Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Njëqind vjet pavarësi, jo njëqind vjet shtet!…
Publikuar me 17 Sht 2012



		
		  Njëqind vjet pavarësi, jo njëqind  vjet shtet!…

LUAN RAMA

Njëqindvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, për vetë dimensionet dhe vlerën e veçantë që ka në historinë tonë kombëtare, është e udhës të yshtë shumëkënd e të frymëzojë gjithkënd të flasë e të shkruajë, të krijojë a të përsërisë ç’kanë thënë të tjerë më parë. Por një ngjarje e tillë nuk ia lejon askujt, askujt, qoftë edhe i mangët në formimin intelektual, të artikulojë apo të shprehë qoftë edhe prej padijes në rastin më të “pafajshëm” koncepte apo nocione të gabuara, të cilat historiografia antishqiptare serbe i ka teza të vetat qysh se është shpallur pavarësia e Shqipërisë.
Në shumë shkrime historike-jubilare, përkujtimore e shkencore; madje dhe në shumë produkte promocionale (stilolapsa, blloqe, çanta, bluza, ftesa për veprimtari të ndryshme, fletëpalosje, pankarta etj); si dhe në emisione televizive, prej muajsh flitet rregullisht për njëqindvjetorin e shtetit shqiptar. Në një shumicë rastesh, madje dhe me logon zyrtare të shekullit të pavarësisë së Shqipërisë, miratuar nga Komisioni i posaçëm shtetëror.
Assesi nuk po e citoj për të keq frazën: “Unë hyj te njerëzit që refuzoj të pranoj që në 100 vjet shtet jemi drejtuar nga një hajdut, kolaboracionist(!) dhe nga një diktator i dyshuar për homoseksual” apo fjalinë: “Përvjetori i 100-të i shtetformimit ka një vlerë të madhe për të kuptuar nga vijmë dhe ku jemi duke shkuar”, marrë nga një shkrim i botuar dje ne faqet e “Panoramës”. Por nisur prej injorancës që ato mbartin e përcjellin te lexuesi, po sjell në vëmendje se ndërmjet nocioneve shtet dhe pavarësi ka dallime thelbësore.
Sigurisht që njerëzit vullnetmirë që po evokojnë 100-vjetorin e shtetit shqiptar nuk kanë ndonjë qëllim të keq në mendje, por, në fakt, duke ngatërruar nocionin e pavarësisë me nocionin e shtetit, i bëjnë një dëm të madh njëqindvjetëshit të pavarësisë.
Që ekziston një dallim i madh midis historisë së shtetit dhe historisë së pavarësisë, kjo është evidente. Sepse pavarësia ka të bëjë me njohjen ndërkombëtare të së drejtës së një kombi, një populli, për t’u vetëqeverisur; kurse historia e shtetit është shumë më e hershme në kalendar se pavarësia. Asnjë shtet nuk është shpallur e njohur i pavarur pa pasur një traditë shtetërore të mëhershme. Dhe Shqipëria jo vetëm nuk bën përjashtim, por, për fat, në raport me shtetin dhe shtetësinë, ka një zhvillim të njëkohshëm me atë të vendeve të Perëndimit, siç është vënë në dukje prej historianësh autoritarë, si për shembull njëri ndër ta prof. Aleks Buda.
Nuk është vendi këtu për të folur për mbretëritë dhe mbretërit ilirë; madje dhe për mbretëreshat, si Teuta; rezidencat dhe varret monumentale të të cilëve gjenden përgjatë faqes bregdetare të vendit, prej Drinit deri në krye të Adriatikut. Kjo histori i takon një epoke protoshqiptare dhe nuk po e evokojmë. Por, pa kaluar 400-500 vjet prej daljes së shqiptarëve prej ilirëve, vërehet menjëherë pjekja e rendit shoqëror në botën e arbërve. Familjet patronimike shqiptare: Arianitë, Muzakaj, Bua-Shpataj, Skuraj, Balshaj, Topiaj, Mazrekë dhe shumë të tjerë, ishin formacione parashtetërore të botës shqiptare; Familjet patronimike janë familje shtetformuese. Ato kishin stemat e tyre, kanceleritë, bibliotekat e dorëshkrimeve, përkthyesit, noterët, zyrat e komunikimit me jashtë. “Shteti i Arbnit”, për të cilin në vitet 1970 Dh. S. Shuteriqi pati gjetur edhe inskripcione e emblema në gur, ekzistonte qysh në prag të Rilindjes Europiane, siç ekzistonte thema e Durrësit. Arbëria në këtë kohë ishte organizuar si shtetet perëndimore, me dukate dhe konte; me zotër fisnikë.
Kjo është koha kur pjesa më e madhe e qyteteve bregdetare, prej Durrësit, Krujës, Lezhës, Danjës, Shkodrës, Drishtit, Shasit, Ulqinit e Tivarit, Kotorrit, kishin arritur në një rregullim të tillë të jetës urbane, sa të kishin statute dhe rregullore, që ishin kushtetuta të modelit të Rilindjes Europiane, një përpjekje për t’u kthyer te burimi, te modelet e republikave dhe demokracive antike helene dhe romake. Këto kushtetuta parashikonin detyrimet e shtetasve ndaj qyteteve-komuna; kishin magjistratët e tyre, gjyqtarët, si dhe sundimtarin. Shumë konflikte shqiptaro-veneciane janë provokuar kryesisht prej ngulmimit të shqiptarëve për të përdorur statutet e tyre. Kështu ndodhi në Durrës më shekullin XIII. Mjafton të përmendim faktin që prijësi i shqiptarëve në luftën antiosmane, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kishte ambasadorët e vet në Perëndim, kishte këshilltarë e sekretarë, kishte gjithashtu titujt e nderit. Ai njihet si “Dominus Albaniae”, pastaj edhe si “Epirotarum Rex” dhe me shumë tituj të ngjashëm. E tillë ishte në atë kohë edhe Europa vetë, Europë e mbretërve dhe e sovranëve që sundonin vendin me kurorë të trashëgueshme.
Nëse në periudhën e humanizmit u shfaqën shenjat e para të vetidentifikimit etnik dhe të kombësisë gjithashtu, bashkë me to u shfaq dhe prirja drejt shtetësisë, prirje që nuk u shua as në periudhën osmane. Nuk është e rastit që shqiptarët u bënë shumë shpejt faktor parësor në qeverisjen e perandorisë. Kur ajo hyri në një prej krizave më të thella, ishte dinastia shqiptare e Qyprillinjve, dinastia më e gjatë në historinë e perandorisë, që e shpëtoi atë nga rrënimi, duke propozuar si fillim ndarjen e sulltanatit nga vezirati dhe reforma të tjera. Një Qyprilli komandonte ushtritë osmane drejt Vjenës në fund të shekullit XVII. Shqiptarët në perandorinë osmane u bënë vezirë e grandvezirë, guvernatorë e kryeguvernatorë. Janë mbi 40 vezirët shqiptarë që mbajtën baraspeshën e qeverisjes osmane.
Shprehje e një vetëdijeje dallimi prej osmanëve ishin edhe pashallëqet e mëdha: të Ali Pashës dhe të Bushatllinjve, po dhe të Kurt Pashës së Beratit, që shpesh harrohet. Një shqiptar themeloi Egjiptin modern dhe e bëri të pavarur nga perandoria. Kur fqinjët grekë shpallën pavarësinë e vendit të tyre, në Parlamentin e parë shqipja dhe greqishtja përdoreshin paralelisht, sepse shqiptarët mbajtën peshë themelore në këtë revolucion. Idetë për shtetin shqiptar sunduan gjithë shekullin e romantizmit, tek arbëreshët dhe në shoqëritë kulturore-atdhetare në Lindje. Flamuri shqiptar vinte që nga thellësitë e mesjetës, po ashtu dhe himni ishte kënduar para se Shqipëria të bëhej e pavarur. Dhe kjo e shumë arsye të tjera na bëjnë të ditur pse është një konfondim historik ngatërrimi i së drejtës për pavarësi me traditën shtetërore e parashtetërore shqiptare në këtë jubile të madh të njëqindvjetorit të pavarësisë.
Më 28 Nëntor të 1912-s është shpallur pavarësia e Shqipërisë. Prandaj, në 28 nëntorin e këtij viti shqiptarë, kudo qofshin, festojnë njëqindvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe jo njëqindvjetorin e shtetformimit shqiptar.


1181
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI