Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Një shqiptar për në Senatin amerikan
Publikuar me 01 Mar 2012

 Një shqiptar për në Senatin amerikan

Peter Lumaj është që tani përgjigjja e një pyetjeje fjalëkryqi: Më thuaj emrin e të parit kandidat për senator të Shteteve të Bashkuara të lindur në Shqipëri. Avokati i çështjeve kriminale dhe të emigracionit nga Fairfield-i është një prej pesë republikanëve që kërkon të përfaqësojë këtë parti në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, për të zënë vendin e senatorit aktual në pritje të pensionit Joe Lieberman. Megjithatë, Lumaj, 44-vjeçar, është larg të qenit i kënaqur me atë se ai është një shpjegimore (footnote) historike.

 

I martuar, baba i tre fëmijëve, ai u arratis nga atdheu i tij asokohe nën një regjim komunist, 23 vjet më parë. Në fillim mori statusin e rezidentit të përhershëm dhe pesë vjet më vonë u natyralizua si qytetar amerikan. “E vura jetën në rrezik për të ardhur këtu”, thotë Lumaj gjatë një interviste. “Nuk dua t’i shoh fëmijët apo fëmijët e fëmijëve të mi të jetojnë nën një sistem të ngjashëm, ku qeveria kontrollon jetët e tyre”.

 

Ai e konsideron garën e nëntorit si përballjen më të rëndësishme që nga zgjedhja e Ronald Reaganit në vitin 1980, apo ajo e vitit 1860 e Abraham Lincoln-it dhe e përshkruan veten si një konstitucionalist strikt dhe konservator fiskal. “Mendoj se liritë tona janë në diskutim”, thotë Lumaj. “Besoj se Kushtetuta po anashkalohet. Dhe besoj se Amerika, vendi të cilin e dua aq shumë, po çnderohet”.

 

Lumaj thotë se mund të hiqen paralele mes odisesë së tij dhe asaj që po ndodh aktualisht në Amerikë nën udhëheqjen e lidershpit të tanishëm në Washington. “Duke qenë se kam lënë pas një sistem komunist, mendoj se kam një histori për të treguar. Komunizmi nuk funksionin”, thotë Lumaj. “Nuk dua të shoh atë lloj sistemi që më ndjek pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

 

Ndryshe nga emrat e njohur të peizazhit të Grand Old Party, si Linda McMahon dhe Christopher Shays, Lumaj është krejtësisht i ri për politikën republikane. Lumaj shkoi për një takim prezantues në zyrën e shefit të Partisë Republikane të Connecticut-it, Jerry Labriola. “Mendoj se ai ka një histori të fortë personale”, thotë Labriola. “Ai bëri me dije se po ndërton një lëvizje masash brenda komunitetit shqiptar në Connecticut. Ne e mirëpresim me gjithë zemër këtë komunitet në Partinë Republikane.” Labriola shtoi se ka gjithmonë vend për një si Lumaj. Sipas tij, ai do të jetë një zë i rëndësishëm shtesë në këtë garë.

 

Lumaj punoi si portier për të mbajtur familjen dhe për ta paguar arsimimin e tij në City University of New York, ku, sipas website-it të fushatës së tij, ai u diplomua cum laude në shkenca politike. Më pasi ai ndoqi Benjamin N. Cardozo School of Law në Yeshiva University në Manhattan dhe punoi si hetues ndërkohë që shkollohej.

 

Ndër çështjet kryesore që shqetësojnë Lumajn, me të drejtë, është emigracioni. “Politikat tona të emigracionit janë një kaos i plotë”, thotë ai. “Kam probleme të mëdha me emigracionin legal dhe ilegal.” Lumaj është kundër amnistisë për emigrantët ilegalë. “Ajo që ndodh tani, fatkeqësisht, është njerëz që vijnë këtu vetëm sa për të përfituar nga ajo që Amerika ka për të ofruar”, thotë Lumaj. “Është më shumë një përpjekje për të përdorur Shtetet e Bashkuara të Amerikës sesa për t’u bërë amerikanë”.

 

Në të njëjtën kohë Lumaj është i rezervuar kur vjen puna te deportimi i emigrantëve pa dokumente, të cilët kanë lidhje të gjata me komunitetet e tyre dhe nuk e kanë shkelur ligjin. “Si katolik, nuk besoj se ne duhet të ndajmë familjet. Kështuqë na duhet të gjejmë një mënyrë për të rregulluar emigracionin”, thotë ai.

 

Lumaj pranon se ka grumbulluar rreth 100 mijë dollarë fonde për fushatën e tij, e cila më së shumti do të mbështetet te puna vullnetare. Kur e pyet se cili nga republikanët e famshëm e ka mbështetur, të thotë se nuk i jep shumë rëndësi lojës së emrave. “Mendoj e se mbështetja e votuesve vlen dhe nuk po hap sytë për mbështetjen e të mëdhenjve”.

Neil Vigdor, Connecticut Post


793
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI