Revista
|
|
Kur Osama bin Laden vendosi që të martohej për herë të pestë, sipas zakonit mysliman, ai kërkoi ndihmën e këshilltarëve të tij më të besuar që t’i gjenin njeriun e duhur. Ënda ia kishte që të merrte një vajzë nga Jemeni, sepse një martesë e tillë do të çimentonte marrëdhëniet me këtë vend, i cili ishte edhe vendi i lindjes së të atit të miliarderit Bin Laden. Sheiku Rashad Mohamed Saed Ismaekl, një ndihmës nga Jemeni, u zotua që ta mbaronte porosinë. “Ajo duhej që të ishte shumë fetare, e bindur, bujare, e rritur mirë, e qetë dhe shumë e re, por që të mos ishte xheloze për gratë e tjera të Bin Ladenit”, rrëfen sheiku. Sipas tij, gratë e shumta tentojnë që të ushqejnë xhelozi për njëra-tjetrën, që shpesh degjeneron në sherre të mëdha dhe Bin Laden donte që ta shmangte situatën konfliktuale në familje mes grave. Ndihmësi i caktuar për këtë detyrë e njihte një vajzë me cilësitë e kërkuara. Ajo ndodhej në qytetin e Ibb dhe quhej Amal al-Sadah. Ishte 18 vjeçe, bija e një nëpunësi, një vajzë me të gjitha cilësitë për të qenë një nuse e përsosur për Bin Ladenin, që në atë kohë ishte një burrë i pjekur, 43 vjeç. Sipas ndihmësit jemenas, ajo ishte personi i duhur në të gjitha drejtimet dhe po sipas tij, kjo vajzë ndodhet edhe sot përkrah të shoqit, kudo që ai mund të jetë. Ndihmësi jemenas ka dhënë së fundi një intervistë për shtypin, e para e këtij lloji, që tenton të hedhë më shumë dritë për familjen e njeriut më të kërkuar të planetit. Për sa i përket kandidates, ajo ishte fetare dhe shpirtërore dhe besonte në gjërat që besonte Bin Ladeni. Vinte nga një familje modeste dhe nuk e kishte problem jetesën në kushte të vështira, nëpër shpella, apo maja malesh. Nuk i bënte përshtypje që të martohej me një burrë, i cili për nga mosha mund të ishte i ati dhe besonte se gruaja duhej të ishte një qenie e bindur dhe e urtë pranë të shoqit, ndryshe nuk mund të fitonte pozicionin e duhur në parajsë. Një vit para sulmeve të 11 shtatorit, ndërmjetësi ia propozoi martesën familjes së vajzës. “Prindërve të saj u thashë se Osama bin Laden ishte në kërkim të një gruaje të 5 dhe do të ishte një burrë shumë i mirë për vajzën e tyre”, rrëfen ndihmësi. Kur Bin Laden e mori vesh për nusen, duke qenë se për të kishte shumë rëndësi kjo martesë, i tha ndihmësit që ta takonte edhe vetë personalisht vajzën për të parë miratimin e saj. “Kur e takova i thashë se Bin Laden ishte një njeri i veçantë, që kishte hequr dorë nga pallatet dhe pasuria e tij për të luftuar në emër të myslimanëve, në atë që quhej xhihad. Ai jeton në Afganistan, shpesh në kushte të vështira dhe gjithmonë në ikje. Ndonjëherë në një shtëpi, herë në një tjetër, më pas në mal, apo shpellë. Doja që ajo të kuptonte gjithçka mbi njeriun me të cilin do të lidhte jetën, rrëfen ndihmësi. Kur ajo pranoi që të martohej, i ati i dha leje që ta merrte të bijën për në Afganistan. Përgatitjet për dasmën zgjatën 2 javë dhe u bënë në përputhje me zakonet e Bin Ladenit. Ky i fundit shpenzoi rreth 5000 dollarë, një shumë e madhe kjo për Jemenin, për blerjen e bizhuterive dhe veshjeve për nusen. Një shumë e majme i kaloi si dhuratë edhe familjes së Amal për t’u siguruar se ata do të kishin pas kësaj një jetë të mirë. Pas një darke lamtumire me familjen, më në fund nusja ishte gati për rrugëtim. Në këtë udhëtim e shoqëronte ndërmjetësi i Bin Ladenit, bashkëshortja e tij dhe tre fëmijët e çiftit. Amal kështu u largua nga qyteti i saj dhe u nis drejt kryeqytetit të Pakistanit, Karaçi. Pas disa ditësh të kaluara aty mori rrugën drejt kufirit me Afganistanin. Bin Laden vetë po priste në Kandahar. Ceremonia e dasmës u drejtua nga Mustafa Abu al-Yazid, që ishte në atë kohë edhe financiari i organizatës. Por për sa i përket ceremonisë, sipas traditës sunite dasma është “punë burrash” dhe në të nuk ishte e domosdoshme pjesëmarrja e nuses. Nusja e kishte treguar miratimin e saj për këtë martesë me ardhjen në Afganistan, ndaj prania e saj nuk duhej. Kështu burrat festuan me të ngrëna e me të pira dhe me poezi. Ndërkohë që gratë, në mënyrë më modeste, festuan në një tjetër godinë. Ndërmjetësi i kësaj martese qëndroi në Afganistan deri javën para sulmeve të 11 shtatorit. Ai rrëfen se kishte dijeni se do të sulmoheshin disa objektivë të rëndësishëm, por jo se cilët ishin ata. Amal, ndërkohë, priste fëmijën e parë dhe mbeti pas në Kandahar, sepse Bin Laden donte që ajo të lindte në shtëpi. Kështu foshnja erdhi në jetë disa ditë pas 11 shtatorit. Vajza e sapolindur u quajt Safiyah. Për sa i përket lidhjes mes Bin Ladenit, aktualisht 52 vjeç dhe ndërmjetësit të tij jemenas, ajo ishte një lidhje e gjatë që nisi në vitet ’90. Ai e takoi për herë të parë Bin Ladenin kur ky i fundit po bënte një vizitë në fushat e lulëtarëve në Afganistan dhe më pas u emërua prej tij shef i ndërlidhjes për Kabulin e më pas gjatë viteve 2000-2001 hëngri dhe udhëtoi me shefin e Al-Kaedës. Pas sulmeve të 11 shtatorit u arrestua në Jemen dhe u mbajt aty i burgosur për 2 vjet. I vëllai u kap në Pakistan dhe u dërgua në Guantanamo. Aktualisht është këshilltar i qeverisë jemenase dhe është ofruar si ndërmjetës mes vendeve arabe dhe Al-Kaedës. Sipas tij, Bin Laden është shëndosh e mirë dhe është një njeri që përdor ushqim të shëndetshëm, është shumë i kujdesshëm për veten.
Për sa u përket grave të tij të shumta, me të cilat ai ka sjellë në jetë 23 fëmijë, thuhet se ato të gjitha janë shpërndarë në vende të ndryshme. Sa për Amal, gruaja më e re dhe me sa duket më e favorizuara e Bin Ladenit, lajmet nuk janë të sigurta. Disa thonë se ajo është rikthyer në Jemen, ndërsa vetë ndërmjetësi thotë se ajo nuk e ka lënë kurrë vetëm Bin Ladenin, ndërkohë që familja e saj nuk ka asnjë lloj informacioni për të bijën.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje