Revista
|
|
Nuk do të jetë ai moderatori që jemi mësuar ta shohim në kaq vite spektakël çdo të diel. “Portokalli” këtë sezon është konceptuar si një televizion dhe Agron Llakaj do të jetë “pronari”. Në këtë sezon të ri të spektaklit të humorit ai do të drejtojë nga pozitat e “The boss”, duke na sjellë një moderim ndryshe bashkë me partneren e tij, Ami. Spektakli i ri është konceptuar si një program televiziv që mban emrin “Portokalli channel”, ku gjithë pjesët janë organizuar si në një programacion televiziv. Në intervistën për “Panorama Plus”, Llakaj zbulon platformën e re të show-t të dielave, që nis më 3 tetor në ekranin e “Top Channel”
“Portokalli” rikthehet më 3 tetor. Çfarë show keni përgatitur për këtë sezon të ri?
Këtë vit spektakli mban emrin “Portokalli channel” dhe humori është realizuar në një strukturë televizive, njësoj si një television me programacionin e tij. Gjatë gjithë kohës aktorët kanë krijuar figura apo karaktere brenda një programacioni televizioni. Kështu, që në këtë rikonceptim të spektaklit numrat e njohur të spektaklit “Portokalli” shumë bukur integrohen në ato që quhen telenovela, filma, etj. Humori është gjetur në një fushë tjetër transmetimi, skenografia ka ndryshuar dhe natyrisht që do shihni një fytyrë të re të re spektakli, pra një një imazh i ri. Do të jetë një platformë tjetër artistike, do të ketë një këndëvështrim ndryshe. Bashkë me Amin, do të sjellim një tjetër moderim, pra do të ketë një shkrirje të elementëve të spektaklit.
Pse ky ndryshim, dhe si mendoni se do të pritet nga teleshikuesit besnikë të “Portokallisë”?
Ideja ishte për të sjellë diçka të re dhe për këtë është punuar fuqishëm nga i gjithë stafi. Për sa i përket pritshmërisë, duhet kuptuar se gjërat e reja lënë atë shijjen se “pse kanë këto numra dhe jo ato që ishin”. Por është punuar natyrisht për të sjellë diçka shumë të mirë dhe për këtë është përkushtuar e gjithë ajo trupë profesionale.
Si do të vijnë karakteret në këtë sezon, cilët do të jenë personazhet më pikantë? Po ju si do të moderoni?
Në këtë format që kemi krijuar, karakteret e personazheve të vjetra janë inekzistente. Unë do të realizoj moderimin nga pozitat e pronarit të televiozionit, pra një pronar i televizioneve të ditëve të sotme. Kemi menduar një Berishë dhe një Ramë, që vijnë në një mënyrë të re. Janë dy qytetarë, të cilët japin edicionin qëndror të lajmeve. Ata ngjajnë dhe flasin si ata, por s’janë ata. Gjithashtu do të jem drejtues i një rubrike sportive dhe parodive të ndryshme Duke qenë se është një skenë e re, duhet rikomportimi për aktorin, që të njohë gjuhën dhe komunikimin, pra pajtueshmërua me skenën.
Keni zbuluar aktorë të rinj dhe cili do të jetë propocioni meshkuj-femra në show?
Aktorë të rinj mund të jenë një ose dy. Përsa iu përket femrave këtë vit do të jenë më shumë, pra s’do të mungojë feminiteti Brenda spektaklit, ashtu si sezonin e kaluar.
Meqënëse është konceptuar si një program televiziv, do të ketë më shumë muzikë dhe balet?
Pjesën e muzikës po e diskutojmë pasi e vërtetë është që duke qenë një program televiziv nuk mund t’i mungojë kënga dhe baleti.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje