Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Nga 28 viktima të trafikimit, 17 kosovare
Publikuar me 17 Jan 2009

Nga 28 viktima të trafikimit, 17 kosovare

Gjatë vitit 2008, në mbarë territorin e Kosovës policia ka arrestua 98 persona të dyshimtë për prostitucion dhe trafikim të qenieve njerëzore, përderisa 28 persona janë identifikuar si viktima të trafikimit. Toger Ramadan Ahmeti, shef i sektorit kundër trafikimit, thotë se gjatë vitit të kaluar policia ka arrestuar 98 të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore. Ka identifikuar 28 viktima të trafikimit, 17 viktima kanë qenë kosovare, katër moldave, tri nga Shqipëria, dy serbe, si dhe një bullgare dhe një turke.  Ai ka bërë të ditur se 12 raste janë duke u hetuar nën dyshimin për trafikim me qenie njerëzore. Ahmeti tha se Policia e Kosovës gjatë 2008-ës ka arritur që të zbulojë raste të trafikimit, ku për dallim prej viteve të kaluara shumica e viktimave janë nga Kosova. Në të gjitha regjionet e Kosovës ka lokale të dyshimta ku mendohet se kryet prostitucion. Sipas policisë, në Kosovës janë kontrolluar rreth 694 lokale të dyshuara, prej të cilave 71 janë mbyllur nga policia dhe inspektorët komunalë. Policia në disa raste ka arrestuar edhe personat e dyshuar, të cilët kanë bërë trafikimin e qenieve njerëzore. Vetëm gjatë vitit 2008, 98 persona janë arrestuar nën dyshimin për trafikim të qenieve njerëzore, ndërsa një vit më parë numri i të arrestuarve ka qenë 48. Arrestimet kryesisht janë bërë nën dyshimin për prostitucion dhe për ndihmesë në prostitucion, mirëpo ka pasur arrestime edhe për raste të tjera të ndërlidhura në mënyrë indirekte me trafikim. Sipas togerit, policia ka kryer 59 operacione vëzhgimi nëpër vende të ndryshme, 25 operacione me masa të fshehta të hetimit, 30 operacione të përbashkëta me inspektorët komunalë të punës dhe sanitarisë. Përpos policisë në luftën kundër kësaj dukurie, asistojnë edhe Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Mirëqenies Sociale. Bastri Kastrati nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht nga Divizioni për mbrojtjen e viktimave të trafikimit, theksoi se gjatë vitit punonjësit e këtij divizioni kanë asistuar në 27 raste. Sipas Kastratit, në kuadër të këtij divizioni ekziston edhe strehimorja e sigurisë së lartë për viktimat. Sipas tij, gjatë 2008-ës në këto strehimore janë strehuar 31 raste, prej tyre 20 vendase dhe 11 ndërkombëtare. Ministria e Drejtësisë, sipas Kastrati, ka vënë në dispozicion edhe një numër pa pagesë në të cilin viktimat e trafikimit mund të kenë kontakte dhe të kërkojnë ndihmë, mirëpo  ky numër sipas tij është duke u keqpërdorur. “Në shumë raste kemi thirrje që keqpërdoren, ku nga 566 thirrje vetëm 4 thirrje kanë qenë serioze”, theksoi Kastrati. Ndërsa Bexhet Gaxhiqi, këshilltari politik i ministrit të  Punës dhe mirëqenies sociale, theksoi se qendrat për punë sociale gjatë 2008 kanë ofruar shërbime për nëntë viktima vendase të trafikimit, duke u ofruar një mbrojtje dhe përkujdesje institucionale.
K.GASHI


3046
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI