgun e Bënçës dhe urdhra për hedhjen në erë të urës së Mifolit.
Janë 42 fonograme dhe telegrame të Adem Çobanit për mobilizimin dhe kompletimin e rretheve Kukës, Pukë, Burrel, Shkodër, me synim marshimin drejt Jugut. Janë dhjetëra urdhra të Sheme Kosovës për marrje në ruajtje të objekteve nga ushtria dhe synimin e lëvizjes së lirë në rrugëkalimet e gjithë Shqipërisë, për lëvizjet e trupave, të tankeve e forcave komando, në drejtim të Fier-Vlorë. Po kështu, janë dhënë dhe disa urdhra jashtë çdo kompetence të Leonard Demit, siç është ai me nr. 42 të datës 5.3.1997, për t’i dorëzuar SHIK-ut kompaninë e raketave kundratanke (kjo kërkohet nga reparti 8800 Tiranë). Urdhri 55, datë 6.3.1997 për vënien në gatishmëri dhe përdorimin e aviacionit, urdhri luftarak nr. 2, datë 5.3.1997, drejtuar forcave detare për vënien në gatishmëri dhe për të bashkëvepruar me forcat e SHIK-ut dhe Ministrisë së Brendshme, si dhe për të realizuar veprime luftarake me një çift avionësh (për të goditur portin e Sarandës). Radiogrami nr. 5, datë 2.3.1997 i L. Demit drejtuar komandantit të rep. 7799 Shijak, për t’u përgatitur me materiale e mjete për hedhjen në erë të urës në Qafën e Sokolit në Rrogozhinë (këtu kemi dhe urdhrin e pushtetarëve lokalë të Kavajës, që nxitën forcat rezerviste të zinin prita në Qafën e Sokolit për të pritur vlonjatët që gjoja po vijnë në drejtim të Kavajës). Duket qartë se kemi të bëjmë me pragun e një lufte civile, për kundërvënien e një krahine ndaj një krahine tjetër.
Jo pak urdhra, fonograme, telegrame kanë lëshuar dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sheme Kosova, për lëvizje mjetesh e trupash dhe për kalimin e tyre në dispozicion të SHIK-ut dhe të Ministrisë së Brendshme, siç është urdhri nr. 34, datë 28.2.1997, për lëvizjen e trupave nga Tirana për në Fier (trupat komando) dërguar rep. 8800 Tiranë dhe pritës rep. 6600 Fier, po ashtu urdhri nr. 35, datë 1.3.1997, për lëvizjen e brigadës së tankeve të Zall Herrit për në Fier (janë gjithsej 19 urdhra, nga 3-12, datë 13-22.1.1997, për sigurimin e lëvizjes së lirë të forcave).
Safet Zhulali e Sheme Kosova informojnë Sali Berishën me shkresën nr. 250, datë 8.2.1997, për zbatimin e detyrave të dhëna Ministrisë së Mbrojtjes, ku theksohet se “sipas detyrave tuaja verbale, kemi marrë në ruajtje dhe disa objekte private në Fier (Gjallicë) në Vlorë e Gjirokastër. Të shtohen në urdhrin tuaj, sepse janë pronë private”.
Ekzistojnë 10 urdhra të kundërligjshëm që ka lëshuar Bashkim Gazidede me cilësinë e komandantit të operacionit, që shkojnë deri në arrestimin e kuadrove që nuk ju bindën urdhrave të tyre, siç është rasti i shefit të Shtabit të Brigadës së tankeve Zall Herr, z. Bajram Hamzallari dhe komandanti i Brigadës së Tankeve Laç, z. Pëllumb Lame. Këto janë urdhrat respektivë nr. 28, datë 4.8.1997 dhe nr. 30, datë 4.1997, të firmosura dhe nga Adem Çobani. Urdhri tjetër urgjent, nr. 82, datë 9.3.1997 dërguar rretheve Has, Kukës, Tropojë, Pukë, Mirditë, Shkodër, Burrel, Dibër, Kurbin, Lezhë, Malësi e Madhe, ku thuhet: të gjithë rezervistët të përgatiten, të vishen, të armatosen dhe të paraqiten urgjent në Shkollën e Bashkuar.
Në rast se do ta shohim me vëmendje situatën shoqërore brenda revoltës së saj, në momentin e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, në datën 3.3.1997 dhe precipitimin e ngjarjeve më pas, konstatojmë se menjëherë pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe përplasjen midis SHIK-ut dhe popullit në Vlorë, vërejmë se në mënyrë të rrufeshme në territorin jugor të Republikës së Shqipërisë shpërthehen depot ushtarake dhe popullsia civile armatoset në mënyrë krejt spontane dhe të pakontrolluar me qindra mijëra armë automatike të kalibrit të lehtë dhe të rëndë, armë antitank, mortaja etj. Pikërisht në këtë sfond politik të tensionuar duhet parë në sensin e saj të kundërvënies, edhe veprimi për rizgjedhjen e Sali Berishës President nga Parlamenti. A ndikoi në qetësimin e situatës ky veprim? Zhvillimi kronologjik i ngjarjeve që rrodhën më pas, dëshmuan pikërisht se situata me rizgjedhjen e sforcuar të Berishës President jo vetëm nuk u qetësua, por u acarua më tej.
Kështu, Komisioni konstatoi se në këtë kohë nga strukturat e Ministrisë së Brendshme, Gardës së Republikës, SHIK-ut, u janë shpërndarë armë personave civile me preferencë politike. Kemi të dhëna se një shpërndarje e tillë armësh me lista është nxitur e motivuar nga disa drejtues të pushtetit lokal, si masa “për të mbrojtur shtetin dhe qeverinë nga kryengritësit” dhe “rebelët e Jugut” nga “kërcënimi komunist” për të rrëzuar qeverinë, ku veçanërisht më aktive rezulton se janë treguar Shaban Memia në zonën e Tiranës, Sabah Jemishta në zonën e Durrësit, Ibrahim Mullaliu në Kavajë, Blerim Çela në Progonat etj.
Ne mendojmë se administrata e lartë shtetërore, drejtuesit kryesorë të shtetit e humbën ekuilibrin në këto çaste dhe me mendjengushtësi, e konceptuan revoltën që kishte plasur në Jug si një përplasje zonale Jug-Veri. E themi këtë, sepse nga materialet që disponojmë, edhe mobilizimi i pjesshëm ushtarak bëhet vetëm në zonat veriore për të goditur Jugun, ndonëse brenda soliditetit të unitetit kombëtar vetë këto zona nuk i janë përgjigjur këtij lloj mobilizimi, gjë që tregon se për këtë çështje koshienca e popullit ka qenë më e lartë se koshienca e politikës që e qeveriste atë.
6. Brenda kësaj analize faktike që i bëjmë momentit të gjendjes së jashtëzakonshme, pasi analizuam momentin defektoz të strukturave juridike, kundërvënien e shtetit ndaj revoltave paqësore të popullsisë, patjetër që shtrohet çështja, se për ç’arsye në krye të shtabit që drejtonte gjendjen e jashtëzakonshme u vendos kryetari i SHIK-ut, Bashkim Gazidede. A ishte i ligjshëm dhe i motivuar ky veprim i Presidentit të Republikës?
Në lidhje me këtë, Komisioni u detyrua që të shihte në mënyrë të përgjithshme se si ka funksionuar gjatë periudhës 1992-1997 institucioni i SHIK-ut. Me keqardhje konstatojmë se SHIK-u në veprimtarinë e tij, është lejuar të dalë jashtë strukturës ligjore që përcakton në mënyrë të prerë veprimtarinë e tij dhe pa asnjë bazë ligjore, ka ndjekur dhe survejuar opozitën në veprimtarinë politike të saj, si dhe liderë politikë që ndërkohë kanë qenë deputetë të Kuvendit Popullor.
Duke qenë se shoqëria shqiptare ka vuajtur shumë në të kaluarën nga përdorimi i policisë sekrete politike për survejime masive të shoqërisë, pa asnjë kriter dhe barbarisht, mendojmë se për funksionimin e SHIK-ut në periudhën 1992-1997, të ndërmerret një hetim serioz nga Parlamenti me pjesëmarrjen e domosdoshme të opozitës, në mënyrë që të ndërpritet njëherë e përgjithmonë momenti abuziv në institucionin e SHIK-ut, në mënyrë që të mos rëndohet edhe më tej emocionalisht psikika shoqërore, e cila ka vuajtur për një periudhë shumë të gjatë nga prezenca e policisë sekrete politike në gjirin e saj. E shohim këtë si një gjë të domosdoshme në ecurinë e konsolidimit të demokracisë dhe në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në shoqërinë tonë.
Në funksion të këtyre që shprehëm, vendosja e kryetarit të SHIK-ut si komandant i operacionit për shtypjen e revoltave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, e ka acaruar më tepër opinionin publik dhe mendojmë se është një nga shkaqet ose arsyet, që popullsia civile e rriti edhe më tepër shqetësimin e vet në lidhje me rrezikun e situatës për kundërveprim me dhunë.
Vendosja e kreut të SHIK-ut në detyrën e komandantit të përgjithshëm vjen në kundërshtim me ligjin nr. 7553, datë 11.12.1991, ku thuhet se “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm përgjigjet përpara komandantit të përgjithshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, për përgatitjen dhe gatishmërinë luftarake të ushtrisë, si dhe për drejtimin dhe organizimin e operacioneve luftarake”.
Nga dokumentet që disponojmë, të bën përshtypje se ndonëse Bashkim Gazidede, komandant i operacionit, firmos nën tagrin e gjeneralit, deri tani ne nuk kemi gjetur asnjë dekret presidencial me anë të të cilit, gjithmonë sipas ligjit, ky të ketë marrë gradën e gjeneralit. Kuptohet se një fakt i tillë është tepër sinjifikativ, për të mbërritur te konkluzioni se shteti në këto momente e ka humbur sensin ligjor dhe logjik, gjë kjo që padyshim e ka çuar edhe më tej destabilizimin e vendit, ku pa dyshim përgjegjësinë kryesore për këto veprime e mban ish-Presidenti Sali Berisha si drejtues i vendit, i cili edhe në këtë rast, duke vënë në krye të operacionit luftarak kryetarin e SHIK-ut, ka shkelur rëndë kompetencat e tija, ligjin për Forcat e Armatosura dhe dispozitat kushtetuese, neni 28/1.
Në lidhje me këtë duhen analizuar edhe fenomeni i shkatërrimit të ushtrisë, që zë fill me momentet e dezertimit të forcave të operacioneve të drejtuar nga Gazidede, si në Fier, si dhe ngjarjet e Përmetit në 9 mars, pikërisht në ditën që Berisha shpalli armëpushimin, ku ushtria dhe SHIK-u goditën dhe vranë në pabesi 6 njerëz të pafajshëm për të cilat disponohen dokumente. Kështu, repartet e ushtrisë të ardhura nga Veriu, nën komandën e oficerëve Përparim Gega dhe Flamur Mello dhe forcat e SHIK-ut të drejtuara nga gjeneral Bujar Rama, goditën e vranë në Përmet 6 persona të pafajshëm (në Përmet deri një orë përpara masakrës ka qenë edhe S. Zhulali).
Në këto ngjarje zë fill edhe shpërbërja totale e ushtrisë. Realiteti i shtetit shqiptar i kësaj periudhe dëshmon qartë se drejtuesit e këtij shteti e shkatërruan ushtrinë, (forcat ushtarake, policinë, SHIK-un, rendin, gardën). Përballë këtij fakti, ne çmojmë si veprim antiligjor dhe krijimin nga ish-Presidenti Sali Berisha i një formacioni tjetër special (garda dy), në përbërje të njerëzve të rekrutuar pa kritere ish-kriminelë, veprim i cili i ka kushtuar 100 milionë lekë për ta përdorur atë për qëllimet e tij, saqë në strukturat e armatimit të kësaj garde u vendosën edhe raketa.
Krijimi i kompanisë së dytë operative prej 111 vetash si strukturë ushtarake pranë Presidentit, u bë në kundërshtim me nenin 15 të ligjit nr. 7602, datë 9.9.1992, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, i cili thotë se në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, në vartësi operative të Gardës së Republikës dhe vetëm me urdhër të komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kalojnë njësi dhe reparte të ushtrisë, të cilat parashihen në planin operativo-strategjik të mbrojtjes së vendit”.


3107
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI