Revista
|
|
Prof. Gjon Frani Ivezaj
Ne sot, jemi të bashkuar rreth Flamurit dhe po përkutojmë 101-vjetorin e Shpalljes së Pavarsisë të Shqipërisë, ku, burrat më të shquar të kombit tonë, të prirë nga patriotët Ismail Qemali dhe Imzot Nikollë Kacorri, shpallen lirinë e trojeve tona dhe hodhën themelet e shtetit të ri modern shqiptar.
Shqipja e filloi fluturimin e saj me dhimbje, por e vendosur të valvitet krenare në të gjithë trojet etnike shqiptare nga Veriu ne Jug, nga Kosova deri në Camëri, në Mal te Zi dhe Maqedoni.
Ne sot, përkujtuam me një meshe solemne të udhehequr nga fort I Perndershmi Dom Pjetër Popaj, të gjithë deshmorët e flijuar ndër shekuj, të cilët, luftuan dhe derdhen shumë gjak, që Flamuri, të valëvit i lirë në të gjithë trojet arberore, që shteti shqiptar të vazhdonte me dinjitetin iliro-arberor, duke qenë në themelet e historisë së tij.
Historia e Flamurit është e lashtë, sa vetë historia e kombit tonë. Simboli i Shqiponjës, në fushën e kuqe të Flamurit, fillon me kohën e vjetër para Krishtit, vijon me Mesjetë dhe vjen deri në kohët e reja moderne…
Lëvizjet apo kryengritjet e vijueshme heroike të shqiptarve, që i paraprinë Pavarsisë, kundër sundimtarëve 5 shekullor të Perandorisë Osmane, kishin vullnetin e pamohueshëm të popullit, në periudha historike kombtare. Të tilla ishin: Epoka e lavdishme e Gjergj Kastriotit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, e sidomos kryengritjet e vazhdushme kundërosmane të viteve 1910 dhe 1911, Kryengritja e Malësisë së Madhe më 6 Prill 1911, të cilat, pasuan me kryengritjen e përgjishme të vitit 1912, e cila përfshiu mbarë hapsirën popullore, për liri dhe pavarsi kombëtare.
Fiset e Malësisë, iu bashkuan menjëherë lëvizjeve përparimtare liridashëse të trojeve shqiptare nga pushtimi i gjatë otoman. Ata kërkonin Autonomi të plotë dhe për më shumë ishin të avancuar në ide dhe kërkesa për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, vecanërisht të vilajeteve ku jetonin shqiptarët.
Trimi legjendar Heroi Kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti, kishte për qëllim unifikimin e të gjitha forcave, për të cliruar krahinat e tjera të Shqipërisë.
Për këtë arsye Kryetrimi, ftoi trimat dhe bujarët shqiptarë, në një kuvend të përgjithshëm, që u mbajt më 2 Mars 1444 në Lezhë, ku, morën pjesë: Gjergj Kastrioti, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini, Teodor Muzaka etj.
Rrjedha e ngjarjeve, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, solli mjerisht pushtimin e trojeve nga otomanët, ku, pësoi tragjedi të mëdha në trojet e Arbërit.
Në vitin 1877-1878, sërisht themelohet Lidhja e Prizrenit. Ajo zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqsuesve të krahinave, në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. Qëllimi i tubimit, ishte formimi i një shteti autonom shqiptar në ombrellën turke, që do të mbulonte vilajetet osmane të Prizren, Manastirit, Shkodrës e Janinës.
Lidhja, ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, adminstrativisht dhe ushtarakisht, për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar. Megjithatë, shqiptarët, nuk ndaleshin për të gjetë rrugë e forma të tjera, për t’u çliruar nga anmiqtë otomanë, që shkatërronin çdo gjë kudo në trojet tona.
Lidhjes së Prizrenit, i duheshin organizim konkret dhe veprime të shpejta, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, për dorëzimin e tokave shqiptare, vendeve fqinje, forcat turke largoheshin nga pozicionet të cilat duhej t’i zinin forcat e Lidhjes të degës së Shkodrës, para se t'i pushtonte ushtria malaziase, duke u përballë shpesh me ushtritë pushtuese.
Në fund të shek. XIX, patriotët shqiptarë, filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re, për t’u bërë ballë rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896. Takimi i parë, u mbajt më 1897 në Gjakovë, kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt takimi tjetër në Pejë, ku, morën pjesë 500 vetë, ku, Perandoria Otomane ndërhyri dhe shpërndau Besëlidhjen.
Më 23 janar 1899, nën kërcënime të reja për tokat shqiptare në Pejë, u mblodh kuvendi me 500 pjesëmarrës nga vilajetet e Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja e Pejës, u quajt ndryshe Besa-Besë. Kuvendi u organizua, drejtua dhe zgjodhi kryetar Haxhi Zekën. Ai doli me një program 11 pikësh, i cili, kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare, por që nuk kërkonte autonomi. U shpall edhe Besa për një vit.
Pas suksesit, në përhapjen e programit në Kosovë e Shqipërinë Veriore e të Mesme, në përgatitje të një kuvendi mbarëkombëtar, që do t’a aprovonte programin e Lidhjes, Sulltani i Perandorisë Otomane reagoi, duke përdorur edhe trathtarët shqiptarë.
Më 1899, përpjekjet për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit u penguan. Kjo solli kryengritjen e armatosur të vitit 1900, kur u erdhën forca të tjera otomane, që shkatërruan Lidhjen e Pejës.
Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 dhe Kuvendi i Memorandumit të Greces, më 10-13 qershor të vitit 1911, janë të formuar nga Komiteti Qendror i Podoricës, prej patriotëve dhe trimave malësorë. Kryetari i Komitetit në fjalë ishte Sokol Baci (Ivezaj), kurse Sekretari i Komitetit ishte djali i tij Kolë Sokoli Ivezaj, doctor i shkencave juridike dhe albamologjisë. Pjesëtarë të tjerë të Komitetit ishin: heroi kombëtar Dedë Gjon Luli, Nikë Gjelosh Luli, Tomë Zoli me vëllain Lekën, Gjon Nikë Plluci, Gjekë Marash Gjeloshi, Kolë Marash Vata, Luc Muc Elezi, Mehmet Shpendi etj.
Kryengritja e Malsisë së Madhe e vitit 1911, është padyshim kurorëzimi i lavdisë shembullore të luftërave heroikë malësorë, duke qenë kësisoj beteja më e vendosur kundërosmane, për Pavarësinë e mëvonshme të Shqipërisë.
Më 23 mars 1911, u hartua dhe publiku një thirrje drejtuar popullit të Shkodrës, e nëshkruar nga patriotët e flaktë, si: Isa Boletini, Mehmet Shpendi dhe Ndue Gjoni, ku, thuhej, se: “Ka ardh koha të lirohemi nga pushtimi osman.”
Më 24 mars, Malësia dhe malësorët e dëgjuan thirrjen për kryengritje, për liri e pavarësi, pse ishin përfaqësuar në mbledhjen historike të ‘Lidhjes së Prizrenit’ (1878), përmes patriotëve të kombit: Dedë Gjon Luli, Smajl Martini, Çun Muça, Baca Kurti etj.
Malësorët sypatremur si fatosa të lirisë, të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Trieshit e Kojës, me në krye trimat: Dedë Gjon Lulin, Sokol Bacin, Nikë Zekën, Prek Calin, Tomë Nikën, Nikë Lekën, Gjelosh Gjokën, Pretash Zekën, Palok Traboini etj., ishin pushkë e gatshme e mbushur me barut, për trojet etnike shqiptare.
Ushtria turke, përballë situatës së padishirueshme, i plotëfuqishmi Valiu i Shkodrës Bedri Pasha, duke parë humbjet, urdhëoi Kajmekamin e Tuzit, nen/Kolonelin Ahmet Beun, që të riorganizoj forcat, për të mbrojtur kështjellën me rëndësi strategjike të Shipshanikut.
Sukseset e kryengritsve malësor, e detyruan dinakun Bedri Pasha, të përdor propagandën e përçarjes fetare. Në qytetin e Shkodrës, ai e shpalli kryengritjen e malësorëve si luftë fetare: "katolikët kundër myslimanve", e u bëri thirrje popullsisë myslimane, të bashkohet dhe nisej në luftë për të mbrojtur Perandorinë Islame në rrezik.
6 Prilli 1911, është kryengritja më e përgjakshme e malësorëve trima, që ngritën Flamurin Kuq e Zi, në Istikamin e Deciqit, mbas 500 vjet gjak dhe robërie me malësorët trima.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, më 28 Nëntor 1912, përbën një akt madhshtor, në mbarë historinë e popullit, që përbën një fryt të mbarë luftërave shekullore, për të mbrojt tërësinë territoriale dhe formuar shtetin e madh etnik shqiptar.
Populli shqiptar në Ditën e Pavarësisë, arriti të krijoj të drejtën e tij të pamohueshme, për të pasur liri të plotë dhe sovranitet politik në të gjitha trojet e veta etnike, si të gjithë kombet e civilizuar në mbarë hapsirën e botës.
Krijimi i shtetit shqiptar, zhvillon një ardhmëni të përgjithshme, duke ngrit forcën e zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor e politik, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në proceset përparimtare të civilizimit botëror.
Vendimi historik i Pavarësisë kombtare, që buroi nga Kuvendi i Vlonës, nën udhëheqjen diplomatit Ismail Bej Qemal Vlora, Imzot Nikollë Kacorri, Luigj Gurakuqi etj., arriti të parandaloj programet kundërshqiptare, të cilët, ishin përpiluar nga fqinjët shovinist dhe nga diplomacia franko-ruse. Ata, kishin një mentalitet të vjetër bizantin, për t’a asimiluar popullin shqiptar nga hapsina e Gadishullit Ballkanik.
Turqia, u gjend e papërgatitur për luftë. Ajo, vendosi të formonte ushtrinë e armatosur me vullnetarë shqiptarë. Asokohe doli një urdhër i Ministrisë Turke të Luftës, për t’u dërguar trathtarëve shqiptarë 50.000 pushkë.
Ndërsa ushtria turke, një ditë para betejës braktisi frontin në disa pika. Luftimet në Merdar ishin të ashpra. Serbët e morën atë pas humbjeve të mëdha. Edhe mbrojtja e kufirit nga Rashka në Podujevë, u mbeti vullnetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini. Me organizimin e mbrojtjes në veri të Prishtinës, u caktua Hasan Prishtina, ndërsa në Gjakovë, Plavë e Guci Bajram Curri.
Vullnetarët shqiptarë luftuan me vendosmëri, por për mungesë të municionit u tërhoqën nga qyteti, që ra po atë ditë në duart e serbëve, ku më vonë u pushtua Vuçiterna dhe Mitrovica. Me organizimin e forcave vullnetare shqiptare në zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut ishte Idriz Seferi, që arriti të grumbullojë 6000 luftëtarë, të cilët luftuan në kufirin me Serbinë, ku sëbashku me forcat e vendit u bënë ballë njësive të Armatës serbe...
Shqipëria, u vetëshpallë e pavarur në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, ku, morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë Asambleja e Vlorës, formoi Qeverinë e Parë të Shqipërisë së Pavarur, të drejtuar nga Ismail Qemali, zv/Kryeministër Imzot Nikollë Kacorri etj.
Njohja ndërkombëtare e Pavarësisë dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë, u ba mbas Konferencës së Ambasadorëve (Londër), vendim i së cilës ishte shpallja e Principatës Shqiptare Sovrane nga Perandoria Osmane, nën mbikqyrjen e Komisionit Ndërkombtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të ri jashtë kufijve të tij administrativ.
Shpallja e Pavarësisë, nuk ishte një akt i veçum, por u përgatit hap mbas hapi, me kujdes, durim, guxim, me ndjenjën e përgjegjësisë ndër shekuj. Ata që nënshkruan dokumentin e Pavarësisë, që u mblodhën në Kuvendin e Vlorës, e kishin filluar veprimtarinë patriotike shumë kohë përpara dhe ishin dalluar si luftëtarë të pushkës e penës.
Kur patriotizmi i rilindësve u përfshi me idetë e mëdha të iluminizmit dhe nacionalizimit evropian, mendimi prparimtar dhe cilësor politik e shoqëror i Rilindjes, u ngrit në një shkallë më të lartë ndërgjegjesimi dhe mori një përmbajtje dhe kuptim të ri.
E thanë shkurt dhe saktë, Rilindasit tanë të shquar, gjithnjë pandërprerje, luftuan për t’a kthyer vetëdijën popullore në ndërgjegje kombtare.
Në terësi sot, mund të them me bindje, se kultura e re e publikimeve në gjuhën shqipe, e ndihmoi popullin të zbulonte identitetin e vet historik dhe kombëtar, pavarsisht nga ndarjet krahinore, fetare, t’a ndiente veten një bashkësi kompakte e vijuese me të njëjtën histori, kulturë, tradit, shqetësime, shpresa, dhe me të njëjtat kërkesa.
Duke e mbyll ketë festim të përbashkët, në Kishën “Zoja e Shkodrës”, në New York, që mbeti gjithnjë për shqiptarët si qënder e madhe atdhetare dhe fetare, përfitoi nga rasti tu uroj të gjithëve Gezuar Festën e Flamurit, 101-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ne sot, jemi të gëzuar, sepse në trojet e Dardanisë së lashtë, erdhi liria dhe pavarësia nga nata e gjatë e pushtuesve serbë dhe një ditë shpresoi e besoi, që të gjithë trojet shqiptare etnike të bashkohen në një shtet të vetëm rreth nënës Shqipëri, një ëndërr dhe dëshirë, që e kanë pasur gjithnjë Rilindasit tanë.
Zoti i bekoftë shqiptarët, kudo ku jetojnë dhe punojnë!
Shënim: Kjo kumtesë, është mbajtur më 28 Nëntor 2013, në përkujtim të 101-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë ceremonisë solemne të ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Kompanjelin e Kishës katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Harsdale NY. Marrë nga revista kulturore “Jeta Katolike”, New York, Shkurt 2014.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje