Revista
|
|
nga: FATOS BAXHAKU
Hapi i disa ditëve më parë, i ndërmarrë nga kisha katolike, për shkishërimin e të gjithë atyre që vrasin në emër të gjakmarrjes, apo të hakmarrjes, është padyshim një nga më domethënësit, më të fortit, më të prerët hapa që ka ndërmarrë ndonjëherë kundër kësaj plage shoqëria shqiptare.
Sidomos që nga fundi i shekullit XIX kisha katolike nëpërmjet misionarëve të saj, por edhe famullitarëve të thjeshtë të malësive, është shprehur kurdoherë në mënyrë të vendosur kundër gjakmarrjes. Kërcënime për shkishërime u janë bërë herë pas here edhe malësorëve apo familjeve të veçanta. Puna është se kisha në këto hapa e ka ndier veten gjithnjë vetëm dhe nëse vazhdon kështu, ka gjasa që të ndihet sërish e vetmuar edhe në kohët tona. Që të jemi më të qartë, shkishërim do të thotë mohimi i së drejtës së rrëfimit, mohimi i marrjes pjesë në meshë, dhe më e rënda, sipas katolikëve, mohimi i të drejtës për t’u varrosur në varret e fshatit.
Historia e kishës është e mbushur me raportet që misionarët dërgonin nga zonat e thella.
Duhet ta pranojmë që në fillim se besimi katolik ndër malësorët e fshatarët e Veriut ka qenë gjithnjë i përzier me dogma pagane dhe, në çdo rast, me dëshirën e fshehur për t’iu shmangur Urdhëresave të Zotit. Rrëmbimi i grave, fejesat në moshë fare të njomë, vjedhja dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, gjakmarrja, ishin ndër plagët me të cilat priftërinjtë ndesheshin thuajse në çdo hap që bënin.
Në sytë e famullitarit dhe në sytë e “të dërguarve të Zotit” vendasit bënin be e rrufe se Jezu Krishti ishte i vetmi Zot i tyre dhe se do të zbatonin gjithçka që ai kishte predikuar, por dukej sheshit se ca nga mënyra e jetesës që shkonin nëpër malet e harruar e të varfra, e ca ngaqë katekizmi ndër ta kishte munguar thuajse ngaherë, atëherë ata sajonin një lloj interpretimi të vetin të Ungjillit.
Në vitin 1889, jezuiti Atë Domeniko Pazi shkruante: “…Një malësor pyeste një Atë nëse ishte mëkat i madh t’i rrihte delet, të kurvëronte, apo të vidhte. Dhe rreth vjedhjes ata kanë një lloj morali të tyre; nga kjo rrjedh që në disa fshatra të malësisë hajdutëria është një zanat. Dhe mirditorët janë tejet të bindur se në Ungjillin e Shën Markut lejohet të vjedhësh ndonjëherë në vit; por, sipas tyre, priftërinjtë ‘zemërligj’ e mbajnë të fshehur këtë pjesë e nuk ua tregojnë kurrë”.
Malësorët pra e kishin tashmë gati një shpjegim të tyrin “teologjik” mbi mëkatin. Bëhet fjalë për një kohë kur fjala e kishës ishte urdhër më i fortë se sa ai që vinte nga Shkodra, nga qeveria qendrore. Pa imagjinoni pak se çfarë efekti do të ketë shkishërimi në kohën e sotme, pas plot 50 vjet ateizmi të egër!
“Të lumtë pushka!” e uronin dikur njeriun që merrte gjakun. Gjakmarrja ishte një vënie e së drejtës në vend, një dënim i merituar për viktimën dhe një rritje e respektit të individit në sytë e të tjerëve. Kisha veproi që herët me anë të dy mënyrave të ndryshme: më e para ishte organizimi i kuvendeve popullore, ku zgjidheshin me anë të gjobave paudhësitë e ndonjërit. Dënimet shkonin deri në djegien e shtëpisë dhe dëbimin nga fshati. Vetë kisha në raste të veçanta nuk i pranonte vrastarët në ceremonitë e shenjta.
Në Traboinë, në pjesën e sotme shqiptare të Malit të Zi, shumë prej vrastarëve u mohohej e drejta e rrëfimit për një vit, porse duket se atyre nuk u bënte shumë përshtypje kjo punë. Në Firë të Pukës, më 1890-n, një vrastari iu ndalua varrimi në varrezat e kishës. “Kishte bërë shumë vrasje të tjera”, shpjegon një misionar jezuit. Porse kishte edhe raste kur gjakmarrja ishte aq e justifikuar nga opinioni, saqë ndonjë prift detyrohej ta falte publikisht vrasësin për gjakun e marrë, duke i hyrë më pas rrugës së vështirë, në mos të pamundur të pajtimit të gjaqeve. Në raste të interesit të përgjithshëm ka ndodhur edhe dhënia e besës për një periudhë të caktuar. Kështu ka ndodhur pas thirrjes që arkipeshkvi i Shkodrës, Jak Serreqi, u drejtoi krerëve të Malësive në qershor të 1913-s.
Të gjitha këto masa nuk e frenuan dot gjakmarrjen. Ajo vazhdoi ndër male me ritmin e kahershëm, duke i lënë shumë familje të zhytura në zi, burrat pa punë, të rinjtë pa të ardhme. Kisha e bëri dhe e ka bërë gjithnjë të vetën, po a mjafton kjo? Leximi i një dokumenti të hartuar nga Atë Domeniko Pazi më 1889-n na e krijon sërish atë shijen e hidhur të vetmisë e të pafuqisë që misionari e pat ndier këtu e afër 120 vjet më parë. “…
Në vështrim moral është fare e thjeshtë të imagjinosh se sa dëm u ka sjellë kjo plagë, duke i bërë njerëzit e malësisë të mendojnë vetëm për gjak e gjakmarrje, të flasin vetëm për gjak të marrë, a gjak për të marrë, të kenë frikë për të shkuar në kishë se mos i gjen dora e hasmit, dhe ajo që është më e rënda, të rrinë vite e vite pa kryer ritualet e Sakramentit deri sa të jetë kryer hakmarrja. Plagët e tjera, apo problemet e ndryshme që hasen në jetën e malësorit mund të gjejnë paqësim e rregullim me ndërhyrjen e famullitarëve apo të misionarëve; por vetëm plaga e hakmarrjes nuk mund të sheshohet deri kur nuk do të jenë hequr armët, dhe deri sa qeveria nuk do të vërë dorë për të bërë drejtësi, gjë që nuk mund të shpresohet që mund të bëhet nga një qeveri që ka interes vetëm për të mbjellë çrregullim e armiqësi ndër masat”.
Sigurisht shqiptarët kanë ndryshuar, “Qeveria” për të cilën bën fjalë Atë Pazi ishte ajo e Stambollit, e cila nuk e vriste edhe aq mendjen për një gjakderdhje “të vogël” që zhvillohej në kufijtë e perandorisë së madhe. Porse shumë paralele mund të hiqen ende. Në shumë zona të Veriut, gjakmarrja, në mos konsiderohet si një trimëri e qëmotit, quhet si një gjë normale, si një gjë të cilën ta cakton fati dhe ti je i detyruar ta zbatosh symbyllur nëse nuk do të turpërohesh para të tjerëve.
Kryeministri vetëm dy ditë pas vendimit të kishës, hodhi idenë e forcimit të ligjit. Sipas tij, të gjithë ata që aplikojnë hakmarrjen duhet të dënohen automatikisht me burgim të përjetshëm. Ky propozim mund të konsiderohet si shenjë e vendosmërisë për të zhdukur një plagë tonën tradicionale. Mirë, po, edhe nëse në rastin më të mirë Parlamenti, i zënë me ethet e zgjedhjeve, do ta miratojë këtë nismë, a mjafton vetëm kjo? Të gjithë e dimë se njeriu që ka një jetë që përgatitet për të vrarë një njeri të vetëm, nuk ka frikë nga burgu. Është e thjeshtë, ai nuk ka frikë as nga vdekja. Madje për disa prej tyre vdekja konsiderohet një lloj zgjidhjeje e ngjashme me “kapakun e florinjtë”.
Kaloi respekti që ngjalli vendimi i kishës për shkishërimin, kaloi edhe vala jonë mediatike. Ndër male e qytet të ngujuarit vrasin mendjen nëse do të vrasin apo do të vriten, dhe kur! Në vetminë e tyre tash që nata ka nisur t’ia kalojë ditës shumë vetë e ndiejnë veten vetëm, teksa presin me ankth trokun e ngadaltë të vdekjes.
Sa kohë që do të kemi dy të mira dhe dy të këqija, një të ligjit dhe një të kanunit, sa kohë që do të kemi ende zona të izoluara, sa kohë që do të kemi fëmijë që nuk rriten me mësime, por me mëninë e stërgjyshërve, po aq kohë gjakmarrja nuk do të rrijë vetëm e strukur ndër libra, por do të vazhdojë të përgjakë. Dhe po kaq kohë do të kemi njerëz që do të jetojnë me Jezu Krishtin në zemër, por me mëkatin në mendje.
Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje