Revista
|
|
Në Shqipëri ka mbërritur dhe eksploziv plastik C4. Provat e siguruara nga revista MAPO nuk lenë më asnjë dyshim: Ministria e Mbrojtjes, në vitin 2006, ka porositur nga Republika Islamike e Iranit, në të paktën tre raste, ngarkesën e frikshme, e cila nuk ka përdorim industrial, por që bëhet një armë e fortë kur bie në duar të gabuara. Një çertifikatë e përdoruesit të fundit, End User, e firmosur nga ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Ardian Mullahi, aktualisht person i marrë i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, është vetëm njëra nga provat që e vërtetojnë një gjë të tillë. Sipas dokumentit zyrtar, “vërtetohet se mallrat e mëposhtme janë për MEICO-n, kompania e eksport importit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk janë të destinuara për rieksport në vende të tjera jashtë kufinjve të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në këtë dokument. Dhe mallrat ishin, Eksploziv plastik C4, i llojit Mil-C-45010 dhe fill detonues. Për një nga rastet e eksportit enigmatik bëhej fjalë për 3500 kilogram eksploziv që teorikisht duhet të kenë hyrë në Shqipëri pa të drejtë daljeje, të shoqëruar nga 30 mijë metra linear fill detonues.
Eksplozivi plastik
Historia e blerjes së armatimit nga R.I. Iranit, merr kështu një përmasë shqetësuese. Për çfarë qëllimi është porositur dhe është blerë kjo sasi e paimagjinueshme eksplozivi që nuk mund të hyjë në punë për përdorim paqësor e civil? Ku ka përfunduar? Dhe mbi të gjitha, ku ndodhet tani, si dhe sa është përdorur dhe a është përdorur për t´u rishitur? Burime konfidenciale të revistës MAPO pohojnë se malli i frikshëm pretendohej se do të përdorej nga një deputet i Partisë Demokratike, i cili ka në pronësi një gurore. Por edhe në këtë rast, një gjë e tillë është e pamundur. Inxhinierë specialistë të fushës, pretendojnë se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë: Eksplozivi C4 ka vetëm përdorim për qëllime ushtarake.
Kërkesa dhe oferta
Në datën 15 shkurt 2006, një letër zyrtare niset nga ministria shqiptare e mbrojtjes; adresa e marrësit është “Modlex/Export Centre”. Një kërkim në Google e bën të qartë se marrësi është homologu iranian i MEICO-s shqiptare. Shkresa i drejtohet menaxherit të kompanisë iraniane R. Rahmani. Dhe zotit Rahmani i kërkohet të bëjë një ofertë, fillimisht, për gjysëm toni me eksloziv plastik C4. I premtohet gjithashtu dhe se Ministria e Mbrojtjes do të aplikonte për të marrë/provuar çertifikatën e përdoruesit të fundit, End User, që do të garantonte shitësin se malli nuk do të rieksportohej nga Shqipëria.
MAPO ka siguruar dhe një prej këtyre çertifikatave, që u sipërcitua, të firmosur nga ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullahi. Jo vetëm për gjysëm toni C4, por për tre ton e gjysëm C4. Një gjë e tillë vërteton të paktën sasitë minimale të këtij lloj eksplozivi të hyrë në Shqipëri. Mund të ketë pasur edhe importe të tjera të këtij malli, por kjo është vetëm një mundësi, sa kohë që nuk ka dokumenta që ta provojnë atë.
Ka pasur dhe një tentativë për eksport, kësaj rradhe në drejtim të përkundërt; nga Tirana në Teheran. Shqipëria afronte zyrtarisht Hexogen, lëndë e parë për prodhimin e lëndëve plasëse. Shqipëria vinte në dispozicion për shitje 100 ton hexogen, të vitit të prodhimit 1987, të paketuar në fuçi druri, secila me peshë 48 kilogram. Çmimi që ju afrohej për negocim iranianëve ishte 500 dollarë për ton. Origjina e këtij malli ishte Shqipëria; hexogeni ishte prodhuar nën licensën BOFORS. Nuk ka të dhëna nëse ëhstë kryer realisht ky eksport.
Edhe serbë e boshnjakë në “lojë”
Hyrja eksplozivit plastik C4 në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë. Largësia mes dy vendeve dhe mbi të gjitha, llojit i mallit që do të transportohej, e bënte ardhjen e tij në Tiranë, një aventurë të vërtetë. Dhe aventura kaloi dhe në Serbi e Bosnje Hercegovinë.
Një tjetër shkresë zyrtare është prova e këtij spedicioni delikat. Ajo i është drejtuar një agjensie spedicionere serbe, SPEDAL, krijuar pas privatizimit të JugoSped-it në Beograd. SPEDAL, me qendër në Banja Luka, Bosnje Hercegovinë, është ndërmarrje për specidicon të brendshëm dhe ndërkombëtar dhe është krijuar në 2001. Shërbimet që afron kjo kompani, është eksport-import mallrash deri në peshën 2.8 ton dhe mbulon të gjitha destinacionet evropiane.
Këto shërbime të kësaj kompanie, janë kërkuar nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes në datën 4 maj 2006.
Në shkresën zyrtare thuhet: “Ne kemi interes të importojmë nga ministria iraniane e mbrojtjes dy artikuj, ju lutemi na jepni ofertën tuaj për transportin e tyre. Destinacioni: Teheran (Iran) – Tirana (Albania). Dhe dy artikujt janë një ton eksploziv C4 dhe 10 mijë metra linear fill detonues”. Nga kryqëzimi i këtyre dokumentave, bëhet e qartë se bëhet fjalë për të paktën tre ngarkesa me eksplozivin e famshëm C4; 500 kilogram, 1000 kilogram dhe 3500 kilogram. Ku kanë mbërritur? Kur kanë mbërritur. Për çfarë janë dashur? Këto janë pyetje të cilave vështirë se ju jepet përgjigje njëherë për njëherë. Enigmat gjithsesi janë të thella dhe shumëplanëshe.
Armë nga Koreja e Veriut dhe Irani
Një numër më parë, revista MAPO botoi prova se Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka kontaktuar zyrtarisht dhe ka kërkuar të blejë armë nga dy vende të largët; Koreja e Veriut dhe Irani. Në rastin e parë, në këmbim të katër milionë dollarëve, Shqipëria kërkonte një sasi raketash SA – 16 dhe SA – 18. Ato janë raketa tokë – ajër, ajër – ajër dhe vihen në përdorim nga mjete të blinduara, mjete ajrore, por dhe nga këmbësoria.
Nga Republika Islamike e Iranit, Shqipëria, po zyrtarisht ka kërkuar të blejë raketa tokë – ajër të llojit Toufan & Toufan, Ababil 2 dhe 3, Mohajer 2, Manpads Misagh 1, sisteme komunikimi Gooya – 600 dhe Gooya – 603, si dhe mitralozë të rëndë e granata hedhës të kalibrit 40 milimetra.
Ambasada e Republikës Islamike e Iranit e ka përgënjeshtruar këtë biznes ushtarak mes dy shteteve. MAPO boton të plotë reagimin mohues të ambasadës, por dhe një pjesë të dokumentave që ka në dispozicion dhe që provojnë krejtësisht të kundërtën.
Kontaktet mes Shqipërisë dhe këtyre dy vendeve kanë nisur në vjeshtën e vitit 2005, kur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes u emërua zoti Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane. Zoti Mediu u dorëhoq nga detyra tre ditë mbas shpërthimit të tragjedisë së Gërdecit dhe aktualisht është nën akuzë penale për shpërdorim detyre në lidhje me këtë tragjedi. Zoti Mediu dhe partia e tij janë pjesë e koalicionit qeveritar të kryesuar nga Partia Demokratike.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje