Revista
|
|
NJU JORK Paratë e drogës na shpëtuan nga kriza ekonomike. Duket e çuditshme, por është plotësisht e vërtetë. Deklarata e pazakontë u bë dje nga shefi i zyrës për luftën ndaj krimit dhe drogës në OKB, Antonio Maria Costa. Ai deklaroi për median britanike se, në kohën më të keqe të krizës financiare, miliardat që erdhën në bankat e botës nga aktivitetet e paligjshme ndihmuan në përballimin e situatës. Duke folur për gazetën "The Observer", Costa shpjegoi se në gjysmën e dytë të vitit 2008, huadhënia ishte problemi më i madh i sistemit bankar jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën. Sistemi ishte paralizuar pjesërisht për shkak të mungesës së vullnetit të bankave për të ndihmuar me likuiditet njëra-tjetrën, deklaroi ai për këtë gazetë britanike. Ai tha se kishte parë prova se paratë që vinin nga krimi i organizuar, trafiku i drogës apo aktivitete të tjera të kësaj natyre, ishin kthyer në këtë kohë në kapitalin e vetëm të likuiditetit të disa bankave të mëdha. Costa tha se si rezultat, një shumë prej 352 miliardë dollarësh që ishin të ardhura nga trafiku i drogës, kishin hyrë në sistemin ekonomik, natyrisht duke u "pastruar". Shefi i zyrës për luftën kundër krimit dhe drogës tha se, ai e kishte vënë re 18 muaj më parë se të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme ishin përthithur nga sistemi financiar, edhe pse ai nuk mund të nxirrte emrat e bankave apo institucioneve financiare që kishin marrë të ardhurat nga krimi dhe droga. Një zëdhënës i Shoqatës së Bankierëve në Britani tha për këtë gazetë se, "asnjëra prej bankave apo institucioneve financiare në vend nuk kishte përfituar nga të ardhura të tilla dhe askush nuk mund të mbështeste një teori të tillë. Ai tha se, "kishte pasur mungesë të qartë likuiditeti në sistem, dhe në një masë të madhe kjo u plotësua nga ndërhyrja e bankave qendrore në vende të ndryshme. Costa tha se kishte shenja që tregonin se shumë banka ishin shpëtuar nga miliona dollarë që vinin nga tregtia e drogës dhe aktivitetet të tjera të paligjshme. Pretendimet e tij vijnë në një kohë kur një fushatë e re kundër drogës po bën thirrje për ta luftuar gjithnjë e më shumë atë. Kriza e rëndë financiare që tronditi të gjithë botën dy vjet më parë shkaktoi një rënie të madhe ekonomike.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje