Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Pashk Pervathi, Ciganet, sa ekspresive!
Publikuar me 09 Shk 2010

Pashk Pervathi, Ciganet, sa ekspresive!

Pashk Përvathi është një prej piktorëve të përzgjedhur nga Këshilli Artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, i cili do të ekspozojë gjatë vitit 2010 krijimtarinë e tij më të fundit në sallën e ekspozitave të përkohshme të saj. Pashk Përvathi identifikohet prej pikturës së tij, e cila rrjedh nga disa cilësi që paraqiten si një trup i përbërë nga aftësitë e ekzekutimit me shprehitë e konkretizuara emocionale. Këto cilësi janë përkatëse për secilin piktor, por bëhen të dallueshme nga një seri elementësh vetjakë, që burojnë prej individit dhe i japin atij një formë të qartë dhe emërore. Një tërësi e përgjithshme e krijimtarisë së Përvathit e dëshmon këtë fakt, që nis nga vitet kur u edukua në shkollën e artit, më pas kur filloi të ekspozojë për herë të parë e deri në ditët e sotme, ku piktura është bërë për të, një profesion i përditshëm dhe që barazvlerësohet prej vet Pashkut si ekzistencë e tij. Madje, kjo e thënë i përket të gjithë piktorëve, të cilët ndjesojnë fuqishëm për profesionin e tyre. Sot, si dhe në kohët e fillimit të tij, por edhe në ato që ka lënë pas, Përvathin e tërheqin disa subjekte të kalcifikuara, të cilat i gjejmë në të gjitha periudhat e krijimtarisë së vet. Këto subjekte që janë pamje qytetesh, pamje detare, pastorale dhe agrikole të mjediseve natyrore shqiptare, pamje të pozicioneve dhe gjendjeve natyrore njerëzore dhe sendore, tregojnë rreth “pandryshueshmërisë” së disa cilësive tejet karakteristike të piktorit. Ato, deri në këtë kohë që dimë, lidhen me dëshirën e piktorit për t’i pikasur, për t’i gjetur, për t’i shijuar gjatë meditimit, gjatë pasqyrimit ekzekutues. Këto cilësi të “pandryshueshmërisë” janë formuar dhe edukuar me vullnetin e paracaktuar të kohës-dritë, të kohë-stinë, të kohë-mendësi pozitive dhe të kohës-ngjyrë, të cilat shfaqen mjaft qartë kur tenton të lexosh në brendësi të pikturës së Përvathit.
Çdo piktor, në dallueshmëri si Pashk Përvathi, që i kushtohet me kahun pozitiv pasqyrimit të rrethinës sonë natyrore dhe njerëzore, sjell versionin e tij të figurës së pasqyruar duke i dhënë kahje dhe nxitje ideve të një pasqyrimi dekorativ, me konture të qarta realiste, njolla të shpejta apo të shtrira dhe emocion impresionist. Në këtë këndvështrim, kam mendimin se Pashku luan një rol të rëndësishëm në ekzistencën e një gjendjeje pozitive shpirtërore dhe, për më tepër e nxit lindjen e saj, qoftë kur publiku gjendet përballë saj vetëm për një çast shijues.
Ekspozita juaj, me sa punime do jetë dhe në çfarë vitesh janë pikturuar ato?
Ekspozita do të përmbajë rreth 70 piktura. Punimet janë të viteve 2007-2009.
Cila gjini zë vendin më të madh?
Prej tyre do të jenë më shumë peizazhe, por edhe portrete e natyra të qeta.
Pashë në pikturat e tua disa punime që ia kushton përsëri figurës së gruas cigane. Më thuaj të lutem, kur janë pikturuar dhe çfarë të ka shtyrë drejt tyre?
Siç e di dhe ke parë në krijimtarinë time, mua më tërheq vazhdimisht figura e saj, pasi ato kanë një ekspresivitet të ndryshëm nga gratë e bardha, jo prej ngjyrës së tyre, por prej mënyrës se si sillen, prej atmosferës dekorative që përhapin veshjet e tyre, prej ngjyrave të gjalla, laramane dhe shpërthyese që ato kanë, prej kontrastit që bëjnë me natyrën e mjedisit ku rrinë. Për këtë arsye kam pikturuar një cikël portretesh dhe figurash prej tyre. Këtu mund të evidentosh atë vajzën e ulur me fundin laraman, se është prej të vërteti ndër pikturat më të mira të krijimtarisë sime dhe ka përmasën 100 x 100 cm.
Cilat janë përmasat e pikturave?
Dimensionet e pikturave janë kryesisht 80 x 70 cm, 80 x 60 cm, por 100 x 100 dhe 100 x 80 cm. Rritja e përmasave, të them të drejtën, ka ndodhur pas viteve ’90-të. Unë fillova të kërkoj telajo më të mëdha. Më pëlqen ta shoh një peizazh apo portret në këto dimensione. Nuk e mohoj se kam një ndjesi konservimi për pikturat e mia të hershme, që janë në përmasa më të vogla. Disa prej tyre i ruaj me fanatizëm.
Përse Pashk je kaq dekorativ?
Besoj, është gjendje e brendshme imja. Është e hershme, por dhe një mënyrë shprehjeje. Mua nuk më intereson fotografimi i asaj që shoh. Synoj shpeshherë ekuilibrin e sipërfaqeve të mëdha dekorative dhe kjo më mirë bëhet nëpërmes tyre. Është një mënyrë shprehjeje figurative pa kaluar në atë abstrakte. Unë e konceptoj dekorativen mjet shprehjeje të formave bashkëkohore. Kjo është e brendshme dhe aspak se duhet për shkak të modës, që shpesh e hasim në artet e ditëve të sotme. Nuk pikturoj me këtë synim dhe nuk do ta bëj askurrë.
Çfarë të shtyn drejt kësaj mënyre pikturimi?
Kjo formë dekorative, e cila fillimisht m’u sugjerua nga pikturimi në natyrë i peizazhit të titulluar “Në bregun e Himarës”, pasi ai nuk mund të pikturohej me penelata. Por, duhej që secili gur të “ledhatohej” me kolorin e vet. Nga kjo kohë filloi një periudhë e gjatë drejt një rruge të re me shenja të qarta dekorativiteti.
Ti ke një fazë shumë të gjallë të realizmit dhe të penelatave ekspresive në këtë lloj pikture. Pse je shkëputur, apo çfarë të shtyu të shkëputesh prej tyre?
Pra, Zana, me ekspozitën e tanishme unë kam bërë një “rikthim” në fillesat e mia si peizazhist. Dua të sjell këtu të gjithë përvojën e një periudhe 10-vjeçare të një pikture dekorative. Gjithmonë kam idenë se produkti i sotëm është pasojë e gërshetimit të këtyre dy fazave të krijimtarisë, asaj që ti e përmend si realiste dhe të mëparshme, dhe asaj të sotme që është dekorative. Jam shumë i qetë që dekorativiteti im i sotëm ka ardhur nga një përpjekje e madhe për të pikturuar si realist dhe kjo, falë shkollës realiste që kam bërë.
Në një periudhë të caktuar të pas viteve ’90-të dhe, me sa di unë, aty nga fillimi i viteve 2000 ti ke pikturuar kuaj, për të cilët kam pasë mendimin e cituar në atë periudhë se i përkasin elementit të vetmisë. A mundet që i zgjedh thjesht se të pëlqejnë për formën e mrekullueshme të trupit të tyre? Apo mbase ka ndonjë arsye tjetër?
Ma bën këtë pyetje pasi të pëlqejnë kuajt. Por, kësaj radhe nuk kam piktura me kuaj. Më ka pëlqyer përcaktimi yt rreth vetmisë, por të them të drejtën, tek trupi i tyre i mrekullueshëm, lëvizjet e tyre në gjendje të vetmuar gjeja shkakun e gjendjes së qetësisë, për të cilën të gjithë kemi nevojë pasi përfundojmë një punë të lodhshme dhe të gjatë në kohë. Më pëlqejnë kuajt dhe mund t’iu kthehem. Nuk i dihet.
Çfarë është për ty objekti dhe natyra që pikturon? Nxitës figurativ, kërkesë emocionale për ta pasë një copë natyrë ose objekt gjithmonë me vete, apo prezantim i imazhit që sheh si proces pikturimi?
Unë me ekspozitën e vitit 2005 mbylla një cikël 10-vjeçar të një pikture dekorative, por mendoj edhe pak konvencionale, sidomos motivi gurët. Njohja me Korçën me zgjoi emocionet e hershme të pikturimit direkt në natyrë. Kontakti me natyrën është i rëndësishëm për një peizazhist. Kjo ndodhi dhe me mua. Por këtu kemi një veçori të re dhe pozitive në pikturën time, dhe kjo sipas mendimit tim. Gërshetimi i anës dekorative, frut i periudhës së mëparshme, kur bashkohet me emocionin e penelatave direkt nga natyra, sjellin një produkt të ri, të pahasur më parë. Këto nota emocionale të shprehjes janë tashmë në peizazhet e tanishme. Në peizazhet e mia kërkohet gjendja emocionale e shprehur në frakturë dhe detaje të realizuar me penelata pastoze. Unë, kur jam në natyrë e shoh atë, por produkti në fund është një gjendje e ndërmjetme e asaj që shoh dhe e qëndrimit tim ndaj anës konstruktive dhe ndaj anës modeluese të asaj që shoh, duke veçuar si të rëndësishëm aspektin koloristik. Shpesh në peizazhet e mia kemi gjendje dekorative, të ndërthurur edhe me detajin. Tek peizazhet kërkoj dritën, por shpesh edhe marrëdhënien mes masave të mëdha ngjyrore. Shpeshherë, në ngjyra alegre të vjeshtës, por hera-herës edhe brenda një game koloristike të përmbajtur. Peizazhet e mia nuk janë kopjesë të asaj që shoh. Ajo që shtrihet para meje, është esenca për të më dërguar në një gjendje tjetër, në atë që është dhe brenda meje. Piktura ime nuk është imagjinatë e asaj që kam parë, por qëndrim thellësisht emocional, selektiv i asaj që shoh dhe e hedh vrullshëm në telajo. Kurrë nuk ka ndodhur që një peizazh timin ta kem ripunuar në studio. Punët e mia janë të kryera me një seancë.
Cila është filozofia e pikturës tënde: të shpalosësh bukurinë e natyrës dhe të objektit? Apo të kopjosh bukurinë e tyre? Apo të raportosh ndërmjet figurave të tyre ide të ndryshme dhe konvencionale të botës që na rrethon?
Filozofia e punës sime është të jem prezent në një copë të natyrës, të një njeriu, të një objekti dhe ta ndërthur këtë prezencë me emocionin tim, i cili shkaktohet prej tyre dhe unë me aftësinë time ju kthej një imazh timin për natyrën, njeriun dhe objektin me të cilin jam ndërthurur.
Mendon se je një piktor lirik?
Tema kryesore pra është peizazhi dhe kjo na çon me të drejtë të mendojmë se jam një piktor i tillë. Madje, unë e dëshiroj këtë. Tema e veçantë është Korça, kryesisht Vithkuqi dhe Drenova, është Himara me një shikim ndryshe pas 20 vjetësh. Janë një seri punësh me borë në Lezhë dhe në Shkodër, 11 të tilla, janë laguna e Lezhës, gështenjat e Reçit dhe Mangalemi i Beratit. Por, vendin kryesor në ekspozitë e zënë punimet nga Korça, 25 piktura. U dashurova me Korçën pasi kuptova se vjeshta më e bukur në këtë vend është pikërisht në Vithkuqin e saj dhe në Drenovë. E ndoshta dhe Vangjush Mio prandaj kishte pasur dhe bërë peizazhe të mira, se lëndën e parë e kishte si në asnjë vend tjetër.


ME POSHTE DISA NGA PUNIMET E PIKTORIT TE NJOHUR LEZHJAN.


     


   


 


 


 


2694
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI