Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Ngjela kritikon qeverinë e re dhe Koço Kokëdhimën: Armik i briskut dhe sapunit
Publikuar me 03 Tet 2013

Ngjela kritikon qeverinë e re dhe Koço Kokëdhimën: Armik i briskut dhe sapunit

Avokati Spartak Ngjela kritikon si qesharake emërimet e para të kryeministrit dhe i bën thirrje të ndryshojë trajektore.

Rrëfen takimin me Koço Kokëdhimën dhe hedh dyshime për lidershipin e Ramës. “Ka prishur të gjitha marrëveshjet, ka abondonuar elitën e PS”

Zoti Ngjela, si i vlerësoni aktet e para të qeverisë?
Kryesorja, nuk po qeveris dhe po krijon tension. Ka një tension të brendshëm të nocionit administratë, që e ka vetë mazhoranca, përkatësisht Partia Socialiste. Në një sfidë djaloshare, jo të një burri shteti. Të çosh drejtor tatimesh një njeri të panjohur, në një kohë që këtu është bërë kërdia me korrupsion, duket paaftësi ndaj shtetit.

Burokracia është gjë e madhe, këta s’janë burokratë. Problemi është se ky është shtet borgjez. Kryeministri duhet ta kuptojë, nuk është shteti tatimi mbi xhiron, ky nuk është një regjim që vjen pas një lufte partizane.

Ky është shtet borgjez dhe duhet të respektosh administratën, se këtë e paguan kapitali. Ka marrë fund ajo. Nuk mund të flitet kështu. Kapitali ka qënë i goditur, tregu ka qenë i goditur, nuk ka korrupsion këtu, korrupsion i thonë naivët. Këtu ka qenë krim. Të trajtosh kështu administratën do të thotë që ose ti nuk di gjë fare, ose ke ndërmend që të vazhdosh që anija të mbytet.

Një nga tezat kryesore të qeverisë është lufta kundër korrupsionit…
Edhe Saliu luftën kundër korrupsionit kishte, edhe Mubarak. Kjo s’do të thotë gjë. Unë dua të di kush është lufta. Ajo nuk është me armë, por me ligj.

Trego reformat. Ka nevojë për reformë kushtetuese dhe gjithë aspektet e jetës ekonomike. Duhet të thirreshin të gjithë njerëzit e aftë që do drejtojnë shtetin. Ç’është kjo maxhorancë që del me një zë të vetëm dhe thotë, ik ti këtu e shko ti atje. Nuk ka grumbulluar një ekip. Të paktën të kishte respekt për ekspertizën e vjetër që ka brenda partisë së tij.

Është njësoj si qeveritë e pashallarëve. Ka filluar shumë keq, unë s’kam si mbështes një qeveri me një Kryeministër të tillë. Rama duhet të ndërrojë trajektoren sa më shumë shpejt të jetë e mundur. Lëri takimet me diplomatët, ku kanë vlerë ato! Njerëzit duan një gjuhë që t’i japë shpresë dhe një kryeministër që të tregojë forcë në funksion të moralitetit. Jo të një grupi që ka atje, ca koço e ca moço. Pse me ata do ta drejtojë shtetin ai? Pse do ta mbështes unë? Absolutisht nuk e mbështes.

Kjo është cilësuar si një qeverisje dyshe dhe jo njishe. Në fakt po mbizotëron Rama në këtë qeverisje?
Nuk më intereson fare të di se sundon Rama apo jo, ai nuk drejton. Ky nuk është drejtimi i një kryeministri. Nuk kishte eksperiencë për administratën, por kjo nuk do të thotë që të mos kishte staf. Ai nuk ka staf.

Kur thoni që nuk e mbështesë më qeverinë Rama do të thotë shkëputje nga ky koalicion mazhoritar?
Jo, përkundrazi. Unë do angazhohem me gjithë koalicionin, o të regullojmë trajektoren ose të gjejmë kryeministër tjetër.

Nuk mundet dot që mazhoranca të shikojë se anija po i bie ajsbergut dhe të mos i thotë kryeministrit: ore ndërroje kursin, se do t’i biesh ajsbergut! Shenjat janë shumë të këqija, ka prishur gjithë marrëveshjet, elitën politike të partisë së vet e ka abandonuar.

Si mund të drejtojë? Problemi është se nuk drejton. Dhe më duket se ai nuk po e kupton. Ose pastaj e ka kapur një grup i caktuar njerëzisht që e drejtojnë nga fryn era.

Mesa dimë që njerëzit më të afërt që ka komunikuar edhe me ju është Koço Kokëdhima…
Gabim i rëndë, në qoftë se e drejton ky. Të paktën zërat brenda PS-së më thonë që e drejton ky. Si mund ta drejtojë ai? Më erdhi mua në takim. Një njeri pa vlerë fare, i palarë. M’u duk si një armik i ujit, briskut dhe sapunit. Fliste me një delir sikur drejtonte shtetin.

Mbarova, ika. Në rast se ky drejton, është fatkeqësi e rëndë dhe pse e drejton. Ai duhet të ketë staf. Nuk e di, gjendja më duket e rëndë. Rama duhet të ndërrojë trajektoren. N
dërrimi i trajektores është krijimi i kompromisit me të tërë ata që është konfliktuar, që janë shumë të fortë, janë shumë të aftë dhe bile janë persona që kanë krijuar vetë partinë.

Nuk mundesh t’i shmangesh këtyre gjërave. Po nuk e bëre dot kompromisin brenda vetes, nuk mund ta bësh kompromisin e madh me shoqërinë. Ndaj unë dola sot t’i jap të kuptojë që të ketë mendjen, se gjithçka mund të ndodhë.

Rama ka treguar tashmë se nuk ka ndërmend ta respektojë marrëveshjen me aleatët. Cili do jetë qëndrimi juaj?
Gjërat duhet të ndodhin. Politika është domino. Vihet një gur dhe pastaj vihet një tjetër. Unë po flas për gurin që ka vendosur Rama deri tani. Nuk e di përgjigjen që do t’i vijë nga ekipi parlamentar, por që ata janë në trazirë, e kam vënë re. Unë nuk mund t’i jap suport. Së pari, unë e kam humbur besimin që kur prishi marrëveshjen me mua. Prishi marrëveshjen me një tjetër, e me një tjetër, s’ka sensin e një kompromisi. Burrë shteti që s’di të bëjë kompromise, është jashtë modernitetit.

Vendimet e para të qeverisë Rama, që kanë sjellë irritimin e opozitës që nga shtyrja e ligjit për nëpunësin civil, por edhe disa çështja të tjera që nuk kanë lënë shijen e çështjeve më rëndësi shumë të madhe. A duhet të ishin këto çështjet që duhet të merrnin prioritet në këtë qeveri të re në gjykimin tuaj?
Opozita njëherë nuk ka lider, flet me gjuhë të vjetër dhe kuptohet që drejtohet ende nga Saliu. Është e rëndë dhe pse e them këtë? Sepse atë diksion që përdor sot kryetari i partisë Demokratike është diksioni që neverit popullin.

Kush nuk e kupton, gabon. Pra, ata po shkojnë në dekadencë. Por është inerci për të kthyer kursin apo është kursi vetë do ta shikojmë për çështje muajsh, por nëse ky është kursi vetë atëherë ata shkojnë drejt shkatërrimit, sepse do të shohin se nuk kanë asnjë lloj perspektive për të bindur njerëzit. Me atë gjuhë, nuk mund të binden dot shqiptarët…


1663
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI