Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Radikalizimi i islamit, rrezik apo fobi?
Publikuar me 17 Gus 2012

Radikalizimi i islamit, rrezik apo fobi?

“Koha Ditore” ka publikuar sot një hulumtim të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese me temë “Radikalizimi i islamit, rrezik apo fobi?” Shkëputëm disa fragmente nga ky hulumtim interesant.

Kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, nuk i pengon bashkëpunimi i rregullt dhe pranimi i fondeve nga një organizatë arabe që ndër të tjera, shteti amerikan e konsideron përkrahëse të terroristëve. Organizata Al Waqf Al Islami ka kohë që i jep edhe fonde Bashkësisë Islame të Kosovës, për ndërtimin dhe rindërtimin e xhamive. Në kablogramet e ambasadave amerikane në Maqedoni dhe Holandë thuhet se kjo organizatë përkrahë pjesëtarë të organizatave terroriste ndërsa emri i një prej krijuesve të saj në Holandë ka dal si pjesë e listës së 20 biznesmenëve arabë që e kanë financuar Al Qaedan. Në Kosovë kjo organizatë ka zyrat e veta pak a shumë 100 metra larg Ambasadës Zvicerane në Prishtinë, ndërsa fondet e saj ndërtojnë e rindërtojnë xhami në Kosovë me kërkesë të BIK-ut. Al Waqf Al Islami është dhe në listën e organizatave të dyshuara për përhapje të ideve radikale fetare të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, të cilën e ka parë Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese.

Në kabllogramin e Ambasadës Amerikane në Shkup, me numër reference “09Skopje95” e dërguar në Washington nga Ambasadori Philip Reeker te pjesa “Terrorizmi Ndërkombëtar”, shkruan kështu:

“Në Maqedoni dhe rajon ka OJQ që ofrojnë përkrahje për individë që janë pjesë apo i simpatizojnë disa grupe terroriste. Këto OJQ përfshijnë Al Waqf Al Islami, Al Haramein, Bamirësia dhe të tjera”.

Udhëheqësi i kësaj organizate në Kosovë është mjeku arab Abdur Rozzaq, ndërsa në një kërkim të thjeshtë në internet del se një nga udhëheqësit kryesor të saj, Ahmad Al Hussaini, në Eindhoven të Holandës ku ishte krijuar kjo organizatë, ka qenë një nga 20 biznesmenët më të mëdhenj arabë që e kanë financuar organizatën më të madhe terroriste në botë, Al Qaeda. Kjo është thënë edhe në raportin e kompanisë amerikane, JCB Consulting, e cila nga familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA ishte kontraktuar që të gjente ata që financonin organizatën e cila deri vonë është udhëhequr nga Osama bin Laden. Kështu thuhet në blogun “freerepublic”, duke e cituar raportin e kompanisë amerikane, “JCB Consulting” ku shkruan se emrat e financuesve të Al Qaedas janë hartuar nga vetë organizata e Osama bin Laden. Kjo listë është gjetur pas bastisjeve të zyrave të një fondi humanitar “Benevolence International Foundation” në Sarajevë. Këto bastisje janë bërë nga policia boshnjake në vitin 2002 në bashkëpunim me FBI-në amerikane.

Ndërkaq para dy vjetësh në Bullgari, udhëheqësi i Al Waqf Al Islami në këtë shtet ishte arrestuar në fshatin Sarnitsa në qytetin jugor Pazarxhik, me dyshimin se aktivitetet e kësaj organizate janë “kërcënim serioz për sigurinë e Bullgarisë”.

Dega e kësaj organizate në Kosovë rregullisht i pranon kërkesat e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës që të ndërtojë xhami të reja, apo të rindërtojë ato të dëmtuara. Një prej tyre është dhe xhamia në fshatin Bajçinë të Podujevës për të cilën nga llogaria e Al Waqf Al Islami kanë kaluar 20 mijë euro në llogarinë e BIK-ut në Prishtinë.

Transferimi i këtyre mjeteve është konfirmuar zyrtarisht nga përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, por ata nuk e besojnë që kjo organizatë të jetë e tillë çfarë dyshohet edhe nga organe të shtetit të Kosovës.

Ky tregim nuk përfundon me kaq, pasi Hoxha që do ta udhëheqë xhaminë në Bajçinë të Podujevës, për disa hoxhallarë të tjerë të vetë Bashkësisë Islame është person që nuk promovon islamin sipas shkollës hanefite, apo islamit tradicional në Kosovë. Fjala është për Fadil Sogojevën, aktualisht imam i xhamisë në Bregun e Diellit.

Xhamia në Bajçinë të Podujevës ishte ndaluar së ndërtuari nga kreu i Bashkësisë Islame të rajonit të Podujevës, Idriz Bilalli, pikësëpari për dyshimin se xhamia do të përdorej për shtyrjen para të agjendave radikale fetare.

Lidhjet e dyshimta të Al Waqf Al Islami nëpër botë mund të jenë arsye pse ajo në Kosovë nuk është e regjistruar si organizatë. Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese ka siguruar nga Ministria e Administratës Publike listën e të gjitha OJQ-ve që funksionojnë ligjërisht në Kosovë dhe aty kjo organizatë arabe nuk është e regjistruar. Në fakt, emri Al Waqf Al Islami është fshehur si “person fizik”, në kuadër të Poliklinikës “Meka” në Prishtinë, e cila çuditërisht nga Ministria e Administratës Publike është regjistruar me aktivitet mjekësor, por edhe ndërtimtari.

Ahmet Sadriu, udhëheqësi i departamentit për media dhe botime në BIK e pranon se kanë bashkëpunim me “Al Waqf Al Islami”.

Akuzat ndaj Bashkësisë Islame e në veçanti ndaj kreut të saj, Naim Tërnava për lidhje me organizata ekstremiste fetare janë bërë edhe më parë. I fundit që e ka akuzuar direkt dhe ashpër Tërnavën për tolerancën e rrymave radikale është gazetari amerikan, Stephen Schwartz në një vlerësim dërguar QKGH kujton se sado që kreu i BIK-ut të thotë se nuk ka fare të bëjë me rrymat radikale, janë një mori sjelljesh të tij që nuk lejojnë shpjegim tjetër, pos atij që Tërnava është nën ndikimin e radikalëve.

Gazetari Schwartz vlerëson se janë tri pika që verifikojnë teorinë e tij për lidhjet e Tërnavës me rrymat radikale, në mesin e të cilave përmend edhe tolerancën e provokimeve nga radikalët.

Në Kosovë ka pasur raste të sulmeve fizike që u janë bërë imamëve që njihen si hoxhallarë liberalë. Në mesin e tyre është edhe Hoxha i xhamisë së Zabelit, Osman Musliu, i cili plot herë ka folur hapur për rrezikun e vehabizmit në Kosovë, për çka ai beson se edhe është rrahur keq. Imam Musliu thotë se ata që e kanë rrahur para disa vjetësh janë radikalizues të fesë islame ndaj të cilëve Kryesia e BIK nuk ka marrë kurrfarë masash.

Në fakt, imamët e BIK-ut që tani po i kundërshtojnë hapur rrymat fetare që i quajnë në kundërshtim me islamin tradicional kosovar gjithashtu e kujtojnë me mall ish-myftiun Rexhep Boja. Disa prej tyre e kujtojnë se si gjatë kohës kur Boja ishte në krye të BIK-ut, imami Mazllam Mazllami, një prej atyre që përmendet për ide radikale, ishte përjashtuar nga Bashkësia Islame për mosbindje, për t’u kthyer në organizatë pas marrjes së menaxhimit të BIK-ut nga myftiu aktual, Naim Tërnava.

Ahmet Sadriu, nga zyra për media e BIK-ut, thotë se në kohën kur imam Mazllam Mazllami ishte përjashtuar prej Bashkësisë Islame, pjesë e vendimmarrjes për përjashtimin e tij ka qenë edhe Naim Tërnava.


941
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI