Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

“New York Times”: Ahmet Zogu, monarku që punon më shumë në botë
Publikuar me 09 Sht 2009

“New York Times”: Ahmet Zogu, monarku që punon më shumë në botë

Botohet për herë të parë në Shqipëri
Gazeta përshkruan rutinën e përditshme të mbretit Zog, nga mëngjesit në mesnatë

Në vitin 1929 një korrespondent i “Associated Press” vizitoi oborrin mbretëror shqiptar dhe shkroi një reportazh mbi një ditë të plotë pune të mbretit Zog. Orët e zgjatura të punës i dhanë atij titullin e monarkut që punon më shumë në botë. Artikulli i botuar në gazetën “New York Times”, ofron një panoramë të plotë të një dite të zakonshme të monarkut shqiptar.
Tiranë, Shqipëri, 9 qershor 1929.
Mbreti Zog, sovrani i parë i vetëshpallur i Shqipërisë, edhe pse ka më pak se një vit në fron ka fituar titullin e monarkut që punon më shumë në botë. Tetëmbëdhjetë orë të pandërprera pune, me vetëm 10 minuta stërvitje çdo dy orë në të ndarën e pallatit të tij me stuko të bardhë, është ajo çka konsiderohet një ditë e zakonshme pune.
Mbreti ngrihet njëherazi me shqiponjat e malit, në gjashtë të mëngjesit, rrufit një filxhan kafe turke, tymos një cigare dhe zhytet menjëherë në punë. Me përjashtimin e vetëm të disa minutave për të vizituar nënë e tij, me të cilën është jashtëzakonisht i lidhur, ai s’largohet kurrë nga tavolina e punës deri në mesnatë. Argëtimi i tij i vetëm është loja e herëpashershme me qentë e tij në oborrin e pallatit të ruajtur rreptësisht nga rojet. Në mbrëmje, orët e tij të gjata të punës ndërpriten vetëm kur mbreti dëgjon meloditë e tij të preferuara amerikane që burojnë nga fonografi amerikan, të cilin ia ka dhuruar ministri Hart. Miqtë e monarkut shqiptar rrëfejnë se atij i mungon zotësia për të deleguar detyrat tek të tjerët, edhe tek ministrat e tij, të cilët janë për këtë punë. Pikërisht për këtë arsye, ai insiston të bëjë gjithçka vetë personalisht dhe të drejtojë vendin personalisht.
Por, edhe ai e udhëheq vendin sipas parimit bazë të drejtimit nga një njeri i vetëm, ai s’ka aspak tiparet e një diktatori. Tiparet e tij të buta, hunda si shqiponjë, goja delikate, flokët e çelur, mustaqet e imëta gështenjë, dinjiteti goditës dhe hija aristokrate e bëjnë të duket si një fisnik francez a austriak, që s’i është dashur të prekë kurrë punë me dorë në jetë të vet. Sovrani më i ri i Evropës, në fakt nuk është aspak diletant. Ai i sundon banorët e vendit të tij me një dorë të vendosur, të paepur, por të drejtë dhe e bën mbretërinë e tij një shembull të shkëlqyer të punës së tij.
Edhe pse Zogu u konvertua brenda natës, nga pasuesit e tij nga një kryetar i zakonshëm në një monark të fuqishëm e të lavdishëm, ata që kanë rastin ta takojnë goditen nga manierat e tij mbretërore dhe hijeshia e tij. Kur korrespondenti i “Associated Press” vizitoi pallatin, e gjeti mbretin duke luajtur me disa shqiponja mali të mëdha, të cilat i kishte zbutur vetë. “Duke qenë se Shqipëria është vendi i majave dhe shkrepave ne kemi aq shqiponja këtu sa keni harabela ju në Amerikë”, tha mbreti me një gjermanishte të shkëlqyer. “Shqiponjat janë simbol i dinjitetit dhe lirisë, prandaj është simboli ynë kombëtarë. Njerëzit mi sjellin ato vazhdimisht si dhuratë, ndaj tani kam aq shumë sa të eksportoj disa në Amerikë”. Më pas, duke qeshur mbreti shton, “por unë e di se amerikanët tashmë kanë mjaft shqiponja dhe mjaft liri”.


1154
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI