Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Nano dhe Berisha, c'fare fshihet pas darkes ne Viene
Publikuar me 18 Pri 2010

Nano dhe Berisha, c'fare fshihet pas darkes ne Viene

Kryeministri Sali Berisha është takuar me ish-kryetarin e Partisë Socialiste dhe ish kryeministrin Fatos Nano dhe së bashku kanë darkur në restorant “Siesl”, një ndër më mondanët e kryeqytetit austriak, Vjenë, bëjnë të ditur burime pranë takimit. Darka informale ka nisur rreth orës 19.30 dhe ka vazhduar për afro tre orë dhe kryeministri aktual së bashku me atë të mëparshëm, kanë folur gjatë mbi zhvillimet e fundit politike në vend.


Zyrtarisht kabineti i kryeministrit nuk pranoi të konfirmojë bisedimet Nano Berisha por siç duket dhe në foton që ju shihni, dy liderët e njohur politikë të cilët prej afro tre vjetësh i kanë zbutur shumë tonet mes tyre, janë takuar në një nga restorantet më të mira vjeneze.


Burimet bëjnë të ditur se mes dy politikanëve më të njohur të Shqipërisë, është rënë dakord për një marrëveshje por nuk janë dhënë detajet e saj. Spekulohet se marrëveshja mund të lidhet me rikthimin e mundshëm të Nanos në jetën politike pas tërheqjes më 2005 kur humbi zgjedhjet parlamentare pas tetë vjet qeverisjeje të vendit nga Partia Socialiste.


Vetë Nano ka deklaruar në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion” të Tv kombëtar Klan, se nuk përjashtonte rikthimin duke theksuar se “këtu jam, prisni surpriza” dhe duke lënë të hapur mundësinë e kandidimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, post që prej afro dhjetë vjetësh mbahet nga kryetari aktual i Partisë Socialiste, Edi Rama.


Burime pranë takimit thanë se tema kryesore të bisedimeve ishin zhvillimet në Partinë Socialiste dhe në tërësi zhvillimet politike në vend.Dorëzimi i Pyetësorit nga Berisha në Bruksel, vizita dhe takimet që kryeministri zhvilloi në kryeqytetin belg dhe çështjet që lidhen me integrimin, ishin temat kryesore të takimit të zhvilluar.


Ndërkohë një çështje që është diskutuar shumë, ishte aho e heqjes së vizave për Shqipërinë me vendet e Bashkimit Evropian.“Unë jam i preokupuar për çështjen e liberalizimit të vizave, ecurinë e saj dhe hapat që po ndiqen”, ka deklaruar Nano në takimin me Berishën, bëjnë të ditur burime pranë takimit.


Mësohet se Nano ka marrë informacione të plota nga kryeministri Berisha lidhur me fazat e procesit të liberalizimit të vizave.Ai e ka informuar Nanon me faktin se brenda pak javëve në vazhdim, e pritshme për në maj, referuar zyrtarëve evropianë, do të shpallet propozimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.


Më tej në një takim të paraparë për më 2 qershor 2010, në Sarajevë, pritet të merret edhe vendimi.Ndërsa në muajt në vazhdim, mbetet për t’u ekzekutuar në vendkalimet kufitare, vendimi i BE për të hequr vizat për shtetasit shqiptarë të pajisur me pasaporta biometrike.


Takimi Nano-Berisha vjen vetëm një ditë para Kongresit të Partisë Socialiste i cili përmes ndryshimeve në statusin e kësaj force politike, më e madhja e opozitës aktuale, ka gjasa të krijojë hapësira të përshtatshme për përjashtimin e disa prej emrave të njohur socialistë si Ben Blushi, Marko Bello, Ylli Manjani, Arben Malaj, Kastriot Islami etj., të cilët bëjnë pjesë në atë që njihet si Lëvizja për Mendimin Ndryshe në PS. Në statusin e PS nuk lejohet devijimi nga fryma e përbashkët e vendimeve të strukturave drejtuese të PS dhe anëtarët e mësipërm të LMN kanë bërë pikërisht të kundërtën. Një propozim për të ndryshuar statusin e PS nuk gjeti hapësira nga mbledhja e Asamblesë së PS për t’u dërguar për votim në kongresin e së Dielës së sotme


1711
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI