![]() |
Revista
|
|
E nisi në vitin 2001, famën e mori disa vite më vonë, po në kohën e qeverisjes socialiste, arriti kulmin në vitin 2008, me qeverisjen e demokratëve, por me ikjen e tyre është duke perënduar.
Ngjitja
Me hapjen e pikave të “Taçi Oil”, pronari Rezart Taçi, që në mediat e huaja etiketohet si “manjati i naftës në Shqipëri”, ngjiti shkallët e suksesit, duke ndërtuar depozitat në Shëngjin dhe më tej. Duhet thënë se aktivitetet kanë qenë të lidhura kahera me rafinerinë e karburanteve ARMO, kur fitoi disa të drejta ekskluzive ndërsa qeveriste e majta, kurse me Berishën Kryeministër, me të djathtët në pushtet, arriti ta blinte gjigantin e përpunimit të naftës. Shumë shpejt, në vitet më pas, aktivitetet po rriteshin, me zgjerimin e pikave të “Taçi Oil”.
Emri i tij lakohej pas çdo vendimi të qeverisë për karburantet. Të gjithë tregtarët iu vunë kundër duke e çuar çështjen e naftës D2 në Gjykatën Kushtetuese, pasi qeveria i kishte dhënë të drejtën për ta tregtuar edhe për një vit, përtej afatit në 2009-n. Shoqata e Hidrokarbureve vlerësonte një të ardhur shtesë për ARMO-n e blerë nga Taçi në vlerën e rreth 200 milionë eurove, në mënyrë të padrejtë dhe në kushtet e monopolit të tregtimit të naftës D2.
Pati suksese edhe në fusha të tjera. Solli në Tiranë, për herë të parë, ekipet me famë botërore, si Milan dhe Real Madrid, kundrejt pagesave që i kapërcenin shifrën 1 milion euro për ndeshje. Gjatë kësaj kohe bleu dhe një ndër televizionet më të rëndësishme të diasporës, “TV Alsat”.
Zbritja
Pasi bleu 85 për qind të aksioneve të ARMO-s më 2008-n, në vitin 2012, gati sa realizoi një ndër sukseset historike, atë të privatizimit 100 për qind të “Albpetrolit”, ndërmarrjes së vetme shtetërore të prodhimit të karburanteve. Oferta ishte rekord, dy herë më tepër nga pritshmëritë, plot 850 milionë euro. Procesi nuk rezultoi me sukses dhe privatizimi u anulua në muajt e parë të 2013-s.
Pas kësaj do të niste zbritja, me bllokim të aktivitetit të ARMO-s nga tatimet, me gjobat në disa milionë euro. Gjatë qeverisjes Berisha, kur arriti dhe kulmin, duhet thënë se “dashuria” me pushtetin ka qenë me ulje-ngritje, por në 2013-n mori goditjen finale, kur Tatimet i bllokuan të gjithë rafinerinë.
Sipas drejtuesve të “Taçi Group”, në vitet e fundit kompania ishte gjobitur në vlera që preknin shifrën e 100 milionë eurove.
Situata përkeqësohet ku me kalimin e muajve, pikat e “Taçi Oil”, të cilat e kishin tejkaluar numrin 300 (nga një mijë në total që kishte tregu), një pjesë, pothuajse kishin “ngrirë”, pra nuk shitej më karburant. Për të ardhur në muajin gusht, nga ku mësohet se pronësia e ARMO-s do të ishte në dorë të një grupi azerësh, për rreth 35 milionë euro (80 për qind të pjesës që zotëronte Taçi te rafineria). Shkak i shitjes, sikurse mësohet nga shkresa e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Florion Mima, ishin problemet financiare.
Por si arriti në këtë pikë, deri në falimentim, një ndër grupet më të fuqishme të tregtimit të karburanteve në vend?! Shkak ishte gjendja e vështirë financiare, shkaktuar nga borxhet e shumta. Sikurse bën të ditur revista “Monitor”, e cila i referohet të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, grupi i Rezart Taçit realizoi në vitin 2012 një xhiro vjetore prej rreth 350 milionë euro.
Bilancet
Duhet thënë se Taçi kishte një borxh prej 75 milionë eurosh te Banka Kombëtare e Azerbajxhanit, për shkak të blerjes së ARMO-s, por vonesat në shlyerje i shkaktuan një bllokim të kompanisë në verën e vitit të kaluar, me vendim gjykate. Me sa duket, ky borxh, plus nja 40 milionë euro të tjera ndaj të tretëve, e detyruan njeriun më të fuqishëm të tregut të karburanteve të hiqte dorë.
Është e habitshme, deri në kontradiktore fakti se përmes kompanive të tij, “Taçi Oil” (tregtues më shumicë i naftës), “Kuid” (tregtues me pakicë i naftës) dhe ARMO (rafineria e naftës), biznesmeni Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 50 miliardë lekësh (350 milionë euro) në 2012-n, me një rritje prej 80 për qind në raport me një vit më parë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të “Taçi Oil”.
Në këtë mënyrë, “Taçi Group” renditej në një prej grupeve më të mëdha në Shqipëri, sipas xhiros, pas “Çalik Group” (“Eagle”, “Albtelecom”, BKT) dhe manjatit tjetër të naftës në vend, “Kastrati”.
Rritje të ndjeshme ka shënuar kompania e tregtimit të naftës, “Taçi Oil International”, ku grupi e ka përqendruar aktivitetin në këtë kompani më 2012-n, ndryshe nga një vit më parë, kur sipërmarrja tjetër e grupit, rafineria ARMO, mbajti pjesën kryesore të grupit. Xhiro e “Taçi Oil International” arriti në 32.8 miliardë lekë në 2012-n, duke u shtatëfishuar në raport me një vit më parë dhe duke u renditur në kompaninë e dytë më të madhe të naftës në vend, pas “Kastratit”.
Por kompania rezultoi me një humbje minimale prej 30 milionë lekësh. ARMO, nga ana tjetër, ka rezultuar me një tkurrje të xhiros prej 20 për qind në 18 miliardë lekë. Gjatë tre viteve të fundit, grupi “Taçi Oil” ngriti rrjetin më të madh të pikave të pakicës në vend, me rreth 300 pika shitje (pjesa më e madhe e të cilave me qira).
Tashmë një pjesë e kompanive të tij do të jetë në dorë të azerëve të “Heaney Assets Coorporation” dhe më e keqja është se në njërën pikë të kontratës, Rezart Taçi nuk do të duhet të merret me sektorin e karburanteve për të paktën 5 vjet!
Sakaq, dyshimet mbi transaksionin janë të shumta. Ku shkoi pasuria e tij disa qindra milionë euro dhe kush në të vërtetë e bleu ARMO-n dhe një pjesë të kompanive të Taçit?!
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje