Revista
|
|
Nga Alfred Lela, revista Mapo
Pse u shoqërua me mister vizita në Washington e Kreshnik Spahiut dhe kush e mundësoi atë? Kush është ndërmjetësi mes Kreshnik Spahiut dhe interesave turke në Shqipëri? A janë të interesuar amerikanët për një rimëkëmbje të Perandorisë së dikurshme Osmane? A ka ardhur koha që pas infrastrukturës së biznesit, arsimit dhe ideve turke, Ankaraja të përfaqësohet edhe politikisht në Shqipëri? Neo-otomanizmi, një doktrinë apo një shpikje?
***
Shkrimi i plotë bashkangjitur reagimet e (linku këtu) z. Nuh Tokçelik e avokati i Fetullah Gylenit të botuara në numrin e ri të revistës
Kur javë më parë, një panel gazetarësh, të ftuar në studion e Top Story të Sokol Ballës, ngulmonte te pyetja se ‘si i siguronte paratë për të mbuluar shpenzimet e aktiviteteve të Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu nxirrte diçka nga xhepi i brendshëm i xhaketës. “Asi nën mëngë’ ishin kartat e anëtarësimit, një prej të cilave, sipas shefit të AKZ, kushtonte 10 euro. Spahiu, duke nënvizuar atë që ai quante ‘sukses të madh të Aleancës’, përmendi Durrësin dhe sesi, sipas tij, vetëm në këtë qytet, vetëm në një ditë, kishte pasur mbi 1 mijë anëtarësime. Duke luajtur me një shifër që një prej gazetarëve të ftuar ia quajti ‘hiperbolë’, ai i shtyu dhe më tej kartat, duke u shprehur se Aleanca Kuq e Zi synon një anëtarësi prej 1 milionë vetësh. “Bëjeni vetë llogarinë, sa bëjnë 1 milion herë 10 euro”, i sfidoi gazetarët Spahiu, duke i dhënë kështu publikut një përgjigje të vagullt, por edhe të pasaktë mbi financimin e lëvizjes së tij, të saposhpallur parti.
Një milion anëtarë herë 10 euro, bëjnë plot 10 milionë euro, duhet të ketë menduar një publik pasiv, i humbur para retorikës nacionaliste të shefit të Aleancës, që ka premtuar ‘shfronësimin e sulltanëve’, mandate të kufizuara, heqjen e imuniteteve bashkë me nxjerrjen jashtë skenës politike të PD-së e PS-së, të dyja këtyre ‘partive bolshevike’, dhe zëvendësimin e tyre me forcën e parë, që njërit prej gazetarëve të ftuar sërish iu duk hiperbolike, e që do të ishte pikërisht formacioni që ai kryeson, tashmë zyrtarisht, Aleanca Kuq e Zi. Që pas intervistës në Top Story, revista MAPO ka kryer një hetim duke hulumtuar mbi burimet e mundshme të financave të Aleancës Kuq e zi.
Misteri i një vizite dhe lidhja turke
Në botën e ndërlikuar të politikës, financimet vijnë bashkë me sponsorizimet apo lobimet. Këto të fundit janë edhe më të shtrenjta se financimet e drejtpërdrejta në formën e donacioneve apo blerjeve të kartave të anëtarësimit. Një sponsorizim i tillë politik mund të konsiderohet vizita në Amerikë e Kreshnik Spahiut. Ky tur u krye me statusin e sapomarrë të shefit të Aleancës Kuq e Zi dhe jo në atë të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Një vizitë në një status të tillë, z. Spahiu e pat kryer në vitin 2008. Vizita në Washington e kreut të Aleancës Kuq e Zi është hapur e mbyllur me mister. I vetmi akt transparence ka qenë një intervistë e Kreshnik Spahiut për radion Zëri i Amerikës, seksioni shqip, ku është folur me terma të përgjithshëm. Edhe vetë pyetjet e gazetares nuk kanë sqaruar shumë për nivelin, shtrirjen apo qëllimin e vizitës në Washington të kreut të Aleancës. Një prej tyre ka filluar me ‘sipas një zyrtari amerikan’. Arsyet se pse vizita ka lëvizur brenda një axhende të pasqaruar dhe gjysmë sekrete kanë të bëjnë me atë se ajo ka qenë një investim privat, më saktë një lobing individësh pranë zyrtarëve amerikanë. Lobimi është një industri më vete në rrethet politike e diplomatike në Washington, ku grupet e interesit, shtetet, aleancat rajonale, kompanitë e mëdha apo edhe individët kërkojnë mbështetje nga Kongresi apo Shtëpia e Bardhë për axhendat e tyre. Sipas përllogaritjeve, miliarda dollarë çdo vit ndërrojnë duart si derivat i drejtpërdrejtë ose anësor i përpjekjeve të firmave apo individëve lobues. Burime diplomatike, me kushtin e anonimatit, i thanë revistës MAPO se vizita e Kreshnik Spahiut në Amerikë është mundësuar në sajë të ndërmjetësimit të një shtetasi turk, Nuh Tokçelik.
Tokçelik dhe elitat shqiptare
Tokçelik, në fakt, nuk është vetëm qytetar turk: ai ka marrë nënshtetësinë shqiptare pas një vendimi të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me dekret nr.6924 të datës 15 mars 2011. Nuh Murat Tokçelik është i njëzeti, në një listë me 24 emra gjithsej, të cilëve presidenti Topi ka vendosur t’u japë nënshtetësinë shqiptare. Nuh Tokçelik drejton Qendrën e dialogut “Prizmi”, i cili paraqitet në publik si një fondacion kulturor që kontribuon në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor. Kjo qendër ka botuar pjesën më të madhe të veprave të mendimtarit bashkëkohor turk Fetullah Gylen. Më saktë, Nuh Tokçelik është përfaqësues i Fetullah Gylenit në Shqipëri. Gjatë vitit të shkuar, të gjitha gazetat shqiptare u përmbytën nga shkrime promocioanle apo komente rreth Fetullah Gylenit dhe rolit të tij si dishepulli i paqes ndërfetare e ndërkulturore.
Viti 2011 ka qenë gjithashtu një vit i ngjeshur me simpoziume e veprimtari të tjera, të cilat kanë pasur si qëllim përhapjen në Shqipëri të ideve të Gylenit. Sipas gazetës ‘Start’, e cila është një botim online i universitetit ‘Epoka’, gjithashtu një qendër e përhapjes së kulturës turke, në një simpozium me temë idetë e Gylenit, të 11 tetorit 2011, kanë marrë pjesë emra të njohur të botës akademike shqiptare. Ndër të tjerë, Gjergj Sinani, Zyhdi Dervishi, Adriatik Kallulli, Agron Tufa. Programin, vazhdon gazeta ‘Start’, e ka përshëndetur drejtori i shtëpisë botuese “Prizmi”, Nuh Tokçelik. Të pranishëm, sipas ‘Start’, ishin zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata; zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia; ish-prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi; kryetari i “Forumit Shqiptar për Aleancë të Qytetërimeve”, Besnik Mustafaj; si dhe studiues e akademikë, artistë, shkrimtarë e të tjerë.
Përveç rrafshit akademik, Tokçelik ka vijuar kontaktet edhe me botën fetare, përkatësisht atë muslimane. Të enjten e 24 qershorit 2010, sipas sajtit online të Myftinisë së Shkodrës, ai ka bërë një vizitë në këtë institucion fetar, ku është pritur nga imami Muhamed Sytari. Tokçeik ka mundësuar edhe një vizitë në Turqi në nëntor 2007 të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Kryegjyshi është shoqëruar gjatë gjithë vizitës nga përfaqësuesi i PRIZMIT në Shqipëri, Nuh Tokçelik.
Një tjetër simpozium për përhapjen e ideve të Fetyllah Gylenit, organizuar nga Universiteti i Tiranës, Universiteti ‘Fatih’ në Turqi dhe qendra e Dialogut ‘Prizmi’, mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës, është organizuar në mars të vitit të shkuar. Në takim kanë marrë pjesë 36 akademikë të shquar, sipas lajmërimit zyrtar për aktivitetin, ‘nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Anglia, Franca, Turqia, Kosova, Bullgaria, Gjermania dhe sigurisht edhe nga Shqipëria.’
Të enjten e 15 marsit, ‘Epoka’, një universitet turk, organizoi një Forum me temë ‘Partitë e reja dhe risitë që do të sjellin në konfigurimin e politikës shqiptare’. I ftuar për të moderuar Forumin ishte gazetari Blendi Fevziu, autori i emisionit që mbahet si me ndikimin më të gjerë politik në vend. Pak kohë më parë, siç vërente publicisti Mark Marku në një shkrim për gazetën Mapo, në një ‘nder’ që u bëhet vetëm politikanëve të kalibrit Berisha e Rama, Kreshnik Spahiu i Aleancës Kuq e Zi ishte i ftuar në një përballje me gazetarët në studion e Top Story të Sokol Ballës, një tjetër gazetar me ndikim në Shqipëri. Balla, pak ditë më pas, botoi një koment po në gazetën ‘Mapo’ me titull ‘Kreshniku, rreziku që vjen nga Greqia’. Në të, gazetari i njohur mundohej të vinte një shenjë barazimi mes AKZ së Spahiut dhe ‘mamuthëve’ të politikës shqiptare PD e PS, duke projektuar njëfarë force të kërkuar përmes numrave. Sokol Balla ishte, në fakt, i pari nga gazetarët e rëndësishëm që i mëshonte idesë se me ‘Aleancën’ kishte ardhur një aktor i dorës së parë në politikën shqiptare.
Aleanca Kuq e zi si outpost i neo-otomanizmit
Aleanca Kuq e Zi ka hyrë në skenën politike shqiptare si lëvizje populiste, e cila në fillim u mor për një sofistikim të Tifozave Kuq e zi, një grup ultrasish të kombëtares shqiptare të futbollit. Tifozat Kuq e zi ishin të organizuar me karta anëtarësie, të cilat për një shumë prej 10 dollarësh u lejonte tifozëve udhëtime të organizuara kur luante kombëtarja dhe bileta autobusi, avioni, stadiumi apo hotele me çmime të ulura. Përveç emrit Kuq e zi, Alenca mori nga Tifozat edhe idenë e kartës së anëtarësimit. Tubimet dhe retorika e Aleancës në fillim u ngjanin pikë për pikë atyre të tifozave të një skuadre futbolli: një grusht njerëzish, kryesisht të rinj të zemëruar mbuluar me flamuj e shenja të tjera të regalias shqiptare, zaptonin sheshe të vogla dhe aty, herë dal vivo e herë me megafona, bënin të njohur idetë apo kauzën e tyre. Një pikë tjetër ku Aleanca i ngjante Tifozave ishte edhe identifikimi i të dyjave me një ndjenjë të fortë anti-greke. Kjo e fundit erdh e u bë modë e organizuar, sidomos pas ndeshjeve të dy kombëtareve, Shqipërisë e Greqisë. (Nuk ka një kufi të saktë ndarës mes asaj nëse janë Tifozat Kuq e zi që lindën anti-greqizmin nëpër stadiumet shqiptare, apo është antigreqizmi që lindi Tifozat Kuq e zi.) Paralel me tubimet, pa ndonjë valencë shoqërore e politike, u shfaq në skenë edhe Kreshnik Spahiu, nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Diskursi i tij ishte gjithashtu nacionalist me nota të theksuara antihelene. Temat janë të njohura: varret e ushtarëve grekë, arrestimi i një dhunuesi shqiptar të tyre nga Tepelena, tubimet nacionaliste para Komisariatit të këtij qyteti. Për të ardhur te klimaksi që e katapultoi Spahiun në skenën e madhe: ndërrimi kombësisë. Kreshnik Spahiu, shpejt e shpejt, u bë një ‘kalorës’ kundër ndërrimit të kombësisë, për të cilin individë të ndryshëm, për interesa financiare, kryesisht në Jug të vendit dhe me prejardhje ortodokse, ishin gati të shkelnin edhe ligjin. Aksioni i Spahiut, brenda rolit të tij si funksionar i sistemit të drejtësisë, rezonoi jo vetëm me popullatën, por edhe me një pjesë të mediave. Prej këtu kurba e retorikës së Spahiut filloi të rritej, ndërsa aktiviteti i tij të zgjerohej. Aleanca Kuq e zi dhe Kreshnik Spahiu filluan të identifikoheshin me njëra-tjetrën. Pa kaluar shumë, Spahiu u bë Aleanca Kuq e zi, gjë që binte ndesh me ‘kultin e individit’ në partitë e tjera, të cilat ai mëtonte të zëvendësonte. Si gjithmonë, retorika mbetej nacionaliste dhe në qendër të saj ishin grekët, një ‘armik’ të cilit më vonë iu shtuan edhe serbët, kur Spahiu hapi një front tjetër: atë për zëvendësimin e toponimeve greke e sllave me emra shqiptarë. Një burim i revistës, shumë i afërt me eksponentët e AKZ, thotë se financuesit turq të Spahiut e kuptuan se një Lëvizje që i mëshon pafund spastrimit të peizazhit shqiptar nga greqizmat e sllavizmat, pa përmendur turqizmat, shumë shpejt do të vetëzbulohej. Spahiu ‘e pasuroi’ shpejt e shpejt menunë e retorikës së tij duke futur në ‘listën e spastrimeve’ edhe toponimet turke. Më vonë, për ta anuar edhe më bindshëm peshoren, Spahiu i shtoi gjellës nacionaliste të AKZ edhe “sulltanët e politikës”.
Lidhja Spahiu-Tokçelik-Gylen dhe Amerika
A shkon lidhja Spahiu-Tokçelik-Gylen përtej interesave politiko-financiare, dhe sa vend ka ndikimi amerikan në këtë raport? Trekëndëshi është, së pari, një bashkim interesash politiko-socialo-financiarë. Gylen është një teoricien i mundësisë për dialog e paqtim mes feve e kulturave dhe një nismë e tillë ka, sigurisht, valencë dhe mbështetje globale. Në rastin e Shqipërisë ky trekëndësh lëviz brenda një gjeometrie tjetër. Është tashmë një doktrinë politike e pranuar edhe nga ministri i Jashtëm turk, njëherësh teoricien i saj, ideja për rikthimin e ndikimit turk në Ballkan, në zonat dikur të pushtuara nga otomanët. Shtrirja e një rrjeti të fuqishëm biznesesh turke në Shqipëri, shoqëruar edhe me institucione arsimore, si kolegje, medrese e universitete ka kaluar tani, me sa duket, në një fazë dhe ekzigjencë të re e më kërkuese: përfaqësimi politik. Nëse interesat greke në Shqipëri, tradicionalisht, janë parë si të përfaqësuara nga Partia Socialiste, ato turke janë identifikuar me Partinë Demokratike. Me sa duket, diçka ka lëvizur në zemberekun e këtij raporti dhe bartësit e doktrinës neo-otomane duan ta shohin ndikimin e tyre përtej një raporti Berisha-Erdogan. Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjithashtu, që nga viti 2005 kur e djathta është rikthyer në pushtet, kanë qenë të mira dhe nuk kanë njohur asnjë prej lëkundjeve të forta të fillimviteve ’90, kur PD-ja ishte në pushtet si rishtare politike e gjeostrategjike. Berisha, në raport me frymën turke, nuk ndihmohet as nga fjali të llojit “do t’ia bëj Edi Ramës më keq se Skënderbeu turqve”. Turqia është një vend që kërkon ekspansion ose rikthim te sfera e dikurshme e influencës, ku pjesë të Ballkanit dhe bota arabe ishin nën zotërimin e saj. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e refuzimit të vazhdueshëm europian ndaj kërkesës së Turqisë për t’u bërë anëtare e Bashkmit Europian. Për një rastësi apo fat gjeopolitik, Turqia, një aleat i vjetër i amerikanëve, ka edhe mbështetjen e Washington-it. Amerikës i shkon për shtat një sferë influence turke brenda së cilës rrinë Shqipëria, Kosova e Bosnja, kjo sepse Washington-i do ta përdorë si pasqyrë të ‘botës së mirë muslimane’. Kjo do t’i përgjigjej më së miri dilemës ngacmuese e kundërthënëse ‘a janë kompatibël Islami dhe Demokracia?’ Po, janë! – do të ishte përgjigjja dhe Turqia me satelitët e saj e dëshmojnë këtë. Pax Americana mund të gjejë një përgjigje, të paktën të pjesshme, te ky realitet i cili mundësohet edhe përmes neo-otomanizmit. Amerika dhe Perëndimi janë duke u marrë ende me fuçinë e barutit që shpërtheu pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. David Fromkin, një historian amerikan, ka shkruar një libër voluminoz me këtë temë dhe ndoshta titulli e përkufizon më mirë paktin ose paqen e britanikëve me otomanët, që çoi në shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe krijimin e një harte të re e të trazuar në Lindjen e Mesme: Paqja që i dha fund të gjitha paqeve.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje