Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Përse nuk duhet djegur Kurani
Publikuar me 04 Mar 2012

Përse nuk duhet djegur Kurani

Christopher Howse
Dyzina njerëzish kanë vdekur në protestat dhe sulmet që ndodhën menjëherë pasi amerikanët dogjën disa kopje të Kuranit në bazën ajrore të Bagramit në Afganistan. Zemërimi i shprehur pjesërisht është i lidhur me faktin se kush i dogji librat, por edhe me arsyet se pse u dogjën librat. Në një situatë ndryshe Kalifi i tretë pas vdekjes së Muhamedit, urdhëroi shkatërrimin e disa librave Kurani. Thuhet se dikush u ankua tek ai se mes sirianëve dhe njerëzve të Kufas (Iraku i sotëm) kishte përplasje dhe tension, mbi tekstin e saktë të Kuranit. Ai duhej ta ndalonte këtë përplasje. Thuhet se ai duhej të ndërhynte dhe t’i ndalonte sherret, para se muslimanët të ndaheshin për Kuranin ashtu siç ishin të ndarë hebrejtë dhe të krishterët mbi tekstet e tyre të shenjta.

Kalifi atëherë bëri disa kopje të librit të shenjtë dhe i dërgoi ato në qytetet kryesore të kalifatit, me urdhrin që të gjitha versionet e tjera duhej të shkatërroheshin. Sipas Librit të Kembrixhit mbi Historinë e Letërsisë Arabe, ky urdhër ngjalli kundërshtime të ashpra në Kufa, ku qëndrimet në kundërshtim me Kalifin ishin prej kohësh të dukshme, por në vendet e tjera vendimi i tij u prit mirë. Ky Kalif u vra në vitin 656, si pasojë e një përplasje mbi një çështje tjetër.
Një ekspert i Kuranit nga shekulli i 10-të, Ibn Abi Dawud, ka shkruar një kapitull të tërë mbi kodet që duhen ndjekur për të “Djegur një Mashaf, të cilin nuk mund ta përdorësh më”. (Mashaf është fjala për një libër me faqe). Ai mori në diskutim tri tradita, dy për të lejuar djegien e kopjeve të përdorura, njëra prej të cilave u referohej edhe hebrejve dhe sjelljes së tyre ndaj toras dhe e treta ajo që ai parapëlqente, e cila e ndalonte djegien e materialeve të shkruara në të cilat përmendej Zoti.
Për këtë mund të gjenden paralelizma edhe në Judaizëm. Këta kanë një praktikë të varrosjes së Toras në një vend të posaçëm në varreza. Dorëshkrimet e shenjta që nuk mund të përdoreshin më vendoseshin në një vend të ruajtur, të quajtur ndryshe genizah.

Në Kajro sinagoga Ben Ezra ka një genizah ku dorëshkrimet ishin mbledhur për 1 mijë vjet me radhë. Më 1896 një studiues me ndihmën e Charles Taylor, drejtorit të Kolegjit “St John” në Kembrixh, udhëtoi për atje dhe siguroi një leje për t’i marrë ato me vete. Për shkak të kësaj sot ka 140 000 fragmente të Toras që studiohen në Kembrixh.
Të krishterët gjithashtu kanë një traditë të të varrosurit të Biblës, apo një libri psalmesh, bashkë me një person të vdekur. Kam shkruar këtu në vitin 2007 për një vëllim të bukur psalmesh, që sipas St John u varros së bashku me St Cuthbert në vitin 697. Por në mjaft raste praktika për të shkatërruar bibla që nuk mund të përdoren më është duke i djegur ato. Kisha Katolike ka përcaktuar se objektet e bekuara nuk duhen keqpërdorur. Në ligjet e saj thuhet se, nëse një bibël digjet, hiri i saj duhet të hidhet në një vend që nuk do të ndotet. Protestantët në SHBA nuk kanë ndonjë ceremoni në rast djegie të biblës, por ka një protokoll të detajuar kur digjet një flamurë amerikan i dëmtuar. Kisha Anglikane ka të përcaktuar edhe një derdhje të veçantë (kanale të posaçme) për ujërat që i shërbejnë priftit për të larë duart pas kungimit, madje thuhet se ai mund të pijë nga ai uji me të cilën lan duart pas shërbesës.

Të gjitha këto rituale dhe të tjerë tregojnë sesi duhet të sillesh me sende të bekuara dhe që përmendin Zotin. Kurani shihet nga muslimanët si fjala e Zotit, ashtu si në Kishën Katolike buka dhe vera të bekuara gjatë një meshe shihen si prezenca e Jezu Krishtit, si Zot dhe njeri. Mesa di unë, nuk ka asnjë alternativë sjelljeje tjetër, ndaj këtyre gjërave të shenjta, përveçse t’i trajtosh me respekt të veçantë. Dhe e parë me këtë sy, djegia është me siguri një fyerje e rëndë.


727
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI